E diele, 28.04.2024, 09:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Kurora e dytë e Lurës

E merkure, 28.05.2014, 08:04 PM


KURORA E DYTË E LURËS

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, në një takim të thirrun në Tiranë në vitet ’30 të shek. XX me krerë nga “Malet e Dibrës” e krejt Veriut iu drejtue atyne zyrtarisht me fjalët emblematike: “0 Male...!” E, Lura, qyshse nga Mesjeta, kryesisht në Principatën e Kastriotëve, siç theksohet edhe në veprën shkencore “Llesh Zef Doçi i Lurës...” (Nikollë Loka, ShB Emal. Tiranë, 2014) ishte një nga Nëntë Malet e Gegënisë, sikurse Dibra, Mati, Martaneshi, Kurbini, Fusha e Arbërit, Benda (Malësia e Krujës), Tomadhea (Malësia e Tiranës), Çermenika (f. 10) Lura përmendet si vend i lashtë i historisë iliro-shqiptare edhe nga autorë antik grekë e romakë si Polibi, Stefan Bizantini, Tit Livi dhe është i provuar si i tillë nga gjetje arkeologjike të derisotme. Në kit’ vend u ngritën kala të kohës ilire e bizantine, si ajo “Illuri” e ndërtuar nga perandori romak me origjinë ilire Justiniani i Madh, e përshkruar nga Prokopi i Çezaresë, etj.

Dera e Doçit, si Derë e Parë e Kreu i “malit”, “dheut” e “bajrakut” të Lurës, qyshse nga Epoka Skënderbegiane germëton e lartnon në histori, në istikame e anale të saj. Gojëdhana ligjëron e ujëvaron se kreu luras Prengë Nikollë Doçi ishte një ndër pjesëmarrësit e Kuvendit të Beslidhjes së Lezhës të 2 marsit 1444 (f. 64). Kjo edhe për faktin se Lura ishte e lidhun shumëfish me kryeheroin shqiptar, Skënderbeun, pasi nëpër trollin e saj etnik e epik rrugëtoi me ushtri të vet nga Dibra për në Bregdet. Në hulme legjendash i besohet rrëfimit e vizionit sikur kali i Skënderbeut i ka lanë ngultas në Qafë Lurë gjurmët e tij. Lura shihej si vend mjaft strategjik e fort bestar nga Skënderbeu, ndaj dimnave pa luftë e linte në Lurë një pjesë të madhe të ushtrisë së tij. E, përpos këtyne, aty, në livadhin e Xharrit, i farkëtonin armët. Lurasit ishin pjesë e historisë shumplanëshe të Skënderbeut, u rritën në vargbrezni me lavdinë e saj. Në etno-kulturën e Lurës ka ba vend Kanuni i Lekë Dukagjinit po nxenë vend edhe Kanuni i Skënderbeut.

Historiani mirditor e meritor, mrs. Nikollë Loka, në monografinë e tij historike, filozofike e kulturore “Llesh Zef Doçi i Lurës, forca e mendjes, pesha e fjalës” e skalit me penën e tij edhe një tjetër “varg/mal” të Lurës, atë të Derës të Doçit. Derë e Parë e Lurës. Përndryshe, nëpër shekuj, edhe  kreu i Lurës.

Ky varg/mal lisnajë niston me Prengë Nikollë Doçin e epokës Skënderbegiane, me Llesh Nikollë Doçin, me Dodë Llesh Doçin, me Kolë Bush Doçin, me Bibë Kolë Doçin, me Doç Gjergj Doçin, me Llesh Preng Doçin, me Kolë Bibë Doçin...e dekteri tek Zef Llesh Doçi, që ndrroi jetë në fundshekullin XX, në dhjetor 1999, i përcjell me ritin e vajit: “...vet ke qënë një shqipe mali / t’pat rrit nana sokol djali / djalë i mençëm i shpisë Doçit / nip i mirë në derë t’Oroshit” (f.165). Dinastia lurase Doçi po ecë mirë, fort, shpejt edhe në shekullin e ri, XXI.

2.

Lura, si “Mal”, “Dhe” apo “Bajrak” kishte Vetëqeverisje me inde e damarë ilir. Përngjashëm me aristokracinë ilire. Në truallin e saj kryesor e lartësor ishte “Kuvendi i Dheut të Lurës”. Në periudhën e tretë osmane ishte Bajraktari, Menajt e Lurës. Institucion më vete. Nga ky trung genetik e kam njoft në vitet ’90 të sojshmin Ramiz Mena, mbretnor i devotshëm. Ishin krerët. Kreu i Parë ishte Dera e Parë e Doçit, ndërkohë e ligjëruar edhe si “Derë Zabiti” tue marrë edhe fuqi ushtarake prej nga koha e Dodë Llesh Doçit dhe “Derë Vojvode” prej nga koha e Kolë Bibë Doçit. Lura kishte Pleqtë, plot dymbëdhjetë, një numër biblik, simbolik.  Këta ishin “Parlamenti i Lurës”, të cilët kishin çekiçët, mbështetës, këshilltarë. “Pleqtë me vulë” mbanin peshë të madhe. Pastaj ishin Dhetarët. Gjashtë gjithsej. Ishin “Senati i Lurës”, me vendimmarrje të parevokueshme. Zgjidheshin rast pas rasti. Thirreshin edhe “Raja”, “Shkopi i Dheut”, etj. Një institucion tejet demokratik. Rradha vinin edhe esnafët e dorëzanët, etj.

Dera e Parë e Doçit, Kreu i Parë i Lurës, lyp/te jo veç me kanë në krye të vendit, po edhe me iu dalë në krye punëve të Lurës. Lypte me e përfaqësue në rolin e vet e me forcën e vet krahinën autonome etno-historike të Lurës jo vetëm në vendet për rreth si në Dibër e në Mirditë, në Lumë e në Mat, po edhe në evente (ndër)kombëtare.

Nga Dera e Doçit morën pjesë në kuvende ndërkrahinore, rajonale e kombëtare: Preng Nikollë Doçi mori pjesë në Beslidhjen e Lezhës (1444). Kolë Bush Doçi ishte një nga krerët firmëtarë në projektin politik të përbashkët për një Principatë të Veriut (sëbashku me Ali Menën, Dedë Vladin, Hasan Ajazin–daja i Preng Bibë Dodës të Mirditës, Ali Limanin). Bibë Kolë Doçi ishte një nga krerët lokal në kuvende e luftime në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), si dhe përfaqësues i Lurës në Kuvendin e Dibrës të vitit 1899. Major Gjon Bibë Doçi mori pjesë në Kuvendin e Lurës, të organizuar nga nacionalistët më 1-3 gusht 1943.

Veçojmë edhe Llesh Zef Doçin, misionar i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, pjesmarrës në Kuvende të saj, i dekoruar me Urdhërin e Artë të Misionarit të Pajtimit. Ky ishte një përfaqësues dinjitar i Lurës e i Shqiptarisë. “Avokati i Lurës” e cilëson lurasi Osman Vladi (f.230). “E ndjente shumë sedrën e fisit”, do të pohonte kusherini i tij, Skënder Doçi (f.225). “Ishte luras fisnik”, e përcakton Mentor Muça, ish sekretar i Komitetit të Partisë të Dibrës (f.215). “Po e përseris se nga Llesh Doçi nuk i ka ardhë askujt ndonjë e keqe në Dibër, as sa një qime floku”- deklaron Hajri Hoxha, n’gjithato vite ish sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit e kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, i cili, mes tjerash (f. 214) nënvizon prapë për lurasit: “Kam njohur gjatë viteve shumë kuadro nga Lura. Nuk mund të harroj Ahmet Përlekën, Llesh (Zef) Doçin, Murat dhe Halit Vladin, Lekë Rajtën dhe Nezir Bucin. Ata ishin të përkushtuar dhe gëzonin virtytet më të mira të malësorit”.

3.

Të jesh Derë e Parë, “Shtëpi e Parë” në Lurë është nder i madh, përgjegjësi e lartë, vështirësi sakrifikuese, pasi aty ka gjithato fise (degë fisesh) rrënjase e të ardhuna ndër shekuj. Hysen Dervishi i Cerenit i etnon si “konaqe të Lurës” (disa grupime fisesh). Është konaku Doçi-Ajazi, Prija (e drejta e Kreut) - Haldeda, Bushkola, Markola, Nikolli, Bibëçupi, Gjikola e Duka-i mbështetur si vlla trojesh. Konaku Tollja – Mena (Bajraktari), Përleka, Kaçorri, Buci, Cuku, Batalli. Konaku i Vladit – Peka, Marlleshi, Gjoçi, Rajta, Skana, Koçeku. Konaku i Gjurrës – Nezha, Gjegja, Murati, Deda, Kalia, Kallaba. Konaku i Burijes: Kaçi, Hoti (të ardhun, edhe njëri nga liqenet e Lurës thirret liqeni i Hotit), Loka, Bruçi, Dodgjini.

Dera zamadhe e Doçit, paraardhësit e Llesh Zef Doçit të Lurës, ishin në krye të kryengritjeve, në ballë të betejave, i dhanë Lurës lavdi dhe gjakun e vet. Disa përfaqësues historik të kësaj Dere të shquar morën përmasa legjendare. Iu qëndruan në kambë kohnave nga ma të vështirat. Edhe në luftë me otomanët, edhe me sllavët, edhe në vitet e pushtimit fashist e komunizmit, edhe në kohën e sotme të demokracisë.

Kreu i Parë i Lurës, Dodë Llesh Doçi udhëhoqi kryengritjet lurase antiosmane në vitet 1707-1708 dhe 1712-1713 e Sulltani deshti me e burgosNish po e mbajtën e mbrojtën malet e veta, të cilat kanë lidhnajë toke të pandame vrri e bjeshkë, me njerëz fisnik e besnik. Kreu tjetër i Lurës, Kolë Bush Doçi udhëhoqi forcat luftarake të Lurës kundër ekspeditës turke të Hajredin Pashës në vitin 1843, etj.

Nga dera lavdiplote e Doçit të Lurës ka disa martirë të krahinës e kombit. Kreut luras Llesh Nikollë Doçit në luftën e “300 duvakëve”  iu vranë në përpjekje me serbët dy vëllezërit: Deda e Gjoka. Një tjetër luftëtar i Derës së Parë të Doçit ishte Doç Gjergj Doçi, që u vra në luftë me serbët e varri i tij gjendet në shtetin e sotëm të Malit të Zi. Akti i tij u përjetua edhe në kangët historike: Ndal’ kadalë o biri i shkinës / se këta janë djemtë e Shqipnisë” (f.76).Kreu i Lurës, Llesh Preng Doçi, stërgjyshi i Llesh Zef Gjetë Lleshit, u vra barbarisht nga serbët sëbashku me disa luras. Këta lisa luras i trupalidhën në lisa natyror, i torturuan, pas vrasjes i shpuan me bajoneta. Kreu vojvodë i Lurës, Kolë Bibë Doçi, luftoi si prijtar në luftën kundër serbëve në Kolesjan. Ma mbrapa, u vranë ma i pari ndër 108 malësorë të pafajshëm nga Lura, Reçi e Dardha. Kanga popullore ligjëron: Kush u vra për herë të parë / Çaj’ Kolë Biba (Doçi) me të vëllanë” (f. 78).

Një luftëtar i shquar i Derës së Parë të Doçit ishte edhe Nikollë Keq Doçi u vra  në mbrotje të Plavë-Gucisë në kohën e LSHP, në Luftën e Ultinës së Epërme të Limit (dhjetor 1879-janar 1880). Zyber Doçi me 30 bashkëluftëtarë luras u internuan nga austro-hungarezët në Kotorr (Mali i Zi), ku vdiq atje nga kushtet e randa të punës e të jetesës. Dera e madhe e Doçit të Lurës kishte edhe zyrtarin ushtarak e civil, martirin, Zef Bibë Doçi, Major në rezervë i kohës së Zogut, Krahinar i Lurës (1924-1939), arrestohet me luras të tjerë si Hakik Mena, Ibrahim Gjoçi, Dalip Kaçi, si edhe matjanë e dibranë,të cilët i lirojnë pas gjashtë muajsh, kurse Zefi vdiq i helmuar në spitalin e burgut më 20 korrik 1940.

Emblemë e engjëll mbrojtës i Derës së Parë të Doçit në kohën e komunizmit ishte Heroi i Popullit, Gjok Preng Doçi, i rritur jetim në sofrën e kullën e kushërinit Zef Bibë Doçi e Patër Zef Simonit, i shkolluar në Shkodër, ku bie në kontakt me idetë komuniste, lider të saj,  e sakrifikon jetën për  idealet e lirisë. Dha kontribute në Shkodër e Elbasan. Doli partizan në Çetën e Dumresë (1942) e u zgjodh për meritat e tij zv/komisar i saj (1943). Me 73 partizanë të Batalionit të Çermenikës inkuadrohet në Brigadën e Parë Sulmuese e në korrik 1943 caktohet komandant i Batalionit të Katërt të saj. Më 20 nëntor 1943 vritet në ballë të luftës në Mallakastër (f. 80-81).

4.

Llesh Zef Doçi i Lurës (1927-1999) ka një emër ripërtëritës të Derës së Doçit, një emër mbajenderës të fisit të vet. Si të thuash, është “Lleshi IV”, që tanë jetën pati Paqe me Zotin, Pakt me Tokën, Besë me Njerëzit. Në gjallje të vet e pati përpara, ballas, lart emrin e vet, ndërsa në jetën e përtejme të tij na e la pas emrin e vet të mirë, të ‘dritshëm, të ndjekshëm.

Në germafjalë të kësaj monografie 300 faqëshe veneroj se kah fillshekulli XVIII, ndoshta dhe ma herët, hyn e vjen në histori Llesh Nikollë Doçi  (Lleshi I) i të rrallës “Luftë të 300 duvakëve” me jehonë deri në Stamboll e Rusi. Tjetri, “Lleshi II”, Llesh Preng Doçi, stërgjyshi i tij, u vra nga serbët në vitin 1913 në Qafë të Mërkurthit, sëbashku me luras të tjerë: Isuf Ajazin, Isuf, Osman e Rrahman Bucin, Marku Ndue Markolën. “Lleshi III”, nacionalisti Llesh Bibë Doçi (1905-1946) ka dek qëndrestarë në dy javë tortura të randa në burgjet komuniste e u rivarros me nderimet e kohës së re e fisit të vet të moçëm në ma të parin vit të demokracisë.

Në faqet e kësaj monografie të historianit Nikollë Loka gjejmë gjithato vlerësime nga bashkëkohës për figurën dijetare, qëndrestare e veprimtare të Llesh Zef Doçit. Ish kryetari lokalitetit të Sllovës, Halil Robi, jep një opinion përcaktor: “Llesh Zef Doçi ishte njeri dinamik, i aftë dhe i gatshëm të përballej me detyra e vështirësi” (f. 242). “Burrë dhe kuadër me personalitet”, e portretizon Bardhok Gjikola, “Qytetar Nderi” i Rrëshenit.(f. 252). “Ishte burrë i drejtë” – thotë Halil Karahasani nga Kastrioti i Dibrës (f. 217). Bashkvendasi Bardhok Lekë Rajta, ing. elektro-energjitik, ish kuadër drejtues në Dibër, na flet (f. 259) për katër tipare të qytetarit Llesh Zef Doçi “i denjë, fisnik, burrëror e zemërgjërë”.

5.

Kreu i Derës së Doçit me dy djemë të Vladit në kryeshekullin XVIII shkoi në Stamboll për “Dekën e Sulltanit”, me marrë pjesë në ceremonitë përcjellore të tij. Aty, oborrtarët otomanë të sulltanit të vjetër e të riut në fron vnun re se Kreu i Lurës me të vetët nuk e uli flamurin në gjysmë shtizë sikur të tjerët në homazhet e atyshme. E dvetën ma mbrapa. Doçi i Lurës iu tha: Pse ka vdek Mbreti nuk ka vdek Kombi. Ne nuk e ulim flamurin” (f. 65-66). Fjala mori dhenë prej Shkupi në Shkodër, e dheu i tokës amësore arbnore tue ua pa edhe paritë e kreut e trimnitë e breznive iu dha kurorën simbolike “Sulltani i Lurës”, ndryshe: “Doç Sulltana”. Ky fakt burimon në gurra dokumentare edhe nga Nikollë Loka, Moisi Murra, Xheladin Ali Tollja, Ahmet Përleka, Ali Koçeku, Halit Doçi, etj.

Kjo simbolikë në çdo kohë ishte emblematike, reale, me domethanien e vet, me forcën, magjinë e madhështinë e vet. Jo veç kreu Llesh Nikollë Doçi i “Luftës së 300 bajrakëve” apo djali i tij pasardhës, Dodë Llesh Doçi, ishin “Sulltan i Lurës” po dekteri edhe Llesh Zef Doçi e pesë djemtë e tij: Gjeta, Prenga, Doda, Gjoni, Deda, po edhe Mark Zef Doçi me djemtë Zef e Ndue e vajzat: Pashkë, Rutë, Prenë e Mrikë janë të tillë. Edhe sot, janë një “Sulltan” apo“Sulltanat” modern, pasunar, kulturor, qytetar. Llesh Zef Doçi ishte një “Sulltan”, jo në kuptimin otoman e konceptimin komunist, po në realitete e akte të pavarësisë së tij dhe në qëndrime e veprime përballë Kohës, Antivlerave, Antinjeriut. Ai erdhi e iku nga kjo botë i tillë: “Sulltan” i kullës së vet, i trollit të vet luras, i qëndresave kundër klaneve oktapode e (ri)ngritjeve të madhërishme. Si gjithmonë. Dje. Sot. Nesër.

Kulla e kreut Llesh Zef Doçi i ka në mbajemendje për mirë Nikollë Ndue Vorfin, nipin e gjyshes së vet nanëmadhe, përkushtuese e sakrifikuese; familjet e Xhemë Dullë Vladit apo ato të Tahir Abaz Vladit e Ali Han Vladit; shtëpitë e Dodës në Tejmollë e të Çokut në Lajthizë; kusherinjtë e vet si Bibë Kolës, Can Doçit, Ahmet Doçit, etj. Me thanë të drejtën historiani i penës dimensionale e veprave kombëtare, Nikollë Loka, ka ba mirë që ia përmend shoqërinë e afërt brenda krahinës Llesh Zef Doçit, ku veçojmë: Ahmet Pekën, Çup Ali Çupin, Zenel Musën në Arrmallë; Abaz Zyber Bucin në Vlashaj, Ali Hamid Vladin e Mehmet Xhetan Ajazin në Sumaj. Shoqërinë jashtë Lurës si Ramadan Can Pogën prej Tejmolle, Zenel Dodën nga lagjja Dodaj, Gjon Çokun prej Lajthize, etj. Shoqërinë në qendrën e rrethit si Jashar Menzelxhiun, Mentor Muçën, Selim Alliun, Lekë Rajtën, etj. Ai, ndër Doçët e vet, kishte ma afri edhe shoqërore me Halitin e Gjon Doçit, me Skënder Doçin, Can Doçin, Dedë Doçin, etj.

Autobiografi e Llesh Zef Doçit janë edhe gjithato fjalë vlerësuese për kontributet e atributet e tij, që aq me vend e rend na i përcjell Nikollë Loka në kit’ monografi të vyer. Prof.dr. Bashkim Lleshi tek gazeta “Rruga e Arbërit” (Tiranë, nr. 4, 12 prill 2007)  mirë gdhend portretin e tij: “Llesh Zefi (Doçi), kryetar i lokalitetit në Zallë-Dardhë, si malësor i drejtë dhe i ndershëm që ishte në sistemin e kaluar ka pasur dhe përplasje e peripeci të shumta, po malësorët e atune anëve ma kishin përshkruar portretin e tij ashtu siç ishte, një burrë i gjatë, me trup të fuqishëm, trim, tëzgjuar dhe mikpritës”. “Lleshi ruante tiparet e të parëve tanë”, thotë Dedë Doçi (f. 238).“Përballonte situata të vështira”, thotë Eshref Visha i Cerenit (f.241). “Llesh Zef Doçi ishte dalluar për zgjuarësi natyrore”thotë Ali Koçeku në monografinë e tij për Lurën. Hajri Hoxha, kuadër i  lartë e i shumëkohshëm në Dibër për aktin ekstrem klanor të përjashtimit të tij nga PPSH dokumenton se “Llesh Doçi u ndëshkua padrejtësisht, një dukuri që ka ndodhur edhe me shokë të tjerë” (f. 191), kurse Mentor Muça, ish sekretar i Parë i Dibrës thekson: “Jemi takuar shpesh se na lidhte puna, kemi pirë kafe së bashku, madje e bëra mik dhe e ftova në shtëpi, duke e vlerësuar për burrërinë dhe fisnikërinë që kishte” (f. 191) dhe vijon ma tej: “Llesh Zef Doçi është ngritur në detyrë për meritat e tij. Na folën që ishte burrë i zoti dhe i zgjuar. Nuk ishte e lehtë të gjendeshin  drejtues të aftë në atë periudhë. Lleshi ishte provuar në aktivitete dhe shokët e rrethit nxorën përfundimin se kishte aftësi të mira drejtuese... Për mendimin tim Lleshi u ndëshkua nga sinqeriteti i madh, vetëm për burrëri e karakter...Një nga vërejtjet tona ishte kjo:  të gjitha gjërat kërkonte t’i zgjidhte me mirëkuptim. Lleshi kishte një parim: ta gjejë nga ndonjë tjetër...”f. 215-216).

Personalitetit Llesh Zef Doçi i hijeshon vepra si pleqnar e misionar, pasi është rrit në një trevë me tolerancë mes fiseve të shumta të atyshme, në mes hormonisë të feve katolike e muslimane, ku ngultojnë edhe breza shehlerësh.  Shembulli ma domethanës është ajo e figurës emblematike të Shpalljes së Pavarësisë,  zv/kryeministrit të parë të saj, Don Nikollë Kaçorri, i luras, që e kishte babën katolik e nanën muslimane. Kapedani i shquar i Mirditës, Bibë Dodë Pasha, i krishterë, u martue në Lurë me çikën mulimane, Hiden e Hasan Ajazit nga Arrmalla. Brezat e Doçit të Lurës, të rritun në mes muslimanëve, ky i sotmi, i kanë dy halla të martueme në shtëpi muslimane, etj. Tradita shqiptare vazhdon nga para koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri tek epoka e antarësimit të Shqipërisë në NATO e në Bashkimin Europian.

6.

Pak ditë pas Pavarësisë së Shqipërisë, më 23 dhjetor 1912, u hap në mjedise të  kishës shkolla e parë shqipe në Lurë e mësues i parë i saj ishte martiri i kombit,  Kolë Bibë Doçi, veprimtaria patriotike arsimdashëse e të cilit kishte marrë jehonë deri në Vjenë, Bullgari, Stamboll, etj. Gazeta “Drita” në Sofje (Bullgari) shkruante se “shpërndaheshin libra shqip edhe në Lurë” (30 nëntor 1901).  Ippen, Konsulli Austro-Hungarez në Shkodër e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë se në mars 1902 ndër krerët e Dibrës që morën pjesë në një mbledhje për arsimin në Shehër ishte edhe Kolë Bibë Doçi nga Lura dhe aty u vendos “të ngrejnë shkolla shqipe në vatrat e tyre” (f. 77).

Bash në trungun e Llesh Zef Gjet Llesh Preng Doçit është edhe Lekë Gjet Llesh Preng Doçi, (Lekë Margjini) i shkolluar në Orosh, të cilin me kërkesë të Car Ferdinandit etj. Abati i Mirditës, Prend Doçi, e çoi në Sofje të Bullgarisë. Atje, në Pallatin Mbretëror, i mësoi Shqipen princit Boris të Bullgarisë, tevona Mbreti Boris III i Bullgarisë. Asokohe i ndoqi studimet ushtarake e mori graden kapiten dhe në kit’ cilësi ishte një nga oficerët mbrojtës të Kongresit të Lushnjës, emigroi në Itali bashkë me Bahri Omarin, u martue me çikën e atdhetarit korçar, Sotir Pecit, shërbeu si Nënprefekt i Strugës (1941), u burgos nga gjermanët në Kampin e prishtinës (1943), e jetën e mbylli si cigareshitës pranë kinema “Majestikut”.

Historia përseritet në Derën e Doçit të Lurës, pasi një nga trashëgimtarët ma të shquar të saj, Llesh Zef Doçi në vitet e pas çlirimit do të ishte ndër mësuesit e parë të Lurës. Mbasandejna në shkollën e Lajthizës, në Arrëmallë (Sheshdoçe),  në Fushë Lurë, e drejtor shkolle në Brezhdan. Ai kishte marrë arsimim të mirë në shkollën e Oroshit, pasi aty kishte mësues si Prenk Jakova, viheshin në sekën drama të Molierit, etj. Vazhdoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë (1953-1955), ku nuk ia mundësuan as shkuarjen me studime në Bashkimin Sovjetik. Ndër vite ishte zyrtar i shtetit si kryetar lokaliteti në Lurë, Kastriot,  Sllovë, Zallë-Dardhë, si edhe në seksionit e financës të Komitetit Ekzekutiv të Dibrës, etj. Ky intelektual shumëdimensional punoi edhe punëtor krahu e kreu edhe sipërmarrje pune për të mbajt lart emnin e begatinë e kullës së tij e të Derës së Doçit, me u mbrojt nga mbyllja e shtigjeve nga hjekësi e ligësi klanore të kohës, me iu dhanë rrugë fëmijëve të vet e të vllait, Markut, që të dy sëbashku ishin nji, si model i vllaut për vlla. Fisniku dinjitar e përballës, Llesh Zef Doçi gjithë jetën e tij u ndie krenar për zonjën e vet, Dilën e Gjokë Ndoit të Mërkurthit e të Marës të Marcerajve në Bisakë të Fanit, fis i parë i këtij bajraku të njohur. Jo rastësisht të dy kishin një datëlindje, veçse Lleshi dy vite ma i madh. Edhe Dila në moshën 89 vjeçare ndihet e privilegjuar, e rinuar, e lumturuar nga emri i Derës së Doçit, nga atributet e të shoqit, Llesh Zef Doçi, nga përkujdesjet e fëmijëve e të nipave e mbesave të saj.

Llesh Zef Doçi ishte “ndër nxënësit më të mirë të shkollës së Oroshit”, kujton shoku i tij i kësaj shkolle, Gjergj Bibë Lala (f. 212). “Mësuesi i përjetshëm”, e çertifikon avokati Nikoll Kola (f. 247), ndërsa Mal Cani, kreu i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”,  përcakton se “do të përmendet gjatë në dardhë” ( f.244). Gazetari e telekronisti i Mirditës, Xhelal Marku, jep detaje e tipare të tij: “Lleshi e ruajti me fanatizëm të madh mënyrën estetike të veshjes, me një stil të veçantë, që i shkonte shumë me atë fizik që kishte. Atëherë kur pardesytë e bardha ishin të rralla në treg, Llesh Zefi do të gjente patjetër pardesynë e tij sepse ishte i fiksuar në estetikën e veshjes... Shtatëlartë si lisat e atij vendi (Lurës), estetik në veshje, i fjalës e muhabetit, i matur, i mençur, i arsimuar, por edhe me një zgjuarësi natyrale për t’u admiruar nga të gjithë”(f. 253).

7.

Dera e Parë e Doçit, kulla e tyre historike, ka nxjerrë mendtarë të shquar, që i kapërcejnë kufijtë e Lurës e krahinave për rreth, hyjnë në visare e vlera kombëtare shqiptare.

Në Dibër të Epërme përmendet “Kanuni i Bibë Kolë Doçit”, na dijenon Nikollë Loka në veprën e tij tue na e dhanë portretin e tij si “shumë i zgjuar dhe dallohej për ndarje pleqësishë jo vetëm në Lurë, por edhe në Dibër, Mat, Lumë dhe Mirditë.Shumë krahina për për çdo konflikt të vështirë për t’u zgjidhur merrnin Bibë Kolën” (f. 75). Studiuesi Ali Koçeku në monografinë e tij për Lurën thotë se në atë kohë se “S’ka lind burrë në këto zona që të jetë i zgjuar si Bibë Kola”. Xheladin  Ali Tollia në monografinë e tij për Lurën dokumenton se “T’u bëftë goja si Bibë Kolë Doçi, thuhet edhe sot në Dibër”.

Nikollë Loka i ka pjek dy (krye)fjalë në ballinën e veprës për Llesh Zef Doçin teksa e medaliaon  mrekullisht e hyjnisht si “forca e mendjes, pesha e fjalës”. Në kit’ amë, përgjatë kësaj rrjedhe, ecën me penën si daltë e artë në tana ato faqe e kapituj  të këtij libri kushtim meritor. Ai na e mirë paraqet si Llesh Zef Doçin si “Pleqnar” e “Misionar”. Na jep shembuj konkret. Na sjell urtësi prej tij. Ai na ka lanë mjaft fjalë të arta, apo si jemi mësue t’i quajmë “fjalë të urta”. Të gjitha këto, të mbledha nga Nikollë Loka, të rrëfyera nga Osman Vladi, Zef Mark Doçi, Bardhok Rajta, Nikoll Kola, Gjokë Beci, Ruta Legisi (Doçi), etj. kanë vendin e rolin e vet në fondin kombëtar shqiptar. Nikollë Loka e të tjerët na e dëshmojnë edhe një tipar të përhershëm të Llesh Zef Doçit: humanizmin e tij, që e manifestoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Pleqnari e Misionari Llesh Zef Doçi “ishte filozof popullor”, sipas Mentor Muçës (f. 95), “burrë humanist i një dere fisnike” sipas Nikollë Lokës (f. 95), “Rilindas nga mendimet”, sipas Pjetër Markut, kryetar i degës së Lidhjes të Shkrimtarëve e Artistëve të Mirditës (f. 219), “ishte njeri shumë human”, sipas Abdulla Zenelhasanit nga dehoshishti i Dibrës (f. 240), “njohës i mirë i Kanunit dhe i Traditës”, sipas Sherif Pekës, kuadër drejtues në Lurë (f.257), etj.

Kaherë i kisha thanë historianit Nikollë Loka se kam me shkrue për librat e tu, shumë sish të nivelit kombëtar. Para disa ditësh ma dhuroi dorazi monografinë  shkencore  “Llesh Zef Doçi i Lurës, forca e mendjes, pesha e fjalës”, me redaktore Ruta Doçi (Legisi) e recensent Ramiz Lushaj. I thashë se sot ma ke pru prapë të gjallë para syve e përballë kohës atdhetarin Llesh Zef Doçi i Lurës, një lis i madh edhe në kohë të vështira, një pleqnar i fortë e misionar i lartë, tek i cili flinte mendja e ndritte mirësia...E pata njoft qyshse në vitet ’70 në Fierzën e dritës, kur kish ardhë me i pa njerëzit e vet e veprën. Asokohe punoja zyrtarisht me rinënë e tropojës e Fierzës e vullnetarisht me shtypin e Tiranës. I  pata folë mirë për djalin e tij, Dodën, fisnik e gjallnik, i përkushtuar ndaj punës, shkollimit, veprimtarive. Zemra iu ba sa 12 liqenet e Lurës. Ai ishte njeri që mbante forcë, i vnonte bisedës skaj e majë, ishte njeri tek i cili mund të peshoje me besë e shpresë. I qëndroi kohës në kambë edhe kur ajo i ndejti jo rrallë mbi krye.  Ai, Llesh Zef Doçi i Lurës, si e germagrand Nikollë Loka, ishte “burrë që i pat hije edhe vdekja” (f. 164), pasi në varrimin e tij mortor madhështor kishin ardhë malet e Malësive, lisa e lisnaja të kohënave, nga metropoli i Tiranës e shtete e treva shqiptare në Ballkan, aq sa i tërhjeki edhe disa danesë të merrnin pjesë në homazhe. Ata kujtonin se ceremonia në Kodër Kamëz ishte për ndonjë personalitet të lartë shtetëror e jo për një pensionist, për një lis dinast të Derës të Doçit të Lurës, ndaj në një gazetë daneze botuan shkrimin “Vdekja e një njeriu të pushtetshëm pa pushtet”. (Rrëfim nga Ruta Doçi-Legisi, f. 165).

Dera e Parë e Doçit të Lurës është dinasti kreu, parie, misionare e mendjes, pushkës, penës, me lisa të mëdhenj në mbi gjashtë shekuj, në kohë të vështira, me rrënjë e degë të fisme  nga Prengë Nikollë Doçi deri tek Llesh Zef Doçi me pasardhësit e tij dinjitar. Janë lisnajë. Këta, sëbashku me lisat epope e epokal nga luftëtarët luras të Skënderbeut e të Lekë Dukagjinit, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të Pejës, të kryengritjeve e luftërave kundërosmane e kundërsllave, nga Sheh Murati i Parë i Lurës deri tek Don Nikollë Kaçorri i Pavarësisë, e dhjetra të tjerë, më përngjasojnë me lisa, me lisnajë të një “Kurore të Dytë të Lurës”, që ma të lartit mal natyror të Lurës (mbi 2.100 metra lartësi mbidetare), malit “Kurora e Lurës”, ia shton bukurinë, fisnikërinë e madhështinë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora