Kulturë
Hyqmet Hasko: Një bard i këngës atdhetare
E marte, 27.05.2014, 07:22 PM
Rreth përmbledhjes
me lirika “Bëj të zë, po të merr era” të poetit Namik SELMANI
Një bard i këngës rebele, dashurore, atdhetare
Nga Hyqmet HASKO
Rugët për tek akti poetik, si një nga aktet më të shenjta të shpirtit njerëzor, janë të shumta dhe të gjitha priten në një pikë: aty ku ndjenja e bukur njerëzore merr udhë për të dalë përtej shtratit të vet, si një pikëvështrim ku mpleksen e gërshetohen të gjitha rrugët e tjera, në kërkim të një bote më të mirë e më perfekte. Në këtë mënyrë poezia bëhet misionare e të bukurës, e kërkimit të modaliteteve shpirtërore për të tek e mira, e drejta, e bukura dhe e përsosura, si kategori estetike, morale, etike dhe filozofike.
Këto po bluaja në mendje ndërsa lexoja me endje librin më të ri me poezi “Bëj të zë, po më merr era” të poetit të njohur Namik Selmani, birit të rebeluar të tokës çame, që kërkon të na sjell një fllad përkëdhelës ndjesishë të epërme në vargjet e tij plot ritme jete dhe grimca të shpërndara dashurie.
Namik Selmani është një bard i këngës rebele, dashurore, atdhetare, i këngës ikanake që sjell me vete jehonat e tokës së tij, kujtesa dëshirash të djegura në zhegun përvëlues të kohës, rekujeme që ndjellin peizazhe të thyera të shpirtit njerëzor.
Pas vëllimeve poetike “Vatra e mallit”, “Zërat e brigjeve të mia”, “Kroi i këngës çame”, “Fari çam”, “Shpirti çam (antologji personale), “Dritaret e besimit”, “Djepi i këngës”, “Pesha e qiellit të vendlindjes”, përmbledhja “Bëj të zë, po të merr era” është një tjetër kontribut poetik i autorit në lëmin e poezisë, në pasurimin e spektrit lirik të kësaj poezie, sidomos në lirikën patriotike, e cila mund të konsiderohet një risi e origjinalitetit poetik të poetit Namik SELMANI.
Në këtë përmbledhje poeti arrin një kuotë të lakmueshme poetike për çdo krijues serioz, jo vetëm përgjatë aktit poetik, por në të gjithë shtrirjen estetike të krijimtarisë së mirëfilltë letrare.
Autor i njëzet e gjashtë veprash të tematikave dhe llojeve të ndryshme letrare, Namik Selmani ka ndërtuar një minibotë të tij, plot ngjyra dhe drita, një univers të përndezur nga sharmi dhe joshja shkrimore, ku autori ndihet në botën e tij, I vetvetishëm dhe i natyrshëm.
Lirikat e Namik Selmanit nuk janë lirika me “tema të lehta” dhe motive erotiko-dashurore, natyrisht këto nuk bëjnë përjashtim nga imazhet e tij poetike, por mbi të gjitha në këtë përmbledhje vjen si një kumt atdhetar, nga Malisheva në Prevezë, nga kopshëti edenik i Evës dhe Adamit në kasafortën e zemrës ku ruan thesaret e kujtimit të ëmbël, nga “lotët e dhimbjes së një gruaje” në “muzeun e përkëdheljeve”, nga endja në “flatrat e flatruara” në pritjen e packa, në kërkim të “krojeve të buzëqeshjeve”, që kthehen në brigje e dete.
Ajo që e bën të dallueshme poezinë e Namik Selmanit nga simorat e saj është vokali i lartë atdhetar, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të shtrira horizontalisht e vertikalisht, temporitmi hazdisës dhe i krekosur, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e tij janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.
U gjakos nata e hodhi në gjoks ujëvara flakësh
E u skuq, si të ishte një zjarr bubulak, i sapondezur.
U kruspullosa në koracën e bunkertë të fjalës
U bëra arë e korrur, pa makina dhe njerëz.
(Poezia “Kasaforta e zemrës”, fq. 98)
Një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale sharmante, plot thyerje dhe digresione, siç është vetë jeta njerëzore që ai plazmon në poezinë e tij. Kështu mund të përcakothet në vija të përgjithshme poezia e poetit çam Namik Selmani, I cili na përcjell një botë të thyer, plot ritme dhe vrulle, siç është vetë jeta e tij në lëvizje, drejt dashurisë universal.
Aventura poetike e Selmanit është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së tij autentike, vetvetes poetike. Njëherësh është një udhëtim historik, mitologjik, gati profetik, në thelbin e vetë kohës shqiptare. Poeti konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e tij dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.
Poeti
Namik Selmani, si shumë të tjerë poetë ndihet një misionar jo vetëm i lirisë
dhe shqiptarisë, jo vetëm i qëndsresës në trojet tona etnike, por dhe I
integrimit të kulturës mbarëkombëtare etnike. Pra, e thënë ndryshe, poeti është një mesazhier i kulturës sonë të
rilindur iliriano-dardane.
Të rrugëtosh me poezinë, të identifikohesh me të, do të thotë të jeshë i pushtuar nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe imazhit, nga ndjenjat dhe mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve, hidhërimeve, dashurive, iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë kthyer në një kredo të jetës dhe artit tënd.
Duket se kjo është në fakt kredoja poetike e Selmanit, një dashuri e pamësë për jetën dhe njerëzit, një etje për të rilindur në çdo fije bari dhe në çdo qelizë të gjallë të tokës, për hir të gjërave për të cilat ia vlen të luftosh dhe të ëndërrosh. Ai e përvijon individualitetin e tij poetik në vijim të traditës më të mirë të asaj lirike, të ëmbël e të ngrohtë, fine e të magjishme, që vjen që nga Lasgushi ynë i madh, mbreti pa kurorë i lirikës shqipe, e vijon deri në kohën tonë, në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare të shkrimit poetik.
Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell ky poet, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve.
Namik Selmani shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit, përdor herë vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, herë vargun e lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në çfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta).
Në analizë të të fundit, mund të themi se tek Namik Selmani shohim një poet të formuar plotësisht e me një profil të vetin poetik, që edhe në këtë libër me poezi, si në të gjitha përmbledhjet e tjera poetike dhe gjithë hapësirën e tij shkrimore estetike, dëshmon një talent e përkushtim përtej të zakonshmes, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një lirizëm të ngrohtë, fin e spontan.