E premte, 19.04.2024, 06:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Hasan Selimi: Sejdi Berisha - ''Gur i tretur...''

E premte, 19.09.2014, 07:22 PM


Duke lexuar poezinë e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, “Gur i tretur - Almanak i moteve”

KRIJUESI QË NDRYDHË E SHTRYDHË VETEN E KOHËN PËR TË MIRËN E NJERIUT...!

(Duke lexuar poezinë e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, “Gur i tretur - Almanak i moteve”)

Nga Shkodra shkruan: Hasan SELIMI

Nuk është hera e parë, bile kurrë as e fundit, që poeti i madh i kombit, Sejdi Berisha, mahnit lexuesin dhe opinionin e gjerë me krijimtarinë dhe poezinë e vetë, me gjetje shumë, shumë të gjetura si as kurrkush. Në poezinë “Gur i tretur-Almanak i moteve”, jo vetëm se të bënë të tretesh në mendime, por edhe të jesh paksa më i përkushtuar njeriut, tokës, pra, atdheut dhe kombit,... Eh e mira ta marrin!

Mesazhi i vargut “Me shekuj rrokullisur nëpër atlasin tokës”...!

Të tretesh në mendime, do të thotë të gjesh skutat e historisë aty ku janë e ku s’janë: Me shekuj i rrokullisur/Nëpër atlasin e tokës/Qielli ta ka hapur historinë/Dielli shfleton libra padrejtësie/Gur i rrokullisur /Është guri i tokës sime/Ngrohtësinë e tij/Në sqep dallëndyshesh e shoh/Duke fluturuar fshatrave të Kalabrisë/Si dritë të pashuar/Në degët e ullishtave të Çamërisë”!

Ligjërimi në këtë poezi sikur është i veçantë, e të veçantë e ka edhe mesazhin dhe qortimin, sepse: Aromën e gurit të tretur/E shoh dhe e shijoj/Katundeve të Anadollisë/Fjalën shqip duke e ruajtur/Si histori dhembjeje”!

Ky është një venerim mbase edhe një fletë e dhembshme historie që reflekton në atë se ndoshta sot sikur shumë gjëra e vlera gati i ka harruar, e ato janë të tretura në çdo cep toke dhe në çdo vend bote. Ndoshta, kjo tregon se njeriu ynë, bukur shumë i ka harruar mbase edhe “tretur” vlerat dhe peshën, por edhe zërin e arsyes së periudhave kohore që na kanë bezdisur e daktisur pa mëshirë, e të cilat patjetër forcojnë mendjen e arsye, por nganjëherë na duket se e kemi zvetënuar apo “molisur” peshën e  mendimit të vlerave. Këtë e them, edhe nga e përditshmja, por edhe vargjet e z. Berisha “ngacmojnë” për të medituar, se, sikur nuk është, apo dobët është i dhënë pas vetvetes, e gjithnjë ndaj vendit, duke pasur këtu shumë dobësi që edhe sot e kësaj dite nuk zvogëlohen por rriten e shtohen gjithnjë e më shumë, duke u nisur nga ato më të prekshme e deri tek smira për njëri-tjetrin, urrejtja, mungesa e mendimit të mirëfilltë, mos unitetit, mungesa e dashurisë për gjithçka që lidhet me tokën, njeriun, me lumturinë dhe fatin e atdheut dhe të kombit, për ditë më të mira dhe më të reja... Për këtë arsye, poeti si në hapësirën e gjeometrisë deskriptive, kujton tërthorazi, por edhe na rëndon mendjen me peshën e rrugëtimit plotë përplasje e tablo, që ndoshta asnjëherë nuk janë prekur as nuk janë shfletuar për të ndritur “karvanin” aq të mundimshëm nëpër mote: Në petalet e luleve /Të shkretëtirave të Misirit lashtë/Në krahët e lejlekëve shtegtarë/Në gjuhën e peshqve/Nuk e di se në cilin det/E takoj rrëfimin e gurit të humbur/E më trimëron vazoja e thyer”!

Guri therë e thërret thellë në zemrën e poetit...!

Dhe, për t’ia ngritur e përjetësuar plotësisht vlerën tërë këtij këndimi, nëse mund të them ”bizar”, poeti ndrydhë e shtrydhë veten dhe kohën, duke ngreh në piedestal nevojën për madhështinë e çdo gjëje që  lidhet me njeriun, me peshën e fatit të tij dhe të vendit të vetë. Andaj, kërkon dashuri e vetëdijesim për ata që nuk “duken” në truallin e gurit të harruar ”Nëpër atlasin e tokës”.

Në çdo vend të globit, guri thërrmohet, bile bëhet dhe. Por, ai bëhet edhe bar mbi lendinë, ndërsa në poezinë e Sejdi Pejës, guri bëhet edhe shi, jetë dhe vegim. Vegimi i gurit fluturon në sqep dallëndysheje: E kam parë viteve e shekujve. Gurin e tretur. Si rrugë të pakëputur/Si këngë malli /Që shqiponja në hartë i shndërron/Lëngu i gurit të humbur/Kudo amë uji bëhet/Ku këngët arbëreshe /Kanë zënë rrënjë/E mbi varrin e dashurisë/Derdhë lule loti e qëndrese/Aty guri i humbur/Çuditshëm ligjëron”...

Guri?! Athua, pse “rrotullohet” vendi yt në atlasin e tokës dhe guri therë e thërret thellë në zemrën e poetit ndjellamirë, i cili është lindur vetëm për mirëqenien dhe fatbardhësinë e secilit... Dimensioni i veprës së tij kalon kufijtë e etur për birin, babën, gjyshin, për varret, për historinë, për lëvizjen nga vjen dhe nga shkon: Tej oqeaneve i tretur/Shi jete bëhet guri/Tokën e ndrydhur për ta njomur /Mbi gur shkronjat për t’i pastruar/Diçka për të ndritur”!

Dhe nga kjo, kam të drejtë ta komentoj apo edhe vetë të meditoj: ah demografi e etur për gjithçka veçse për gurin tim... Dhe më bëhet se “gurin e historisë”, poeti gati sa nuk e mallkon, edhe pse nga natyra ai është engjëllor.

Rrokulliset e tretet guri nëpër faqet e mykura të mendores historike dhe të kohërave, për çfarë poeti thërret për bashkim, vetëdijesim dhe ndërgjegje kombëtare.  Kështu, ngre zërin me optimizëm dhe me dashuri shpirtërore:

Gur i tretur rrënjë/Dritë mbi varr të nënës/Roje e gjurmëve të babait/Tek lapidari pa adresë/Rrokullise botën/Rrotulloje tokën /Gur i humbur /Udhërrëfyes i moteve/Jepi vulë të re historisë /E qëndro në tokën tënde/Gur i tretur/Almanak i moteve”!

Thërret “Si dritë e pashuar/Në degët e ullishtave të Çamërisë” ... Poeti i lëshon zë edhe Misirit të lashtë, thërret edhe Kalabrinë, stepave dhe kudo që janë bashkëkombësit e vet...

Poeti dhe poezia si vlera këmbëngulëse për t’i lënë brezave dëshmi e si trashëgim gjithçka për përplasjet historike

Nga e tërë kjo, më rrah mendja se ne, edhe nuk i çmojmë njerëzit tanë, mbase edhe i përçmojmë, i harrojmë...! Sikur jemi të ngopur me dituri, sikur dashuria po derdhet si tepricë(!).

Por, pra, poeti di më së miri të përcjell dashurinë e gurit për gurët e vendit të tij edhe në shpinë të lejlekut, në sqep të dallëndyshes, në petalet e luleve, në këngën gjithandej botës, në këngën maje krahu që ruhet kudo në cilin vend ku gjendet ky gur, të cilin në këtë mënyrë e këndon dhe e kërkon, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha i tërë shqiptarisë: Sa bukur këndon/Sa ngrohtë buzëqeshë/Për tokën e vetë/Për hijen e akullt të njeriut/Gur i tretur gur i humbur”...!
Çdo njeri, edhe poetët shkruajnë diçka për të lënë trashëgim brezave që vijnë, për të provokuar e për të lënë gjurmë për zbardhjen e historisë, të vlerave shpirtërore dhe kulturore. Dhe, është e drejtë. Por, ma thotë mendja se, Sejdi Berisha, gjithnjë punon për të ngjallë diçka që ne e kemi harruar apo nuk i kushtojmë rëndësi dhe as vëmendje sa duhet nga aspekti shpirtëror, kulturor, historik dhe shkencor.

Poeti, ka ndrydhur edhe shtrydhur tokën dhe vetveten për të sjellë një njomëzim... Sa e sa figura letrare ka përdorur ai, me qellim të begatimit të mendores së njeriut e kombit të vet dhe jo vetëm të tij...

Dhe duke përfunduar këtë analizë, ndoshta të jashtëzakonshme të poezisë “Gur i tretur-Almanak i moteve”, dua të theksoj se ju keni lexuar, bile edhe keni recituar vargje e shkrime të Pashko Vasës, edhe të Migjenit, edhe të shumë të tjerëve, si Çajupit e të Ali Korçës, të cilët janë tretur duke i kënduar Shqipërisë, por kënga e tyre është e kohës së tyre, ndërsa, kënga e Sejdi Berishës është këngë e zë i veçantë i kohës së sotme! Dhe, ndoshta dikush do të thotë se nuk e kuptojmë gjithaq mesazhin madhor të tij... Por, metafora, ndjesia, malli dhe dashuria për gurin, këtë shkrimtar dhe publicist të devotshëm e bëjnë dëshmi këmbëngulës, se ai shpirtin e vet së lë rehat duke e tretur atje diku skutave të botës së njeriut dhe njerëzores, që nganjëherë i ngjajnë mu gurit të tretur...!

Krejt në fund. Poezinë “Gur i tretur-Almanak i moteve”, këtë poezi shumë shumë domethënëse, secili mund ta trajtojë dhe analizojë nga këndvështrimi dhe në mënyrë të vetë. Dhe, për trajtesën që mund t’ia bëjnë, kanë të drejtë. Unë e mendova dhe e analizova nga ky këtë këndvështrim, gurin e rëndë njeri gjak të këtij krijuesi me përmasa gjithëkombëtare.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora