Kulturë
Ilir Muharremi: Arti dhe realja
E shtune, 20.09.2014, 06:59 PM
Arti dhe realja
Nga Dr. Ilir Muharremi
“Arti në
kuptimin e vërtetë të fjalës bëhet për ty, o popull.” Këto fjalë të Herkomerit,
unë i shohë të vërteta, veçse arti krijohet nga vetja për të dal në sipërfaqe,
pastaj ngjizë, ngacmon popullin. Ky mendim nuk duhet të pengoj njeriun e rrugës
të gjejë diçka në të. Njeriu bashkë me botën krijojnë artin, bota është vetë
vepër arti që gjeneron vetveten. Transparenca, lëvizja e re kundër reales bëhet
tejet e magjishme me fjalën krijim ose art. Krijimi ngritë kërkesën ndaj
vetvetes, ndaj unitetit dhe egoizmit. Krijimi bëhet refuzues ndaj asaj që i
mungon, pastaj vije revolta. “Këtu revolta observohet në gjendje të pastër”.
Shkruan Camus. Bindshëm arti duhet të
shpall perspektivën dhe përmbajtjen e revoltës. Arti ka edhe armiqësi,
por miqësia është e bukura. Bota artistike dëbon moralin zgjedh reformën dhe
artin.
Artisti imponon realitetit forcën vetë, e ruan brenda universit bashkë me pajtimin dhe gjithnjë nxjerrë një pjesë nga historia, evolucioni dhe ndërgjegjja. Nëse artisti pendohet me realitetin, realiteti objektiv refuzohet dhe kemi vepër intime, të thellë personale. E kundërta, artisti bashkohet me objektiven gjen forcën dhe shijen e së bukurës e cila shpreh identiken me të tijen, kemi realizmin objektiv nën vellon e tij. Të dyja këto janë të privilegjuara për hatër të ekzistimit të botës dhe njeriut-artist. Por, krijimi i parë prapë nuk abstenon nga realizmi sepse imagjinatë njëqind përqindësh nuk gjejmë kërkund, por po të ekzistonte, atëherë shkëputja nga realiteti do identifikohej pa vlerë artistike sepse çdo ndjenjë kërkon kuptimin, kthjelltësinë dhe përshtatshmërinë. Olimpia padyshim është një personazh imagjinar për nga kurorëzimi i gjarpërinjve , realiteti bëhet tejet objektiv sepse këtë e gjejmë në natyrë. Formaliteti zbrazët nga esenca reale që ndeshet me kufirin. Edhe piktura e pastër abstrakte kërkon nga bota joshjen e ngjyrës, perspektivën dhe dinamikën reale. Them se realja bile shpreh minimumin e shpirtit të kuptuar mbi çdo lloj arti. Artisti nuk mund ta kupton shpirtin pa nxjerrë nga realja, kërkon unitetin nëpërmjet krijimit imagjinar për të cilin pohon se abstenon nga realiteti. Ky artist i imponon realitetit rrëfimin e vetvetes të cilin nuk mund ta derdh pa realitetin. Atëherë, këtij universi i jep të veçantën dhe limitin nëpërmjet gjuhës së tij. Elementet huazon nga e vërteta duke synuar konceptin e gjuhës e cila përfaqëson shpirtin, ndërsa shpirti vetveten pa ndikim nën ligjet e së panjohurës. Nuk them që arti pranon totalisht realen, por vetëm se nuk mund të shkëputet nga ajo. Nëse kemi një roman realist atëherë vetëm riprodhimi i së vërtetës kulmon përmes fjalës. Kur Sizifi morri leje Plutonit të kthehej në tokë, erdhi, shijoji ujin, diellin, gurët e nxehtë, detin dhe nuk deshi të kthehej prapë në errësirën e skëterrës. Ngjarja e bënë rob krijuesin e Sizifit. Këtu realizmi kalon në kënaqësi dhe u desh një urdhër i perëndive ta kthenin Sizifin. Ky lloj arti nuk jeton me ekzagjerimin, por bëhet konstant me proporcionet e reales. Këtë reale kthejmë në veten tonë. Piktorët e rilindjes lexuan ç’kishin thënë shkrimtarët klasikë për vlerën që ka realizmi i një arti që ngjan i vërtetë në jetë. Studionin optikën, shkencën e të parit dhe perspektivën, me qëllim të bënin vizatime të sakta dhe bindëse. Të tjerët bënin autopsinë e trupave të vdekur, për të mësuar më shumë për anatominë. Qëllimi është sundimi i pasioneve kolektive të vërtetës duke jetuar dhe i ndjerë ato. Pasi artistët përqafuan teknikat, ata dukeshin më shumë si zanatçinj se sa krijues. Kjo epokë është më shumë e raportit se e artit.
Në kohërat klasike piktorët përdornin perspektivën për të dhënë në një sipërfaqe të sheshtë përshtypjen e hapësirës 3D. Krijuesit romakë bënin që objektet në largësi të dukeshin më të vegjël. Gjatë Rilindjes artistët përpunuan një makinë rregullash për ndërtimin e një skene të tërë në perspektivë të unifikuar, që gjithçka të shihet nga një këndvështrim i vetëm. Këto rregulla nuk e kontestojnë realen, në të njëjtën kohë ia japin unitetin e njëjtë. Objekti zgjerohet nga psikologjia e njeriut dhe arrihet efekti i iluzionit të hapësirës. Qëllimi është iluzioni me thellësinë e reales, por as realja as iluzioni nuk do kishin efektin pa njëri tjetrin. Ndodh sforcimi i realitetit dhe ky ligj shtrihet në të gjitha hierarkitë e mendimit. Realja nuk është tamam reale, sepse përcaktohet nga mendimi dhe vlerësohet nga vetvetja mbi ngjashmërinë. Siç e kemi rastin me surrealizmin që dëshiron ngjashmërinë ta unifikojë dhe ta tejkaloj mbi kuptimin e ëndrrës. Ëndrra peshon në realitetin, por edhe realiteti pranon ëndrrën. Është një mosnënshtrim, humor, kult, kulm i absurdit ndërmjet reales, pranohet si gjithçka që ka një rifillim mbi idealizmin. Camus te “Njeriu i revoltuar” citon Aragonin i cili surealizmin e krahason me makinën e përmbysjes shpirtërore. Shpirti lirohet nga zinxhirët, por prapë peshon në atë çfarë mund të ndodh. Sipas Bretonit , shpirti nuk nuhatet as në jetë e as përtej saj. Surealizmi i parend përpiqej të krijoj rend. Cilin rend? Fillimisht shkatërrimi qe në esencë, marrim poezinë mallkuese e cila ishte një rrufe e vërtetë. Kjo botë e realizmit, është univers i rikrijimit nëpërmjet çdo metode. “Surrealistët në të njëjtën kohë kur e lartësonin padjallëzinë njerëzore kanë besuar se mund ta lartësojnë vrasjen dhe vetëvrasjen” shkruan Camus. Vetëvrasja shihej si zgjidhje dhe kjo lëvdatë e asgjësimit nuk i bënë nder askujt. Të gjithë surrealistët ishin artistë, por Rigau mbajti anën vdekjes. Surealizmi nuk e kishte qëllimin këtu, ai mbajti anën e pafajësisë njerëzore, pavetëdijshmes individuale duke vodh nga realiteti. Elani kryesor i artit dhe realitetit është kërkesa për lirinë absolute, shpërthimi i pavetëdijes jetësore është favori më i pastër. Kjo botë është pa nder, pa kuptim, por ka dëshirën e të qenit dhe të jetuarit. Kjo ndoshta ka rëndësi.