Kulturë
Behar Gjoka: Lirika intime e Rexhep Shahut
E enjte, 22.05.2014, 07:53 PM
LIRIKA QYTETARE DHE INTIME
NGA BEHAR GJOKA
Në detin
e vargëzimeve që ndeshim përditëzaj, në hapësirën shqiptare, është vështirë të
gjesh atë që është e veçantë tek poezia që shkruhet. Megjithatë, udhëhequr nga
ideja e Benedetto Kroçes, se poezia duhet kërkuar aty ku gjendet dhe aty ku
fshihet, e vlen që rrëmosh edhe në këtë situatë, jo pak të ndërlikuar të
ekzistimit të poezisë shqipe. Poezia e librit të fundit të Rexhep Shahut është
e veçantë, sidomos për faktin së është një poezi që shpërfill kodet se si do ta
marrë shoqëria e tanishme ligjëratën poetike, shpërfill kodet e akademizmit,
shpërfill të gjitha paragjykimet dhe thotë atë që ndien, atë që është poezi,
vetëmse në konceptin autorial. Kur shprehem kështu, kam parasysh faktin që te
ky libër gdhendet “uni” i qytetarit zemërak, që lëshohet kundër mbrapshtive të
botës, pa doreza dhe kufizime, por bashkë me të është edhe “uni” i një raporti
krejt intim me jetën, me erotikën, me dashurinë. Këto janë dy prani dhe esenca
unike, që shpërfaqin përmasën e shkrimit poetik të autorit. Ngjizja e tillë, e
unit të dyfishtë, kuptohet se është pjesë e vetëdijes, është pjesë e udhëtimit
në krahët e poezisë për të folur me poezinë dhe jo për të jetuar me poezinë, siç
ngjet rëndom në hapësirën shqiptare. R. Shahu si poet, në varësi të tekstit
poetik, të hapësirave të komunikimit, është nga ato raste, që nuk ka nevojë të
ulërasë. Libri i tij, në një kuptim shpërthyes ndaj mbrapështive të realitetit,
në vështrimin dhe shijen time, sjell një atmosferë migjeniane, poetikën e të
vërtetave që ne i prekim, por dikush nuk sheh, dikush nuk do, dikush në mënyrë
të shëmtuar i mbulon ato me hipokrizi. Poeti thotë të verteta të cilat, do të
thosha, kur shndërrohen në poezi, janë të tilla që të mrekullojnë, të
mrekullojnë për faktin e një poetike të vargut të lirë, të vargut që nuk do të
dijë se çfarë ndodh dhe si e shohim ne, të një fjalësie e cila sjell pranë
lexuesit gjithë atmosferën e kohës, rrok shpirtin e qytetarit sot, shpirtin e
qenies shqiptare, me gjithë ato mungesa, por të dhëna me dritëhije dhe
përthyerje të befta poetike. Në ligjëratën e vet poetike, në një mënyrë tepër
befasuese, si një element që më ka bërë përshtypje, është edhe pashaportizimi
tashmë i paskajores, në shkrimin poetik, që me rikthimin e vetë sendërton një
hapësirë tjetër, si frymë dhe kumt i mirëfilltë. Poeti flet natyrshëm dhe me
art me këtë mjet stilistik-gjuhësor, që dihet se është pjesë e ligjërimit të
shqipes. Poezia nuk ka nevojë të ulërasë, poezia e ka misionin, parësisht
estetik, që gjellin brenda saj, nëse do ta lexojmë. Pra, veçanësitë janë të
shumta, janë të prekshme, por vetëm leximi dhe rileximi i tyre na mundëson t’i
zbulojmë. Qysh me përshtypjen e parë, por edhe në leximin e dytë, erdhi duke u
thelluar dëshira, që ky libër të shkojë te lexuesi, sepse kemi shumë poetë
gjeni por që nuk kanë poezi, madje pavarësisht marrjes së jo pak çmimeve
letrare. Poeti, tashmë nuk ka nevojë të jetë gjeni, poeti flet me poezi. Më
ndodh rrallë të ndihem mirë në poezi, të mrekullohem në poezinë shqipe të
tanishme, për arsyen e thjeshtë se jo çdo ndjenjë është poezi, jo çdo ndjesi
tragjike është poezi, jo çdo vargëzim, që na vjen rastësisht në majë të gjuhës,
realizon shenjën poetike. Poezi është atëhere kur paraqitet çdo gjë në
hapësirën e teksteve me ligjësi estetike. Harold Bloom, në mes të tjerash,
thotë se poezia është e pritur të mos merret shumë me histori por të merret më
atë që quhet përthyerje shpirtërore dhe, prizmi i poetit është i tillë që po
tingëlliu nuk të le rehat. Nëse nuk tingëllin, jeho sa të duash, bubullo më
zhurmë etj., duket se poezia ka mërguar për në brigje të tjera. Në rastin e
përmbledhjes “Qyteti i Lutjeve”, do të thoja që më ka bërë për vete vargu i
sigurtë, metafora e larmishme, plazmimi i shpirtit të kohës, përmes një uni, që
është i vetëdijshëm për atë që thotë, e madje që e thotë jashtë çdo elementi
për të marrë kështu brerore. Poezia e këtij libri i bën nder letërsisë shqipe,
është një cak krejt i ri i autorit, krejt i veçantë, por në morinë e botimeve,
në detin e poezisë që shkruhet, është vështirë të gjesh një libër që të ketë,
sipas gjykimit tim, mbi 15 poezi që janë të nivelit antologjik. Kur them
kështu, kam parasysh shijen personale, pra një pëlqesë që buron nga leximi dhe
rileximi i kësaj përmbledhjeje poetike. Në fakt, edhe njëherë tjetër, varësisht
materies letrare që ofron vëllimi i mbramë poetik, dëshmohet se poezia nuk ka
moshë. Por mbretëresha e synuar nga të gjithë, siç është poezia, mbretëresha e
fjalës, mbretëresha e shpirtit, mbretëresha e të sotmes, e të nesërmes, e
atdheut, ku qenia ekziston në formën e një kurore të mrekullueshme, le të
synohet nga të gjithë. Gara për të mbërritë atje është krejt e hapur dhe
zakonisht në cakun e fundëm mbërrijnë shumë pak.