Kulturë
Prend Buzhala: Zëri lirik i lules
E premte, 12.09.2014, 06:57 PM
Zëri lirik i lules që ligjëron tek rrufet
(Fatmire Duraku: “Vagëllim mbi ujë”, poezi botoi FAD, Prishtinë 2006)
Nga Prend Buzhala
LIBRI POETIK “Vagëllimë mbi ujë” i krijueses së re Fatmire Durakut (është lindur më 1974), jep edhe një dëshmi tjetër në favor të artit e të përkushtimit krijues: e ndiejmë pjekurinë krijuese, e cila na bind për një përvojë të së bukurës , si kategori estetike. Krijuesja e re Fatmire Duraku, tashmë e ka krijuar profilin e sa artistik, duke shkruar me ngulm si prozën, kryesisht zhanrin e romanit, ashtu edhe poezinë. Ajo deri më tash ka botuar romanet “Te vorri i Çikës” , Fshehtësia e tre shpirtërave” dhe “Plepi i thyer”, si dhe librat me poezi “Pse ike kur më puthe” dhe “Vjedhësi i çasteve”.
I ndarë në pesë cikle(Prerja e lisit të shtëpisë”, “Molla e dehur luhatet në pe”, “Vyshkja e lules në katër pamje”, “Vallëzimi me vdekjen”), ky vëllim e shquan prirjen për tërësinë, por e shquan edhe profilin krijues në disa rrafshe: në rrafshin e kohezionit ndjenjor-lirik, në atë të fshehtësisë poetike, , në antonimin e këndimit palador e elegjiak, evokim lirik i të ndodhurave. Aty-këtu nxjerrin kokë motivet kryengritëse të shpirtit , kurse përgjatë gjithë vëllimit të duket se ligjëron, vallëzon, proteston, vetmohet a evokon zëri i një luleje brenda subjektit poetik:
Dy grushte dhe për lulen time
Që priste të bënte jetë të re në mua
Mes muresh të kullës
Në dritaren e vogël
(poezia “Lulja dhe rrufeja”, eq 36)
Dhe po këtë zë brenda një zëri e këtë musht lirik këndimi, e pleksin edhe leksemat tjera poetike: uji që i bie gurit, deti që është një zogë i ndezur, kaltërsia, zogu në qiell, kitara, heshtja, pamjet e peizazhi, lisi, zjarri i vjetër... e kush na qenka ky zjarr? Është ajo kika poetike që e mban shtyllën e qenies ekzistenciale. Do theksuar se poetja një cikël të tërë e shkruan me trioleta, zhanër ky kaq i rrallë në poezinë tonë që nga Lasgushi e këndej. Është shpirti i poetes që vagëllon si një zë hyjnor mbi ujë. Kontrastim interesant, apo jo!