E merkure, 11.12.2024, 07:27 AM (GMT)

Kulturë

Don Lush Gjergji: Fehmi Korça, poeti i dashurisë

E hene, 08.09.2014, 07:03 PM


Fehmi KORÇA – poeti i afërsisë dhe dashurisë

Nga Don Lush GJERGJI

Me Fehmi Korçën jam takuar për herë të parë më 8 qershor 2013 në Grykën e Karadakut, në Dunav, me rastin e manifestimit kulturor “Trekëndëshi Poetik i Paqes”. Ishin shumë poetë shqiptarë, nga të gjitha viset e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe nga diaspora. Gëzimi, malli, dhembja, atdhedashuria hetohej në çdo fytyrë, shtrirje të dorës, përshëndetje dhe përqafim. Ishim një familje e madhe dhe e larmishme kulturore dhe shpirtërore.

Karadaku ynë i Idriz Seferit,  rezistenca shumëshekullore, ambienti i bukur dhe piktoresk, këtij takimi i jepte kolorit dhe ngrohtësi, zgjonte kujtime, frymëzonte fjalë dhe mendime për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ndër shumë fytyra të njohura dhe të panjohura ishte edhe Fehmi Korça, që kishte ardhur nga diaspora, Gjermania. Ishte i gjatë, mjaft korpulent, më një buzëqeshje tipike dhe karakteristike, që shprehte dhe dhuronte njëkohësisht gëzim dhe dhembje. U afrua, më përshëndeti dhe më përqafoi ngrohtësisht e miqësisht. Mundohesha ta njihja, por pa sukses.

Më tha: “Unë jam Fehmi Korça, burri i Elira Halimit, bijës së arsimtarit tuaj të dikurshëm në Zhegër, të ndjerit Hamza Halimit, dhe të shoqes tuaj të shkollës, Bedrije Halimi. Ju mua nuk më njihni personalisht, por unë Ju njoh mirë Juve, sepse jeni për ne fytyrë familjare”.

Pas këtyre fjalëve, mua m’u hapën horizontet e reja. Në mua vlonin shumë kujtime, përjetime, malli, nderimi dhe falënderimi, dashuria. Biseda, shoqërimi dhe takimi ynë vazhdoi tërë ditën, në rrënzën e Dunavit, te kisha e “Shna Prenës”, me shumë kënaqësi dhe shmallje. Hetova se ishte shumë i përmallur, i përvëluar nga mërgimi dhe largësia.

Herën e dytë u takuam në Prishtinë në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës pranë Katedrales “Nëna Tereze”, kur ma dhuroi vëllimin e tij poetik “Nuk jam larg” Poezi, Waso, Tiranë 2011. Përkushtimi i tij ishte ky: “Me shumë respekt  për mikun – vëllaun tonë, njeriun që më dashuri mbjell farën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor, Don Lush Gjergjit, nga autori. Prishtinë, me datë 14. 06. 2013”.

Përshtypja ime ishte që ky njeri diçka po ngutej, po kërkonte dhe rikuperonte.  Luftonte me kohën, e cila rridhte pa mëshirë, me hapësira shqiptare, që gjithnjë “zgjeroheshin”, si  dhe me vetveten. U morëm vesh për t’u takuar së shpejti  në Gjilan.

Takimi ynë i tretë ishte në Gjilan, te familja e bashkëshortes së tij, Elirës, për t’u takuar edhe me Bedrije Halimin dhe familjen e tyre. U kënaqëm, u çlodhëm dhe shmallëm me shumë kujtime nga fëmijëria dhe rinia jonë. Premtimi im ishte ky: “Së shpejti, me rastin e parë që do të vizitoj Gjermaninë, do të vij në Nyrnberg”.

Mirëpo ky takim i paraparë  dhe i dëshiruar nuk u plotësua kurrë. Ndodhi diçka e papritur, lajmi që Fehmi Korça kishte vdekur. U shtanga dhe trondita në shpirt dhe në zemër. Me familjen e tij – tonë, që tashmë ishte krijuar, ndjeva dhembje dhe pikëllim të madh, disi një lloj faji që ndodhi gjithçka kaq shpejt dhe në mënyrë të papritur. Më 30 gushte 2013 në varrezat e Gjilanit, para varrit të hapur, miqve të përlotur dhe të përmallur,  hetova dhe përjetova thënien: “Kur zemra është e plotë, goja është e zbrazët”, teksa mbajta fjalën time lamtumirëse, një lloj vazhdimi i takimeve, bisedimeve, dialogut tonë të shkëputur. Tashmë fliste vetëm heshtja, dhembja, loti, shpresa, amshimi.

Fehmi Korça, për mua, është një Njeri, Vëlla, i cili, nëpërmes poezisë shprehu dhe dhuroi ndjenja të pastra dhe të thella njerëzore, patriotike, mallëngjyese me vlera sublime dhe virtyte të lashta dhe të tashme, një testament shpirtëror dhe kulturor për “gjakun tonë të shprishur” siç thonë Arbëreshët tonë, kushtuar çdo shqiptari në tokat tona apo në mërgim. “Nuk jam larg” titulli i kësaj përmbledhjeje, mendoj unë, ishte për Fehmiun moto-ja dhe credo-ja e tij, mbi të gjitha dëshira dhe përcaktimi jetësor dhe poetik, që vërtet të jetë afër, bashkë, një, me çdo njeri vëlla apo motër.

Dhe sikurse të ndihej i robëruar dhe i cunguar nga kufijtë kohor dhe hapësinor, ai “shpërtheu” këtë jetë dhe këtë botë, tejkaloi botën e vogël shqiptare dhe tokësore, për ta shijuar dhe gëzuar matanë dhe amshimin. Largësia, mërgimi, malli,  jokomunikimi, indiferentizmi, shthurja jonë kulturore dhe shpirtërore, tek ne dhe në botë, gjithnjë e shqetësonin dhe mundonin. Ai ishte “pengu” i mallit, dashurisë, vetmisë, largësisë. Shi për këtë “iku” fizikisht, për të qenë shpirtërisht sa ma afër dhe një me ne.

Testamenti i tij “Nuk jam larg”, na thotë se është afër nesh, me ne, dhe ne me të. Dikur ai në Gjermani, e ne në trojet tona stërgjyshore. Tani ai në amshim, ne ende në këtë tokë dhe jetë.

Komunikimi mes Fahmi Korçen, familjes dhe miqve të tij vazhdon edhe nëpërmjet veprës postume “Përtej poleve të jetës” Poezi, The Balkans  Free Press, 2014, në redaksinë e Valentina Dafa dhe recenzentit Gentijan Banaj, që është promovuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit (28. 04. 2014) , me pjesëmarrje të familjes dhe miqve të tij dhe të poezisë.

Jeta, komunikimi,  afërsia, vëllazëria, dashuria vazhdon, kuptohet, tash ndryshe, me fuqinë e fesë dhe të uratës, me frymëzimin e dashurisë. E dogji malli dhe largësia. E rrëmbeu mërgimi dhe vdekja. E pranoi dhe përqafoi amshimi dhe pavdekësia.

Tash unë jetoj dhe komunikoj me Fehmi Korçën nëpërmjet kujtimeve, fesë, uratës, poezisë, miqësisë dhe vëllazërisë posa të nisur, pavdekësisë së amshuar.

Pushoftë në Paqe dhe Lumturi!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora