Kulturë
Tahir Bezhani: Shprushjet poetike të Sejdi Berishës
E merkure, 14.05.2014, 07:59 PM
Vështrim libri
SHPRUSHJET POETIKE TË SEJDI BERISHËS
(Sejdi BERISHA: ” Gjethet e hirta të zemërimit” - poezi, botoi Club Kultura- Pejë,2014)
NGA TAHIR BEZHANI
“Nëse do të digjesh si kalorës kohe
Me damarët e gjakut tënd
Kalo mbi trupin tim”
“Se unë shpirtin të butë e kam
Edhe të tërin mbështjellë me lot”.
(Sejdi Berisha)
Ka shumë vite që emri i poetit, publicistit, romansierit, dramaturgut, eseistit, dhe i kritikut letrar,lexohet me ëndje në të gjitha hapësirat e trojeve shqiptare. Ky emër ka gjetur
vend meritor në letërsinë shqipe. Pra, bëhet fjala për një poet e krijues me gamë të gjerë letrare.
Libri më i ri i poetit Sejdi Berisha,”Gjethet e hirta të zemërimit”, para pak ditësh doli nga shtypi, redaktor i së cilës është, z. Prend Buzhala, pra një libër me 202 faqe, me një teknikë të mirë botimi, ballinën e të cilës e ka punuar dizajneri akademik,Shkëlzen Rexha.
Kjo vepër poetike e sapodalë nga botimi, i tridhjetë e dyti me radhë dhe i pesëmbëdhjeti me poezi, ngërthen në vete numër të konsiderueshëm poezish me tema të ndryshme që shpërthejnë nga krateri poetik i krijuesit Berisha. Pena e mprehtë e këtij shkrimtari, qëndisë me mjeshtri të rrallë vargjet përmbajtjesore, me prirje, si gjithnjë, nga humanizmi, si gamë universale krijuese,pastaj, njerëzorja si vlerë individuale, ku porositë shërbejnë si impulse jete, dashuri mes njerëzish e shtresash, ku vlerat historike, ecjet nëpër kohë, janë pjese e intuitës së krijuesit cilësor. Poezitë me motive sociale e kombëtare, të trashëgimisë e psikologjisë dhe të kulturës sonë, përbëjnë kapitullin e veçantë të gdhendjës së vargut nga pena e z. Berisha.
Pra, janë këto, disa nga temat e thellësive shpirtërore të poetit, që e bëjnë të veçantë, më cilësor në kompleksivitetin e tij poetik. Secila poezi e z. Berisha, në veçanti përmban një kapitull jete si pjesë e secilit, si universale shpirtërore.
Sejdi Berisha, është një poet karakteristik, tek i cili le mbresa çdo dukuri që e vëren dhe atë e përjeton si pjesë përbërëse të qenies së vet. Mjafton të sjellim shembullin poetik nga poezia “Në vigun e lumit të fshatit”, ku intuita e tij krijuese, zbret në moshën e femërisë, për ta evokuar një rrugë e urë kaluese si nxënës në ambientin fshatar ku malli e grishë edhe në këtë moshë:
“Aty s’kishte ngelur gjë
Vetëm një trup gështenje i kalbur kohësh
Edhe tash si atëherë
Në vetvete dhimbshëm digjte historinë.”
Nostalgjia tek krijuesi, është si një krimb që të grimcon ngadalë e s’të le të qetë asnjëherë. Koha si perceptim, është një truall ku poetët ngjyejnë penën thellësive, si arkeolog, dhe nxjerrin në sipërfaqe margaritarët që mbesin në muzeve, si trofe e dijes dhe ndërgjegjes njerëzore. I tillë është Sejdi Berisha, gërmues, gdhendës i kohëve në poezi, që le gjurmë në kujtesën njerëzore. Ky krijues i madh, thithë në horizont gjithë hidhërimin që falë jeta, por e brumos edhe me ëmbëlsirën për të gatuar perspektiven, si bleta hojet e saj. Ka poezi, që në dukje, lexuesi takon pesimizëm, por në fakt, është një revoltë çasti, kalimtare me paragjykim kohorë kur shfaqet mospajtimi intelektual. Te lexojmë poezinë “Një vals jete për qetësim”:
“ Kjo është ajo kënga ime
Që nuk kam fuqi ta këndoj
Dukesh e zbrazët
Përbrenda zjarr
Atëherë ç’kuptim ka zëri im
Që nuk dëgjohet
E as gjumi nuk më zë”
Ose tek poezia “A burg i thonë kopshtit me lule”, një ngërç poetik i rrallë:
“ Sa herë kam thënë
I etur jam
E nuk di se çfarë m’i lagë buzët
Në këtë shkretinë mendimesh”...
Poezitë e
lartcekura, shprehin një zjarr në kohë e hapësirë, si revoltë e mos kënaqësi,
ku
“Edhe kështu këndohet
Kur toka dhembjen fsheh
E njeriu kafshon buzën
Si t’i hyhet këtij rrëfimi
Zjarreve
Sa bela i kanë nxjerrë vetvetes”...
Edhe poezia ”Arnim bote”, ku poeti shprehet çartë e zëshëm për konjukturat ideologjike e politike të kohës,lexojmë:
“Duke medituar jam
Të përbirohem për birë të gjilpërës
Për të arritur deri tek Ti
Kjo poezi, sfidon autorin për ndriçim faktesh, por megjithatë, e mbanë mbyllur problemin të pa ekspozuar, për ta nënkuptuar. Duke lexuar vargje brilante të tilla të një autori të madh, them lirisht se poezitë e lartë cekura, nisur nga vlera e tyre, janë pasuri shpirtërore dhe si të tilla edhe antologjike.
Se kemi të bëjmë me një poet senzitiv, të ndjeshëm ndaj fenomeneve e dukurive që na rrethojnë në çdo kohë, por edhe tani, më së miri e vërejmë tek poezia ”Nën urë”, kushtuar më se 500 azilantëve në Francë, nën një urë, pak para se të fillojë dimri në vitin e kaluar:
“E tash.....
Çfarë tash
As sot nuk ka kafshatë buke
Nën urën e qytetit bëhet gjumë i ëmbël
Sepse gurgullima e ujit të merr me vete
Por dhe duhma e plehrave të le zgjuar
Rrotullohesh në krahun tjetër
Ndeshesh me faqen akull të fëmijës.....”
Shkrimtari Sejdi Berisha, me këtë libër ka pasuruar fondin e poezisë shqipe, duke i ofruar lexuesit një poezi perlë, një poezi tharmë letrar i rrallë, sepse, këndimi dhe lëvrimi i thellësive shpirtërore të përvetëson më sinqeritet, dhe arti si i tillë, të përvetëson dhe bëhet pjesë e secilit lexues.
Libri me poezi, ”Gjethet e hirta të zemërimit”, i z. Berisha është një komplet vlerash poetike, një pasuri për poezinë dhe letërsinë në tërësi. Megjithatë, do doja të theksoja se poezitë e nivelit të këtij libri, i dhanë të drejtë jurisë në Mitingun e Poezisë, të 50-tin me radhë, në Gjakovë, mbrëmjen e 9 majit 2014, që libri ”Gjethet e hirta të zemërimit” të merr çmimin e librit më të mirë mes dy mitingjeve.