Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Shkreptimë kujtimi...
E enjte, 22.05.2014, 07:41 PM
Cikël poezish
Sejdi BERISHA:
SHKREPTIMË KUJTIMI...
Kolona të gjata gjarpëronin
Rrugëtim i dridhjeve dhe vdekjes
Shikimi nuk kthehej pas
Nga rreshti
Të rinjtë i zgjedhin beng e beng
Edhe të mitur
Sa kanë filluar t’i prekin ëndrrat
Korbi nxjerrë nga kolona trishtuese
Shtalb gjaku si fidan trëndafili
Pesëmbëdhjetë vjeç i thonë
Më shpëto babi
Dëgjohet zëri i njomë
Jo...
Kurrë nuk të lë babi
Plaku i ra sipër djalit
Hapi krahët mbi të birin
E mbuloi si shqiponja zogjtë
Por mbi ta depërtoi një plumb
Burim gjaku hapi
Ishte kolonë e gjatë
Nëna, motra, fëmijë e pleq
E toka gjëmonte
Kolonës i iknin shpirtrat
Plagosej toka
Lotonte qielli
Këndoni këndoni
Se po zbret dielli thoshin...
Kolonë e gjatë ishte
Që nuk ligështonte
Por heshtas
Plagët e historisë shëronte
RRUGËTIM I TRETUR ESHTRASH...
Jemi kthyer sot këtu
Mu si zogj shtegtarë
Për ta parë atdheun
Edhe pse jemi
Eshtra të pagjetur
Kemi ardhur këtu
Shumëçka për të thënë
Mos na lëndoni tokën
As gjakun tonë që nuk thahet
Se na mallkon Zoti
Se na truan historia
E detyrohemi
Edhe si eshtra të tretur
Atje larg e të shpërndarë
Roje t’i bëjmë atdheut...