E shtune, 08.05.2021, 05:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Përse shkruajmë?

E shtune, 06.09.2014, 07:11 PM


Përse shkruajmë?

Nga Dr. Ilir Muharremi

Për shkrimtarin e sinqertë realiteti është i padurueshëm, kërkon ndryshim brenda kornizave të pandryshueshme me qëllim që të krijohet loja, zhvillimi, mesazhi dhe prapë vërtitje brenda botës së shpjegueshme e cila çdo ditë është e thuktë dhe monotone. Dikush shkruan sepse i pëlqen, të tjerët shkruajnë sepse nuk mund të bëjnë ndonjë punë normale, shkrimtarët e mëdhenj shkruajnë që librat e tyre dikush t’i lexoj. Të tjerët janë shumë të mërzitur, të revoltuar me jo-në e madhe. Orhan Pamuk shkruan sepse ka dëshirë të shkruaj, të ri mbyllur në një dhomë gjatë gjithë ditës. Ka frikë të jetë i harruar brenda këtij universit të plotësisë duke e refuzuar pa abstenim nga e vërteta. Arti është fantazi që shërbehet nga realiteti. Letrari e pranon botën ashtu si është, dhe nuk ik nga ajo. “Njerëzit e duan botën , këta qytetarë të çuditshëm të botës, të mërguar në atdheun e vet”, shkruan Camus. Vetëm në momente të shkurtra kapin idealet e realitetit. “Shkruaj sepse është argëtuese të përkthesh në fjalë tërë këtë bukuri dhe pasuri të jetës.” Fuqizon realitetin Pamuk. Argëtuese dhe korrigjuese e botës reale, ngaqë bëhet fjalë për një botë identike. Shkrimtarët nuk shkruajnë histori, por ndërtojnë histori. Heronjtë posedojnë gjuhën e forcës të njëjtën si tonën. Nga kjo botë vijnë dhe lartësohen në fjalë. Vuajtjet, dashuritë, gënjeshtrat, janë të njëjtat, personazhet i shkojnë deri në fund të fatit të tyre. Bukowski te “Femrat”, Kamy te “I huaji”, Pamuku te “Muzeu i vetmisë”, ndërtojnë fundësinë e pasioneve dhe relikteve. Ata arrijnë të përfundojnë atë që ne kurrë nuk e qojmë deri në fund. Tek femrat shpalosen marrëdhëniet më komplekse me erotiken dhe seksin, një rrëfim i gjallë, ngjethës poemë rreth dashurisë dhe dhimbjes. Dashuria është pa interes, ndërsa seksi kalon në vulgaritet. Fati i Mersos te “I huaji”  shkon deri në fund, por edhe në realen mund të durohet një gjë e tillë. Ftohtësia emocionale e tij përçohet deri në fund të romanit. Muzeu i Pamukut i përkushtohet jetës dhe kohës së personazheve. “Nuk është lehtë t`i identifikosh, kështu që në Muzeun e Pafajësisë, ashtu si edhe në roman, kufiri mes botës reale dhe asaj imagjinare nuk është gjithmonë i qartë.” klith Pamuk.  Pyetja ngritët mbi atë se a e ka jetuar autori këtë apo e ka imagjinuar. Realiteti ngjanë me fantazinë, por fantazia prapë lirohet nga realiteti duke zgjedh të bukurën. Qëllimi i së bukurës është të mbledh sa më shumë forca njerëzore duke refuzuar analizën.

Atëherë, gjithmonë mbetet ajo se pse shkruajnë shkrimtarët, çfarë fshihet pas perdes së pavetëdijshme, apo të vetëdijshme, ose thënë edhe më qartë të dirigjuar nga instinkti i cili gjithmonë ishte aty ku është. Shumica shkruajnë për t’i shpëtuar ndjenjës që e dëshirojnë sikurse në ëndrra. Kur mungon lumturia, atëherë bëhemi shkrimtar për të qenë të lumtur. Floberi pohonte se shkruante për t’u çliruar nga njerëzit dhe nga sendet. Një vetmitar i egoizmit të pashoq, aty ndodhen tingujt e padëgjuar. Sartri të shkruarit e konsideron sikur të japësh. Por, para se të japësh, çfarë do të prezantosh për shijet. Kjo nuk ka rëndësi. E pëlqyeshme bëhet nga autorët dhe autorët nuk krijojnë për shijet. Kadare e konsideron si lumturi e pushtuar me trazime. Nuk ka krijim më të fuqishëm sesa ai që buron nga revolta. Shkrimtari i revoltuar thotë “jo”. Edhe nga ky refuzim prapë nuk heq dorë, në të njëjtën kohë miraton po-në.  “Impulsi i revoltës mbështetet në refuzimin kategorik të një ndërhyrjeje të padëshirueshme” thotë Camus. Në këtë kokëfortësi robi i revoltuar mendon se ka diçka në kokën e tij që ja vlen.

Të shkruash do të thotë të nxjerrësh atë çfarë asnjëherë nuk e ke ndjerë dhe tashmë po e ndjen, kjo ndjenjë rrezaton panjohuri për ata që duan ta kapin. Të gjithë pohojnë, mendojnë, japin mendime ashtu si duan por ajo vjen vetë nga pasiguria, nga instinkti, nga ndjenja e cila kërkon egon për ta shprehë. Kjo më pëlqen se nuk është ajo në thellësi që është. Umbertato Eco thotë se shkruaj se më pëlqen. Kjo e fundit nxjerr atë epshin , pëlqimin ndaj vetes, por kështu edhe vazhdon. Duhet të vazhdoj. Ndërsa, Nathan Englander shkruan sepse ka dëshirë të vendos rregull në kaos. Kaos ky i cili nxjerr revoltën, fillimin dhe fundin e kësaj toke. Pa këtë asgjë nuk mund të ketë kuptim. Kuptimi refuzon realen. Një reale që kërkon art. Brendia emocionale nuk mund të shprehet tamam ashtu si është. Kjo na bënë shkrimtar na thyen nga vetja. Më mirë sepse bota nuk mund të ekzistoj pa art. Ken Follet thotë: “Akti i të shkruarit më pasionon. Përfshin gjithë intelektin tim, emocionet e mia, përfshin gjithë atë që jam në botë dhe mënyrën se si funksionoj si qenie njerëzore.” Kjo është më e vërtetë sepse nxjerr nga vetja. Por, arti i të shkruarit ka pafajësinë e vetës pastaj të botës, sepse nuk mund të braktiset nga bota. Si mund të arsyetohet kjo? Bota për njeriun, njeriu për botën, lojë. Mark Haddon shkruan: “ Ka shumë raste që përpiqesh të realizosh atë që ke në mendje, por nuk ia del dot. Kjo ndoshta sepse nuk ke gjetur mjetin e duhur shprehës, pra në këtë rast zhanrin e duhur të artit. Por mund të ndodhë të kuptosh se nuk ka ende një zhanër të tillë që të arrijë të shprehë brendinë tënde emocionale. Gjithsesi, të shkruarit është ai që i afrohet më shumë kësaj brendie dhe materializimit të saj.”. Bota rreth teje vazhdon ajo kërkon të dal ta njohë çdo kush, por arma varet nga ti. Sido që të jetë prapë vazhdon. Ajo merret nëse vazhdon me të. Shkrimtari nuk mund ta braktis botën sepse e ngacmon. Colum McCann aftësinë e të shkruarit e radhit tek aftësia e imagjinuarit. Fakte që vazhdojnë të ndodhin dhe që ekzistojnë edhe mijëra histori që presin penën e një shkrimtari për t’u thënë. E imagjinuar nga realiteti sepse realiteti s’ka kuptim pa imagjinatën. Në të njëjtën kohë ngrehin fitoren e kësaj bote.  “Në një farë mënyre të shkruarit është vazhdim i asaj ndjesie të provuar që për mua nuk ka të dytë.” konstanton Mario Vargas Llosa. Ndjesia lind nga i pari dhe vazhdon me të nuk vazhdon së trashëguari në të dytin. Bëhet fjalë për një egoizëm letrarë që nuk shumëfishohet. Kjo ndoshta është e vërtetë.

Dua ta ndaj letërsinë nga bota, por në fillim qe fjala. Por, para fjalës qenë malet, nata detet dhe si quheshin vallë?  Nëse kuptimi i tyre kërkohej, do ateroj në ndryshim, por esenca është ajo si është. Pyetja përse shkruaj unë? Pse në këtë botë renditem në mes shkrimeve që janë  vazhdojnë të janë, kërkojnë dhimbjen, buzëqeshjen, vazhdimin, që dikush prapë të shkel të vendos tullë mbi mur. Jeta e do. Shkrimtari i shërben jetës, Nuk është skllav, shoqërues me artin me muzikën, letërsinë, pikturën, ngjyrën që merr nga realiteti. Ai ndryshon brenda asaj që është me imagjinatën e cila prapë lind këtu. Në këtë univers  të përshtatshme nga ligësia dhe të fortë nga arti, por arti prapë është neutral sepse ngritët me ndjenjën dhe pafajësinë , kështu fitohet. Jeta është fat, fati pohohet para se të vendoste, dhimbja kotësinë dhe lartëson artin, por arti e duron të vërtetën, nëse nuk e duron e ndryshon bënë më të lehtë botën. Poezia, piktura, poema nuk kërkojnë fjalë të bukura, por ndjenja të pa korrigjuara të cilat s’ka nevojë të kuptohen momentalisht nga ai i cili që nuk ndodhet në atë gjendje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora