Kulturë
Pirro Loli: Zvogëlimi i atdheut
E marte, 20.05.2014, 07:53 PM
ZVOGËLIMI I ATDHEUT
ESE NGA PIRRO LOLI
Një thirrje përsëritet herë pas here, një thirrje nga atdheu, kot më së koti, të kthehet inteligjenca, specialistët, të rinjtë, biznesmenët....., por kurdoherë , pezull, mbetur pa përgjigje.
Ata nuk po kthehen sepse atdheu asnjëherë nuk është kthyer nga ata, te vetvetja e vërtetë; asnjë herë nuk është kthyer nga indet jetësore të tij, tek ai grusht njerëzish elitarë, profesionistë të të gjitha fushave; te zemra dhe mendja e vet që e furnizojnë me gjak, dhe ndriçon të gjitha hapat e progresit të vërtetë. Idealistët dhe njerëzit e ditur asnjëherë nuk i kanë munguar atdheut, por atdheu varfanjak, pushtet a parti, ideologji apo fe, diktaturë a pseudodemokraci syzeerrët nuk sheh, nuk sheh...
Ndaj atdheu vjen e më zvogëlohet.
Sa më i zhvilluar të jetë atdheu, aq më shumë i çmon e i nderon vlerat e veta. Kështu ka ndodhur për Danten, Servantesin, Shekspirin, Gëten, Pesoan, Stevensin , Eliotin, Xhojsin, Kafkën, Markezin, etj, etj atdheu kulturor i te cilëve pa ta, do dukej bosh. Kështu po ndodh së voni edhe në Shqipërinë tonë, natyrisht jo me maja everestësh, por ajo tashmë është nisur në kërkim të, Samiut, De Radës, Migjenit, Camajt, Konicës, Nënë Terezës etj., anipse një Ismail Kadare që kemi të njohur ndërkombëtarisht, edhe pse ne e dimë që diku i pikon shtëpia, nxitojmë t’i thyejmë çatinë, jo t’i zëmë pikat. Personalitetet ravizojnë fytyrën e kombit dhe në mungesë të simboleve më të fuqishme, vetë atdheu me një intuitë të heshtur, ndonjerin e pagëzon me vetveten si “Naim Shqipëria”.
* * *
Atdheu, ndoshta, që kur u emërtua etimologjikisht në emër të babait(atit - dheu i atit) a nënës (mëmë-dhe) është konceptuar si tabu. Në Ballkan kuptimi mitik i atdheut, që rrjedh që nga Homeri, është më konservatori, më lëkurëtrashi, i paprekshmi, i fosilizuar, i njëjtë në breza mijëvjeçarë. Megjithëse më i vjetri si etimologji, Kudo koncepti i atdheut nuk ka qenë i plotë e i saktë. Atdheu fizik është i palëvizshëm. Të lëvizshëm e të ndryshueshëm janë njerëzit brenda dhe jashtë tij.
Pa folur për përjashtimet, duhet të pranojmë se atdheu i vogël e i varfër, të vogël e ka dhe mesataren e krahasueshme, ekonominë, financat, gjuhën, kulturën, artin , letërsinë...Dhe njeriu shqiptar ka marrë brengat me vete dhe ka ikur nga sytë këmbët nëpër atdhera të tjerë të bërë e të zhvilluar. Prej atdheut tim , gjithnjë është ikur, që nga lashtësia udha s’ka të ndalur. Ajo gjarpëron e gjarpëron si gjarpër kozmik. Na ka ikur dhe ajka e mendjes dhe e trimërisë; e kanë bërë ferk e shtet gjetiu; e ne s’e kemi kuptuar se, në çdo kohë kemi llomotitur slogane për origjinën e farën elitare;
Dhe atdheu im, mitiku, ndoshta është rritur mbrapsh, tutje nëpër humbellat e historisë, nëpër qytete të lashtë të zhdukur tashmë, në mite e balada, e luftëra e beteja me humbje shumë e sakrifica më shumë; dhe me nostalgji shterpe se ky dhe ai, pasha e vezir, perandor e kryeministër, hero dhe artist, arkitekt a gjeneral, paska origjinë shqiptare... E pastaj? Në fakt ata janë vrarë e kanë sakrifikuar mendjen, zemrën, gjakun për një atdhe tjetër. Si pjesë integrale edhe të vdekur për atë atdheun dhe qytetërimin tjetër. Dhe monumentet i kanë atje. Në hije. Vendet e vogla jepen pas hijeve dhe pjellin patriotë “të mëndej”. Dhe aventura. Dhe maska nostalgjike. Prej bronci. Dhe butafori, shumë butafori, dhe poza me një narcizizëm të verbër se ne ishim dikushi, se ne jemi ashtu e kështu, po jo dhe jo, s’na pëlqen aspak të pranojmë se jemi dhe pak hajdutë, pak vrasës, pak gënjeshtarë e shumë aventurierë, sherrxhinj, interesaxhinj e renegatë që shesim emër e kombësi për para e grada e lecka e ...! Diagrama jonë skajesh shtrirë që nga vrasësi ordiner deri te shenjtorja Nënë Tereza. Emigrimi i fundit i viteve 90`, nga më të mëdhenjtë si pas vdekjes së Skënderbeut, si pas epidemive murtajore, ruan të gjitha peripecitë, dashurinë, urrejtjen, pasurinë dhe varfërinë, dhimbjen, braktisjen dhe renegatizmin.
* * *
Atdheu
epiqendër ndjenjash dhe interesash, tradicionalisht e pragmatikisht, është lidhur me dy shtylla esenciale, lirinë
dhe pronën. Mungesa e tyre të detyron ta braktisësh nënën, babanë dhe atdheun.
Atdheu im, socialisti, ku prek dora e tre brezave, nuk i
Dhe pas 25 vjetëve, ajo thirrja “kthehuni” mbetet pezull, e zbetë varur në ajër krahëhapur që, mund të fluturojë kudo, po jo në folenë e tij të vjetër, që e fut shiun dhe erën nga të gjitha anët.
* * *
Unë u ktheva. Dhe kur isha andej e mbajta mbi shpinë bombulën me oksigjen të atdheut, ...ashtu të vogël, të vogël fare, të copëtuar, e ruajta në sy si pika loti; ashtu të madh shumë, por të mbytur e kërkova nëpër mendime deti;
Dhe të bardhë si bora (që lëshon orteqe për bijtë); dhe të zi të zi si nata e spërkata me yj; por kur ma grabitën të mitë, ma zhveshën e ma lanë lakuriq, diçka mora dhe unë nga atdheu dhe ika; i mora ashtin të mos ia prekin krimbat, (lashë zemrën të mos i mungojë buka dhe kripa ), mora dhe një gur për të mbjellë lule dhe një fyell që më duhet për të qarë...
Pashë, dëgjova, punova dhe u ktheva, por jo djemtë e mi. Dhe unë babai dhe mësuesi i tyre , nuk e di kush ka të drejtë. Jemi dy breza të ndryshëm. Që i buzëqeshim njeri tjetrit në skajp.
* * *
Në jetën e përditshme të qytetarit, ditën në diell apo natën në ëndërr, atdheu ishte dhe s’ishte. Koncepti i atdheut me atributin e të drejtës se ai mund të jetë dhe fat dhe fatalitet, se ai dhe mund të të linçoi, burgosë, torturojë, madje dhe mund të të vrasë...- ky lloj atdheu pra, jo vetëm zvogëlohet e ndrydhet, por krijon nën lëkurë antitezën e tij. Dhe urrehet e braktiset për të mos e parë më. Një atdhe i tillë zvogëlohet dhe urrehet, kur në trup të termit atdhe shtohen ndajshtesa të tjera si : atdhe ideologjik(komunist, socialist, fashist, demokratik...), fetar(sidomos islamik, orthodhoks..), historik, madje dhe kur flitet për atdhe gjuhësor, letrar, tematik, artistik a sportiv. Atdheu historikisht është zvogëluar kur është barazuar me pushtetet përkatëse, që kush më pak e kush më shumë e përdorin patriotizmin si çadër për të mos u lagur.(Oskar Ëilde-“patriotizmi, streha e fundit e maskarenjve”)
Atdheu i ballkanasve nuk u ka shpëtuar spekulimeve mbi atdheun dhe jo më kot , edhe për traditë, shpesh ka degjeneruar në nacionalizma të skajshme , sherre kufijsh e luftra, për histori, tradita dhe zaptime. Me epiqendra ogurzeza, qarqet serbe në veri e ato greke në jug - zmadhuar e zvogëluar me luftëra e beteja të humbura.
* * *
Unë u
ktheva. Mos më pyesni si më priti atdheu. Atdheu është emër i përgjithshëm, pa
përgjegjësi; pastaj, ai që ikën nga
vendi e mungon gjatë, larg atdheut “të pa bërë”, gati bëhet inekzistent. As të përcjell, as të
pret njeri. Mua më duket se kam ardhur në një kurbet të dytë në vendin tim; i
huaj atje në botë të huaj, dhe i huaj në
Tiranë. Ky vend është dhe nuk është imi. Jam dhe s’jam në të. Më ngop
dhe nuk më mjafton. Qenka e vështirë të jesh i huaj brenda vetes. Shkrimtari
këtu e ka më të lehtë të vdesë. Por e pranoj sfidën. Shkrimtari është ndryshe,
nëse është, të gjitha raportet e ekzistencës dhe të krijimtarisë, i ka me
atdheun. Gabohen ata që i kërkojnë vulat e njohjes , famën, nderimin jashtë
atdheut. Në këtë raport shpaloset krejt
hapësira e ndjeshmërisë njerëzore. Shpirti dhe poezia. Sepse poeti ka një atdhe
plus, atdheun gjuhësor. Për të është e mjaftueshme ekzistenca leksikore që,
njëkohësisht bëhet dhe biologjike. Ose shfaqja më siperiore e saj. Ndërkohë,
duke qenë në opozitë të përhershme me pushtetet për të cilët atdheu është lopë
për me e mjelë, me atdheun kam njëqind gjëra që më ndajnë si varfëria,
katundaria si psikologji, etika mjerane, bashkëjetesa fisnore, banaliteti,
pisllëqet, kriminaliteti, por kam dhe njëmijë të tjera që më bashkojnë. Këto
nuk i numëroj dot.
Dhe atdheu im vjen e më zvogëlohet.
* * *
Kuptimi i atdheut ka qenë dhe është shumë kompleks edhe për atdhera të zhvilluar. Për të, më shumë se filozofët e sociologët kanë shkruar poetët.
Në sferën e dijes dhe të kulturës, më i lashti, koncepti mbi atdheun homerik(mitik), ka marrë të çara të pariparueshme. Itaka , simboli klasik i vendlindjes, gati identik me atdheun, u përfytyrua si atdhe në kujtesë, ëndërr, nostalgji.
Kavafi grek me poezinë e tij, jo vetëm mbi Itakën, trazoi mendjet e të gjithëve. Sipas tij, atdheut edhe mund t’i iket, mor vëlla, por mos e mallko; atdheu edhe mund të braktiset, por mos e harro; atë edhe mund ta tradhtosh, por jo varret e babait e nënës, vëlla, jo dhe jo; Ata varre seç kanë një forcë hyjnore që të thërrasin të të kenë pranë. Dhe njeriu shqiptar ka ardhur dhe i vdekur, amanetelënë, ashtu me eshtra të bardha e të thata për t’u prehur në baltën e tij.
Në kulturën letrare Kavafi, është nga të parët që e zvogëloi atdheun e Odisesë. Duke e zbritur nga miti homerik, ai e pasuroi atdheun me përpjekjet e njeriut për një jetë më të mirë., larg atdheut tradicional. Ai i tha njerëzimit të prekë i lirë lëndën materialo- jetike nëpër atdhera të bërë. Lëvizjet e mëdha demografike drejt një jete më të mirë, edhe mijëra vjet para Kavafit, e kanë zvogëluar atdheun, duke iu larguar atij atdheu që nuk i siguronte njeriut cilësinë e jetës dhe mirëqenien.
Por,
“...Itaka të dha udhëtimin e bukur/Ajo të futi në udhën e madhe/dhe tjetër më, s’ka çfarë të japë... '' Kaq, vetëm kaq.
Dhe unë kuptova: Kavafi më dha atdheun dhe udhën e madhe.
Dhe nuk e di a ma zmadhoi apo ma zvogëloi atdheun;
Dihet fort mirë që fizionominë e atdheut e krijojnë intelektet e fuqishme të njerëzve të shquar, ai grushti i zgjedhur i elitave të çdo fushe. (Këtu po tjerr pak shembuj vetëm nga letërsia) Xhojsi është vlera më e avancuar e shprehjes artistike. Ky e komplikoi më tepër konceptin mbi atdheun. Ai e pasuroi konceptin me elementë të rinj ekzistencialë, por sidomos shpirtërorë. - Aikrijoi një atdhe brenda njeriut. - Uliksi i tij nuk e la Itakën, nuk e nisi në luftë, nuk kish njohje për kuaj druri, djegie qyteti e dinakërira ballkanike si Homeri; Duke qenë dhe larg konceptit kavafian, duke jetuar normalisht në zemër të një qyteti perëndimor si Dublini - ai ngriti një kështjellë artistike, me guxim gjenial deri te antiuliksi. Duke vënë në epiqendër qytetin, qytetin si qytetërim, ai e pa atdheun e tij në përditshmërinë e qytetarit dhe koncepti i qytetërimit perëndimor me standarde jetese të larta. (Atdheu im është fshati(si koncept), është fshati me vajtje-ardhje problematike drejt njeriut të vogël mbushur me vese, meskin e kapriçoz, pjellë e pronës së vogël, varfërisë dhe lirisë së cunguar ekzistenciale.)
Por edhe
qytetërimi dhe liria anglo-saksone(irlandeze) kanë cakun e tyre. Dhe atdheu i
tyre është zvogëluar. Xhojsi ndërtoi një qytet(atdhe ) tjetër - Uliksin ose
atdheun artistik, atë prej fjale e gjuhe, gjithsesi në lëvizje dhe në
domosdoshmëri për ndryshime; kështu ai iu fut një aventure krijuese sa mistike
aq çmitizuese për të gjithë atdherat, gjuhët dhe artin. Në fakt, ky zmadhim
aventuror( ngjarja brenda 24 orëve në antenën e tij krijuese, “Uliksi” prej 800
faqesh) kryqëzoi të tërë uliksët,
homerët, kavafët, kunderët.. e më tej, pas këtij zvogëlimi, mbetet njeriu
bashkëkohor i traumatizuar me një kujtesë patologjike zhytur në moskënaqësi
personale e familjare plot dyshime, e xhelozira, e vese, i gatshëm për të
ndryshuar siç duhet të ndryshojë gjuha e njerëzimit dhe gruaja, ose Penelopa. I përafërt me Xhojsin
është dhe Filip Roth, shkrimtari aktual nga më të shquarit amerikanë, që jeton
në qendër të demokracisë dhe bollëkut amerikan - i pakënaqur shigjeton atdheun
e tij, pseudodemokracinë, presidentin dhe më
Sot Xhojsi, Kavafi, Kundera, Dostojevski etj. që janë marrë direkt me konceptin “atdhe” pa i përjashtuar nostalgjikët e Homerit, janë shumëfishuar e ndryshuar me gjithë uliksët e tyre. Sot njerëzimi, pavarësisht prej këtyre njerëzve të shquar para dhe pas tyre, që kanë rrahur këtë temë, vrapon i lirë drejt një qytetërimi bashkëkohor, drejt një kulture globale, jo vetëm si lëvizje demografike, por si qëllim e psikologji më afër lëndëve materiale për një jetë më cilësore, tani dhe sot, perceptuar direkt nga shqisat, pa iluzione e utopi. Ky qytetatdhe nuk ka piketa strikte itake, as adresa të sakta pritjeje prej penelope dhe, ndoshta kjo, është një nga fitoret e mëdha të lirisë së zgjedhjes. Dhe të emancipimit të njeriut.
E prapëseprapë atdheu i të gjithëve asnjëherë nuk ka qenë i plotë. Dhe mua më lind pyetja “ç’u mungon atyre?, ç’mbetet për të tjerët?
Po, mbetet atdheu im, i vogëli, i varfëri...
Po ky atdheu im, “është dhimbje , dhimbje/një prill i pikëlluar në shpirt,... është kryqi, është kryqi/e mban dhe të mban ty në shpirt/...atdheu është varr i hapur, është varr.../në një pikë loti lirinë e lind... ”(F. Arapi)
Pirololi@hotmail.com
Tiranë, maj 2014