E enjte, 08.05.2025, 06:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Haki Zllami: Po harrojmë të qeshim

E hene, 12.05.2014, 07:28 PM


PO HARROJMË TË QESHIM…

-VLERËSIME PËR LIBRIN- “ALI MULA -në pendën e humoristëve:Hasan Buçpapaj, Isa Breçani dhe Ali Syla”

Nga: Haki Zllami

Thonë se e qeshura të zgjat jetën, të bën që të çlirohesh nga streset e jetës nga skamja dhe dertet. Vet titulli i kësaj eseje “Po harrojmë të qeshim… na çon tek mendimi filozofik se:

” Njerëzve t’u krijojmë  mundësi që të jenë sa më të lumtur, sa më të gëzuar se vetëm kështu nuk harrojnë të qeshin”.Perkundrazi.Për fatin e mirë, janë të njohura  disa vepra me vlera të mëdha njerëzore në fushën e artit kinematografik, në artin e muzikës, të pikturës apo ndoshta  edhe më shumë në letërsinë artistike që njerëzve ua forcojnë shpirtin duke u krijuar situata të gëzuara, të qeshura, për të mos harruar të qeshurën…

Edhe Ali Mula, “Mjeshtri i Madh i Punës”, një artist që gjithë jetën e tij e lidhi me humorin brilant,  është  ai që me gazmoret e tij bën që mos të harrohet e qeshura, ndaj dhe libri për të cilin po flasim, iu kushtua këtij humoristi në zë.

Ndalem tek disa vlera të librit të  këtyre tre autorëve, të cilët i përgëzoj për një punë te kujdesshme dhe me përkushtim . Ky libër është i llojt të veçantë, si poemë satirike e copëzuar që pjesët i bashkon një temë dhe një ide e përbashkët:

“Humori i Ali Mulës ndër vite”dhe  si ide “Shakatë dhe humori  fshikullojnë përmes të qeshurës, dukuritë e papëlqyera të njerëzve, të pushtetarëve, të partiakëve , në luftën e klasave në shoqërinë tonë”.

Kjo ide përkon me atë që njerëzit të respektohen, pa u ofenduar në asnjë rast,  në çdo shaka theksohet me forcë dashuria dhe respekti për njeriun.

Të tre humoristët tropojanë i kthyen mahitë e Ali Mulës  në vargje që të bëjnë të qeshësh me të madhe. Libri që kemi në duar  është një tjetër vlerë artistike e letërsisë tropojane dhe këtë  të tre autorët e shkruan duke e ndjekur Ali Mulën,siç i thonë fjalës “me bukë në strajcë” hap pas hapi, në të gjitha ato vende e me ato përsonazhe ku “pikonte” humor.

Dhe këto vargje do të lexohen nga brezat. Do të mburremi  me to, ne dhe ata.

Është domethenës fakti se nga vijne keta krijues: njëri nga trualli poetik  Buçpapaj, tjetri nga rrënja e rapsodisë së Tropojës, ku lindi rapsodi popullor Sokol Arifi dhe i treti nga vendi  i istikameve të mejdaneve të Gashit të gurit. Këta të tre poetë që ditën për bukuri t’i bashkonin: metaforët e përsonifikimet, ironitë e sarkazmat, alegoritë e arkaizmat duke i shprehur me asteizëm (me fjalë therëse), në vargjet e këtij libri të gjinisë së veçantë  me 300 e ca faqe e me mijëra  vargje.

Pra, s’ka fare nevojë të ndalem për t’i ndarë vlerat sipas autorëve . Kështu që janë të falenderuar  të tre për punën serioze që bënë. Kemi lexuar raste nga letersia botërore , si vëllezërit Grim, ose në letërsinë tropojane,vëllezërit  Balaj ,këta e të tjerë, i kanë shkruar librat  bashkërisht , dakord se këta i bashkoi gjaku ,nëna, ndërsa  humoristët tanë i bashkoi vullneti i mirë i përbashkët, për të bërë diçka të bukur .

E pyeta njërin nga këta: si arritët  këtë bashkim ?

-Mos më pyet fare se ne të tre ramë dakord për bukuri - m’u përgjigj ai.

Këtu po përmend për punën e vyer redaktorin, poetin me vlera ballkanike e europiane, Mujë Buçpapaj i cili me veprat e tij në poezi, tashmë ecën i sigurt nga suksesi në sukses. Mburrem me të dhe e admiroj për punën që bën me talentin e tij, si më i miri, ish-nxënësi im ekselent për katër vjet në shkollën e mesme të Tropojës.

Faleminderit  poeti ynë Mujo Buçpapaj !

…!

Shkrimtarët satirik Hasan Buçpapaj, Isa Breçani dhe Ali Syla në këtë libër me vargje plot jetë, kanë përcjellë me realizëm bëmat artistike të një njeriu që jetën e tij e bëri  art, si dhe të qindra përsonazheve të çuditshme, dialogje e situata komike që  përfitojnë të qeshura të forta, në të gjitha anët, por edhe shumë besim për të mirën tonë.

Ali Mula del ashtu siç është, si një  artist i madh, gojëembël, origjinal dhe shumë i pranueshëm për  të madhin e të voglin.Shakat e tij  kanë edhe frena.  Rrugëtimi i tij njerëzor gjatë rreth 80 viteve është origjinal , është një shembull për  gjithë krijuesit.

Humori i tij ka një gjuhë të gjatë, të thjeshtë, të kuptueshme, lakonike. Beteja intelektuala e tij përmes gërrithjeve mahitare,  krijoi tablo të gjata nga jeta e përditshme me një vertetësi të pashoqe, shumë  nga aforizmat e mendimet e tij kanë hyrë dhe përdoren me një vertetësi të pashoqe në jetën praktike,në trevat tona.

Me të drejt shtrohet pyetja : përse ka  gjithë këtë shtrirje hapsinore dhe vërtetësi njerëzore, arti i Ali Mulës?

Përgjigjja është më se e qartë:  është art që mbështetet në folklorin tradicional, në krijimtarinë popullore, është një art që shquhet për urtësinë e shprehjes, është origjinal.

Ali Mula , dallohet si improvizuesi më i veçantë e më i shpejtë,  koherent , në betejat e tij intelektuale duke dialoguar me politikanë, intektualë, mjekë, mësues, kuadro të partisë dhe te pushtetit. E veçanta është se gjithnjë fiton e drejta, gjithnjë  triumfon etika morale e shtresave të ulta.Është shumë i madh ndikimi  i artit alimuljan  tek shkrimtarët tropojanë e më gjërë.

Ali Mula, një artist që të sjell  kënaqësi artistike, të bën që të qeshësh, të fal humor,mjafton që Ali Mula të kop gishtat dhe ta bëjnë sallën  gjithë gaz e hare…

Të tillë, artist, Ali Mulën e bëri vetë nëna natyrë , fati e ndihmoi në këtë fushë. Ali Mula gjithkund, në shfaqjen e estradës, Alia në orkestër, Alia në spartakiadë, Alia në klinikë, Alia  në ekipe, Alia në garë pas zagarit…

Aliu e deshi shumë punën, e do shumë vendlindjen aq sa që edhe në Amerikë e Kanada, ëndrrat e tij gjithnjë i shihte në Tropojë..

Shakatë i filloi me njerëzit e tij,  me nënën Bejaze dhe dajën Brahim…

Ai kurrë nuk u tall me njerëzit,shakat e tij  ishin të pastra si uji  i Valbonës,shakatë e Ali Mulës të kafshojnë si qëngji…

Humori i tij si sheqer e mjaltë, humor që të flladit, humor që të ngroh, ai flet më shumë me vehten se sa me të tjerët.Në humorin e tij,  asnjëherë s’gjen njerëz të sëmurë, me të meta trupore ose psiqike,përkundrazi,në batutat  e tij , s’ka egoizëm, s’ka ofeza. Humori i tij është mësim,  ai të bën të meditosh.

A mjaftojnë këto për  mahitë e Ali Mulës, sigurisht se  jo, se duhet  te mendosh , të shkruash dhe të flasësh edhe më tepër…

Fati i dhuroi ngjarje jetësore që ngjanin me arra të forta,të cilat i “përtypi” mbasi dhëmbët i ka të fortë , sepse  i ndreq vetë, siç ka ndrequr me dhjetra dhe qindra gjatë karierës së tij në profesionin e dentistit.

Shumë suksese artisti i madh Ali Mula !

Të paçim me jetë të gjatë dhe gjithnje me humorin tënd gazmor!



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx