Kulturë
Rexhep Shahu: Përtej shkëlqimit të qëndresës
E marte, 09.09.2014, 06:33 PM
PËRTEJ SHKËLQIMIT TË QËNDRESËS
(Si parathënie për librin “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin 99” të Sulejman Didës)
Nga Rexhep Shahu
-Oh,shka kan’bjeshkt’, o bre, qi ushtojn-e,
shka kan’ lugjet’, o bre, qi fshajn-e,
shka kan’ malet, o bre, qi s’mungullojn-e,
shak ka hana, o bre, qi s’po zdrit-e;
shka ka dilli, o bre, qi s’po ban drit-e,
shka kan’ shpent, o bre, qi s’po knojn-e,
shka kan’ qyqet, o bre, qi s’vajtojn-e?
-Oh, muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e!
Oh, kan’ lan’ tok-o, bre, kan’ lan’ ship-e,
kan’ lan’ dhen-o, bre, kan’ lan’ dhi-e,
n’laver, n’zhgjedh, o bre, kan’ lan’ ki-e,
kan’ lan’ buken, o n’çerep me hi-e,
kan’ lan’ çorbën, o në vegsh tuj zi-e;
kan’ lan’ sofrën, o bre, t’shtrume n’shpi-e,
oh, miqt’ kan’ shkue, o bre, buk’ pa u ngi-e!
Oh kan, lan’ zhguj e jana n’vek pa i krye,
kan’ lan’ çejzin, o bre, çikat pa marue,
kan’ met’ dor’ nuset, o bre, msit pa i çue,
kan’ met’ krushqit, o bre, pa u kthye,
oh, kan’ met’ gjemt’, o dhandur’ pa hi-e!
Oh, muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e,
dru e gur, bre, ç’po vajtojn-e!
-Bari n’tok’, o bre, pse s’po bin-e,
shpent e malit, o bre, pse s’po knojn-e;
qyqet e malit, o bre, pse s’vajtojn-e?
-Oh muhaxherin, o bre, po e kajn-e!
Oh muhaxhirt kan’ marr’ dyjan’ n’sy-e:
Desin në bor’, o bre, desin në shi-e,
desin pleq, o bre, desin t’ri-e,
desin gra, o bre, desin thmi-e,
u desin thmija, bre, nanav’ ngji-e,
jesin gjenazet, bre, n’vorre pa i shti-e!
Bukën pa e ngran’, o bre, uj’ pa pi-e,
kan’ marr udhën, bre, për Allbani-e;…
Lexon
varg për varg këtë këngë dhe çdo i dëbuar e çdo lexues e sheh se çfarë po
ndodh, çfarë ndodhi. Çdo tregim, ritregim a shtjellim i dëbimit e ikjes së
shqiptarëve
Fati ynë i zi i dëbimit, përzënies e ikjeve prej atdheut, vajtohet e harrohet për me u vajtue prej fillimit, por me piskamë e me ngjallë të vdekurit. U vajtue në vitin 1878, kur shqiptarët të masakruar barbarisht e të dëbuar prej serbëve, lanë Nishin, krejt Toplicën shqiptare dhe përfunduan jo si shqiptarë, jo siç thotë kënga në Allbani-e, por si myslimanë turq në Turqi, në shkretëtirat e Anadollit, shumica prej tyre dhe një pjesë në Kosovën e sotme e në Maqedoni, përkundër dëbimit të vitit 1999, kur ata u dëbuan, por shumica mbetën në hapsirën e tyre jetike shqiptare në Shqipëri e Maqedoni.
Dëbimi i fundit i nga Kosova vazhdon të xhirohet e të shfaqet në sytë tonë të mendjes si një film gjigand në qiell të hapur. Aktorë e spektatorë jemi të gjithë shqiptarët, ku luajmë e shohim veten së paku prej mbi një shekull e gjysmë, në të gjitha dëbimet, ikjet, shpërnguljet, përzëniet e përbuzjet që s’ndalen.
Dhuna e njejtë, dhimbja e njejtë, brenga e njejtë, vdekja e njejtë. Loti po njëlloj pikon a rrjedh nga sytë e shqiptarëve të përzënë prej trojeve të veta. Shkatërrimi i njejtë, terrori shtetëror i njejtë, vdekjet të njejta, humbjet e njerzve dhe fëmijëve të njejta, djegjet e banesave, prodhimeve, bagëtive, të njejta. Ara pa korrë, ara pa mbjellë. Xhenaze të pa shtime në dhe. Kafshë e shpend të egër luajnë me to si me bagëtitë e vrara e të gjalla të pazot. Varre të vjetra që ulin kurizin prej dhimbjes së re që ndjejnë. Varre të reja, ku të vdekurit janë gati me shplue vorrin e me dalë jashtë, e në mos tjetër, me thirrë në kupë të qiellit: - Ku po shkoni o njerëz, ku po na lini ne!…
Veç
udhëtimi qe pak më ndryshe nga ai i dimrit të vitit 1878. Më modern. Atëhere me
këmbë e me qerre që tërhiqeshin me qe, këtë herë ikje me vetura, me kerra, me
traktora me goma, me këmbë. Atëhere në muajin shkurt ndodhën masakrat e dëbimet
më të mëdha, tani në muajin mars. Loti e brenga e njejtë. Atëhere shqiptarët
ishin më të varfër, tani po dëbohen prej një Kosove shumë më të pasur, shumë më
të ndërtuar. Atëhere pushtuesi serb ishte i ri, tani pushtimi ishte bërë 80
vjeçar në Kosovën e sotme, ndërsa trojet e tjera shqiptare që i
Përsëritjen e kësaj kënge dhe të kësaj tragjedie, si atëhere kur u dëbuan shqiptarët prej Nishi e Toplice, e ka paraqitë Sulejman Dida në këtë libër të ri të dhimbjes së vjetër, ku shpalos para syve të secilit prej nesh nga një libër tjetër përtej tij, nga një libër të pashkruar të gjithësecilit, që duhet ta shkruajmë me guxim e pa inat në veten e për veten tonë. Për ta njohur veten, për me ditë kush jemi, për të guxuar me ’ia thënë vetes edhe nëse jo kujt tjetër, se cilët jemi ne në të vërtetë në raport me veten, me fëmijët, me prindërit, me atdheun, me dashurinë dhe patriotizmin tonë ndaj atdheut e kombit, me urretjen ndaj njëri – tjetrit dhe ndaj armikut; në raport me trimërinë tonë shumë të dëshiruar në realitet e për këtë shkak të zmadhuar në këngë, me cilësinë e qëndresës e trimërisë tonë, me jëtëgjatësinë e saj në beteja e luftra për atdheun, sepse shpesh patëm luftuar aq ditë sa patëm bukë në trastë dhe pastaj qemë kthyer në shtëpi duke e lënë luftën në mes; në raport me kontributin tonë ndaj atdheut, që rrallë na ka premtuar sa duam e gjithmonë sa meritojmë, që më shumë na ka dëbuar nga pamundësitë e tij vrasëse për ne, në raport me kontributin tonë si atdhetarë e si shërbëtorë e mercenarë për shtete e vende të tjera duke shkëlqyer si të tillë edhe kundër atdheut.
Një sy i vëmendshëm e lexonte që në kohën e ikjedëbimeve të mëdha se shqiptarët më shumë ikën se sa u dëbuan apo u shpërngulën me dhunë, por kjo u lexua shumë qartë menjëherë pas luftës për Kosovën që e fitoi Amerika me NATO-n të ndihmuar prej nesh, jo aq shumë me armë se sa me dhimbje e lotë burrash, fëmijësh e grash dhe të ndihmuar prej shtimit të dhunës së verbër serbe, që masakronte gra e fëmijë të pafajshëm, civilë të paarmatosur, që përdhunonte kafshërisht gra dhe vajza shqiptare.
U lexua qartë sepse pendesa ishte gjëja e parë e madhe, ose vuajtja më e madhe që mbanin mbi supet e tyre shqiptarët që u bënë të ardhur apo refugjatë në troje shqiptare, që u kthjelluan e penduan se kishin ikë kollaj, kishin ikë ende pa u dëbuar me dhunë, ende pa mbërri plumbat, por vetem prej krismave të pushkëve, gjyleve të topave që dëgjoheshin diku larg, ose prej bilbilave të magjypëve të katundeve apo milicëve që shkonin fshatrave me përzënë shqiptarët.
Kjo pendesë u shfaq e madhe dhe e rëndë në ditët e fundit të luftës, pasi shumica e shqiptarëve të ikur a dëbuar u rikthyen me shpejtësi rrufeje në trojet e tyre duke mos pyet për asnjë rregull apo këshillë ndërkombëtare, duke lënë pa mend ndërkombëtarët që nuk besonin se si shqiptarët kthehen me kaq vrull e dashuri nëpër shtëpitë e tyre, kur dihej se ishin me mina në oborre dhe kishte shumë pasiguri.
Një guxim e trimëri e vonë për shkak të pendesës së madhe se kishin ikë më shumë se duhej, edhe pa ndonjë arsye e shkak shumë të fortë, pa provuar të bënin më parë rezistencë, pa provuar me vdekë më parë, kishin ikë duke lënë gjithçka pas, sikur po iknin prej një vendi të huaj e jo prej trojeve të tyre, duke lënë varret vetëm, duke harrue se jemi popull me male varresh, jo popull çadrash, kishin ikë duke lënë tokat vetëm, kur dihej se Serbia donte tokat e shqiptarëve ndaj lumturohej kur ata iknin, dëboheshin, shpërnguleshin, pasi Serbia këtë e kishte platformë shkencore shekullore, kishin ikë dhe nuk ishin ndalë një çast të dëgjonin vajet e varreve, thirrjet e trimave në varre.
Kanë kaluar mbi 15 vjet nga ato kohë shpërnguljesh, dëbimësh e ikjesh nga ajo luftë. Dhe secili e pyet veten para pasqyrës. A bëmë luftë? A bëmë qëndresë? A vdiqëm sa duhet? A vdiqëm hijshëm? A qëndruam e rezistuam hijshëm? A qamë hijshëm? A ikëm hijshëm apo me turp?
Kanë kaluar mbi 15 vjet nga ajo gjëmë dhe të vdekur e të gjallë ende vazhdojnë ta pyesin njëri – tjetrin : ku ishe ti? Ku ishe ti vëlla, ku ishe ti babë, ku ishe ti bir, ku ishe ti motër, ku ishe ti nënë, ku ishe ti kojshi, ku ishe ti Shqipëri…
Ku ishe
ti, i thotë ai që ra në luftë atij që nuk mori pjesë në luftë. Ku ishe ti, pyet
ai që mbeti invalid nga lufta, atë që iu fsheh luftës. Ku ishe ti, pyet
Ku ishe ti vëlla, pyet motra e përdhunuar vëllain e vet që nuk iu gjend për ta shpëtuar motrën prej përdhunimit, por ose u gjend në shtetet e perendimit, ose u gjend në luftë në mal, atje ku nuk e ndiqte ushtria e policia serbe dhe ishte i sigurtë për jetën e tij, se atje në majë të malit nuk kishte as ushtarë e as milicë serbë. Ku ishe ti pyet gruaja e përdhunuar burrin e vet, i cili ose bënte patriotizëm jashtë shtetit, ose luftonte maleve ku s’kishte shkie. Ku ishe bir, ku ishe o burrë zeza, pisket nëna e gruaja që ia çanë barkun me bajonetë dhe ia shpërthyen edhe foshnjën në bark. Ku ishe ti, baba, nënë, vëlla, motër, pyesin eshtrat e fëmijëve të gjetur e të pagjetur. Ku ishe ti, i thonë gjithkujt që është shqiptar e është njeri, dora e një foshnje të njomë shqiptare që e nxjerr kova e pusit duke nxjerrë ujë me pi. Ku ishe ti, pyesin flokët e vajzave shqiptare që u gjetën të përdhunuara e të masakruara në kufi. Ato flokë nuk dinë të heshtin… Ku ishe ti…, ku ishe ti…, kjo pyetje e rëndë jehon e gjëmon e do të jehojë gjatë brenda gjithkujt që është gjallë e që është në varr.
Vazhdohet të tirren rrena e rrena e rrena. Mashtrojnë shumë duke thënë, isha në UÇK. Ku në cilin formacion? Në UÇK… Në UÇK të hamamit, në dimiat e grave jeni kanë mor flliqana që rrejni ditën për diell se jeni kanë në UÇK pa qenë kurrë në radhët e saj. Shumëkush don ta përvetësojë luftën, ta privatizojë atë dhe harrojnë dhe e paraqesin si luftë shqiptarësh para erës së re, duke harrue se është luftë e ditëve të fundit, se është luftë e fotografuar dhe filmuar nga bota e nga sytë e shqiptarëve.
Sa më e vogël trimëria në kohën dhe vendin e duhur, aq më e madhe fotografia e zbukuruar e herojve, deshmorëve apo veteranëve të shpikur e të vetshpallur të luftës së fundit. Zbukurimi i herojve në kompjutër u bë biznes i madh. I shëmtojnë herojtë në kompjutër sepse bëjnë më të mëdha e të rënda armët që mban në supe luftëtarëi se sa ka trupin e peshën luftëtari. Më i madh mitralozi se luftëtari, më të rëndë fishekët se dy luftëtarë bashkë. Kur njerzit që i kanë njohur të rënët e të gjallët që morën pjesë në luftë, i shohin fotografitë e zbukuruara, shtatoret e lapidarët të zmadhuara e të shëmtuara, më e pakta gjë që bëjnë është të nxjerrin gjuhën jashtë. Sa më e vogël qëndresa, aq më e madhe statuja, përmendorja apo lapidari që përkujton.
Shumëkush lëpin eshtrat e të rënëve dhe si gardh pushteti përdor eshtrat e tyre. Shumëkush që grabit pushtet ia nxjerr gjuhën atij që është rritë burgjeve serbe ku është kalitë qëndresa shqiptare. Grabitësit e pushtetit harrojnë të rënët, luftëtarët, qëndrestarët dhe u fshihen sakatëve të luftës, shpërblejnë dallkaukët, ata që qëndruan në periferi të luftës, ose që u “mobilizuan” në UÇK-në e pasluftës, kur shitej 30 dojçmarka një uniformë UÇK-je e kur blihej deri në 30 mijë dojçmarka shkruarja e emrit fiktivisht sikur ke qenë ushtar aktiv në Kosovë në radhët e UÇK-së.
Qëndresa shqiptare po dergjej në shtrat me shumë plagë. Gjergj Elez Alitë po kalbeshin në shtat prej plagëve të shumta, të pashërume. Motrat e Gjergjave s’kishin më lotë, u ishin tha. Nuk kishin dhënë rezultat ndeshjet e Gjergj Elez Alive, fitoret e tyre, pasi “kënga” nuk i kishte përzënë ata përtej “deteve” e maleve. E kishin plagosë të keqen pa ia prerë kryet, ishin ngutë duke knue këngë trimnie e inati, teksa bajlozat shëroheshin shpejt dhe ishin aty, nuk kishin ikë larg.
Nuk frymëzonin më Gjergjat as kur hynin në burg. Kreshnikët ligështoheshin brenda mureve. Prej dajakut squllej qëndresa, prej dajakut zgjidhej gjuha dhe ilegalët që nuk i njihte populli bëheshin të njohur prej armikut duke populluar me shpejtësi qelitë e tij.
Të paepurit vriteshin e zhdukeshin në heshtje. Ata harroheshin të braktisur nga shpirti dhe kënga e popullit.
Gjergj Elez Alitë që trimëronin vendeve të Perëndimit u ngjanin Sanço Panços që priste postin e guvernatorit pasi ta fitonte betejën me përbindshat Don Kishoti i Mançës.
Gjergj Elez Alitë e Perëndimit ua mbushnin xhepat me franga zvicerane e dojçmarka patriotëve të mëdhenj në vendlindje që krihnin përvutjshëm mjekrat e bardha e që mbaheshin si profetë, ani pse ishin profetë të rremë, që thurnin himne dashurie e ditirambe bashkim vëllazerimi, që thurnin himne dashurie për shokun e pavdekshëm Tito.
Gjergj
Elez Alive në Kosovë po u jepte shpirt trimnija. (“Trimat moti ishin kanë dekë
/ Shpata e tyre, thojshin, ma s’po prêt”).
Dolën në skenë luftëtarët shqiptarë. U panë me dyshim, me frikë, me mosbesim. Por filluan ta turbullojnë gjendjen e ngrirë. Filluan ta zgjojnë shqiptarin që kishte ra në gjumë patriotik dhe fluturonte në krahët e këngëve me rrena trimërie.
Dyshimi i parë ndaj luftëtarëve filloi të tretej. Aksionet e para të luftëtareve filluan të ngjallin besim. Filloi të ringjallej bindja se u vritka edhe ushtari e polici serb nga pushka e shqiptarit. Por jo në gjithë rastet luftëtarët ishin frymëzues sepse dukej sikur po e privatizonin luftën e të drejtën e luftës, sikur po u mbushej mendja se janë boll vetë dhe nuk kanë nevojë për ushtarë të tjerë. Filluan t’i shohin me atë sy që shihnin serbët edhe shqiptarët që nuk u besonin ende luftëtarëve. Filluan të thonë se ata që janë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me Ibrahim Rugovën nuk janë tanët dhe duhen konsideruar si serbët, kur shumica dërrmuese e luftëtarëve ishin njerëz të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ithtarë të Ibrahim Rugovës që rezultoi intelektuali dhe udhëheqësi më trim e vizionar që kanë nxjerrë shqiptarët.
Pastaj kur luftëtarët e kuptuan se do të ishin ndihmës në luftën e madhe, pasi po hynte në luftë për shqiptarët Amerika dhe NATO-ja, ata e devijuan qëllimin, nga luftë për liri e çlirim kombëtar në luftë për me ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës.
Por
luftëtarët në Kosovë më në fund i bindën shqiptarët se janë gjallë akoma, se
dinë e mundin të luftojnë, se pushtuesit vdesin po i qëllove me plumb, se i
vret plumbi, se edhe serbët dinë me ikë, me vajtue, me qa me kujë e lebetitje.
Luftëtarët shqiptarë në Kosovë arritën fitoren më të madhe në historinë
shqiptare duke krijue Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madhështia e saj arriti
të përcjellë idenë e pavdekshme se bijtë e këtij vendi nuk kishin harruar të
flijoheshin për lirinë e tyre. Ata u përballën me një nga ushtritë më të
sofistikuara të Evropës në fundshekullin e kaluar. Përballë çelikut të topave e
tankeve u vunë zemrat e çelikta. Vërtetë nuk u zhvilluan shumë beteja frontale
kundër armatës serbe, por nuk munguan aksionet edhe kundër karvaneve me tanke,
kundër grupe milicësh, makinave të policisë, etj. Madhështia e luftës
çlirimtare nuk venitet nga kualifikimi i saj më tepër si luftë e tipit
jofrontal, e goditjes së armikut atje ku nuk e priste. Lufta e UÇK-s ka qenë në
tërësi një luftë e monitoruar, e mbikqyrur nga
Duke heqë
petkat e rrenave, rezulton se shqiptarët nxorën në luftë shumë më pak luftëtarë
se sa kishin mundësi. Si një shkak serioz për mospjesmarrje shumë syresh janë
justifikuar se nuk shkojmë në luftë me komandantë çobanë dhensh që nuk dinë nga
i futet e nga i
Nuk po flasim për trafikun e mëvonshëm që nisi pas lufte duke pague shuma të mëdha markash për ta shkrue emrin sikur ke qenë luftëtar në radhët e UÇK-së, trafik që vazhdoi gjatë e vazhdon ende kur fallsifikimi nuk njeh turp as kufi turpi pasi duan ta bëjnë UÇK-në sikur ka patur në radhët e veta 50 apo 60 mijë luftëtarë, duke zmadhue kontributin dhe trimërinë e tyre dhe duke zvogëlue kështu kontributin e Amerikës e NATO-s, kontributin e pilotëve të NATO-s që shkatërruan caqet ushtarake serbe. Rrena vret luftëtaret e vërtetë, rivret të rënët, vret vetë UÇK-në, namin, lavdinë e krenarinë e saj, me të cilën do të mburren brezat që vijnë.
Këngët bien përdhe të vdekura si dhe fjalimet patriotike të Enver Hoxhës e të komunistëve shërbejnë si letra higjenike po të shohësh se nga Shqipëria administrative në luftë në Kosovë nuk morën pjesë as 100 njerëz duke përfshi këtu edhe ndonjë biznesmen që shiste armë, edhe ndonjë transportues armësh nëpër kufi, edhe ndonjë spiun të papunë ose të dypunësuar. Askush nuk mund të justifikohet me mungesën në luftë. Turpi i mospjesmarrjes masive në luftë të qytetarëve nga Shqipëria vlen të analizohet me përgjegjësi, maturi e gjakftohtësi.
Shqiptarët e Shqipërisë u dhanë bukë e strehë të ardhurve nga Kosova, por nuk u dhanë sa duhet përkrahje për luftë. Nuk u dhanë sa duhet djem e burra për luftë.
Shqiptarët e Shqipërisë luftën e Kosovës e panë si një luftë që bëhej diku tjetër e jo në teritoret e tyre shqiptare, e panë si një luftë të huaj të një vendi të huaj, në një vend të huaj. Edhe qeveria e asaj kohe e Shqiperisë kështu e pa dhe trajtoi atë luftë. Por paturpësisht vrapoi të merrte dekorata ndërkombëtare për ndihmën në krizën humanitare, ndonëse qeveria e Tiranës në ato kohë ka qenë në bisht të kontributit të qytetarëve shqiptarë që ishin pararoja e kontribuesve në atë krizë ndërkombëtare dhe qeveria e Shqipërisë nuk mbrojti as 1400 hektarë të teritorit të saj administrativ në Kukës, Has, Tropojë, teritor që ushtarët serbë e minuan me duart e tyre dhe nuk i gjeti asgjë prej ushtrisë e policisë së shtetit shqiptar të cilit iu shkel teritori, integriteti dhe sovraniteti, i mbetën sakatë 274 shqiptarë, iu vranë 57 të tjerë nga minat serbe në teritorin e Shqipërisë administrative.
Në librin që e shkruan secili për veten si refleksion për luftën për Kosovën e për atë krizë, shohim edhe ndonjë oficer a kapterr nga Shqipëria, patriot të paguar me dojçmarka për me stërvitë në thellësi të Shqipërisë djemtë e Kosovës që nuk dinin se si përdorën armët, dhe ky u bë një biznes i konsoliduar, bashkë me shitjen e armëve.
Shohim ushtrinë e Shqipërisë ose mbetje të gërmadhave të saj, karikaturën e saj që harxhonte fishekë në loja luftarake edhe fshatrave të Hasit dhe mburrej se e ka trembë Serbinë me loja luftash, rrena të cilat i trillonim ne gazetarët në ato kohë. Shohim gjeneralë, kolonelë, kapterrë e oficerë që ua zbukuroi gjoksin me medalje të shndritshme të llamarinta kreu i shtetit të asaj kohe, për luftën që e kishin ndërmend ta bënin, por që nuk e bënë edhe se nuk ua mbajti ta bënin edhe se nuk i la shteti i Shqipërisë ta bënin, pasi edhe politikës zyrtare në Tiranë, lufta e Kosovës i dukej jo si luftë e shqiptarëve dhe e njerzve të saj, por si një luftë e huaj që bëhëj në një vend të huaj që politika zyrtare e Tiranës e quante përditë Serbi e Jugosllavi siç edhe kufirin shqiptar me Kosovën e quante kufiri shqiptaro – serb apo shqiptaro – jugosllav.
Jemi në kohë paqe dhe grindemi e vritemi për luftën. Grindemi përditë ndoshta nga shkaku se nuk e bëmë luftën si e sa duhet dhe jemi pengje të vetes tonë. Ndoshta edhe se luftën nuk e morëm seriozisht si luftë, por ndoshta në ndonjë rast dikush e mori si lojë luftash, dikush si biznes për të fituar para, dikush si biznes patriotik për të fituar poena, për të fituar pushtet.
Nuk dhamë sa duhej e sa na kërkohej të jepnim për luftën tonë si shqiptarë. Ndaj duket grindemi sot me njëri – tjetrin, ia nxjerrim sytë sot njëri – tjetrit që të mbetemi pa sy e të mos mundemi të shohim të nesërmën që e shëmtuam dje e vazhdojmë herë ta përbuzim e herë ta vajtojmë sot.
Jemi në paqe të trazuar, të shqetësuar dhe vazhdojmë një luftë të egër imagjinare. Sepse luftën nuk e bëmë tamam, lirinë më shumë na e dhuruan, dhe më shumë se lirinë lakmuam pushtetin, shaluam pushtetin dhe harruam jo vetëm të rënët në luftë, që për fat të keq kudo harrohen, nuk u kujdesëm për fëmijët e tyre, por harruam invalidët e luftës, ata që janë gjallë e nuk munden të jetojnë e të punojnë, i lamë në mëshirën e fatit të keq.
Këmba e këputur në luftën e fundit e një luftëtari që takova në Junik, fill pas luftës në verën e vitit 1999, më duket se përdoret si këmbë tavoline në zyra të rëndësishme të shtetit në Kosovë, siç përdorej në Tiranë në vitin 1945 e në vazhdim. Në mos për këmbë tavoline, përdoret prej fitimtarëve shtetarë, me u ra shqelm bythëve të gjithëve atyre që qortojnë dhe harrojnë luftën, nuk nderojnë luftëtarët, që harrojnë se pushteti erdhi nga gryka e pushkës dhe pushteti i luftëtarëve ka të drejtë me të vdekë.
Shëmtia
është shëmti kudo e kurdo. Shëmtia u shfaq duke ikë me vrap prej zonave e
katundeve që mbase edhe nuk kishte ndërmend t’i kërcënonte
Patriotët refugjatë poetë, gazetarë, intelektualë, anonimë gjithsej ose të njohur në shkollat a xhamitë e katundeve të tyre, merrnin poza dhimbje, poza orakujsh. Deklaronin paturpësisht në fjalime patriotishte tavolinash e tubimesh, se ata që nuk luftojnë me armë në dorë për lirinë e atdheut, nuk e meritojnë lirinë, kur vetë ishin ata që as luftonin e në fakt as e meritonin lirinë. Kishin ikë duke u pri turmave si prijanë të katundeve të tyre, si mentarë, si jaranë katundesh që gjithmonë mendonin se meritojnë më tepër vemendje e dashuri nga të tjerët, më tepër pushtet. Pinin raki e piva, duke u betuar se nuk e përdorim alkolin, por pinin prej zorit, për me harrue dhimbtat, për me harrue për pak çaste makinat apo kerrat që ua kishte djegë apo marrë milicia serbe, për me harrue se ndonjë prej fëmijëve të vegjël kishte humbë e nuk dihej se ku mund të ishte, për me harrue fëmijët që, ndodhte, nuk e dinin se ku i kishin, për me harrue pak se djemtë i kishin në luftë.
Baballarët pinin birra e raki e djemtë i kishin çue në luftë me vdekë. Baballarët 40 a 50 vjeçarë nuk ishin të pamundshëm për luftë, por duket se është sëmundje e gjithë botës që të çojë të rinjtë me vdekë në luftë e të jetojnë baballarët në paqe duke lëpi eshtrat e bijve të tyre të vdekur në luftë.
Në sytë e fëmijëve të dëbuar luhen tragjeditë. Ata sy fëmijësh e kanë të turbullt të nesërmen, në mos nuk shohin të nesërme. Prindërit u thonë na ka përzanë shkau, por pak prej fëmijëve të asaj kohe lufte e shpëngulje kanë parë shka në oborret e shtëpive të tyre, pak prej tyre dinë ta vizatojnë fytyrën e shkaut, të milicit a të ushtarit serb, përveçse këndojnë këngën e mykur të urrejtjes që prindërit ua kanë mësue përmendësh.
U mësuam shpejt të jetonim ose mbijetonim edhe pa fëmijët që nuk e dinim ku i kishim, edhe pa prindërit që nuk e dinim ku i kishim. Nuk vdiqëm për fëmijët që nuk e dinim ku i kishim, a ishin gjallë a kishin vdekë, nuk vdiqëm për prindërit që nuk e dinim a ishin gjallë a kishin vdekë.
Por ndonjë fëmijë mund të ketë parë edhe se si e kanë lënë pa e marrë prindërit se nuk kanë mundë ta marrin, mund të ketë parë se si ndonjë nënë, për të shpëtuar vetë ka ikë e ka lënë fëmijën ose e ka hedhë fëmijën. Siç ka ndodhë kudo në luftra e në masakra. Ndonjë fëmijë ka parë me sytë e tij bajonetën e ushtarit serb duke u ngulë në barkun e nënës. Shumë fëmijë të palindur kanë ndjerë bajonetën e ushtarit serb që u është ngulë në trup aty në barkun e nënës, ende pa u lindë.
Fëmijët po se po, por vetë baballarët fillojnë e dyshojnë në herojtë tanë. Heronjtë tanë, në 80 vjet luftë, pushtim, sundim serb me mercenarë e administratë edhe shqiptare, por edhe bashkejetësë shqiptaro – serbe, herojtë tanë dalin naivë, budallenj, pinë gjak e bëhen vlla me serbët e pastaj vëllai serb i vret.
A duhen besuar herojtë tanë, që i kanë shërbyer në një mënyrë a një tjetër pushtuesit dhe pastaj pushtuesi kur i ka vra, i ka vra në atë mënyrë që të na duket ne heroike dhe ne të mashtrohemi përjetësisht prej herojve tanë të shpikur, apo herojve që na i ka emëruar si të tillë pushtuesi dhe pushtuesi ynë të na përqeshë gjithmonë duke e ditë ai mirë se kush janë herojtë tanë dhe çfarë biografie trimërishte kanë.
