E hene, 09.12.2024, 12:40 PM (GMT)

Kulturë

Ermelinda Kashahu: Shpirti artistik i poetit Gorica

E hene, 08.09.2014, 07:00 PM


Shpirti artistik i poetit Pëllumb Gorica, në  vëllimin poetik “Dallëndyshet  e erës”

EH, FJALA...

Eh, shpirti kërkon të heshtë...

Dhe fjalët meken, bëjnë mënjanë,

mendimet s'durojnë një botë të sertë

dhe ngrenë një det me tramundanë.

Nga Mcs. Ermelinda Kashahu - Pedagoge në universitetin “E’qrem Çabej”, Gjirokastër

Hyrje

Sapo hedh sytë në të gjitha anët dhe zbuloj brendinë e poezisë së poetit Pëllumb Gorica, kam kuptuar se kam hedhur dritë mbi një krijimtari që në pamje të parë të duket  e koklavitur, por që në të vërtetë nuk është kështu, pasi jam gjetur përballë burimeve të formimit filozofik dhe artistik,të cilat janë mpleksur shpeshherë në mënyrë hermetike, por që nuk  e pengojnë afrimin në përmbajtjen e saj.

Poeti, i cili shquhet për tematikën që trajton,problematikën dhe thellësinë e saj, për forcën e artit  dhe realitetit, është raporti dualist shkak-pasojë. Imazhet e poetit,ligji i përjetshëm, realiteti i zymtë, jeta si ëndërr, më nxjerrin në këto përfundime.Me lidhjet e thella të vargut,me enigmën që ngërthen poezitë, me kohën dhe heshtjen, na kthen prapa në mendime. Duket se ngjashmëria është më e hershme sesa prejardhja, që do të thotë së poezia komunikon që para se ajo të kuptohet.Duke zhbiruar fort në vargjet  e tij, që në pamje të parë të duken të thjeshta, kuptoj se poeti në fjalë është treguar elastik.Përmes fjalës, poeti hyn më thellë sesa me ndonjë mjet tjetër. Kjo vetëpërmbajtje e trupëzon poetin dhe lexuesin.Në hapësirën gjithësore poeti krijon një vend, një pellg gëlltitës.Sinteza historike kohë-hapësirë dhe meditim, përcillet besnikërisht në vargjet e tij në fjalë.Frazat përgjithësuese janë ekzistencialiteti i njësisë kolektive.Qenia dhe enigma qëndrojnë në polin e universit konceptual.Poezia bëhet më e lexueshme dhe më  e pasur si parashkaqet metafizike.Shtrirja e saj në kohë-hapësirë, shfrytëzon si mjete të efektshme të gjitha format e vetëdijes dhe të nënvetëdijes të njeriut dhe bashkësive.Me anën  e këtyre vargjeve, kuptojmë se banojmë dhe jetojmë brenda një realiteti paralel, politik dhe poetik.Ky është poeti që del nga brendia e tekstit letrar dhe mbetet autor letrar,sikundër një autor çfarëdo që është i pamotivuar jopoetikisht dhe zbulon rrënjët e tij letrare.Në planin  e formës letrare, kemi rrëfimin që përmban intencën e figuruar që konoton personalen, nacionalen dhe universalen.Spektri i interpretimit është dhe sinteza paraprake e cila sintetizon linjat bazë të poezisë.Nga ana tjetër,ligjësitë shkak-pasojë shfaqen në përmasën e hapësirës dhe mendimi kap shkallën më të lartë te konceptit dhe dimensionit artistik, përmes hapësirave të kohës dhe të pakohës në realitetin e parrokshëm, duke dhënë mesazhin e mendimit thelb ose mendimit ndjenjë.Çdo shqetësim është dhe argumenti bazë i mënyrës së sjelljes së risive të reja në vargje.Cila është e veçanta e kësaj poezie ?

Poezia nuk shkëlqen nga fjala  e vetmuar,ajo shkëlqen nga dinamika e kombinimeve dhe krijon arkaizmin estetik ku fshihet fjala dhe mendimi,ku njeriu komunikon me një realitet të epërm, ku poezia trajtëson nëpërmjet formulimit në model psalmi dhe jep ritualin e meditimit, të mbijetesës dhe ringjalljes shpirtërore, si pjesë  e pashmangshme e vargut kuptimplotë.Poeti arrin të zbulojë edhe kufizimet në poezinë e tij.Si krijues, ai shfaq kontraditat dhe kufizimet në poezi, duke krijuar tablo të gjera, syrit të së cilit nuk i shpëton asgjë.Objekt vëmendjeje ka stili, i cili është plot gjallëri,energji,hijeshi.Kjo formë e thjeshtë, e natyrshme, fisnike dhe energjike, mishëron një përmbajtje të ngjashme,filozofinë e shëndetshme të vargjeve. Figuracioni është po aq i pasur dhe i thjeshtë.Ky figuracion është gjithnjë funksional.Poeti nuk ndalet të analizojë e të stërhollojë pasionin me tërë nuancat e veta.Perpikmëria  e madhe është një tipar dallues i formës së veprës: lulet, bimët,frutat, kanë emrat e tyre dhe asgjë nuk është e papërcaktuar.Në epitetet spikat një saktësi e jashtëzakonshme.Prania e gjerë e figuracionit dhe një sintaksë  e thjeshtë, më bën të kuptoj se poeti është në kërkim të një stili që shpreh qartë individualitetin e tij krijues.

Dimë se letërsia është një proces me jetë të mëvetësishme, prandaj vërehen dukuri përbashkuese e njëjtësimi ndër shkrimtarë.Dualiteti jetësor,social  e kulturor, fenomeni letrar,lakorja mes njeriut poetik, është dualiteti jetësor si forca motivuese e karakterit të tij.Vetë intepretimi që njeh paradigmën  e formave psikosimbolike dhe semantike, si pjesë të motivuara nga teksti, të mrekullon.Me nerv dhe shprehje të rrallë, poeti përcakton kuadrate boshe duke iu referuar koncepteve nga më të ndryshme.Metaforat janë të shpeshta e të freskëta, çka i japin qartësinë dhe thjeshtësinë poezisë.Përpjekja për të krijuar atë që autori ndien në të vërtetë, në drejtim të pasurimit sa më të madh të leksikut e sintaksës së gjuhës së tij poetike, më bën të mendojë se poeti gjen dhe imtësi e plot plasticitet për të përshkruar natyrën dhe për të konkretizuar ndjenjat e tij.Elementet e realizmit janë të shpeshta dhe poeti depërton në jetën  e kohës duke u afruar në mënyrë spontane.Poezia e Pellumb Goricës është konkretësi dhe vargjet  e tij i afrohen mjaft së vërtetës.Bota e rreme për poetin është një shqetësim i vazhdueshëm dhe në konceptimet analitike poeti  e rrok këtë realitet kompleks, ku nëpërmjet vargjeve të tij, kuptojmë veprimin e pandalshëm të poetit në fjalë.Konfigurimin e veçantë estetik dhe intelektual, e shfaq vargu i tij kuptimplotë me përshkrimin poetik të natyrës shqiptare,thekson tiparin kolektiv, dhe jep me forcë artistike e vërtetësi realitetin edhe pse ndonëse në mënyrë të shpejtë.

Bota poetike

Pëllumb Gorica është një poet origjinal në zgjedhjen e vargut dhe në origjinalitetin  e tij.Ai kurrë nuk shkruan pa shtytjen e frymëzimit dhe nuk lë pas dore frymëzimin artistik.Kjo bën që krijimtaria  e tij të dallojë për diapazonin artistik të motiveve dhe llojeve letrare.Këtu, nuk mungojnë tablotë  e natyrës dhe gjendjes shpirtërore të poetit.Idetë e shprehura në këtë drejtim të hershëm marrin një tingëllim të ri  dhe hapësirë të gjerë.Optimizmi që ndrit në vargje, shkëlqen dhe krijon nota të reja në letërsinë tonë, ku në vjershat më  të goditura kjo shprehet me koncizite.Prandaj, poetizon një gjendje shpirtërore të veçantë, një çast ekstaze mistike që i jep qetësi.Kjo qetësi delikatese dhe e përkohshme, pasqyrohet në harmoninë dhe ekulibrin  e formës.Por, edhe kur është i lodhur nga realiteti,shëtit me mendje hapësirave qiellore dhe gjen aty paqen dhe harmoninë e ëndërruar.

Natyra  e poezisë

Dimë se poezia është të shprehurit e ndjesive të zemrës e të përfytyrimit.I shprehuri poetik dhe mënyra e të shprehurit të poetit, ka rëndësi të veçantë.Një mënyrë fort e çmuar është dhe krijimi i mendjes, si drita e cila shndërrin formën e lartë të idealit.Këtu qëndron fuqia dhe mjeshtëria  e poetit.Jo pa qëllim, themi se mbetet simboli i poetit që shkruan pak dhe që ka durim t’i lëmojë vargjet e tij, duke na dhënë modele të artit poetik.Paralelizmat që shprehin lindjen e dashurisë në zemra,lënë mbresa te lexuesit. Të shprehurit poetik të bukurisë i qaset prirjes refleksive, që është mirëfilli i përmbajtur deri në detaje të forta, qofshin metrike, leksikore dhe semantike.Lënda e shkrimtarit është lënda e jetës dhe e riprodhuar në jetën e përditshme të veprës letrare.

Një vend të veçantë zë dhe meditimi për kohën e shkuar.Edhe kur e pranon se kjo është diçka objektive,që do ndodhë se s’bën, qëndrimet  e ndryshme ideore dhe emocionale në mendimin filozofik dhe në meditimet  e poetit, nuk shihen si kontradita në botëkuptimin e tij apo si përzierje pa kriter ndjenjash.Kjo krijimtari, ka vlerë jo vetëm në pasurimin e këtij mendimi,por edhe nëpërmjet terminologjisë shkencore që përdor.Me anën e figurave stilistike autori ka shpirtëzuar dukuritë e natyrës, duke ilustruar mendimin që ndalet në vargje,duke gjetur kuptimin filozofik,duke parë funksionin stilistik që merr vargu,mënyrën origjinale të ndërtimit dhe duke arritur shkrirjen e shpirtit njerëzor.Bukuria si cilësi njerëzore,trupore dhe shpirtërore, nxit lindjen e ndjenjës së dashurisë te njeriu.Kulmi i ndjeshmërisë arrihet nëpërmjet vargjeve.Për poetin ka rëndësi që ekziston objekti i dashurisë, edhe atëherë kur poezitë mbyllen me trishtimin e humbjes së kohës së rinisë dhe duke nënvizuar idenë se shpirti nuk plaket kurrë.Ashtu si një kritikë letrare e poetizuar, ashtu dhe poezia  e Pëllumb Goricës ka vlera të pamohueshme. Prej këtej, shpreh bindjen time të plotë, se poeti ynë është simboli gjallë i poetit qytetar, pikërisht për faktin se i paravendoset strukturës së thelbit historik si projekt vizionar për ndryshimin e gjërave dhe që nuk tradhton për asnjë grimherë etikën e vet të formës estetike. Në vijim të këtyre mendimeve, citojmë vargjet

Kjo rrugë më ngjan e bukur,

si penelatë e purpuruar me ngjyrë.

po gazi yt, nënë, ku është strukur,

në ç’kopësht vallë qënka shkrirë?!

Ligjërimi poetik shpalos argumentin dhe arsyeja i nevojitet lexuesit.Karakteri i ligjërimit është i pranishëm në çdo varg ku poezia është vetëm njëra nyje.Enigma ideore është poetike dhe e  ndjeshme.E them këtë, nisur nga fakti se poezia e këtij shkrimtari është shpirti i arsyes, pasi shkrimtari i falet gjithmonë asaj metode të brendshme,origjinale,organike, si prodhim i talentit.Pikëpamjet mbi të bukurën janë të qarta dhe kanë prirjen realiste, duke ndjekur rregullat e përcaktuar dhe duke ndjekur kohën.Përmes trajtimit të shumë motiveve, u përvijua një botë shpirtërore e pasur në pasione të fuqishme, duke bërë që brendia e poezisë ndonjëherë të jetë e komplikuar, por që krijon lidhje të ngushta dhe të menjëhershme me lexuesin, i vetmi poet i cili gjen në botën shpirtërore të kohës së tij, notat dhe ngjyrat më të fuqishme.

Përfundim

Shpresoj që aftësia vëzhguese e imja të jetë ende e mprehtë dhe poeti të strukturohet në panoramën e aktivitetit krijues në Shqipëri.Uroj që gjuha e tij të vazhdojë ta shpërfillë gardhin e përbashët.E adhuroj poetin për projektin e produktit letrar, duke bërë që “institucioni” i letërsisë të dekretojë modelin dhe “repertorin”, e adhuroj edhe për trajtën e ri të vargut.Më kujton poetët rus të cilët ruanin temperamentin vetjak, analizat e ndjesive të qarta në mënyrë të shëndetshme, sintetik në shprehje dhe i talentuar.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora