Kulturë
Lumturi Ymeri: Portret pa(z)emër
E premte, 06.06.2014, 07:13 PM
LUMTURI YMERI
PORTRET PA (Z)EMËR
-Cikël poetik-
FLUTURIM I NDËRPRERË…
…dhe pëllumbi mbeti pa krahë…
dallëndyshet do të nisen në shtegtim
nuk do të vijnë më…
ua prishën strehëzat…
Lumenjtë do të rrjedhin në të njëjtin shtrat
gjethet dalëngadalë do t’i krehë vjeshta…
Buzëqeshjet nuk murosen
do të mbeten varur nëpër re
Mendimet do të kthehen
në ortekë trishtimi
Netëve, hiret do t’ua marrë Hëna
lumturia do të ngrijë mbi sythe dimri…
Muzgjet do të tresin diellin në amshim
do të ketë më …agim…?!
NGANJËHERË…
Nganjëherë…
Futem në zbrazëtirën e thellë
të
mungesës së
që se mbush dot me fjalë
veç me kujtime…
Nga të çara të kohës
më vijnë fjolla drite,
jehona fjalësh të paharruara
dhe aroma e bukës së pjekur
të duarve të Nënës!
Kam mall…
JETË E MP(L)AKUR
S’kam asnjë lidhje gjaku me ty
Fëmijët e mi, po
gjysh të thonë
Të tretur, të drobitur, kocka shkërmoqur
s’mundem të të shoh
kësaj ore të vonë
Ti je shtrirë në krevatin tënd të vjetër
që kurrë se ndërrove, as pallton
me të ashpra fjalë
Me zërin, shikimin e vrazhdë
mbulove zemrën brenda një lisi
tetëdhjetegjashtë vjeçar
Ti fle, hera-herës rënkon
të mbuloj, ke nxehtë
të zbuloj, ke ftohtë
nuk di ç’të bëj!
Vuajtja jote më dhemb
mjegullnaja ku tretesh
errësira ku mbetesh
më tremb.
Ti, jep e merr, me qiellin
bën pakt
Më ngjeth mishin ç’ngjyrosja e syve
qoftë larg…
Jashtë era cingëris tjegullat
Ti mbyllesh sërish
në guaskën tënde të heshtjes
Frika ime kafshon udhët
tashmë, ku ecën jerm
por ti se di, se ndjen…
Në pulsin e dorës së rreshkur
gëlon mp(l)akur jetë
e ndjej
gjakun e fëmijëve të mi
e dashurisë sime…
NDODH…
Ndodh të m’i fshehësh sytë
një mpirje ta heq ngjyrën e fytyrës
Ndodh të ngresh edhe zërin
ashtu kot pa kuptim, pa arsye
Në kaos hamendjet e mia
dalëngadalë gëlojnë frymëmarrjen
që hera-herës, rrugës mbetet
Shqetësimi kthehet në brengë
ngjitet në sy
ua rrëmben dritësimin
Mendimet bëhen të errëta
Nuk ka më lëkurë
të mbështjellë durimin
E ndërkaq
jam gati të shpërthej
por…
Kafshoj me dhëmbë çdo zanore
që më lë në gojë shije rëre
Mbys fjalën pa lindur
kur pranë kam fëmijën…
Hesht unë grua
humbur rrugës së gabuar.
Dhe shtyjmë ditët më gjoja
edhe netët
duke mbyllur sytë
përbri njëri-tjetrit
ndoshta edhe përmbi
Në imagjinatë
jemi të rremë
me fytyrë…ëndrrash!
Ndodh pra
në hamendje
kur ti
sytë mi fsheh…!
NUK DO KISHTE POEZI, PA TY
Nuk do ishte poezia ime
pa kodin e gishtave të tu
mbi pore…një për një.
As pa aromën magjike
mbrëmjeve
të frymës tënde nën zë.
Nuk do të ngjallte lapsi
as edhe një fjalë…
pa pëshpërimat e tua
që vlojnë ndër damarë
Nuk do të kishte poezi
pa ty!
Ti, nuk je çasti
Je ai, që më lëndon më thellë
Se ti, dhe vetëm ti
dhe i vetmi ti
je poezia e Hënës
që unë ja tregoj
Diellit…
(R)EVOLUCION
…
I mbyll sytë…
Currilat e argjendtë
zhveshin shkumën
e gatuar me duar.
E ajo derdhet nga supet
magjishëm si këmishë…
Bulëzat marrin rrugë,
lëpijnë çdo pore
vijëzojnë perfekt
format trupore.
Lakohen, rrotullohen
zbresin në shtigje intime
konturojnë thellësi
e dritë-hije…
Një pozë e trupit njerëzor
as bojë, as penel
veç vijëza uji në çdo milimetër
një nishan i përkëdhel…
Pikturë që mbeti
poezi në avull
e fshirë puthjesh…
PORTRET PA (Z)EMËR
Një grua-portret, poezia ime
Ja sytë, dy copëza liqeni
mbytur në ta, ca lule gladiole
njëri kapak, lyer në vjolë…
Ton i dhuruar nga grusht i fatit.
Ia tkurrin shikimin ravijëzimet
si brazda vitesh e plasaritjesh
Ca qerpikë djegur si hala pishe
përzhitur në to, një buzëqeshje
Lindur e vdekur pika e lotit.
S’më duhet hundë, as buzë, as gojë
në ka frymuar a ka jetuar
në është puthur a është ndukur
në klith a hesht zë i këputur
Lëkurë e nd(r)yrë prej mëkatit.
Supet zbuluar prej veli resh
nxirë prej muzgjesh dhe në mëngjes
kornizë e prerë gjoksit përmes
Ku je piktor?! Një grusht ta ngjesh!
Zemrën ia le në dorë të Zotit!
PASARELË
Pasarelë, trupi im
me thonjtë
gozhduar në skajet e kohës
Dhe eci, shkel mbi të
Mbys jehonën
që vrapon kthinave të frymës
bëhet mërmërimë e
jep…shpirt…
Ja! Një lot
i bërë gur
nën këmbë më vret
Dhe një qerpik
dy…njëzet e dy
prej syve ujitur
në fije
të zgjojnë pranverën
dhe mua…pasarelën,
ku gishtat e tu
kanë harruar të ecin…
U TREMBËN PËLLUMBAT
Jo, më nuk po mundej!
Gardhi prej eshtrash
po shembej
Gurë vitesh e dhera fjalësh
Gjethe mendimesh
të vyshkura
Ndjenja të gërryera
të ndryshkura
Kujt.e.sa, harresa jehonash
të mbytura
Brenda një guve pa portë
zhurmueshëm godasin ...fort!
Gardhi prej brinjësh
ngecur vertebrash
thyer në zverk
kafazin e shembën
pëllumbat u trembën...
TUNELI I FUNDIT
E vendosa!
Të marr trenin
e mendimeve të mpira.
Rrotullohen rrathë kalendarikë
mbi shina ikjesh
me rrapëllimë
Ja, dhe fërshëllima
të sjell jehonën e mungesës
Avullin ta përplas
në xhamin e lamtumirës
Çaf-çufe
që gërryejnë s(t)errën e natës
dhe zbresin në fundin e frymës
aty, ku degët thyhen…
Qerpikët
grisin pamje të kujtesës
Thëllimi i degdis
në pellgje të kripur
cepave të buzës…
Edhe pak
Porta e tunelit të fundit
hap verbimin e bardhësisë
së dëborës së pashkelur
Asgjë
nuk pipëtin veshëve t’shurdhuar
Ngadalësohen qiejt
Statujat e pemëve
nuk këputen më...
Oh, qetësi
në supin tënd
tani mund të flë…