Nga thellësitë e kohës gjëmon kënga e kreshnikëve tanë. Të cilët nuk do të ishin të tillë po të mos jetonin e luftonin me armikun, me shkaun. Kurrë më shumë e më mirë se sa nga kreshnikët tanë nuk provohet thënia se lufta është jetë dhe pa luftë kreshnikët nuk jetonin. “Zoti e vraftë bacën Mujë / Ku t’jenë shkiet ma t’ligj e ma t’kqij / Probotina shkon e i zen”, thotë kënga e kreshnikëve. Ne nuk kemi dashtë me e ditë për këto këngë. Dashuri dhe urrejtje bashkë, bashkëjetesë me serbët kemi pasë.
Nuk është
as e re as e panjohur për shqiptarët, ani se me dashje e harruar, historia e
Azem Galicës, i cili piu gjak e u bë vlla me serbin Kostë Vojvoda dhe bashkë
luftuan kundër Austrisë për interes të Serbisë, edhe pse
Këtu te shpia kemi nji serb të strehuem, lexoj në librin e Sulejman Didës. Asht nji serb që e kemi pasë komshi gjithë jetën, pothuejse jemi rritë me të. Dhe tash ai asht edhe pak burrë i vjetër, edhe i pa njeri. Ky në fakt na ka ndihmue sa ka pasë mundësi. Ka punue në sekretarinë e prokurorisë speciale dhe ka zbulue planin për djegien e Prizerenit. Ma ka dhanë mue planin e fotokopjuem e unë ja kam dhanë nji avokati të besuem. Komshia serb kishte shpëtue të paktën tre shqiptarë të lagjes së ktuhit nga nji ekzekutim i sigurtë duke i njoftue me ikë e me u fshehë. Serbët e kërkojnë me e vra për dekonsipirim e shqiptarët e kërkojnë me vra për ish-punojës të prokurorisë speciale. Jam në hall të madh, tha, nuk mundem me e lshue, po edhe po tutem me e mbajt…
Duke u
nisë nga lufta e fundit për Kosovën, nga ikjet tona që janë më shumë ikje se
dëbim e që në heshtje e pranon secili prej nesh, bëjmë pyetjen, pse
shpërngulemi e ikim ne shqiptarët? Pse jemi të dënuar të ikim prej atdheut?
Ikja jonë është e hershme ndaj ne kemi këto territore që kemi, që duket se janë
aq atdhe sa u ka teprue pushtuesve tanë.
Me ngritë gishtin e akuzës ndaj shqiptarëve dhe me i quajtë ikës, frikacakë, trima treditorë betejash treditore, është më e lehtë se sa me hy në thellësi të fenomenit dhe me pranue se po të mos ishin aq naivë a të ndershëm sa janë shqiptarët, po të mos besonin lehtë në miqësi e po të mos krijonin lehtë miqësi, po të mos ishin kaq krenarë sa duken në paraqitje, po të mos shkëlqenin si mercenarë të të tjerëve dhe si të tillë të tregoheshin jo të devotshëm për të ndihmuar atdheun e tyre, por më shumë të devotshëm për të qenë besnikë të atij që i paguante, po të mos binin lehtë në kurthe spiunësh e po të mos bëheshin spiunë që i bëjnë më shumë dëm atdheut, po të mos kishin frikë pastaj për fshehtësitë e tyre, për poshtërsitë e tyre, do të ishte mbase më ndryshe. Mbase nuk do të shembeshin përdhe këngët tona trimërishte. Mbase nuk do ta kishim këtë atdhe që e kemi të copëtuar në pesë shtete fqinje dhe që kufizohet nga të gjitha anët me veten e tij. Gishtin e akuzës e ngremë ndaj vetes, por nuk duhet të harrojmë kurrë se serbët, siç shkruan senatori francez, nobelist i paqes, D’estournelles de Constant për kohën e dëbimit të shqiptarëve nga Toplica dhe kohën e luftrave ballkanike, që ngjajnë me kohët e luftës së fundit për Kosovën, “kundër këtij populli, krimi i vetëm i të cilit është se kërkon të jetë i lirë, fqinjët e tij, përdorën kuadrot e çmobilizuar e të papunë, “gjysmë - ushtarët” e tyre, komandantë bandash të uritura, të pajisura me një armatim modern” dhe shqiptarët duhej të vinin përballë trupat e tyre se ata nuk kishin armë, nuk kishin ushtri të organizuar, nuk kishin djem të mësuar e të stërvitur për luftë, ose kishin shumë pak, por të mësuarit nuk pranoheshin nga guximtarët e pamësuar që ia kishin krisë luftës me shpirt e zemër, pa llogaritë se do të duhej edhe dija luftarake, armët e drejtimi luftarak profesionist.
Të huajt i kanë njoftë dhe kultivue veset e shqiptarëve. Të huajt kanë gjetë aleatë shqiptarët me vese, të cilët nuk kanë pasë guxim me u çlirue prej bëmave të tyre të liga dhe kanë ngelë peng i tyre, duke shkëlqyer pastaj si mercenarë.
Gjithmonë kështu ka qenë ky fat i keq i shqiptarëve, që armiqtë më të mëdhej të tyre kanë dalë nga radhët e tyre që kanë shërbyer për vendet e tjera armike, për ushtritë armike. Është i njohur divizioni i hekurt serb që shkatërroi shqiptarët që luftonin për trojet e tyre nën Turqi në luftën e Kumanovës me 1912, pasi ky divizion ishte i krijuar nga ushtarë të rajoneve të Toplicës, Nishit, etj, ndoshta edhe me shqiptarë që kishin shpëtue pa u shpërngulë për Turqi me 1876 dhe që kishin ndërrue fe e kombësi dhe ishin bërë luftëtarë në divizionin e hekurt serb, siç thotë Vaso Çubrilloviqi, pa i cilësuar si shqiptarë ushtarët e këtij divizioni.
Ikjet tona kanë nisë duket qysh me ardhjen tonë në këto troje.
Por nuk po shkojmë thellë në histori, vetëm po përmendim ato ikje që jetojnë dhe që vajtohen ende. Ikën shqiptarët pasi vdes Skëndërbeu, shkuan në troje të tyre në Greqinë e sotme ku jetojnë edhe sot si shqiptarë të hershëm e si grekë të sotëm. Një pjesë ikën në Itali ku janë ende sot dhe ata i shërbyen shumë kombit shqiptar, nuk e lanë të shuhet brenda tyre e brenda nesh që mbetëm këtej detit, duke na e kujtue përditë se Arbëria këtej detit ua kujton se shqiptarët të huaj janë në atë dhe…
Nuk dimë për ato ikje të shqiptarëve të atyre moteve. Por dimë se jo të gjithë u detyruan të mohojnë se janë shqiptarë dhe vonë Greqia i dëboi me anë të mercenarëve shqiptarë një pjesë të madhe të çamëve shqiptarë myslimanë dhe ata morën udhët për Turqi e për Shqipëri. Prapë na dalin mercenarët shqiptarë ortodoksë, më të zellshëm e më të tmerrshëm në shërbim të grekëve kundër shqiptarëve myslimanë.
Por ikje
e vonë, e tmerrshme, me pasoja dramatike për shqiptarët është ikja e
shqiptarëve të rajoneve të Nishit, Sanxhakut, shqiptarët e Toplicës. Veç
qyteteve shqiptare u shfarosën e shpërngulën mbi 600 katunde shqiptare
kryesisht drejt Turqisë, Kosovës së sotme e Maqedonisë. I gëlltiti Turqia në
marrëveshje me Serbinë. Turqia donte shqiptarët dhe i mori,
Turqia i
mori shqiptarët në zbatim të një marrëveshje me Serbinë e në zbatim të një
dekreti sulltanor me largue myslimanet prej trojeve që pretendonte
Nobelisti
i paqes i vitit 1909, senatori
Pas luftrave ballkanike ikën përsëri shumë shqiptarë. Përsëri drejt Turqisë që nuk ngopej duke gëlltitë e kullufitë shqiptarë por që i konvertonte menjëherë në turq.
Veç
Turqisë që merrte shqiptarë e tokat e tyre i merrte
“Askush nuk u qante hallin shqiptarëve, vazhdon nobelisti francez, senatori D’estournelles de Constatnt. Ata ishin vetëm. Voe soli! Ata nuk ekzistonin. Më kot qëndruan me një burrëri të pamposhtur, në robërinë turke; aq sa Kostandinopoli nuk guxonte as t’u kërkonte taksa; më kot qeverisën veten, qëndruan të bashkuar, pa dallime fetare, katolikë, ortodoksë, muslimanë dhe formuan një bllok kombëtar kundër turkut. Nuk duhej t’u mbeteshin as turqve, për të mund t’u ndarë më vonë, me pjesën tjetër të perandorisë. Kjo është A.B.C. e diplomacisë që praktikohej dhe imponohej dhe do të imponohet akoma sot, ndofta, në qoftë se do të lejohet t’a bëjë…”.
Nuk ka vaj që ta vajtojë ikjen e dëbimin e shqiptarëve, mundjen e tyre se lëshimi i atdheut, shprazja e atdheut prej shqiptarëve është mundja më e madhe dhe falimentim i shqiptarëve. Shpesh ka ndodhë që krerët e shqiptarëve kanë qenë sherbëtorë të të huajve, kanë qenë zyrtarë të emëruar nga pushtuesit, janë shpërblyer nga pushtuesit, kanë qenë mercenarë të zellshëm të pushtuesve, të cilët kanë mundë e kanë ditë dhe kanë patur gjithmonë mekanizëm të njohur që për t’i mundë shqiptarët, duhen përçarë, dhe ia kanë arritë kësaj gjithmonë.
Shqiptarëve atdheu gjithmonë nuk u ka mjaftuar, u ka dalë i vogël, nuk i ka dashtë bijtë e vet.
Ikim nga historitë e vjetra e dalim në të rejat. Atdheu vazhdon të mos i dojë bijtë e vet.
Erdhi
shembja e komunizmit në Shqipëri.
Anijet e shpëtimit ishin si Varka e Noes ato ditë për shqiptarët e shkatërruar nga diktatura. Sepse atdheu nuk i donte, nuk i duronte bijtë e vet. Atdheu komunist u ofronte burgje shqiptarëve, u ofronte tela me gjemba, i vriste në kufi, i shpallte tradhëtarë po të guxonin të iknin nga atdheu. Atdheu nuk i ushqente shqiptarët, i kishte dënuar me uri, me mungesë shprese, me mungesë të plotë proteine. Atdheu komunist kishte krijuar njeriun e ri tip lejfen, kishte vrarë zotin dhe në vend të tij kishte shpallë zot diktatorin Enver, kishte zhduke fenë dhe në vend të saj kishte shpallë fe Partinë, dhe Shqipërinë e kishte barazuar me Partinë, pasi parulla dominante e kohës ishte Partia – Shqipëria, kishte bërë spiunë pa fund, ishin bindë shumë njerez të verbër se bar do të hamë e s’do të shkelim parimet e komunizmit, do të jetojmë si vegjetarianë ndërkohë që diktatori e shpura e tij jetonin superluks. Ra diktatura dhe ikën shqiptarët. Ikën shumë e shumë në Greqi pasi ishte kufi tokësor dhe iknin ilegalisht. Më shumë se gjysma e shqiptarëve iku. Këtë patriotizëm kishte mbjellë dhe rritë Enver Hoxha tek shqiptarët, të cilët i kishte trajtue gjithmonë si kafshë të fermës së kafshëve. Këta shqiptarë nuk mund të shkonin në luftë për Kosovën se Enver Hoxha e kishte vra Kosovën në zemrën e çdo shqiptari pasi ai e donte gjithmonë Kosovën vetëm nën Serbi.
Kur iku mbreti Zog, që gaboi pse iku e nuk doli në mal, shqiptarët u dyndën në depot ushtarake dhe kërkonin armë të luftonin kundër italianëve me 7 prill 1939. Pra mbreti Zog kishte lënë një popull patriot edhe pse iku vetë, ndërsa Enveri kishte lënë një popull në burg, kishte vra çdo ndjenjë patriotizmi te shqiptarët dhe ata mezi pritën të iknin prej këtij atdheu që i kishte vra, burgosë dhe deformue aq shumë për gjysmë shekulli. Zogu i kishte shqiptarë me pronë, aq sa kishin e kishin të tyren, Enveri u kishte marrë çdo pasuri, i kishte bërë proletarë që krenoheshin se kishin vetëm prangat në duar e asgjë tjetër.
Erdhi 1997. Ikën shqiptarët nga sytë këmbët. Ikën se atdheu i dëboi me mungesën e shpresës, me mungesën e lirisë, me frikën për jetën se të shkonte koka nga plumba që nuk dihej nga vinin pasi bandat e dhunshme e pushtuan, dogjën dhe shqyen Shqipërinë.
Ikin shqiptarë përditë se atdheu nuk u mjafton, nuk u del, nuk u jep shpresë, nuk u jep punë, nuk u jep të ardhme për vete e për fëmijët e tyre, atdheu i braktis në nevojë, nuk u gjendet atdheu për asgjë, vriten në mes të sheshit, nuk gjenden vrasësit që enden të lirë, i dëbon nga puna dhe i braktis si të ishte atdhe armik, si të ishte atdhe i huaj dhe shqiptarët në atdheun e tyre ndjehen si të huaj, pasi duket se shpesh e shumë shpesh këtë atdhe e marrin peng banda të pashpirta, që nuk kanë asnjë lidhje me njeriun, por vetem shohin pushtetin përsonal, pasurimin e tyre.
Atdheu nuk zmadhon dot territoret e tij dhe pakëson njerzit e tij, banorët e tij. Hemoragjia e atdheut vazhdon, ai kullon gjak e dhimbje gjithmonë. Lindin përditë shqiptarë, por numri i banorëve zvogëlohet në këtë vend. Se atdheu përzë e dëbon përditë bij të tij, nuk i punëson, nuk i siguron, nuk u ofron liri, shpresë, besim, të sotme e të ardhme. Asnjëri atdhe shqiptar nuk i don shqiptarët, ndonëse shqiptarët janë me fat se kanë dy atdhe. Shqiptarët duket kanë miq të mëdhej në botë, kanë ndonjë mik të fuqishëm që i mban, mbron e i don, se sa për udhëheqësit e tij të dy atdhetë e shqiptarëve do të shkërmoqeshin e do të treteshin si kripa në ujë. Shqiptarët kanë duket miq të fortë, por jo prej këtyre vendeve që na kanë marrë banorët, i kanë tjetërsuar, na kanë marrë e pushtuar trojet, që shpallen në mënyrë cinike vende mike. Këto vende le të shpallen mike por nuk janë vende mike të shqiptarëve, qofshin komshinj e qofshin më larg.
Ra kjo luftë dhe u pamë, do ta perifrazoja Kadarenë. Shqiptarët e Kosovës e njohën Shqipërinë, u shpëndanë kudo nëpër Shqipëri për aq muaj sa qëndruan si të dëbuar. E prekën dhe njohën fizikisht Shqipërinë. U rigjetën, u rilidhën shqiptarët. Them ndoshta meriton një përmendore Milosheviqi, që i dëboi shqiptarët e Kosovës dhe ata njohën Shqipërinë e duke e njoftë do ta duan siç është e jo siç e paraqiste propaganda komuniste. Mirë do të ishte që Greqia apo dikush tjetër t’i dëbontë masivisht shqiptarët e Shqipërisë dhe edhe ata të strehoheshin në Kosovë e ta njohin Kosovën. Duke e njoftë do ta duan se është aq e bukur, aq e madhe, aq madhështore sa marrosesh pas saj, po e njofte.
Atëhere besoj se shqiptarët do të jenë një, pavarësisht se politika nuk do që të jenë një, sepse u pritet nafaka shumë politikanëve të fiseve që qeverisin gjithë vendin ose gjysmën e kombit.
Toka e Diellit, ishulli i Tre Kepave, Triklaria, është një ishull ku u ndal për ndihmë Odiseu gjatë udhëtimit të tij të kthimit për Itakë. Në atë ishull jetonin kafshët hyjnore të shenjta, të pavdekshme, që nuk shtohen, që nuk duheshin prekur, që numri i tyre është gjithmonë sa ditët e vitit. Dhe ndoshta gaboj kur mendoj se shqiptarët sikur e kanë atdheun si ishulli i Tre Kepave, se shqiptarët janë mallkuar nga perenditë e qeveritë, nuk shtohen në “ishullin” e tyre dhe turbullira ime ndoshta bën që 360 ditët e vitit t’i mendoj si 3.6 milionë shqiptarë që nuk shtohen e nuk shtohen, por vetëm pakësohen e pakësohen, ikin, dëbohen, derdhen dherave të huaja.
Ndoshta edhe kontinenti europian i ka frikë shqiptarët siç i ka rajoni. Frikë për borxhin e madh që u ka shqiptarëve dhe nuk i lejon ata as të shtohen as të bëhen bashkë.
Nëse ne shqiptarët nuk do ta mësojmë qëndresën, nuk do të mësojmë të bëhemi e të jemi qëndrestarë për ta mbrojtë veten e trojet tona edhe me jetët tona, druaj se një ditë do të na dëbojnë edhe më shumë prej trojeve tona, do të na përzënë e ne do të ikim, do të ikim duke derdhë lotë dhe derdhjen e lotëve, vajtimin e vajeve, thirrjet me piskamë deri në kupë të qiellit për me lypë ndihmë, a lutjen tonë drejtuar armikut të mos na dëbojë, do ta konsiderojmë qëndresë shqiptare dhe sërish ikjes tonë do t’i këndojmë këngë trimërie.
Si duket shqiptarët u privuan ta gëzojnë jetën njerzore dhe e kanë “dënuar” kështu veten të jenë komb i pavdekshëm, të provojnë mbi kurrizin e tyre ndëshkimet më të rënda të njerzve dhe zotave dhe të bëhen për t’u patur zili, të ngjallin ndaj vetes së tyre gjithë mëritë e zilitë e fqinjëve dhe të shteteve të kontinentit plak, mëri e cmirë e egër që nuk derdhet ndaj popujve e kombeve të përkohshëm, por vetëm ndaj kombeve të pavdekshëm.