Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Ndotësi i majit
E marte, 02.09.2014, 06:11 PM
Mehmetali Rexhepi
Ndotësi i majit
shikoje pendueshëm urrejtjen
nuk e
shih atë kancer pos si
veshe me petale skofiare
assesi t`ia shtrosh shtratin çerdhes së ulcerës
pa shpërthyer vrer kapja dorën verës
lëre marrëzinë me rrënjë në erë
dhe ti kameleon indiferent
as një flutur nuk do ta gëlltisësh sivjet
krejt ngjyrat t`i lanë peng ty
nuk do ta identifikosh asnjë
*
ty do të përlajë shtrëngata
mbi drurin që e përpin flaka
diku me trajta groteske
pa asnjë dorë të zgjatur
le të jenë duart tuaja
masha për prush e gështenja
nëse nuk vlen të arnohet jeta
me infuzione të pleksura
e bardha drejt së bardhës
e bardha s`është e bardhë
pa shkrepur vetëtimat
pa e flakëruar djegien diejt
*
ti nuk fale së paku një shkëndijë
as teshë nuk qepe
ece lajthitjeve lakoreve
të ligjit engjëll djallëzuar përkorave
grabite kur s`grabitej
more kur s`merrej
të është ngjizur gjaku
ha-ha-ha-ha-ha-ha-ha
një fije avulli e mëshirës
të mbështillet si litar i viktimës
*
urdhërdhënës i të zezave të gjata
thoshin kundër thiut sëpata
tash çalaman e mjeran
majit zgotit tënd
lëvrijnë viruset gëlojnë tundën
mbyllni gojën dhe hundën
Gjilan, më 30 maj 2013
Spitali Rajonal i Gjilanit
Varka e mallëngjimit
rrezeve symbyllas
pamje ngashnjyse
pleksje ngjyrash
ujë i klorofiluar
fotosintezë imazhesh
të shqyera
shpëtuar nga djegia
copëza harrese
arnimesh të gjeneve
të ajrit të mbetur
të modifikuara
kësisoj
kanjushë e praruar
qiellit të syve
të mbyllur
relikti i vëthit të nënës
aleja me qiparisa
gu - gutë e Jusufit
*
mirëmëngjesi stres
disi do të më kafshosh
do të më sipër shfaqesh
nuk kam si ta fshehu
pos të mos më kundërmojë vesi
stresi i parë
edhe i paparë
mbillet në letër
dikush e vjel në etër
shushunja të kënetave
të thashethemnajës
i kultivoi liria
Ajo Virgjëreshë jona
nxjerr abortime
në ankande anonime
zonat intime
*
tungjatjeta stres
mirëupafshim
ndoshta edhe në vikend
bukurisë së shpifur i ngre fron
*
gu - guve të Jusufit
i huazova syzat
gurrave të mendimit
varka e mallëngjimit
Gjilan, maj 2012