E diele, 01.06.2025, 10:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Lirika e dashurisë dhe risitë e saj

E shtune, 24.05.2014, 05:55 PM


Lirika e dashurisë – nocionet dhe risitë e  saj

(Mbi disa novitete e risi    lirikës    Skënder Rusit)

Nga Vladimir Muça (studiues dhe poet)

Sot në prurjet e pluralizmit krijues, në kuadrin e globalizmit të krijimit letrar, futjes të modernitetit në lirikën shqiptare, poezia lirike , sidomos ajo e dashurisë po përjeton pubertitetin e një handikapi, ku në një anë po xhvishet nga ajo ndjenjë madhore e fisnike e saj , dhe në anën tjetër po bëhet një kopiatriçe e lëbyrnur eseniniane. Tharmi lirik shqiptar, i trashëguar nga rilindasit De Rada, Naimi, Serembe, Poradeci, nga Dritëro Agolli,  Koçi Petriti, Vangjel Ziko, Dhori Qiriazi, Fatos Arapi, është lënë disi mënjanë në këtë tollovi letrare. Të paktën kështu më ish krijuar mendimi nga leximi si në shtypin mediatik, por dhe në portalet elektronike aq shumë zhurmëtarë.

Lirikët e vërtetë janë disi të “fshehur”   nga kjo gjurulldi krijuese. Ata ziejnë në vet – vete, në vlimin e ndjenjave më të këndëshme lirike në kondicionet sa më harmonike shoqërore. Kur lexova përmbledhjen me lirika të Koçi Petritit, me ato perceptimet  e reja, të harmonizuara aq bukur në kontekstin shqiptar, ciklin “ Gabimet e bukura” dhe librin me lirika dashurie të Skënder Rusit “ Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra”, m’u ngroh disi shpirti. Poezia lirike nuk po vdes nëpër tam- tamet e përbetimeve erotike me “ buzë e shalë” , me ato banalitetet erotike, ajo në fakt po kërkon të gjejë vet- veten në estetika të reja, sa të traditës aq dhe modernes, me ato novitete që përkojnë me stadin zhvëllimor të shoqërisë.

Skënder Rusi, ngulmëtar, vjen si një trashëgimi e lirikëve që u bënë emblemë e letrave shqipe. Tek ky lirik , motivi i dashurisë , transkriptuar në një universialitet trashedent  në kushtet e “ importit” të gjithçkaje por dhe të një moderniteti poetik në strukturë, ze një vend të veçantë në produktet lirike. Në vështrimin strukturor të krijimeve lirike para viteve ‘ 90 , vërejmë se krahas futjes të nocioneve të reja, si një domosdoshmëri kohore, në bahçen lirike të Rusit, takojmë ndjenjën e bukur të dashurisë , të cilën ai nuk pushoi kurrë së kultivuari e t’ja dhuronte lexuesve me atë frymën e dashurisë për jetën, natyrën, të bukurën, sublimen.

Në këto poezi, ndërthuren e bukura, vuajtja, shqetësimi, emocionet në ngarkesa nga më të ndryshmet, me një dashuri të sinqertë shpirtërore por që takojnë dhe përplasje emocionesh, kontraverse të shprehura dhe me një dhimbje pa kufi e që në shumi me to lundrojnë në liqenin e dashurisë përshkrimet emocionuese të asaj që begatojnë ndjenjën e njeriut si një purpurant në qiellin e shtatë.

Siç evidentohet nga ky perceptim, në kundërshti me vulgaritetin poetik, në lirikën që kultivon në bahçen e tij, Skënder Rusi, ndërthuren gjithçka shpirtërore, shqetësimi mbi parabola e ndjenjës dashurore , emocionet në përmasa nga më të ndryshmet, të cilat hera –herës vinë dhe në dhimbë ku poeti thirrmon: “Brenda kafazit bosh, tani banon trishtimi!/ ( Ai nuk besoi se do të ketë vdekje!/ Uji që pinte kanarina ka ngrirë,/ Si një lot i madh atje mbi qelq!”

Por nëpër vargje takojmë dhe psiko- analizë emocionuese të një dashurie që pllenon ndjenjën fisnike të sinqeritetit ku poeti : “ Në sytë e tu digjen meteorë,/ përmbysen qiej, ashtu, kot më kot/ Unë fshehur rri , ku burojnë lotët,/ Bëj të të flas, po nuk të folkam dot!” të cilët e begatojnë poezinë, e tejmbushin me emocione dhe motive universale. Ajo që e ushqen një lirizëm të tillë tepër hapsinor, që i jep jetë një materie të tillë poetike, është madhështia e universialitetit të femrës, himnizimi i figureës së saj në hapësira  e ngjarje si të përjetuara;  ku autori ndërthur bukur ëmbëlsinë e kësaj dhimbjeje me të bukurën safojane që autori e përjeton në vargun e tij gjatë portretizimit të femrës si qenia më e bukur, si domosdoshmëri e jetës, si hyjni e kësaj bote.

Nga përvoja dyzet vjeçare, duke mos iu ndarë këtij sharmi poetik, imazhet lirike të imagjinuara apo të jetuara, në botën poetike të Skënderit, tashmë, kanë marrë “ pasaportën biometrike”, nuk mund të anashkalohen; ato mund të natyralizohen në lirikën botërore me krenarinë e veçorinë e tyre kombëtare. Kjo ndodh nga se autori me ngulm e qartësi estetike, me intuitën e tij krijuese, me një limim të holluar rifiniturash, nga kjo përvojë shumëvjeçare, ka krijuar kultivarin e tij poetik, disi të veçantë , ku figura, gjetja poetike, metaforat , parabola simboliste dhe mesazhi që ato përmbajnë, bashkëjetojnë përgjatë kënaqësisë dhe dhimbjes lirike të dashurisë si një realitet.

Siç duket, Skënderi i ushqen këto figuracione me nocionet konceptuale të Luis Borgesit i cili në një ligjëratë në Universitetin e Hauardit tekstualisht është shprehur : “ Prapa strukturës së metaforës e kemi muzikën e thellë të fjalëve”. Ndaj dhe ky muzikalitet, kjo kantilenë e Rusit, si dhe struktura e re poetike e praktikuar me vargun e thyer, hera – herë dhe monokolonë si tek poezitë “ Tigri i dashurisë”. “ Kthema ajrin”, “ Kryqëzimi”, “Dashuri që s’kthehet”, “Mbrëmë”, “ Puthje diellore”, “ Befas”, “ Dëbora e parë” ku protonizmi me një reaksion zinxhir ushqen zellin e lexuesit që t’a shijojë, t’a absorbojë me kënaqësi një poezi të tillë.

Prandaj në  këto poezi gjejmë kudo një lidhje ndërkohore të produktit lirik . Ato, ndonëse në sisteme të ndryshme sociale, vinë si të njehsuara tek njera tjetra , e plotërojnë njëra-tjetrën sepse kanë qëndruar e qëndrojnë larg, shumë larg ideologjive. Siç duket Skënderi e ka bërë katarsisin e tij poetik që në vitet ’70 – ’80 të shekullit të kaluar, bashkë me atë grup target poetësh që u privuan të manifestonin lirshm shijet e tyre estetike.

Në lirikën e dashurisë , duke qenë një spekter më i gjerë, më nazik, më interferues, absorbimi është më i lehtë e më i pranueshëm. Ndaj dhe poeti Rusi duke e mprehur mire penën e limuar vargun, ka ruajtur aleancat me koalicionin e lirikës dashurore nëpërmjet figuracioneve të reja, risive më avangarde me nocione moderne e balaidike , duke krijuar individualitetin e tij poetik.

Lirizmi i tij shpreh ndjenjën dhe botën e gjërë shpirtërore të herojve lirikë, të njeriut të thjeshtë, duke  e ndërlidhur ngushtas edhe me natyrën. E gjithë kjo amalgamë poetike vjen natyrshëm nëpërmjet lidhjeve të intimes me shoqëroren e natyrën. Natyra në çdo aspekt, vjen si element poetik me atë larushinë e saj ; si maja poetike pikturale panoramike ngjizur me tone kolore në poezitë: “Në vjeshtë”, “ Dëbora e parë”, “ Në parkun Rinia “, “ Letër erës ‘ , “ Olimp ‘ 98” , “ Ata dy pleq”, “ Korçë një fjalë dashurie” ku poeti si një mjeshtër pikture, me brushën e Van Gogut pikturon: “ Jetoj në një qytet që dremit,/ Dhe zgjohet mbi supin e një mali./ Ku dielli para se të nisë udhëtimin,/ çlodhet pak mbi sup të një ushtari”

Kjo përqasje stilistike, mes penës e fjalës të mirëgjetur, në rreshtat e strofave e bën poezinë e Rusit peisazhiste me reflekse impresionizmi, relaksuese, frymëzuese e emocionuese , sa që të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë dhe me një piktor, ku era, retë, dielli, hëna herë – herë e zbehtë  me  unazore të kuqe në eklips. Gjithçka përqaset me frushullimën dhe aromat e blireve në rrugët e Korçës.

Ndjesitë që këto lirika çlirojnë, si dhe universialiteti i tyre përbëhet nga hapësira, vendi dhe koha e papërcaktuar ( më kot autori u ka venë data disa poezive); kjo të bën t’a ndjesh poezinë sikur është shkruar sot dhe pse evokon motive të pakohë. Kjo është një veçori dalluese e Rusit, gjë e cila e bën krijimin demiurg të krijuesit, e jo krijuesin demiurg të krijimit. Edhe në ato raste ( të ralla) si në poezitë : “ Në qoftëse ndonjëherë”, “ Vajzë “ , “ Në këtë botë të trishtë” ku ndjehet perceptimi filozofik, gjatë venerimit poetik, poezia vetëvetishëm kristalizon mendimin e Tomas Eliotit se : “ poezi nuk është zëvendësim i filozofisë dhe as i teologjisë; ajo ka funksionin e vet emocional dhe jo intelektual.”

Lirizmi poetik i Skënder Rusit edhe me raste të interpretimeve filozofike vjen të lexuesi me valenca të ngopura të ndjeshmërisë krijuese, e xhveshur nga patetizmat, deklamacionet e kozmofonitë.  Në këtë aspekt ajo vjen e personalizuar , me staturë krejt të veçantë , çka tregon profilin lirik të autorit. Ky stil i të bërit lirika, si dhe këmbëngilja e zelli në natyralizimin e modernitetit poetik, reflektohet strukturalisht  në ciklin  “ Gabimet e bukura “ ( Gazeta -  Nacional – 28 korrik 2012 ).

Skënder Rusi jo vetëm ka ecur në bashkohësi me lirikët e mëdhej Dritëro Agolli, Koçi Petriti, Vangjush Ziko, Fatos Arapi, Dhori Qirjazi, por e ka pasuruar më tej me novitete e elemente të rinj. Duke dalë disi nga struktura standarte me poezitë “ Nëna dhe luleshtydhet e saj “, “Ne të dy” , “ Mbrëmje gushti”, “Im atë”, “ Në këtë botë të trishtë”, “ Gratë e poetëve”, ‘ Kryqëzimi “, “ Tigri i dashurisë “, “ Ata dy pleq” , “ Në sytë e tu meteor” , “ Lunatike”, “ Këngë për një fije floku”, “ Kur u martove ti”, autori i ka dhënë më shumë frymë , hapësirë, vargut më konceptin modern bio- shqiptar.

Duke u mbështetur në këto struktura të reja, më të lira, paksa të thyera, Skënderi e ka pasuruar lirizmin pa imituar Mjeshtrit e Vërtetë të lirikës , duke u formuar dhe vetë si një lirik tjetërlloj , me një individualitet të skalitur me artin poetik. Ai nuk iu nda për asnjë çast gjenezës së shtegut të tij poetik. Ky shteg, asnjëherë nuk i humbi qoftë dhe në hapësira kohore gjeografike ku ushtroi profesionin e mësuesisë.

Virtualisht ai ndoqi shtegun e përzemërt lirik. Ai si një murg Atosi, nuk u mëdysh në bindjen e besimin e vet poetik, as nuk u tromaks nga klishetë e soc – realizmit dhe as u tjetërsua; lindi lirik i mirëfilltë, rrugëtoi si lirik dhe në kapërcimet kohore të sistemeve, i besoi fatit të tij e jo komercializmit letrar, hosanarave farfuritëse të promovimeve “ madhore” me suportime biznesesh me prapavija politiko – ideologjike. Ai mbeti si kurdoherë jashtë nocioneve politike të lëna jashtë vargjeve të tij që në vitet ’80.

Që në fillesa, ai e kish të qartë konceptin e mbijetesës së lirikës në kuadrin e modernitetit poetik. Pothuaj në të gjitha poezitë, Skënderi operon me strukturë lakonike, ku hera herës parabolat mbartin një simbolikë e cila e tejkalon rrëfimin poetik, një simbolikë parësore, absolute në tërësinë poetike, ndaj dhe krijimet e fundit si dhe libri në proçes botimi , lirizmi i dashurisë , lirizmi social, lirizmi natyror, vinë të ndërthurur si një tërësi unike, duke dhënë e marrë tek njera tjetra.

Duke i parë me vëmendje poezitë “ Letër erës”, “ Ata dy pleq”, “ Në sytë e tu meteorë” ,  “Kur u martove ti” , nga libri “ Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra” botim i Toena 2004, sheh qartazi projeksionin poetik drejt institutionalizmit të nocioneve të një lirizmi balaidik, në poezinë moderne duke e mbështjellë purpuranten poetike me një universialitet lirik. Elementët balaidikë , të shkrirë në këto lirika moderne  në përqasje strukturore, barazpeshat mendimore e ndjenjësore, parabola e metaforat shumë funksionale vinë si struktura vizionare, aktualizuese , profetike, si unike në një trajtim të tillë ku : “ Në vjeshtë , ah mbetën veç dy/ një park, një stol krejt i vetmuar,/ që pret mos kthehen prap aty/ Ata dy pleq të dashuruar.”, sepse : “ Në sytë e tu digjen meteorë ,/ qerpikët po të përcëllohen krejt!/ Unë fshehur rri ku burojnë lotët! / Dua të ikë, po s’po gjej një shteg. “

Shihet dhe nga këta shembuj ;në trillet poetike brenda unit poetik ka shumë unë të tjerë. Kjo qasje gjithëpërfshirëse vjen si një harmonizim që fatkeqësisht nga shumë poetë të tjerë është e harruar.  Lirizmi shumë dimensional, sidomos ai familjar e shoqëror është një temë e shumë shoshitur. Në poezinë : Tigri i dashurisë”  dhe “ Në këtë botë të trishtë “ lirika merr kontraste të thekura  ku sipas Amos Oz – it poeti preferon të jetë ajo miza në murin e shtëpisë së tij , apo e kujtdo qoftë, dhe jo sateliti që do e shpjerë në Marsin e dashurisë.  Kështu që , me një strukturë më të lirshme  nga metrikat, me një rimim alternativ ku asonancat  vinë lirshëm në kantilena dhe tingëllima të përafërta, Skënder Rusi jeton pjellshëm në një jetë të dytë krijuese.

Lirika e Rusit asnjëherë nuk është trandur e nuk do të trandet; ajo ka linearitetin e rrugëtimit të saj shpirtërore. Poeti duke bërë dhe një katarsis në vetvete, siç e kërkon dhe globalizmi , rrugëton bashkë me personazhet e tij poetikë, duke i herorizuar ato. Ky lirizëm i ri, me nocione e strukturë të re, të natyralizuar, për mendimin tim është trend i ri që mbisundon lirikën e këtij krijuesi lirik.

Me prurjet e reja, poeti e ka ngjizur poezinë me nocione në dukje tradicionale: lirikën dhe balaidikën duke përmbajtësuar format e artit poetik. Skënderi me këtë strukturë zgjidh problemin e teorisë së ekspresivitetit në poezi cila në vetvete nuk është çështje e parësisë të larmisë të ngjyrave të figurave, të zanoreve e bashtingëlloreve, por është e duhet të jetë ai tension i brendshëm poetik  i asonancave si përplasje dhe kundërshti e fjalëve dhe digresionit poetik. Në këtë rast, poezia, sidomos e këtij lloi shpërfill vetminë poetike, sepse ajo vjen thjeshtë si akses personal, por si fat i të gjithëve.

Poeti Rusi është ai që dhe do të jetë bashkë me të tjerët pavarësisht kontraversit kohor dhe të ideologjive që trysnojnë mendjet në sisteme të  ndryshme shoqërore.

Zakonisht në trajtimin poetik, Rusi ka një veçori: mosngutjen dhe punimin me limë në dorë të fjalorit të gjetur poetik. Po kjo veçori e ka ndjekur dhe në punimin me rifinitura të këtyre nocioneve balaidike, me kujdesin e atij kopështari korçar që, kur prashit misrin e mban me një dorë degëzën, e me atë shatin bishtëshkurtër, i kërrusur, me dorën tjetër e herr nga barërat e këqija dhe e mbush me dheun  e shkrifët rreth e rreth.

Duke i parë me vëmendje këto risi lirike në koleksionin skënderian, sheh qartë pavionin e ri të një lirike disi veçmas nga tradicionalja; sheh një institutcionalizim të ri të balaidizmit në lirikën moderne.  Tharmi dhe shqetësimi lirik e çoi autorin tek këto risi që vinë që nga përtejshmëria e baladës në një sfilatë të një poeteke të re. Me këtë rast, mund të them me të drejtën time, se lirizmi i Skënder Rusit, me emulsionin e vet artistik, ka origjinalitetin e vet, një lirizëm dashuror me shpërthime erupsive që çliron një ndriçim e ngrohtësi bio – shqiptare për rrugët me blirë, mallin e ngrohtë e përvëlues për të dashurat , optimizmin e shpresën për të përjetuar një të ardhme më të mirë, të cilët vinë si një lumë i rrëmbyer bjeshkëtar ndër vargje, me fuqinë kontrastuese të antitezave shpirtërore, të cilët përçojnë në zemër ndjenjën dhe në mendje mendimtarinë, idetë me një barazpeshë.

Zëri i dashur poetik në lirizmin e thekur dashuror, tashmë i ristrukturuar me nocione të reja, dëshmon për rritjen cilësorë të poezisë të Skënder Rusit, këtij liriku korçar, pasues i denjë i Vangjush Zikos, Dhori Qirjazit, Koçi Petritit.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx