E hene, 29.04.2024, 07:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Mbeti dallkauk

E merkure, 21.05.2014, 07:07 PM


Adem Zaplluzha - Pesë satira për zgjedhjet e lira

 

MBETI DALLKAUK

 

Del e na thotë dy a tri fjalë

Pa lezet e fare pa kripë

Pastaj shet mend në kodër e në mal

Ky burrë i mençur baci Dalip

 

Nuk shet djathë ajran as gjizë

Merret troç me politikë

Për lakra speca e oriz

Nuk ka haber ky stramastikë

 

I çon hundët si dhia e hallës

Shumë po krekoset ky analist

Na u bë gazi i mëhallës

Duk shkelmuar si mushka në pistë

 

Me fjalë boshe e shumë bajate

Ndalet shpesh në nallbanhane

Paramendon se jeton në pallate

Dhe përfundon në ndonjë mejhane

 

Dikur vonë kur i del gjumi

I frynë buzët si tarçuk

Se ç’ja mori famën lumi

Me tarafet e vet këtë dallkauk

 

 

TË PALLËSH SI GOMAR

 

Analistët e sotëm  na i lashtë Zoti

Kundërshtojnë bashkimin kombëtar

Kështu s’ka qenë as dje as moti

Me pallë nëpër qoshe si një gomar

 

Si pelat e sëmura qesin shkelma

Kur iu bitisen fjalët thonë OK-ej

Këta bashibozukë turri mjellma

Përherë pajtohen si të ishin lakej

 

Mor ju analistë jeni jashtë loje

Gabimisht gjendeni në vend të gabuar

Nuk fluturon më bleta nëpër hoje

Që janë thurur në shekullin e kaluar

 

Lëreni këto broçkulla uluni në minder

Tregoni përralla nipave tuaj

Nëse doni të jetoni këtu me nder

Në mulli të armikut mos çoni ujë

 

 

MOS IA KTHE SHPINËN ATDHEUT

 

Ndalu bre burrë po ta zgjas dorën

Për një lakër mos e harro Kosovën

Se pasha besën e pasha një Zot

Me ty luan baci si qeni me zorrën

 

Po kush djalli mendon se je

Këto mbrapshtia që po i punon

A di bre burrë se ka hoxhë ndër ne

Që ty aminin për së gjalli  ta këndon

 

Bëni hyzmet vetes or kallajxhi

Mos ia shit thekrën atdheut

Se në vend të bukës të ngopin

Me tagji

Nipat e mbesa e Skënderbeut

 

E di ngjarjen e   Esat Toptanit

Që ia mbathën patkonjtë në Paris

Ka ende djem që për nder ta vatanit

Ta ngopin stomakun me oriz

 

Ndalu një çik merre veten me të mirë

Kjo dynja s’i mbeti as Baba Mbretit

Si punon ti kështu me dëshirë

Në dëm të pites e peksimetit

 

 

PJESA E LOJËS

 

Ndalu njëherë mor qafir

Mos na përdor sipas nevojës

Nuk jemi na prezervativ

As pjesa e ndyrë e paralojës

 

Votat tona s’janë bishti i pelës

Me na sha sa herë që e kalon Drinin

A di  çka premtove te Lama e Xhelës

Në qiell e çove Perëndimin

 

Kulla gënjeshtrash na ndërtove

Kinse do të jetojmë

Si veshka në dhjam

Por shumë shpejtë burrë harrove

Me votat tona bëre bajram

 

Mos harro çka na premtove

Ti mor dhelpër dilënxhi

Herën tjetër ta tregojmë qejfin

S’të del më puna birinxhi

 

Sjelljet tua të kodoshllëkut

Na tani t’i kontrollojmë

Të del boja e maskarallëkut

Kur një nga një t’i numërojmë

 

Na mashtrove me fjalë boshe

Rrenat të dolën lakuriqe në lëndinë

Tani po ikën nëpër qoshe

Ne e dimë se ku e ke selinë

 

Kjo pafytyrësi shpejt kalon

Mbase na vijnë ditët më të mira

Por për ty më askush nuk voton

Se na ngope me  punë të pamira

 

 

DUKE GJETUR BEJHANE

 

Çfarë ju ndodhi kështu o milet

Ç’është kjo mesele e pis’hane

Për disa kakërdhia ziheni si qentë

E zgjebosur në kasaphane

 

Miku tashmë nuk e njeh mikun

Vëngër shikon drejt në sy

Sikurse do me pa armikun

E me mbyllë në shtatë dry

 

Çka na bënë këto partitë tona

Për së koti ne u grindëm

Pa dëgjoni Kadri Dudën

Në sy të mikut kërkon Judën

 

2

 

Na kaluan ca kohë të vështira

Moti nuk kam dalë në mejhane

Si plakat e liga po zihen ca burra

Për çdo parti gjejnë behane

 

Çfarë jemi ne është politika

Po na udhëheqin fëmijët tanë

Ata s’po lozin lojëra të imta

As prej dynjasë tjetër s’ranë

 

Ose ne i përngjajmë politikës

Kurrë nuk patëm mendje të shëndosh

Kaluam sërish nëpër tehu e thikës

Duke mbushur ujë me shoshë

 

Mos jemi ne fajtorët kryesorë

Që na bëjnë lojë e na vënë në gjumë

Ose llomotisim

Si dhelprat në dëborë

Andaj as ne s’meritojmë

Diçka më shumë



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora