E enjte, 08.05.2025, 04:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Nehat Jahiu: Amaneti i dëshmorit

E merkure, 14.05.2014, 07:06 PM


Nehat Jahiu

AMANETI I DESHMORIT

Aspak nuk më dhimbset jeta. Jo, nëna ime, jo.

Unë ia fala lirisë. Ia dhurova gjakun atdheut tim. Mos

më qaj, nëna ime, mos më qaj. Nuk dua lot, nuk i dua

plagët e shpirtit tënd. Mjaft kemi qarë, që kemi marrë

plagë shekuj me radhë. Plagët i lidhëm nëpër fusha

e male,i pastruam me ujin e bardhë të gurrave, që

burojnë thellë nën shkëmbinjtë e bjeshkëve të lashta.

Oj, nëna ime, unë, po e puth dheun e përgjakur

të tokës sime, tokën e lagur me gjakun tim dhe të

shokëve të mi. Eh, sa i ëmbël qenka dheu i lagur me

gjakun tonë!

Oj nëna ime e dashur. Sa aromë të këndshme

paska ky dhe. Dheu i tokës sime. Dheu i atdheut tim.

Eh, sa djersë e gjak shekuj me radhë u derdhën në

këtë tokë.

Oj, nënëlokja ime. Sa e sa eshtra kemi mbjellë në këtë

tokë të shtrenjtë të të parëve tanë. Sa e sa bereqet kemi

mbjellë në këtë tokë të djersës e të gjakut. Me bereqetin

e kësaj toke jemi rritur, oj nënëlokja ime e dashur.

Jo! Jo, Nuk dua lot.! Eh, nëna ime. Sa varre ka kjo

tokë. Maleve dhe fushave. Shumë prej tyre akoma nuk

i kemi gjetur.

Eh, ende nuk ia dimë vendin. Shenjat këtu janë,

në tokën tonë, në atdheun tonë. Dheu i kësaj toke i

mban në gji dhe ne do t’i gjejmë të gjithë. Të gjitha

këto varre. Varre të kësaj toke janë. Me eshtra plot e

përplot është kjo tokë. Kurrë nuk do të shuhen këto

varre, oj nëna ime. Për çdo ditë ujiten me djersën e

gjakun tonë.

Tani nëna ime, afrohu afër ta puth ballin tënd, atë

ballë me shumë rrudha. T’i puth ato dy sy të përlotur.

Të puth gjithkund, oj nëna ime. Ta puthi shpirtin

tënd e t’i shëroj ato plagë me gjakun tim të njomë.

Të përqafoj, me mallin tim të dashurisë. Me mallin e

tamlit tënd të gjirit që më rrite oj, nëna ime.

Oj, nënëlokja ime e dashur. Ti dhe të gjitha nënat

e shokëve dhe shoqeve të mia që ranë në altarin e lirisë:

Mos mbani në kokë shami të zezë! Jo, jo nëna ime. Atë

nuk e duam ne. Ne nuk duam lot. Atdheut i duhet

liria. Gjakun dhe jetën ne ia falëm atdheut dhe lirisë.

E ju, o nëna fisnike, ju ia falët, djemtë e vajzat lirisë.

Ju ia falët, që ditën kur na përcollët, kur na përqafuat

për herë të fundit. Atëherë kur na thatë se atdheut dhe

lirisë i falet djersa, i falet gjaku, i falet jeta.

Falë i qoftë, oj nëna ime, gjaku dhe jeta ime

atdheut tim, lirisë. Dhe ti bëhu e fortë, nëna ime. E

mos derdh lot.

E di, nëna ime, se ti je e fortë. E di, nëna ime se ti

nuk do të derdhësh një pik loti, e di, e di. Por, një amanet

po ta lë së fundi, nëna ime: Ca të fëlliqur hipokritë, mos

të na shkelin mbi varret tona. Mos të na lexojnë referate

mbi varret tona. Mos të na e prekin dheun e varreve

tona dora e këmba e fëlliqur e atyre që më shanë mua.

Të shanë edhe ty, oj nëna ime. M’i shanë shokët e mi

dhe nënat e tyre. Këta të fëlliqur, që përkulen sot me

servilizëm pranë varreve tona.

Eh, nëna ime!

Ky është amaneti im

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx