E premte, 13.12.2024, 06:47 PM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: “ Blirët e Pejës” me peshë historike

E merkure, 10.09.2014, 06:22 PM


“Blirët e Pejës”, libër me peshë historike

Nga Tahir Bezhani

Fatmir Terziu, poet e romancier i dëshmuar, analist e kritik letrar i mprehtë e cilësor, me romanin e tij  më të ri, dëshmoi për aftësitë krijuese në të gjitha gjinitë letrare, që më parë i kishte dëshmuar me romanet e tij “Grykës”; “Bunari” dhe “Kojrillat”. Tashmë vjen romani “Blirët e Pejës”, pa dyshim se është një e arrirë e veçantë, e mirëpritur në fushën e përzgjedhjës së tematikës për trajtim të lëndës romanore në aspektin historiko-letrar.

Në romanin “Blirët e Pejës”, autori Fatmir Terziu, ka trajtuar një temë të së kaluarës sonë të mundimshme, të viteve të errta të qëndresës, mes nënshkrimesh të zeza të fateve të këtij populli, për të cilin historia qe përherë njerkë e ne jetimë….

Vrasjet, rrahjet, shpërnguljet, tatimet e rënda të pushtetit, nëpërkëmbja e popullit, skamja, mjerimi, ishin standarte të një jete të mundimshme për popullin shqiptar. Këto karakteristika domethënëse, autori i romanit, “Blirët e Pejës” i ka skalitur më së miri, me një mjeshtri e pedantëri artistike, duke i hedhur në letër, pët t’ia dhuruar lexuesit një copë histori të  vuajtjes nën sundimet barbare të pushteteve të huaja, të pushtetit të serbisë posaçërisht.

Gjithë kalvari i një jete kaq të rëndë, nuk vjen vetvetiu, por ajo zihet diku, në kuzhinat e politikave shtetërore me tipare hegjemoniste e shoveniste, kundër një populli, në këtë rast, kundër popullit shqiptar. Këtë më së miri e konkretizon autori përmes protagonistëve të veprës “Blirët e Pejës,” ku figurat pushtetare, të përgaditura e të ushtruara nga politika shtetërore, bëjnë presion të pa parë në shtresën qytetare, duke zier e gatuar edhe vrasjet, përdhunimet, marjen e tokave, me të vetmin qëllim, shpërnguljen nga trojet e tyre.

Këtë lojë mjeruese e luajnë mrekullueshëm protagonistat në roman, si Ivan Petroviç, Zdravko Peshikovski, Bozhidar Markovi, personalitete gjykatash e pushtetarë të lartë, me dorën e zgjatur, si përherë të ndonjë mjerani shqiptar, si polici Iridon Gashi, i cili, si pa dije, “futet” në lojën e keqe të pushtetit aktual dhe bëhet vegël e huaj për interesa vetjake. Gatesa e vuajtjes së popullit tonë nën zgjedhën okupuese sllave, sipas romanit, nuk qartëson vetëm atë periudhë kohore, por, nënkupton një zgjatje kohore të pafund, me shekuj nën sllavizëm, deri në luftën e fundit të vitit 1999.

Prandaj, alegoria dhe ironia e shprehur e autorit ndaj okupatorit, zbërthimi i planprogrameve politike e shovene, përbëjnë pjesën më të pëlqyer të porosisë së librit. Duke dhënë tabllot e një jete nën rrethana si në libër, autorit nuk i mungojnë shprehjet e qëllimshme poetike, përmes të cilave krijohen emocione gjatë leximit .

Përmes protagonistave të cekur në romanin “Blirët e Pejës”, mjeshtri i fjalës së shkruar, zoti Terziu, ndërton tërë ngjarjen interesante të vrasjeve, siç është rasti i Abdullah Ibrahimoviçit me Said Suleviçit (vriten të dy), i fejuari i motrës së Avdullahit, Zades, e cila vritet në rrethana të nxitjes dhe stimulimit të argatëve të pushtetit të Serbisë.

Ngjarja zhvillohet në kohë e hapësirë turbullirash të viteve 1936, të cilat autori i romanit na i prezenton me aq mjeshtëri, sa të duket se ngjarjet kanë ngjarë dje e jo para  tetëdhjetë vitesh. Nuk do ishte me aq rëndësi ajo ngjarje, ato tema, sikur mjeshtri i fjalës së shkruar, të mos kishte për qëllim aspektin filozofik e politik për sugjerim e komporacion kohë me kohë, ku duhet të dominoj përherë vigjilenca dhe pjekuria e lartë e nuhatjes së situatave të ndërlkikuara.

Një shkathtësi tjetër që vërehet te autori i romanit z. Terziu, është konkludimi i rasteve të vrasjeve të organizuara nga pushteti, kur bëhen shikimet e vendit të ngjarjeve, manipulimet me faktet, shmangia nga realiteti, konstruktimi i rastit ku prokurorët e hetuesit, manipulojnë me proçeset dhe argumetet e vendngjarjes, me qëllimin e vetëm, për të humbur gjurmët e krimit të organizuar. Është praktikë kohe se veprat kriminale mbesin të pa zbuluara vetëm kur pushteti aktual inkriminohet në vepra të tilla. Kjo tezë e zotit Terziu, është një nuhatje e marrëzirave politike në çfarëdo kohe qofshin ato. Në këtë kuptim, vetë autori, reflekton si një njohës i mirë i  fushës së hetimeve, si një njohës i pjekur i metodologjisë së krimit të organizuar. Kjo vërehet qartë te rasti i vrasjes së Zades, e fejuara e Said Suleviçit, i cili, vret të fejuarën nxitur nga lëmshi i krijuar i pushtetit, duke u “bazuar” në rrethana kanunore….

Prandaj, mund të cekim lirshëm se romancieri tashmë i dëshmuar në shkallë vendi e jo vetëm, na bind për  aftësitë e jashtëzakonshme krijuese e imagjinative duke nxjerrë në sipërfaqe  tema të një rëndësie të veçantë, ku pasqyrohet e kaluara jonë historike me të gjitha peripecitë e jetës që posedon një popull fisnik e i qëndrueshëm në rrugëtimin e tij. Romancieri Fatmir Terziu, me hapësirën tematike që trajton, plot imagjinatë, për mendimin tim, përafrohet me mënyrën e trajtimit  si  Markesi, Kohell etj., shkrimtarë me renome Europiane.

Pajtohem me disa parashkrues  për z.Terziu se kritika letrare ende nuk e ka thënë fjalën e duhur për autorin e disa romaneve, dhe pritet që sapo të zgjohen nga gjumi, do e radhisin Terziun në raftet e para të lexueshmërisë, jo vetëm atij shqiptarë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora