E premte, 13.12.2024, 12:27 AM (GMT)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Drita hyjnore e kishës Shën Maria

E diele, 07.09.2014, 06:49 PM


DRITA HYJNORE E KISHËS KATOLIKE SHËN MARIA

NË LURË DHE VIZITA E ATIT TË SHENJTË NË TIRANË

Në prag të vizitës së Papa Franceskut do të përurohet Kisha Shën Maria në Lurë, vepër  bamirëse e biznesmenit të suksesshëm, Dod Doçi – president i “Lura Group”

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Vjet, biznesmeni Dod Llesh Zef Doçi nga Derë e Parë e Lurës, president i “Lura Group”, ndërtimtar i fshatit turistik “Lura” në bregdetin e Durrësit, ndërmori një vepër bamirëse të pashembullt: ndërtimin e Kishës Shën Maria në Lurë, në këtë krahinë etno-historike e turistike  me mbi 125 km2, të cilën në kohën e vet kishin rivalitet për ta qeverisnin me kanunet e tyre edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, po edhe Lekë Dukagjini dhe mbetet një shembull i mirë i bashkëjetesës fetare për kohën e botën e sotme.

 Dita e kësaj vendimmarrjeje të biznesmenit besimtar Dod Doçi ishte tejet e veçantë:  8 Shtatori – Dita e Lindjes së Shën Marisë, Zojë e Bekuar, Nana e Jezu Krishtit, festë e madhe e Kishës Katolike, Ortodokse e Anglikane.

Në Lurën pa kufij ndasor fetar e kremtojnë sëbashku, ndër shekuj, si rrallëkund, edhe katolikët, edhe myslimanët.

Nisma për ringritjen e Kishës Shën Maria, vend i shenjtë me pelegrinazh të heshtur në kohë ateizmi komunist dhe festiv në kit’ kohë të demokracisë si për besimtarët e atyhit e të viseve të largëta, duket sikur kishte fuqi hyjnore për të marrë udhë pikërisht në kit’ ditë të shenjtë të bashkëjetesës fetare shumëshekullore e të përditshme në Lurë.

2.

Kishës katolike të moçme Shën Maria në Lurë, ndoshta e shek. XV, ia kishte mbuluar koha me dhè e barë tufalak themelet e rrënuara nga erozioni i motmoteve e i politikës antife ateiste të së djeshmes. Një burrë i zoti, i palctë, bajemirë e punëkryem, si i veçanti Dod Doçi, vendosi shpirtërisht me i çplue sy diellit, njerëzve e kohës themelet e kësaj “Shtëpie të Zotit”.  Institucione të tilla janë vlera fetare, shpirtërore e kombëtare. Vet Katoliçizmi për ne, Shqiptarët,  është “Palca e Kombit” në historinë tonë prej se nga Antikiteti i Vonë Ilir, prej nga Shën Konstandini i Madh tek Nanë Tereza.

Shembulli i pashembullt.

 E para: biznesmeni i besimit katolik Dod Doçi e cakton kusherinin e vet fort afërt, Sali Doçin, i besimit mysliman, që të jetë në rol sipërmarrësi, një kordinator e punëkrah, për me gërmue në thellësi të tokës e me i nxjerr faqe botës themelet e kishës së vjetër Shën Maria. Ky e kreu detyrën shpejt e mirë.

E dyta: tashti, ky mysliman i Derës së Parë të Doçit në Lurë, punëtori flokëthinjur  Sali Doçi, po i ndjek si koordinator e revident dhe krahtar punimet e ndërtimit fundekrye të kësaj kishe krejt të re e vërtet të bukur.

E treta e jashtëzakonshme: kujdestar plotor e dekador i kishës katolike Shën Maria në Lurë do të jetë myslimani Sali Doçi, edhe pasi prifti të vijnë aty.

Ai ka një kontratë të tillë pagese e me obligime për dhjetë vite nga vet presidenti i kompanisë “Lura”, ing. Dod Doçi, një  biznesmen shqiptar elitar.

Këto tre raste të përveçme tek një shembull i pazakontë nuk i gjen askund në glob, në kohën e sotme ku shpesh dhezèn konflikte të pashuara e të përgjakshme ndërfetare.

3.

Kur filloi hapja e themeleve të reja të Kishës katolike Shën Maria në Lurë ishte një nga ditët e Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, i Agjërimit – një nga pesë shtyllat e Islamit.

Aty shkon edhe Sheh Haliti i Lurës. E pritën shumë vllaznisht, sipas traditës lurase e të Derës së Doçit, të vet Dod Llesh Zef Doçit të Lurës. Të gjithë sa ishin aty i dhanë mirënjohje shpirtnore.

Sheh Haliti uroi tek themelet e kishës, e dha bekimin e tij plot mirësi njerëzore,  ndërfetare:

 -Ju priftë e mira në ndërtimin e kësaj “Shtëpie të Zotit”! Ta gëzojmë bashkarisht gjithë Lura jonë!”.

Dhe iku fytyrqeshur. Katolikë e myslimanë të atyshëm ndihen të lumtur.

Ky është një tjetër shembull i pazakontë i bashkëjetesës fetare në Lurë që rrezatohet tek Kisha Shën Maria.

Ndokush me e kuptue ma plotësisht kit’ mesazh, kit bashkëjetesë, kit akt, duhet të dijnë edhe këto fakte historike. Lura vetëqeverisej nga “Kararet e Lurës” (kanuni i saj, ligjet e saj), që zbatoheshin nga 12 pleq, 12 çekiç dhe 6 dhetarë. Kararet e Dheut të Lurës u shenjtëruan me duvanë e Teqesë së Murat Dedës mëse dyqind vjet ma herët nga vet Sheh Murati i Parë, diku rreth vitit 1800, asokohe kur filloi procesi i islamizimit në Lurë, i kthimit në kushte normaliteti të katolikëve në myslimanë, në shehlerë të tarikatit “Halveti’. Me kit’ ndërhyrje edhe në Të Drejtën Zakonore krahinore të Lurës duhet thanë se Teqja e Cerenit u legjitimua në Lurë si një institucion ma i randësishëm se vet Kisha, ishte faktor shoqëror i madh prej atëherit e deri më sot, në shek. XXI. Kaq i madh ishte ky ndikim saqë edhe në raste kur Shehi për arsye moshe, kohe, etj. nuk shkonte shpejt në vendin e ngatërresës të dy lurasve (qoftë edhe të besimeve të ndryshme) poqese se i çonte aty tespijet e shkopin e tij njerëzit bindeshin menjëherë, ulnin gjakrat e armët, ia fillonin prapë bashkëjetesës me normalitet në komunitet. Pajtimi ishte krye përgjithnji, për mirë, për mbarë.

4.

Shumkush nga filantropistë shqiptar përgjatë kohnave ka dhanë financime për ndërtime të kishave katolike po astenji rast tjetër nuk është i ngjashëm me shembullin e ing. Dod Doçit i “Lura Group”. Ky është një rast i pashembullt edhe në botën e sotme. Kjo duket tek hapat sipërmarrës të krye/veprës së tij bamirëse, Kisha Shën Maria në Lurë.

I pari hap: Me ia çplue themelet kësaj kishe shumëshekullore katolike shqiptare. Ing. Dod Doçi dhe grupi projektues i kishës së re ia ruajti vlerat muzeale e praktike themeleve të vjetra tue i lanë të paprekuna në projektin e ri të saj, nja 50 cm lartësi mbi tokë (dysheme). Pra, mbi themelet e të vjetrës nuk u ngrit një e re, po si të thuash do të jenë sëbashku: kisha e moçme dhe e sotme.

Hapi i dytë: Me e nxjerrë vet’ Lejen për kishën e re tek Dioqeza e Rrëshenit, tek Administratori Apostulik i saj; me u interesue deri në Selia Metropolite – Kryedioqeza Tiranë-Durrës me Arqipeshkv Sh. T. Imzot Rrok Mirdita, ku përveçohet për mirë edhe kontributi ndihmatar i Don Gjergj Meta - Administrator i Kishës Katedrale Shën Pali në Tiranë dhe Zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

I treti hap: Me ia ba vet projektin Kishës së re Shën Maria. Ing. Dod Doçi e përzgjodhi projektin më të mirë në mes shumë të këtillë nga disa vende të botës. Shkoi në Lurë me grupin e arkitektëve të kompanisë së tij me i pa nga afër trollin e kishës, luginën, malet, ndërtimtarinë e atyshme. Ark. Blerta Foto, ark. Dea Gora, ing. Redrit Baholli, me përvojën e vet të vyer banë një projekt të vetin të veçantë, i tipit alpin, ku harmonizohen antikja me modernen. I rrallë, ndoshta i vetmi si ky.

Hapi i katërt: Me e ndërtue vet, me investimet e tij, Kishën Shën Maria në Lurë.

Mjeshtrit i ka përzgjedh nga ma të mirët, profesionist në ndërtime të kishave katolike në trojet shqiptare. Materialet e ndërtimit janë tanësisht natyrale. Muret krejtësisht dekorativ, me gurë gëlqeror të ardhun nga Rubiku (Mirditë) e të skalitur aty nga mjeshtrit gurëgdhendës. Gëlqerja përzihet me ranë guri. Brenda mureve të kishës ka një skelet betonarme të padukshëm për me iu përballue forcave sizmike. Dera e 12 dritaret e kishës kanë formën e një harku (qemer me çelës) karakteristikë e kullave të zonës përrreth.

Këmbana ka pamje e orientim të atillë që të dëgjohet përtej luginës së gjatë e të bukur të Lurës, në vise të rretheve fqinjë si në Mërkurth të Mirditës, etj. Ajo po vjen e gatshme nga një firmë e njohur në Milano të Italisë. Këmbana do të ketë mbishkrimin e vet kushtimor: “KISHA SHËN MËRIA. DHURATË KOMUNITETIT. DOD LLESH ZEF DOÇI. LURË, 2014”.

Kisha Shën Maria në Lurë do të përurohet për komunutetin katolik të atyshëm e rrethinave të saj, po edhe si “dhuratë biblike” e bashkëjetesës fetare shqiptare në kuadrin e Vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranën metropolitane.

I pesti hap: Kisha do të ketë hapësira plotore, pasi biznesmeni Dod Doçi i ka blerë mbi tre dynym tokë për selinë e kishës, për vorret anë saj, për oborrin e livadhin e saj të madh.

Hapi i gjashtë: biznesmeni besimtar e bamirës Dod Doçi nuk është nga ata filantropistë që pasi investojnë në një objekt ia kthejnë shpinën atij. Përkundrazi: për 10 vjet, si e cekëm nelt, ka me e lanë kujdestar të besuar e të paguar myslimanin Salih Doçi me u kujdes për Kishën Shën Maria, përgjithçka në territorin e saj, për çdo gja të ditës e të perspektivës që i duhet kësaj “Shtëpie të Zotit”.

Këta gjashtë hapa të misionarit bamirës Dod Doçi për ndërtimin e Kishës katolike Shën Maria në Lurë nuk i gjen askund në trevat shqiptare në Ballkan, as ndër shqiptarët në botë. Unë nuk e njoh krejt botën e madhe të sotme me iu thanë se nuk ka askund një rast të tillë, veç di t’iu them këtë: Dod Doçi i jep një shembull të mirë shqiptar botës në shek. XXI. Do dëshiroja të isha një këmbanë fjale që të më dëgjonin  të gjithë. Kudo në Planet. Veçmas në kit’ ditë të vizitës të Atit të Shenjtë në Shqipërinë Londineze.

5.

Dod Llesh Zef Doçi i Lurës njihet si derë e besimit katolik të paktën qyshse nga shek. XV dhe ende edhe sot ndihet i tillë si besimtar i devotshëm e kontributor.

Tradita rrëfen se paraardhësi i tij i hershëm, atdhetari Preng Nikollë Doçi, ka marrë pjesë në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës (1444) mbajtur nga Heroi Ynë Kombëtar, epokali Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i vlerësuari “Atlet i Krishtit” e “Mbrojtës i Krishtërimit”, Historia, mitet e legjendat flasin se Skënderbeu ishte mjaft i lidhur me krahinën lavdiplote të Lurës, pasi për besë, siguri e bujari e sillte aty një pjesë të madhe të ushtrisë së tij në kohë dimri, farkëtonte armë në Livadhin e Xharrit, ende ruhen “gjurmët e kalit” të tij në Qafë Lurë, etj.

Dera e parë e Doçit në Lurë, pasaardhës i së cilës është edhe Dod Llesh Zef Doçi, i dëshmon kohës e botës së sotme ndërplanetare një shembull ideal e praktik të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës dyfetare katolikë e myslimanë brenda vet trungut familjar, brenda vllaznisë së tyre.

At Loro Mihaçeviq në veprën e tij “Nëpër Shqipëri 1883-1907” shkruan për Derën e Doçit – Derë e Parë e Lurës, për faktin e jashtëzakonshëm të bashkëjetesës të dyfeve edhe brenda një trungu familjar: “Në Lurë qemë në shtëpinë e Kryeplakut të fshatit, i cili e kishte vllain mysliman, njëri festonte Krishtlindjet e tjetri Bajramin, njëri fëmijët i ka pagëzuar Gjon e Pjetër dhe tjetri u ka fryrë në vesh emrat Syl e Osman”. Tevona, në kit’ Derë,  Bibë Kolë Doçi – Kreu i Lurës, kërkoi nuse (Korben) për djalin  e vet në Derën e Sali Stafë Carës. Miqësia u lidh me kusht: jo vetëm çika e tij po edhe fëmijët e saj që do të lindnin të merrnin besimin mysliman. Kjo u pranue dhe u zbatue prej tij.  Djali i tij ishte i besimit katolik e shkonte në Kishën Shën Maria të Lurës, ndërsa  grue e fëmijë i kishte të besimit mysliman e shkonin në xhami.

Kulla “Monument Kulture” e Bibë Kolë Doçit, kushërinj të afërt të Dod Llesh Zef Doçit, ishte një familje e madhe me 31 antarë. Në vitin 1966, kur u ndanë ndërveti, degëzimi i Bibë Doçit me djemtë, Zefin (kryebashkiak në Balldre – Lezhë), Gjonin (mësues, poet e prozator) e Lleshin ishin 17 vetë të besimit katolik dhe degëzimi tjetër i Haziz Doçit me fëmijët e tij (një prej të cilëve është edhe Sali Doçi i Kishës Shën Maria) ishin 14 vetë të besimit mysliman.

Dyfetarizmin e gjejmë edhe në trungun familjar të Prengë Dedë Doçit (tjetër kushëri i afërt i Dod Llesh Zef Doçit) e kanë ruajt besimin katolik po kanë pasë martesa të përziera, edhe me myslimanë. Vite ma herët kjo familje ka lidhë miqësi me Markun e Doçin në Arrën, Laçin në Reç, Kacin në Gjur-Lurë.

Historianët e studiuesit dhe vet fetarët si At Gjergj Fishta, At Loro Mihaçeviq, At Domeniko Pazzi, akademikët Kristo Frashëri e Mark Tirtja, prof. dr. Shefqet Hoxha e Kahreman Ulqini, doktorant Nikollë Loka, Agron Tufa, Xheladin Tollja, Ahmet Përleka, Hysen Dervishi e të tjerë thonë se lurasit myslimanë shkonin sëbashku me katolikët në kishë për Krishtlindje e Pashkë, po edhe lurasit katolikë shkonin sëbashku me myslimanët në xhami për Bajramin e Madh dhe për Bajramin e Vogël. Në të gjithë Shqipërinë, shkruan doktori i shkencave filologjike, Agron Tufa, poet, shkrimtar e përkthyes, është përhap legjenda se gratë e krishtera kanë gatuar në të njëjtin kazan si mishin e deles dhe mishin e derrit dhe gjatë ngrënies ua kanë ndarë në sofër sipas përkatësisë fetare të secilit. Në fund të shekullit XIX në Lurë, ku martesat me besime të ndryshme ishin të zakonshme, prof. dr. K. Ulqini thekson se u gjet ky rast: ndër katër djemtë e një familjeje, i pari dhe i treti mbanin besimin e atit, i dyti dhe i katërti besimin e nënës katolike.

Kjo bashkëjetesë në mes të krishterëve e myslimanëve është një tjetër kontribut i madh që ka dhanë Lura për qytetërimin shqiptar, europian, ndërplanetar, që Selia e Shenjtë në Vatikan e ka në thesaret e saj si model për kohën e botën e sotme.

6.

Familja e Llesh Zef Doçit, babës së biznesmenit bamirës Dod Doçi, president i “Lura Group”, ishte e vetmja e besimit katolik në fshatin Sumaj të Lurës me popullsi krejt myslimane, po këta si Derë e Parë e Lurës e ruajtën deri në ditët e sotme besimin e vet katolik duke e respektuar edhe besimin e tjetrit, atë mysliman, në çdo rast e festë, çdo ditë. Si dje, edhe sot.

Biznesmeni Dod Doçi nuk është rastësisht një bamirës i ndërtimit të kishës katolike Shën Maria në Lurë, pasi ai, më 19 tetor 2003, ishte në Romë, në ceremoninë e Lumturimit të Nanë Terezës nga Papa Gjon Pali II. Nuk ishte vetëm. Me 50 vetë nga kompania e tij private “Lura” nga  Shqipëria Londineze shkuan në kit’ ditë historike në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Bashkëjetesa harmonike fetare e dy besimeve katolike e myslimane gjatë ndërtimit të Kishës katolike “Shën Maria” dhe në trungun genetik e degëzime në breza të Derës së Parë të Lurës – Derës së Doçit, si dhe në familje e fshatra të Lurës përgjatë shekujve të fundit, në festa të përbashkëta e në jetën e përditshme të tyre, janë një shembull i rrallë e i madh që Shqipëria i jep botës së sotme, të nesërmes të njerëzimit, demokracisë në glob.

Lura dhe Kisha e saj Shën Maria, kryevepër bamirëse e biznesmenit besimtar e të suksesshën Dod Llesh Zef Doçi i Lurës, janë një shembull thesar për kohërat e epokat, për Krishtërimin e Njerëzimin, si  një “dritë hyjnore” shqiptare për vizitën e Atit të Shenjtë në tokën atnore të Shën Konstadininit të Madh, Papa Eleutherius, Shën Niket Dardanit, Papa Caius, Shën Jeronimit, Papa John IV, Papa Klementi XI dhe deri tek  nobelistja e shenjtorja e ardhshme Nanë Tereza.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora