Kulturë
Poezi nga Vjollca Koni
E diele, 07.09.2014, 04:05 PM
VJOLLCA KONI
UNË ÇEL VEÇ PËR TY
Dola në lëndina, duke fluturuar,
Lulet erëmira s’kishin të mbaruar,
Gjithandej shëtita me aromë u deha,
Nisa të kërkoja, po nuk po të gjeja.
Sa shumë që u lodha, nuk e di përse,
Doja që të flija në tënden fole.
Edhe ti i dehur mua më kërkoje
Më në fund u gjetëm, u kapem për dore.
Me erdhe më gjete në një cep ulur
Të prisja me mall sy e zemër zgjuar
Jargavan i bukur kjo aroma jote
Unë çel veç për ty si lule në mote.
Eja!, të thotë zemra, përse shumë mendohesh?
Të dua me shpirt,nga unë pse frikohesh?
Aromë e gjithë luleve na dehu të dy
Në krahët e njëri – tjetrit, provuam lumturinë.
NË KËRKIM TË DIAMANTIT
Fustanin e kuq kishe veshur mbrëmë
Kur kalove rrugës më ndrije si hënë
Edhe unë si yll afër teje ndrija
Sa desha te puthja e me ty të rrija.
Duke pritur gjatë ndenja unë i mjeri
Me fustan të bardhë m’u shfaqe sërish
Në mes të errësirës ti u bëre dielli
I ziu si qiriri u shkriva i tëri.
Po nuk kaloi gjatë, qielli seç u nxi
Me ciklamin - fustan më dole sërish
Nuk durova dot drejt teje u sula
Të rroka për beli e në shtrat të vura.
Fillova të lozja porsi me një kukull
Në fillim të putha sykat edhe gushën
Nisa të kërkoja dy mollët e tua
Fortësi e tyre më dalldisi mua.
Si mbret u ndjeva, thashë jam në parajsë
Trupi yt i hajthëm seç u ndez flakë
Nisa të kërkoja tëndin diamant
Pa pritur u zgjova: Mosss, qenkam pa fat!
VJESHTË E TRETË
Mëngjes i mjegullt
Perde e hirtë ka rënë
Moti as vjeshtë as dimër
S’di ç’emër i duhet vënë.
E di që vjeshta do të rrijë
Por dimri ka lëshuar rrënjë
Ka ditë që borën ndërsen
Vjeshtën të përzërë.
Po ikën vjeshta e mërzitur
Dinjitoze çdo ditë do të mbijetojë
Si shpirt i copëtuar në trup
Që i thotë zemrës së lënduar
Duhet të bëhemi të fortë
Dhimbjen, zhgënjimin
Të gjithë ta përballojmë!
(Në frymën popullore)
Një kurorë të bukur me gjethe qershie
Ta vura mbi ballë dhe si yll më ndrije.
Kjo fytyra jote si cipë e hollë qepe
Mendtë seç m’i more, shpirtin seç ma trete.
Me lule tërfili thura një gjerdan
Në qafë seç ta vura, m’u duke si zanë.
Me kulpër të njomë, thura një kollan
E vure në bel, më ngjave si ngjalë.
Me kokrra dëllinje byzylyk të bëra
Sa hije të kishte, të ndriçonte llëra.
Me lule bajame të bëra fustan
Kur më ecje rrugës, çudisje dynjanë.
Dhe me thundërmushke të bëra sandale
Kur më dilje rrugës, ecje si sorkadhe.
Ca lule gërrjeshte* t’i vura te flokët
Ata vetëtinin si mjalti i zgjojës.
Dhe me bashkë rudaku** çorapet t’i thura
Ndriste pupla jote si ujët në krua.
Kur me ecje rrugës si perri stolisur
Të gjithë kthenin kokën, “Bio” të thërrisnin.
Ti dukeshe si nuse edhe unë dhëndër
Vetja po më dukej se ishim në ëndërr
Lule siç ke emrin dhe unë jargavan
Dorë për dore u kapëm, ikëm pa na parë.
Në lëndinë të bukur seç shkuam me vrap
Bashkë atje e shuam të shkretin merak.
Shënime:
GËRRJESHTË, =Gjineshtër: Shkurre e vogël, me degë të holla e të gjata, me gjethe të rralla, të vogla e heshtake, me lule të verdha, në trajtë vileje e me erë të këndshme.
RUDAK m. sh. Dash a qengj me lesh të butë, të dendur, të
shkurtër e të dredhur të cilësisë shumë të mirë.