E enjte, 08.05.2025, 06:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Shpirti i shenjtë i krijimit

E hene, 12.05.2014, 08:03 PM


SHPIRTI I SHENJTË I KRIJIMIT

(Apo, Adem Zaplluzha dhe vepra e tij (2014)

NGA BAKI YMERI

Vepra më e re e Zaplluzhës “Druri i pikëlluar”, vërtet ngjitet edhe më lartë drejt kurorës së artit të poezisë, duke dëshmuar pa tjetër se me poezi u morën, merren dhe do të merren brezat edhe pas nesh, shumë dashamirë të saj, por sikur shpesh po harrojmë se të shkruash poezi do të  thotë poeti të shkrihet në secilin varg, në secilën rimë, në secilën metaforë, si  ai qiri i Naimit, vetëm e vetëm që “të shkelë këmba e saj!”. E unë, poetit Adem Zaplluzha , i uroj shëndet dhe të mos i plaket edhe shumë stinë pena, me të cilën e pasuroi aq shumë letërsinë. (Riza Greiçevci, shkrimtar, mesprill i motit 2014, Drenicë)

Meqë nga natyra nuk jam ithtar i fjalamanisë  dhe fjalë gjatësisë së tepruar për të shprehur dhe përshkuar diçka që gjithsesi duhet edhe drejtpërdrejtë të përjetohet, këtë parathënie modeste bërë kësaj vepre, do ta përfundoja me një urtësi të shkruar nga një autor gjenial emri i  të cilit, në këto momente , nuk po më kujtohet:  “Në detin e pakufishëm të poezisë vetëm poeti është krijues absolut; bota zhvillohet sipas dëshirës së tij. Në qoftë se është i ndjeshëm, bota në poezinë e tij do të jetë i ngjyruar me emocione; në qoftë se nuk është i ndjeshëm, bota në poezinë e tij do të jetë shterpe. Poeti i mirë, për nga vullneti i vet absolutisht lirisht mund t’i ngjall sendet pa shpirt si dhe t’ua marr shpirtin atyre që kanë.” Të gjitha këto karakteristika të mirëfillta, janë prezentë në poezitë Adem Zaplluzhës, duke dëshmuar kështu se poezia është vërtet fryt i prekjes së shpirtit me realitetin. (Adnan Abrashi, Prizren, 30 shtator 2013)

Ndërkaq mosha e fëmijërisë poetit i sjell ngrohtësi dhe nostalgji për të, ku me  lirizëm shprehet: /Po ikën fëmijëria/ po largohet si hije pa ngjyrë/po këputen degët e mëllagës së kuqe/…Lirikat e poetit Adem Zaplluzha lexuesin e bëjnë për vete. Mbresa të veçanta të lënë ato të dashurisë, veçanërisht te poezia “Më prit se unë do të vij, sidomos vargjet Më prit te shelgjishtet/ unë do të vij/ hape kraharorin /hape zemrën tënde të madhe/ për shpirtin tim të vogël/ Siç shihet e poetit shpërfaqet  jo vetëm shpirti i trazuar, por edhe i gjithë popullit,ndaj me të drejtë mund të thuhet se përmes brendisë shpirtërore të poetit lexuesi e kupton brendinë shpirtërore të popullit Shqiptarë. (Shabaze Vishaj-Grajçevci, Prishtinë  2 prill 2014)

Në poezitë e tij mund të gjesh në një kohë edhe Sizifin e mitologjisë edhe Gjergj Elez Alinë edhe Drinin edhe lumenjtë e Kosovës edhe borën e bjeshkës aq sa të krijohet përshtypja se je brenda një ylberi varfëror. Ky njeri që disa vite i ka kaluar në Korporatën Energjetike të Kosovës duket se kërkon tani që të ndajë dritën e shpirtit të tij të madh e të bukur e sërish duhet përgëzuar edhe klima krijuese në Klubin e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” që ka njerëz të tillë kaq vitalë Urime, Adem Zaplluzha! Mos t’u faroftë vargu i fjalëshqipes! (Namik Selmani, shkrimtar, Tiranë, 06 dhjetor 2013)

Në këtë libër të gjitha vargjet janë në funksion të poezisë moderne/kritike, ku burimi qëndron shumë afër brenda vargjeve të legjendave të tashmes dhe të kaluarës së kohës tonë. Në librin “Sytë e gurtë të erës”, Adem Zaplluzha me anë të shikimeve realiste të kohës dhe në hapësirën e dhënë brenda saj, portretizon profilet e shumë personazheve me vargje të shkruara. Përfundim: Adem Zaplluzha ka një bagazh të madh të vargjeve të shkruara në poezi. Qysh në fëmijëri lindi me këtë talent dhe shumë herët startoi të hedh mendimet e tija në fjalë të shkruar. Ai vetën tashmë e ka bërë të pavdekshëm duke botuar vetëm në vitin 2012 mbi 37 libra me poezi. Deri më sot, arrin në mbi 85 libra të botuara, gjë që na bën me dije se penda e tij akoma është e artë dhe plotë margaritar. Suksese edhe më tutje Bacë! (M. H., 27.10.2013)

I nderuem z. Adem! U jam mirënjohës për besimin, kështu, thonë të gjithë, ndërsa, unë edhe u kënaqa!  Të gjithë ata që shkruejnë poezi, thonë se vargjet shpërthejnë nga zemra... Ndërsa, ata, që i lexojnë mundohen me i kapërdij për me ushqye Shpirtin e vet. Edhe unë kështu veprova! Nuk jam kritik i artit letrar, Ju kërkoj ndjesë për mangësitë! Vargjet Tua janë një lavë e ngrohtë që të duket sikur shpërthen nga një zemër e ftohtë, po që merr me vete edhe landë, lisa e gur e zbret tue rroposë cilindo që guxon me pa me thikë në dorë, që mendon me coptue kjoftë edhe një lesker të Atdheut Tand. Mbi të gjitha mendoj unë, asht poezia Zjarri i Mallit tim: (Frfitz Radovani, Australi)

Poezia,, Një stuhi nate, me vargjet As ky shall nuk me duhet, kur e ve në qafë, më duket se atdheut po  ia zë frymën, Atdheu s’duron të lidhet, faqe 64. Humbjen e etikës  dhe  degradimin e vlerave  të mirëfillta. Këtë bindje time e sforcon  vargu me metaforën me interesant të libri ,, Dëneste bashkë me erën”. Shekuj me radhë lindjet i patëm nën hijet e lisave, edhe vdekjet tona u përngjajnë drurëve, Ecim maleve me një krenari epike, dhe për nga pamja u përngjanim gjyshërve…  E kam të mësuar se poeti apo poetet nuk kanë fund, prandaj edhe poeti Zaplluzha nuk ndalon me këtë vepër, por vazhdon sikur vazhdon populli rrugëtimin drejt majës  për të parë se çfarë fshihet pas asaj. (Izet Shala, Kosovë)

Poeti në çdo varg dhe në çdo fjalë rrëmon në kujtesën njerëzore dhe atë kolektive kah angazhimi i prosperitetit të individit dhe të atdheut së bashku , përtej çdo note prej moralisti të mërzitshëm, ai sjell një poezi me peshë të rëndë, që sigurisht ndjehet dhe shijohet jo bash menjëherë sapo e lexon atë, por të mëshon ndjenjave të përziera pas një pauze meditative, kjo dëshmon maturinë dhe cilësinë e saj, vargjet janë mesazhe, fjalët sikur trokasin me trokthin e kuajve të erës, era është koha e re e shqiptarëve që rrjedh me shpresë dhe me dritën fatthënëse të shekullit të ri, me emrin e lirisë, pavarësisë dhe dashurisë. Pavarësisht moshës, poeti gëzon dhe lumturohet si një fëmijë i lumtur!  Një libër që meriton radhën që ka, nderon më tej emrin e poetit, të vendit ku ai frymëzohet dhe jeton, por edhe të lexuesit që ka fatin ta ndeshë rrjedhës së jetës dhe  të përballet me faqet e tij si me faqet e një stine të bukur përplot ngjyra! (Lulzim Logu,  Tropojë, 17 nëntor 2013)

Unë, për fat të keq, nuk e kam librin e tij, por s'kam si mos ndalem  në vargje" ...babai  im urrente njerëzit që binin në dy gjunjë/... dhe vdiq "vertikalisht"./ ose, kur flet për masakrat në Kosovë" 7 vetë varrosen në një metër katror" Dhe mund të vazhdoj e mund të vazhdoj me citime pa fund. Unë ju siguroj vetëm për një gjë: në do kini fat e ta lexoni librin e fundit të Poetit Adem Zaplluzha, kini për t'u bindur se keni  njohur me  një Poet që, në se nuk  e ka marrë deri tani dafinën  e lavdisë,  kjo ka ndodhur se ende kritika letrare po bën gjumin e saj letargjik. Kritika, në një farë mënyre, për mua është si ai farmacisti i mirë,që korrigjon doktorin në lëshimin e një recete. Pse fle gjumë kritika, ka dhe inflacion vlerash. Ka ardhur koha që një Poet si Adem Zaplluzha të renditet në Fronin e bukur  të Poetëve cilësorë të Shqipes. Jo se  ka shkruar kaq shumë, por se ka shkruar dhe shkruan aq bukur. Se poezia e tij ka art. Se poezia e tij ka mesazhe. Se poezia e tij është cilësore. Hierarkia e vlerave ka nevojë për t'u rishikuar. Të marrë Cezari atë që i  takon. E quaj të vonuar, shumë të vonuar që të lihet në "hije" (vetëm me një çmim karriere e një përkthim në rumanishte) një poet i tillë. Ai e ka bërë dhe vazhdon ta bëj aq bukur punën e tij krijuese dhe ka përse ta  mbaj kokën lart. Unë ( s'jam vetëm unë) pres që Poeti Adem Zaplluzha  të marrë atë që meriton.   (Përparim Hysi,  Tiranë, 6  maj 2014)

Por, poetin e ngufasin edhe shumë gjëra e dukuri të tjera, jo vetëm të një kohe të caktuar. Duke pasur parasysh, rëndësinë e dëshmisë historike dhe të respektit ndaj vendlindjes, atdheut, mbase edhe të kombit, poeti në këtë vepër na shpie “telasheve” për të analizuar edhe shumë gjëra, të cilat populli ynë moti i ka si “bashkish” pikërisht edhe nga vetvetja. Këtë këndim karakteristik e hasim tek poezia “Në Atdheun tim”: “...Pakëz më ndryshe është qielli/I atdheut tim/Atje zogjtë kanë tjetër emër/Të vdekurit/ Respektohen më shumë se të gjallët”...! Dhe, ndoshta si sublimë e kësaj analize libri, del se autori, Adem Zaplluzha, gjerdanit të 106 veprave të tij, po ia shton edhe një vepër, pra librin “Kur era teshtinë”, që kësaj radhe,  ndoshta duke e identifikuar më fuqishëm edhe poezinë si testament gjaku. Prandaj, kujtoj se ky shkrim e ka peshën e vetë kur themi se, autori na bën me dije se i tërë ky bagazh krijimtarie reflekton mëvetësinë e krijuesit, kur ligjëron: “Në ëndrrën time/Zgjohem fillikat vetëm/Kur zgjohem/ Thellësisht e ndjej kafshimin e ëndrrës/Po që se dalë nga ëndrra ime/Do marr me vete/Kronikat e të gjitha netëve/Dhe si një deve karvanësh pafund/ Do kërkoj azil/Në shpirtin e dehur të oazës/Ngase s’dua të zgjohem më/Fillikat vetëm”! Dhe, krejt në fund. Libri “Kur era teshtinë”,  padyshim se begaton edhe opusin krijues letrar të Adem Zaplluzhës, por edhe vlerat letrare kombëtare. (Sejdi Berisha, Pejë, 10 prill 2014)

Nga gjithë ajo që mund të lexohet në përmbledhjen poetike “ Ndjekësit e  enigmave” shihet se është e ndërtuar  në bazë  të një parimi të ndërgjegjësimit, për të gjetur të pagjeturën, ose për të profilizuar shikimin ka një e vërtet ndryshe , që deshëm ose jo shpesh herë di të jetë lojale me jetën tone. Andaj poeti me shpirtin e tij rebelues, është edhe emocional sepse para së gjithash ai çmon dashurinë ndaj tjetrit , lirinë e të menduarit ndaj tjetrit, pa i cenuar  asgjë më shumë dhe më pak se ajo që është e  imja, e tij, ose e saj, kjo mbase edhe e racionalizon edhe vargun edhe mendimin e tij në vargun  e tij plotë elasticitet artistik.  (Arsim Halili, Preshevë, 29 tetor 2013)

E megjithatë, vetë poeti bëhet zog e fluturon. Ai çan mjegullat e kohëve të shkuara e të tashmes, dhe si një meteor ecën i vetëm hapësirës qiellore, me një kusht për të kapur e shkruar vargun poetik. Poezia është jeta e vetë poetit Adem Zaplluzha, që në fund të fundit u thotë edhe të tjerëve, e në veçanti lexuesit të poezisë, se poezia të mban gjallë edhe kur je larguar nga kjo botë fizikisht. Metaforat e gjetura, krahasimet, figurat e tjera letrare që janë ‘’mbjellë’’ në haikun e shkruar të poetit Adem Zaplluzha, s’ke se si të mos ndihesh i plotfuqishëm e të ecësh i qetë në rrugën e  qumështit në hapësirën qiellore... Me këto vargje tregohet qartë, se jeta jonë është një gjethe që gjelbëron  në stinët tona, por më e rëndësishme është kur arrin të bisedosh me këto gjethe, të cilat janë vitet tona, sepse një ditë ato do thahen, por bashkëbisedimi i shndërron vitet në lule që s’vdesin kurrë,pra kjo lule e ka emrin mirësi! (Xhevahir Cirongu,  Durrës, 25,03,2014)

Por, autori i librit jep me detaje  edhe  tragjiken e jetës, vdekjen, truallin e gurin e përmotshëm që s’ka ‘’vdekje’’, pra , varret  me epitafet e tyre që flasin me heshtjen te të gjallët... Të gjitha metaforat që përdor  autori Adem  Zaplluzha  në poezitë e këtij vëllimi, janë  shprehje e pjekurisë së vargut që i jep jetë e domethënie  gjithçka  që e rrethon njeriun në këtë botë me plotë mistere. Në fund të fundit , jeta duhet jetuar ashtu si është, por  mesazhet e autorit  na tregojnë se duhet edhe  guxim e qëndresë ndaj fenomeneve e pengesave gjatë rrugëtimit të jetës sonë. Të mos thyhemi para vështirësive, dhe kur njeriu  ka shpirtin e madh, lartësohet  deri në pavdekësi. Rrënjët e shpirtit metaforik  të shprehura në poezitë  e autorit, na jepen  me detaje të arrirë  nëpërmjet artit e fjalës së shkruar.  Edhe ky vëllim i ri poetik ‘’ Kur dehen perënditë’’ është  një gur themeli  që i vendoset ‘’ kështjellës’’  krijuese poetike    autorit  kosovar Adem Zaplluzha. (Xhevahir Cirongu, Durrës,  24 tetor 2013)

Në ciklin e dytë, Daullet e një nate, defilojnë tituj poemash tjera briliante, si: Sonte do të ecim, Te flokët e erës, Vijnë edhe sërish kthehen, Përtej çdo mundësie, Në tregtarë ëndrrash, Nëpër rrugët e qytetit të ngrirë, Si disa gjallesa parahistorike, Rri varur skeleti i erës, Ata që u flijuan për ty, Dhe hija e një druri etj. Jashtë mureve të lagështisë është cikli i tretë. Si zgalemat e rrufeve, Një dhembje si kjo, Në kokën time rebele, Pastaj vjen heshtja, As atje e as këtu, Më shkruaj një letër, Në bëhemi zogj të egër, janë disa nga poezitë e këtij autori që shëmbëllejnë me një album historik të lirikës sonë kontemporane. Sipas filozofit rumun, Tudor Vianu, feja, filozofia dhe arti janë pjesë e specialiteteve. Bota moderne del në pah me dridhjen e parë të mendimit. Adem Zaplluzha meriton respektin e lexuesit për idetë dhe mendimet e tij në fushë të kulturës. (Baki Ymeri,  Bukuresht, Shtator 2013)

Ky Vëllim poetik, natyrisht që do zërë një vend të dukshëm në morinë e botimeve të tjera të këtij autori, që jeton me poezinë çdo çast e çdo ditë. Gjithashtu,do të zëre një vend të dukshëm në letërsinë shqipe të moderuar, duke shfaqur vlera të vërteta poetike,në të gjitha aspektet, që kërkon ky art; Figuracion, estetike,varg, strukturë, përpos që kemi një poezi origjinale që na bind me karakteristikat e origjinalitetit në mënyrë më bindëse , fillim- fund. (Drita Lushi, Tiranë, Mars 2014) Poeti Adem Zaplluzha paraqitet ashpërsisht në poezitë e tij, sidomos kur gdhend vargjet duke paraqitur një mjegull që edhe sheh çdo gjë edhe nuk sheh asgjë nga asgjëja. Por së fundmi është Zaplluzha ai që revoltohet në ndërtimin e vargut poetik, duke sjellë para lexuesit revoltën e tij, të adresuar në vendin e duhur, në mes vargjeve, rreshtash e tregimesh në jo më pak se të 104 botimeve të këtij poeti. (Dibran Fylli, regjisor)

Në ciklin e tretë,” Një zog i trishtuar”, defilojnë tituj poezish idilike, poezi të cilat japin jetë dhe shpresë për një të ardhme më të lumtur, si dhe shumë poezi tjera të cilat janë një realitet i jetës në të cilën poeti jeton. Më ka rënë të dëgjoj, por edhe në jetë e kam provuar edhe vetë se botimet e librave janë tubime të këndshme ose festa të përbashkëta të atyre që krijojnë dhe atyre që  adhurojnë gjuhën dhe letërsinë, si lexues të çdo moshe dhe gjinie. Se libri është ai që bashkon njerëzit, se libri është pishtar i madh i cili rrezaton dritë e dituri te njerëzit. (Sokol Dërmaku)

Libri në trajtim,pa dyshim që i ka edhe anët e veta dispozitive, që do të duhej përmirësuar dhe eleminiuar. Kjo do të duhej bërë,  para se po ky libër të dërgohet për botim. E para çështje që do të duhej përmirësuar është organizimi më adekuat i cikleve dhe poezive brenda tyre. Çështja tjetër ka të bëj me nevojën e përputhjes konkordante të titujve me brumin përmbajtësor të materjes poetike, brenda poezive përkatëse. Pra titujt mbase do të duhej  të jenë,  më domethënës dhe më simbolik;në raport me  tërësinë e teksitit poetik   përkatës në përmbledhje. Kohezioni poetik,pra tërësishmëria përmbajtësore e materjës poetike në një numër të caktuar të poezive,do të duhej ,mbase të ishte më kompakte dhe më konvergjente  me porosinë që pretendohet të jepet nga autori. Gabimet semantike dhe ca të tjera teknike,do të duhej eliminuar paraprakisht. Të gjitha këto vërejtje dhe sugjerime,në asnjë masë, vëllimin në asnjë mënyrë, nuk ia zvogëlojnë vlerën dhe rëndësinë e kësaj vepre të autorit  Adem Zaplluzha. (Mazllum Baraliu)

Libri mpreh mendjen dhe zbutë shpirtin! Pra, autori , i ka theksuar që të gjitha, andaj nuk më mbetet tjetër, pos, duke e falënderuar dhe duke i shprehur urimet më të përzemërta për këtë titull të ri, t’i dëshiroj shëndet të plotë, harmoni e lumturi në familje, mbi te të mbizotëroi Qetësia Absolute, të arrijë suksese të mëdha e të ngjitet drejt majave më të larta të artit, shkencës, kulturës dhe përparimit të mendimit njerëzor. Pasi vet e lexova këtë libër me shumë kujdes dhe vëmendje të përqendruar dhe mësova shumëçka të panjohur, i preferoj lexuesve  dhe dashamirëve të librit e të autorit Adem Zaplluzha, që gjithsesi ta lexojnë këtë libër dhe do të bindën se do të përjetojnë kënaqësitë që përjetova unë. (Ismet Cani)

Mesazhet e poetit janë kokëforta deri në rrugëtimin e pafund. Në një tjetër poezi me titull ’’Ku po të lëmë kështu?’’ na kujton moshën e pleqërisë, ndoshta  personazhi kryesor mund të jetë edhe vetë autori aty. Atij i dhimbset më shumë se vetja atdheu, sepse vendlindja dhe balta do bëhen vatra e përjetshme, kurse poezia me vargun e saj do tingëllojnë fuqishëm te brezat që do e lexojnë. Kështu, edhe A. Zaplluzha nuk i trembet vdekjes, e na jep mesazhin e jetës duke u dashuruar pas asaj. Të punosh për atdheun është sublimi më i madh që i ke bërë vetes. Te Adem Zaplluzha e gjen pikërisht te fjala e shkruar shqipe që lë për Atdheun aty në librat e shkruara e sidomos te poezia. E ku ka më bukur se kështu!? Poezia të rinon e të jep jetë. Ajo është e pavdekshme. Fjala e poetëve dhe e poetit kosovar A. Zaplluzha, ka fjalën e zjarrtë dhe ngroh shpirtin e njerëzve e në veçanti të lexuesit të poezisë. Në Besianë një lexuese e poezive të autorit, para disa kohësh kur po zbrisnim nga autobusi së bashku me autorin në qendër të qytetit u shpreh kështu: ‘’Po të presin lexuesit, i nderuar poet”. (Xhevahir Cirongu, Durrës, dhjetor 2013)

Ja shpirti i shenjktë i krijimit! Vlerat artistike që kanë vëllimet e autorit Adem Zaplluzha, janë në radhë të parë pjesë e shpirtit të tij, por të gatuar me baltën magjike të vendlindjes, ku pasqyrohet virtyti njerëzor së bashku me dashurinë, me pemët e gurët që lagen me vesën e shpirtit krijues, me portretizimin e figurave të personazheve nëpërmjet vargut poetik, me fjalën e shkruar që derdhet si mjalti në hojet e botimeve në librat e këtij autori, e që mbeten në memorien e lexuesit tonë. Duke qenë një krijues me prodhimtari e cilësi të lartë. Adem Zaplluzha do të mbijetoj këto dallgë që po donë të na mbysin, e s’na lënë të marrim frymë. (Ahmet Pllana, Prishtinë, 04 prill 2014)

E pra, kjo figurë ngërthen ambivalencën e saj, larushinë e saj kuptimore, situatën kontekstuale. Ajo ka forcë destruktive (stuhi e furtunë që përlan e shkatërron, që sjell edhe vdekje, dhe ka shenjën e saj të mërzisë e të situatës së luhatshme) e shoqëruar shpesh e shpesh nga shiu, si figurë paralele;  ka frymë freskuese, që sjell freski mendjeje e lehtësim trupi, kënaqësi përjetimi, shpesh dhe me funksion krijues e shpëtimtar. Edhe te vargjet e Zaplluzhës, kund e kund, ajo shënjon karakterin kalimtar të jetës, përkohshmërinë, boshllëkun, topitjen mendore e shpirtërore, tutje edhe shuarjen, zhdukjen, ndryshueshmërinë, rilindjen e brendshme, po edhe çmendurinë, nganjëherë frymëzimin dhe dhurimin e frymës hyjnore. Ndodh mu ashtu si personifikimet e saj që ndodhin për “katër ernat” tek versetet e biblike apo tek vargjet homerike (shih “A Dictionary of Literary Symbols” nga Michael Ferber, Second edition, Cambridge University Press, 2007), ku konfliktet, tensionet, luftërat, përcillen me stuhi, e erëra, kurse engjëj e forca të mbinatyrshme vijnë në këtë botë me krahët e erës.

Erërat e forta dhe stuhitë, shpesh simbolizojnë emocionet e vrullshme dhe botën e pasioneve. Së këndejmi, ndonjë varg, a titull poezie, na kujton ndonjë film a vepër me tematikë të ngjashme (për shembull filmin”Fluturoi bashkë me erën”), ashtu sikundër t’i kujton edhe erërat si bashkëpjesëmarrëse në legjendat a mitet antike të frytnimit, lindjes, plleshmërisë etj, kurse te Zaplluzha marrin karakter arkaizues, një si zgjim i kodeve arketipore të shpirtit etnik. Shkrimi përbën aktin e shenjtë të krijimit, mu atëherë kur poeti kërkon që fjalët e shqipes, me anë të alkimisë krijuese, që të gjitha, të “shndërrohen në poezi”. Nëse shkrimtarët kanë qenë e janë gjithnjë ata lexuesit idealë e idealistë, të etur për dije e me besim për ta ndryshuar jetën, atëherë hapja e librit përbën një akt të shenjtë. E krijuesit asgjë më shumë nuk kërkojnë se sa që të respektohet ky akt i shenjtë. (Prend Buzhala,  17 Prill 2014)

Ndërsa, ata, që i lexojnë mundohen me i kapërdij për me ushqye Shpirtin e vet.  Edhe unë kështu veprova! Nuk jam kritik i artit letrar, Ju kërkoj ndjesë për mangësitë! Vargjet Tua janë një lavë e ngrohtë që të duket sikur shpërthen nga një zemër e ftohtë,  po që merr me vete edhe landë, lisa e gur e zbret tue rroposë cilindo që guxon me pa me thikë në dorë, që mendon me coptue kjoftë edhe një lesker të Atdheut Tand. Mbi të gjitha mendoj unë, asht poezia Zjarri i Mallit tim. (Fritz Radovani)



(Vota: 23 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx