E enjte, 08.05.2025, 02:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Sherifi: Takova Lekën e Madh në Shkup

E shtune, 17.05.2014, 04:28 PM


Sami Sherifi

 

U TAKOVA ME LEKËN E MADH NË SHKUP

 

Sot është ditë tregu në Shkup

Me kamerë në dorë po zbres

Nga Kalaja ilire

Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Eci ngadalë duke numëruar hapat

E gurët e shtruar si makadam historie

Në hyrje të Çarshisë

Rrugën ma pret e më ndalë vëtë Leka i Madh

Hypur mbi kalë e më një shpatë në dorë

Shumë kalorës i shkonin pas

Të veshur me helmeta e shtiza të gjata

Ngjiteshin në Kala të ngrenë një flamur

E pastaj të vazhdojnë marshin

Me rrjedhën e Vardarit

Drejt Stobit e Heraklesë

E në mbrëmje të hyjnë në Heladë

 

Leka më parë zbriti nga kali

E më foli shqip

Së pari më pyeti për fatin e Nënës Terezë

Për fisin Dardan e bijtë ë Arbërit

Janë gjallë apo jo, më tha

Si janë e si vajti puna me ta

Pse s`erdhën me mua në Heladë

 

Nuk e njoh historinë, i thashë

Arbërit Dardanët e Maqedonët i ke këtu

Na mungon vëtëm emri Yt...

 

 

VARGU PA TITULL

 

Ua dhash fjalën së do t’ju shkruaj shqip

E mbrëmje poetike do të mbajë

Mbi këtë Urë Guri mbi Vardar

Me rrjedhën e historisë do t’ju njohë

Do t’ju flas edhe për fjalën time të lënë si ëndërr

Që lidhë dy brigje lumi e fsheh një baladë

Nga Vrutoku deri në Detin Egje.

 

Pranojeni ftesën time e merrni pjësë

Në këtë mbrëmje poetike mbi lumë e mbi kala.

Ejani e do të bindeni se këtu edhe gurëzit makadam

Flasin e shkruajnë shqip

Shkronjat janë marrë nga alfabeti i Manastirit

E Çarshisë së Vjetër çdo natë i lind edhe nga një yll

Që falet në xhamin muzë të Sahatit

Në një lagje të afërt në Bit-Pazar shëndrit.

 

Po të vini këto ditë do të shihni

Se këtu gjithçka është pa emër

Emër s’kam as unë as Derveni im

As Shkupi im s’ka emër

Edhepse emri i tij vjen nga emri Shqyp

E ne po presim.

Më pritni edhe mua, se po vij!

 

 

AH, ATDHE, EUROPA IME

 

Ah, atdhe, Europa ime

Çdo ditë të mbajë në pëllëmbë

E të marr erë

Të shoh e s`të njoh

Më sheh e s`më njeh.

 

Ah, atdhe, Europa ime

Ku ishe e ku mbetë

Asaj stine kur më zgjuan nga gjumi

E ma dogjën ëndrrën

Më thuaj ku je e ku të kam sot

Kur çizmja kolonialiste më rikthehet

E kërkon gjak të shenjtë Kosove.

 

Ah, atdhe, Europa ime

Më je bërë kukëll me duvak e lodër fëmijësh

A po sheh sa hije të zeza kam mbi kokë

E ma rëndojnë qiellin e errësojnë diellin

S´kam ku të shkoj më tej

Po ua them haptas

Shekuj e shekuj që po lëngojë

E kam një dhembje e një vrragë

Të shndëruar në revoltë që po rilindë

Si amanët të lënë si fjalë e betim istikami

Duhet ta çojë në vënd

Më dëgjoni apo s´më dëgjoni ju

Më njihni apo s´më njihni

Unë do të vij te ju

Mu si rrjedhë lumi e si lotë Drini të skuqur me gjak

Do të nisem e vij te këmbët tua

Në Tribunalin e Hagës të bëj një akuzë.

 

Na pritni atdhe, Europa ime

Po nisemi si miq të paftuar

Po vijmë bashkë me rrjedhën e Drinit

Të Drinit të Bardhë e të Zi

Me plot ëndrra paqe po vijmë

Në Këshillin e Europës shihemi

Një betim ua sjellim nga Kosova

E ju themi

Kosova ka vëtëm një rrjedhë lumi

Vetëm një rrjedhë Drini...

 

 

NË EGZIL

 

Mes mëmëdheut e diellit një dhëmbë

E një mallëngjim kurbetqari

Si zjarr e magmë

Që digjet e shuhet si meteor

E ndan në dysh

Zemrën e nënës shqiptare

Dhe frymëmarrjen e lirë në shtegtim.

 

Ishte janari i Dimrit të Madh

Janari i vitit njëmijenëntëqindetetëdhjetenjë

Kur treni Orient-Expres më solli në egzil

E ku takova ata sokola të trimërisë -

Miq të ilegalës.

 

Asokohe ëndrrat tona ishin plot betim

Plot mall e përmallim

E hartës së coptuar të globit

I vjerrnim nga një varg të pabotuar

Që mbanim fshehtazi

Diku në Mont-Blanc

Të Alpeve Helveciane

Hënën e lëmonim me dorë

Që ta bëjmë nuse Dardane.

 

Ishin ato vite dimri

Kur dallëndyshet shtëgëtonin

E vriteshin poetët

Vriteshte kënga e ideali

Por betimi i dhënë u ndezë flake

Buzëqeshte dielli e këndonte bilbili

Dhe zemër/pëllumbat u kthyen në Kosovë

Bashkë më mallin e ëndrrat sollën lirinë nga egzili.

 

 

PËRSHËNDETJE NGA MËRGIMI

 

E dini sa vite e sa shekuj

Kjo dhëmbje e brengë më rëndon mbi supe

Sa i madh ky mallë mëmëdheu

Si thikë e ngulitur thellë në palcë

Në vargun tim e ndjejë.

 

Eh, si më digjet shpirti

E qielli më rëndon frymëmarrjen

Sa herë kur përcjell të fala

Apo një telefonatë i bëj nënës,

Farefisit e lisit

E vashës i shkruaj një poemë.

 

Jam i mërzitur vëlla

Më thuaj

Çka ka të re në mëmëdhe?

Kam frikë te kthehem, motër

Atje dikurë më lënduan dritën

E këtu syrin më verbëruan

Edhe vargun plot mallëngjim ma shkalmuan

E mikun poet ma vranë pse ëndërroi Lirinë...

 

Nënë kam vendosë të marr udhë e të vij

Diku mes diellit e Mëmëdheut

Do të zbres me parashutë në livadhe

E do të shtrihem

E digjem flakë

Se m’u dogj shpirti...



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx