E diele, 01.06.2025, 11:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Menatë vijnë lejlekët

E enjte, 29.05.2014, 07:33 PM


ADEM ZAPLLUZHA

MENATË VIJNË LEJLEKËT

Redaktor:

Mazllum Baraliu

Recensent:

Mazllum Baraliu

Lektor:

Veli Veliu

Shoqata e Shkrimtarëve

“Fahri Fazliu”

Kastriot, 2014

FJALA E REDAKTORIT TË LIBRIT

NJË  VEPËR  E  RRALLË    PJALMON  KURAJO, DASHURI DHE HUMANIZËM

ADEM   ZAPLLUZHA ”MENATË VIJNË LEJLEKET”-PËRMBLEDHJE ME  POEZI, PRISHTINË 2014.

RECENSION NGA PROF. DR. MAZLLUM  BARALIU

Adem Zaplluzha  është njëri nga poetët më të angazhuar dhe më frytdhënës  në letërsinë shqipe bashkëkohore të ne dhe gjithandej meridianeve ,ku krijohet dhe kultivohet fjala e bukur poetike

Shqiptare. Nëse  nuk gaboj,Odhise Grilo,njëri nga shkrimtarët më në zë të letërsisë shqipe të fundshekullit të njëzet – veçanërisht  i letërsisë për fëmijë - ishte autor i rreth 110 titujve të veprave të botuara dhe nuk më kujtohet ndonjë autor tjetër i cili kaq më përkushtim,zell,energji të p shterrshme; passion, dashuri  të patundur dhe të pafund, do ti dedikohet poezisë, sikur poeti ynë i mirënjohur, Adem Zaplluzha. Ai deri më tani ka botuar rreth 100 vepra me poezi    zhanreve të ndryshme;për të rritur dhe për fëmijë.

Puna e madhe përkushtuese dhe pasioni i paparë i tij për të shkruar   dhe për t’i dhuruar lexuesit të vëmendshëm dhe të dashuruar në letërsi-veçmas në artin magjik të poezisë;fatkeqësisht nuk është veneruar, studjuar dhe as vlerësuar as në minimumin e nevojshëm dhe të domosdoshëm, çfarë  ky krijues cilësor dhe  veteran i poezisë të ne e meriton. Produkcioni i tij letrar i gjertanishëm është  i denjë edhe për shoqata,asociacione dhe madje edhe për akademi  të tëra, të arteve e të shkencave  të ndryshme;gjë që, gjer më tani, nuk na ka rënë të dëgjojmë ,se me të vërtetë ka ndodhur. Këtë barrë dhe këtë punë poeti  Zaplluzha  e ka bartur,rrjedhimisht e ka  bërë pa përkrahje  të duhur institucionale;pa hezitim,pa pritesë dhe pa imponim të askujt;thjeshtë për hir të nevojës dhe arsyes madhore për  të ofruar,shërbyer dhe kontribuar në ndërtimin dhe latimin -  deri në piedestal  - të oreolit sublim  kombëtar të artit; rrjedhimisht  të letërsisë e  të kulturës tonë ; në të mirë dhe dobi të qytetarit –lexues dhe ardhmërisë së tij perspektive.

Mirëpo ,shkas parësor dhe arsye  për këtë shkrim sot,për poetin Zaplluzha,një sihariq i ri nga poeti ynë,është vepra e tij e radhës e titulluar:” MENATË VIJNË LEJLEKET”; vepër kjo e veçantë dhe e

rëndësishme nga shumë aspekte,kënde dhe dimensione krijuese.

Në këtë përmbledhje me poezi  për të rritur,autori ynë,në mënyrë specifike,por të drejtpërdrejtë, pa ekuivoke të shumta, shpupurisëse dhe indirekte;pa figuracione stilistike të padeshifrueshme,do

të shpalosë,duke e vu në dispozicion të lexuesit të vemendshëm, gjithë  talentin e tij të pakontestueshëm ,sikurse edhe përvojën e gjatë e të pasur  krijuese.

Vepra në trajtim e Zaplluzhës,është një përmbledhje  me motive,frymëzime dhe tematika nga më të ndryshme;madje do të thoshim enciklopedike; me dobi, interes dhe kërshëri potenciale për lexuesin tonë. Po të veçonim disa nga motivet, temat dhe frymëzimet, nga të cilat dhe me të cilat preokupohet autori në këtë libër,sigurisht që së pari do të duhej nxjerr në pah:aktin e lindjes;lirinë e atdheun dhe të   sakrificës  për liri e për atdhe;ëndrrat fëmijërore dhe fëmijërinë;rrjedhimisht dëshirën e poetit për ta portretizuar rikthimin e tij imagjinar dhe metaforik  në fëmijërinë e tij   paqenë- fëmijërinë  të pa fëmijëri;dashurinë;lëvizjen;angazhimin aktiv dhe përparimin dinamik e progresiv në jetë(si ecje ;si lëvizje e pa ndalur përpara  e jo përgjumje,amulli ,monotoni ,indiferencë dhe letargji -drejtë ardhmërisë individuale dhe kolektive –të njerëzve –qytetarëve të tij;  në atdheun e lirë e të bashkuar;mërgimin-këtë plagë të shekujve dhe të mileniumeve për shqiptarët;por mbase  edhe për të afërmit dhe familjarët e poetit;për vetminë si fenomen mjaftë specifik ( dhe   i padëshiruar)  për poetin- (ani që ai në jetën e përditshme dhe jashtësisnë e

sjelljes dhe qëndrimit ,në relacion me rrethin e tij  familjar e shoqëror,tregohet dhe mbahet-kurdoherë dhe në vazhdimësi - intrasigjent dhe i “pahetuar” e i paepur),si dhe për vdekjen si një fenomen tjetër relevant,por edhe përmbyllës  i ciklit jetësor;për varfërinë,urinë dhe mëkatin  e deri të universi si motiv dhe tematikë me porosi universale; me peshe dhe relevancë,  për trajtim në poezitë e tij.

Procedimin e tij letrar,poeti në këtë përmbledhje  sikur e fillon me një fanitje simbolike e cila përvijohet përmes kënaqësisë që sjell liria e atdheut. Në këtë fanitje sublime të lirisë ai sikur ndihet  i realizuar dhe i kënaqur;pa ndier nevojë për asnjë lloj tjetër përmbushjeje. Në këtë kontekst ai shton:”Nuk dua vdekje më të bukur,/se sa kjo kënaqësi/që shtrihet në krahun e djathtë/të fluturës së atdheut tim…Nuk dua vdekje më të bukur /se sa kjo lindje/që i përket atdheut.(Poezia më lërë  të vdes fq. 5).Mobilizimi motivues dhe frymëzues  jashtëzakonisht i fuqishëm dhe në moment të caktuara edhe mjaftë shpërthyes,në këtë vepër ka rezultuar më një varg e vistër të figurimeve dhe transfigurimevfe stilistike;diskriptive  dhe përmbajtësore; prurje  me vlerë këto, të cilat e shtojnë në masë të konsiderueshme procedeun artistik  deri në melodramacitet maksimal;fakt ky që ngrit nivelin e interesimit dhe adrenalinës së lexuesit dhe studjuesit të mirëfilltë të veprës letrare,për të absorbuar sa më shumë nga oferta mjaftë e pasur dhe laryshore e materjes poetike,në këtë përmbledhje me poezi. Ja vetëm disa nga shumë metafora mbresëlënëse të këtij libri,që

meritojnë një vëmendje të veçantë: “flokët e brymta të shirave(fq.12);qelin duart e lisave;rrënjët  e Rrapit të dehidruar;lotët e erës;pikonte trishtimi (fq.13).;huazojnë qështjet e bronzta(fq.15);në katet e sipërme të mendjes (fq.16);shtrydhja e trishtimeve (fq.20);nëpër parathënien e muzgut (fq.23);si rropullitë e shpresave(fq.24.);nazalet e erës (fq24);serenatën e lëngut të mallëngjimit “(fq25);vashat lahen në lotët e hënës(fq.54)etj.

Duke qenë vetë tejet i vyeshëm, i palodhshëm dhe vazhdimisht  dinamik e kontribut dhënës në avancimin e kauzës kombëtare dhe shoqërore ;poeti edhe nga të tjerët;pra nga bashkë kombasit e tij me shumë të drejtë,kërkon më shumë punë,mirëkuptim,dashuri,unitet,harmoni dhe mbi të gjitha përkushtim në ndërtimin e vendit dhe të shtetit të ri;konsolidimin dhe përparimin e atdheut;sepse ,sipas poetit tonë, :”përgjumja  askujt nuk i bën mirë”(poezia: Dhe ata të tjerët,fq,10).Kjo përgjumje,nuk do ju bëj mirë madje as :”shokëve të luftës”(fq.26.str.3.,vargu 3.)sepse,poeti tërheq vëmendjen e lexuesit dhe vërejtjen e tij  se :”të murishtat e shembura/po sillen vërdallë/disa mallkime hijesh të zeza/(poezia:Askush nuk fle sonte/.Poeti me këmbëngultësi kërkon që të mos ketë ngecje,por që

të ecet domosdoshmërisht dhe me emulacion e vullnet të pashuar –përpara- deri në ngadhënjim e përparim :”Ne duhet të ecim,bijtë e mi/domosdo duhet të ecim/Përtej ngadhënjimit të fjalës (str. e 3 e

poezisë: ”për ta mbërri fundin”.,fq.50.,Autori ynë në këtë poezi dhe gjithandej kësaj përmbledhjeje,kërkon që të gjithë bashkë atdhetarët tanë –kudo ku janë, lypset të jenë më vigjilent dhe më përkushtues ndaj kauzës dhe progresit.

Në disa nga poezitë e tij,veçanërisht   në ato që kanë të bëjnë me qytetin e tij të lindjes-Prizrenin pitoresk, poeti Zaplluzha,sikur shpreh nostalgjinë e tij për të kaluarën dhe befasinë e pakëndshme për ndryshimet  e gjeneratave ,që kanë ndodhur në ndërkohë ,si dhe zvetninë mbretëruese të një “vakumi shoqëror” atje. Duke ndier vakum edhe në zemër,ai  sikur shpreh keqardhjen  dhe  habinë e tij,duke shtuar:”Paskan ikur/ose janë moshuar të njohurit/dhe të panjohurit/e qytetit të zambakëve(fq.16.str.2).Poeti ,përkundër ndiesisë së mirë dhe kënaqësisë që ndien kur e i viziton njerëzit e tij më të afërm dhe më të dashur të jetës në  qytetin e tij të lindjes,në të njëjtën kohë ai sikur do të ndiej  njëfarë  lloj ftohtësie mornicore,sepse siç do të thotë katërcipërisht edhe ai vetë :”askënd nuk e njoh/Askush nuk më  njeh  sonte (në këtë qytet M.B.)(fq.17.,strofa e fundit).

Ndaj, në vjershën: ”Vetëm Shatërvani i vjetër(fq16).,autori me nostalgji dhe keqardhje, do të portretizojë tablotë e qytetit të tij ,me “ballkone të zbrazëta” dhe pa njerëzit e njohur për gjallërinë dhe bujarinë e tyre tradicionale mijëravjeçare ,që pritnin dhe përcillnin  me mirëdashje maksimale dhe me kënaqësi,të njohur e të panjohur,në  shtëpitë e tyre të qytetit muze. Në qytetin e tij të lindjes e të rinisë së hershme-Prizrenin,kanë të bëjnë edhe poezitë:”Kur ishim të vegjël “(fq.71) dhe poezia përplot simbolikë dhe vetëspjegim:”Unë kam  harruar kur isha fëmijë”(fq.72). të

librit.

Duke u përballur “vetëm me dhembje”,me skamje dhe varfëri;por edhe me robëri e padrejtësi,poeti kishte vuajtur dhe ishte burrëruar para kohe. Duke e pasur një fëmijëri të tillë si shumë e shumë bashkatdhetarë të tij në Kosovë dhe viset tjera etnike autoktone pellazgo-iliro-shqiptare,poeti ynë zëshëm dhe pa keqardhje  do të theksoj se :”asnjëherë nuk ishte i vogël apo fëmijë”,që do të thotë mbase se nuk kishte fare ose fare pakë fëmijëri të vërtetë dhe të mirëfilltë (fq.73.).Në këtë frymë autori ,sikur  me shpirt të trazuar i drejtohet lexuesit si vijon:”Nuk më besoni  por lindja ime /Ishte një trishtim i paharruar/nën rrogozin e vuajtjes/dhembja lëshonte gjëmën e përditshmërisë” (strofa 2 e poezisë: ”me plagë të pashëruara”, fq.61.

Duke qenë i mirënjohur nga rrethi i tij shoqëror, si njeri i popullit apoi masave të gjëra popullore,poeti këtë do ta dëshmojë edhe si krijues,jo vetëm në këtë përmbledhje,por pothuajse në gjithë

opusin krijues –letrar të krijimtarisë së tij artistike.

Në vjershën :”Të varfëritë e qytetit tim”(fq.33.) psh.,(tani poeti mbase fjalën e ka  për qytetin e tij –ku jeton e vepron me dekada të tëra-Prishtinën-),po ky i këndon me dhembje të madhe e keqardhje,por edhe me humanizëm të rrallë vegjëlisë së varfër dhe të pa përkujdesje as shoqërore dhe as njerëzore ,në ambientin e tij shoqëror.

Të varfëritë ,për poetin janë: ”njerëz të mëdhenj; dinjitoz dhe optimist, por që në dallim prej të tjerëve(të kamurve)këta  të fundit  dinë  të kënaqën edhe më gjëra të imta; me një kafshatë bajate dhe të cilët me pakë bukë e kripë,si në mahi e tejkalojnë maratonën e urisë”. Atë ,pra autorin e përmbledhjes e preokupon dhe brengosë tej mase varfëria dhe skamja ekstreme e njerëzve të qytetit dhe të vendit të tij;Kosovës së tij të dashur. Prandaj edhe atyre ua kushton vëmendjen dhe kujdesin e duhur,edhe si poet edhe si njeri human.

Një lloj përkushtimi të tillë grandioz-me një ndiesi sublime-një përkrahje morale dhe humane, njerëzve të kësaj kategorie sociale, mund tua bëjnë  vetëm poetët e mëdhenj e të përjetshëm (pra  ata që duhet të  mbesin  përherë në memorien dhe altarin e shenjtë të popullit), bij autentik, të mirëfilltë  e besnik të popullit të vetë.

Duke qenë mirënjohës  dhe falënderues për njerëzit që e donë, respektojnë dhe e rrethojnë, autori i kësaj përmbledhjeje, në poezinë: ”Pa titull”(fq 30) dhe “Nuk marr dot frymë pa ty”(fq39),nuk mendon për asgjë dhe as që i frikohet asgjëje tjetër ;madje as “vdekjes së plumbtë”,por ai  sikur i druan  :”zemrës së brishtë,por padyshim tepër të dashur e më të afërt,që ai  ka pranë tij-bashkëshorten e tij”.Frika  nga humbja e çfarëdoshme eventuale e saj;dashurisë,krenarisë dhe mbështetjes kryesore jetësore  të tij,pra e më të afërmes së tij,është e kuptueshme që  e shqetëson deri

në trazim poetin;ngase me të dhe kryesisht  vetëm me të, ndanë të gjitha gjërat më të rëndësishme që ofron dhe imponon jeta e përditshme. Poeti Zaplluzha brengoset shumë dhe preokupohet edhe me gjendjen e rendë të një amnezie; paknaqësie  dhe të dëshprimit (kolektiv) të bashkëqytetarëve të tij dhe këtë gjendje ai e quan:” si një mallkim i hershëm”(shih vjershën me po këtë titull në fq.57 të librit),ndaj I indinjuar  autori :”me plagë (ende) të pashëruara” i qorton ata të cilët me pahir përpiqen të ja ia imponojnë këtij modelin : ” se si duhet me e dashtë atdheun”(fq.61).Ndaj,më zë

të fuqishëm kumbon:”O kush jeni ju të më mësoni/se si duken prangat/dyzet e katër vjet jetova i prangosur/si luani në kafaz/dhe akoma kam mbetur/me plagë të pashëruara…/Dhe ju sot me tregoni/Se si

duhet me e dashtë atdheun/…,ndërkohë që unë,më tutje shton poeti,:”/Mbi katër dekada e barta gurin e pikëllimit/dhe gjumin kurrë nuk e pata gjumë/me sy të mbyllur e ëndërroja lirinë”.(strofa e fundit e poezisë “me plagë të pashëruara” (fq.61.).

Në poezinë  me titull:”Më fal nëna ime”,poeti ,duke qenë i pakënaqur deri në zhgënjim me gjendjen e krijuar  në ambientin;rrjedhimisht në realitetin  objektiv që e rrethon atë edhe në shtetin e tij

të lirë e të pavarur,pothuajse në zenit e ngrit zërin e tij të lamentimit dhe për këtë gjendje të rendë,të cilën ai e pasqyron realisht dhe  sikur i kërkon falje vendit (nënës)së tij,të cilit i lutët për  mirëkuptim,ngase pasi që e ka humbur durimin,tashmë më shumë iu përngjet “gurëve”,që asnjëherë nuk i ndalin  vajet”(str. e fundit e poezisë :”më falë nëna ime” .,fq.82).

Fenomeni  i  emigrimit, tashmë shumë brengosës edhe  në përmasa gjithëkombëtare,është ai që e preokupon tej mase poetin tonë; ashtu siç e preokupon dhe e shqetëson pothuajse çdo familje dhe individ, brenda hapësirës etnike Shqiptare. Pikërisht, për këtë arsye ai në disa nga poezitë e tij, më të realizuara artistikisht,këtij problemi  i ka kushtuar vëmendje  dhe hapësirë të veçantë.

Duke e qendërsuar problemin e emigrimit, në poezinë me titull:”Të lutëm më thuaj bir”, poeti me përgjërim iu lutët njerëzve të tij e të popullit të tij,që të mos ikin në mërgim .Lutjet e tij tingëllojnë  mjaftë dramatike kur,sikur  i drejtohet  të birit të tij me këto fjalë:”Të lutëm më thuaj bir/Se nuk do t’i përngjash lejlekut të Mjedës/Nuk do të na lësh  vetëm/Si qyqe mali/T’i

përqafojmë këto drurë të lagjes/…O si zotin të lutëm/Mos  më lërë as mos ik/I trishtuar si lejlekët në mërgim/(fq.74)., … sepse jeta ,në mërgim,sipas poetit, s’është asgjë tjetër ,vetëm se një  mashtrim!Meqë siç dihet migrimi i njerëzve tanë,veçanërisht të rinjëve dhe të rejave tona,tashmë ka marr përmasa dramatike dhe tragjike,përgjërimi i poetit për mos shpërngulje dhe mos emigrim jashtë vendit ,nuk do të këtë edhe aq efekte .sa do të dëshironte ai dhe ne ,të gjithë së bashku. Pra procesi i emigrimit të bijve tanë,për të cilët poeti thekson se po:”fluturojnë /Si zgalemat e

dëshpëruar/(si zogj të trishtuar),të pashpresë e të indinjuar, si të ishin zogj të pafat të qyqes. Po largohen e po ikin - si gjethe degësh të shkundura- përtej maleve,luginave,deteve,oqeaneve  dhe bjeshkëve të pafund  të kësaj bote.(vjersha:”Si zgalemat e dëshpëruar”., fq.78).Duke qenë maksimalisht dhe vazhdimisht i preokupuar,i brengosur dhe i shqetësuar nga kjo gjendje e rëndë,si pasojë e mërgimit,poeti sikur i përgjëron dhe i fton, tashmë të ikurit e shumtë meridianeve të botës së egër të kapitalit e të profitit,që të kthehen në trojet e tyre;në atdheun e tyre,te prindërit e tyre,që vazhdimisht mendojnë për ta dhe sytë i kanë të drejtuar drejtë vend migrimeve të tyre në largësi:”/Sepse kthimi i tyre në atdhe/Do i ringjallë/Edhe gjyshërit e vdekur/”(vj.:”Edhe gjyshërit e vdekur “fq.76.)Më këto fjalë,do të përfundoj poeti ynë  shqetësuar dhe indinjuar lidhur me këtë fenomen,që tashmë kaherë  është shndërruar, në një  plagë dhe vragë gjithëkombëtare që kullon .

Të konsiderueshme janë edhe vargjet ,të cilat i janë kushtuar vetmisë,si një dukuri,gjithnjë e më e shtrirë në kushtet e jetës bashkëkohore, të një demokracie dhe sistemi neoliberal,si gjithandej

edhe të ne. Krahas vetmisë,duke e marrë në konsideratë edhe faktorin  moshë,autori sikur ndien më shumë peshën e lodhjes dhe të pasigurisë  së padurueshme individuale dhe shoqërore:”/Kjo moshë e

shtyrë qenka tepër e rendë/Nuk mund të bartët/Zvarritët si  mali l lodhur…/frynë në zgërbonjën e shpirtit/…/Përpos hapave të lodhur  dhe vetmisë/Askush pranë nesh/Ecim si dy kukëza të drunjta/Pa

shpresë…/Qenka shumë rendë/Tepër e rendë kjo peshë e padurueshme /Rendojnë mbi supe ditët/Muajt dhe vitet/Kjo barrë e madhe sa bota/S’durohet dot/Ama as nuk mund ta heqim.”/(Si devetë e

shkretëtirës”.,fq.47. Duke e krahasuar deri në personifikim, gjendjen e tij të vetmisë,moshës dhe çdo gjë që ato sjellin për rrjedhojë,poeti  në një masë a një tjetër,sikur e  pranon që ndihet paksa i vetmuar dhe i shfuqizuar,deri në përmasën dhe gjendjen e një lisi të dehidruar ,pranë të cilit,sikur nuk gjendet as nuk sillet askush. Në këtë gjendje kuazianabioze,poeti  sikur kërkon mirëkuptimin, mbështetjen dhe dorën e ndihmës,për të dalë nga një:” boshllëk i pafund mjerimi”.Duke mos pasur as më të voglën përmasë të përkrahjes dhe as ,siç thotë ai vetë :”ledhatimit” të nevojshëm njerëzor dhe shoqëror-kolektiv,lutet sërish për nxjerrje nga boshllëku i imagjinuar,për të mos mbetur:” si një kallkan i ngrirë dimri”.(str. e fundit e poezisë :”Paskam mbetur”.në fq.84.,të librit. Pra, e gjithë ajo që u tha më sipër,sikur ngërthen në vetë  një shprehje e  revoltës së poetit,  ndaj gjendjes së krijuar dhe ndjenjës së abandonimit  nga të tjerët (të afërmit

dhe shteti-shoqëria apo edhe më saktë:shprehje e pakënaqësisë  me mungesën e  përmbajtjeve, prestacioneve dhe shërbimeve   më humane të  jetës shoqërore); faktor me ndikim këta  të cilët do të duhej të ishin,gjithnjë  pranë  e pranë  me njerëzit-anëtarë   legjitim të shoqërisë,veçmas më të moshuarit ,të vetmuarit dhe ata që nuk kanë përkrahje materiale-financiare shoqërore.

Mirëpo,në pamundësi për ta ndryshuar cilësisht gjendjen e krijuar  shoqërore; meqë nuk bën ndryshe,poeti i vetëdishëm për çdo gjë që ndodhë dhe sillet rreth tij,e kupton se kështu duhet vazhduar:”deri në fund të tregimit”(fq.27. vargu i fundit);madje më  fuqi  maksimale shpirtërore dhe intrasigjëncë të një personaliteti të pathyeshëm gjatë një kalvari të tërë dhe furtunash jetësore,në mënyrë rezolutive dhe të patundur,sikur i drejtohet një autoriteti imagjinar të hyjnizuar,që në asnjë rast;më asnjë mjet  dhe mënyrë ,të mos ia ngacmojë vetminë e poetit(vargu i fundit i strofës së parë të poezisë: ”Ti asnjëherë nuk erdhe”., fq.88).

Kjo në vija të trasha është përmbajtja e librit :”Me natë vijnë lejlekët”  e autorit Adem Zaplluzha i cili me një fuqi krijuese të jashtëzakonshme,na ka sjell para nesh një vepër,sa të veçantë, aq

edhe të pasur dhe do të thosha me primesa të caktuara enciklopedike,që më thotë mendja se do të pritet mirë nga lexuesi dhe do të jetojë gjatë në memorjen tonë kolektive artistike dhe kombëtare.

Libri në trajtim,pa dyshim që i ka edhe anët e veta dispozitive, që do të duhej përmirësuar dhe eleminiuar. Kjo do të duhej bërë,  para se po ky libër të dërgohet për botim. E para çështje që do të

duhej përmirësuar është organizimi më adekuat i cikleve dhe poezive brenda tyre. Çështja tjetër ka të bëj me nevojën e përputhjes konkordante të titujve me brumin përmbajtësor të materjes poetike,

brenda poezive përkatëse. Pra titujt mbase do të duhej  të jenë,  më domethënës dhe më simbolik;në raport me  tërësinë e teksitit poetik   përkatës në përmbledhje. Kohezioni poetik,pra

tërësishmëria përmbajtësore e materjës poetike në një numër të caktuar të poezive,do të duhej ,mbase të ishte më kompakte dhe më konvergjente  me porosinë që pretendohet të jepet nga autori.

Gabimet semantike dhe ca të tjera teknike,do të duhej eliminuar paraprakisht.

Të gjitha këto vërejtje dhe sugjerime,në asnjë masë, vëllimin në asnjë mënyrë, nuk ia zvogëlojnë vlerën dhe rëndësinë e kësaj vepre të autorit  Adem Zaplluzha.

 

 

Askush nuk fle sonte

 

Cikli i parë

 

MË LËRË TË VDES

 

Të lutem

Më lërë të vdes sonte

Nuk dua vdekje më të bukur

Se sa kjo kënaqësi

Që shtrihet në krahun e djathtë

Të fluturës së atdheut tim

 

Dje isha një tjetër specie

Që i ngjasoja erës

Në sqepin tim të çarë

Buronte lumi i verdh

Po ai lumë

Që buron në kujtesë

 

Sërish të lutem

Si asnjëherë më parë

Më lërë të vdes

Si zogu i ngrirë në mermerë

 

O të përgjëroj

Me zjarrin e shpirtit të kallur

Më lërë të vdes

Të thash

Nuk dua vdekje më të bukur

Se sa kjo lindje

Që i përket atdheut

 

 

KUR EGËRSISHT PUTHIM

 

Asnjëherë pa u ndalur

Kalojmë nën harqet e Urës së Gurit

Prej një ane të kujtesës

Deri te ana tjetër e hapave tona

Ne ecim si drurët

 

Në disa raste u përngjajmë gurëve

E në disa raste të tjera

Kur dalim nga lëkura e jonë

Nuk i përngjajmë as jetës

E as  vetvetes

 

Udhët i masim me lotin e erës

Kur dita e jonë epike

I përngjan fantazmagorisë

Deri në ekzaltim

Dehemi nga kënaqësia

 

Sa herë që  na teket pa asnjë arsye

Në secilën pikë loti

I përmbysim detet më të tërbuara

Dhe jemi aq larg vetvetes

Sa që fëmijëria e jonë na duket

Se është tërësisht e huaj

 

Kur egërsisht puthim

Trishtimin e jetës në ikje e sipër

Në gjumin tonë të përdalë

Si akaciet mbijnë

Disa lloje të barojave

Që sapo  takohen me ajrin

Shndërrohen

Në larva të krimbave

 

 

DUART E TUA

 

Duart e tua të mjegullta

Më mbajnë gjallë

Sa herë që kam mall për ty

Shtrihem mbi ëndrrën time

 

Vetëm kështu jetoj

Mbase kjo qenka e vetmja mënyrë

Ku mund të vdes lirisht

Pa kurrfarë hezitimi

 

Duart e tua prej shiut të trëndafiltë

M’i ledhatojnë iluzionet

Kur më ndjekin dhembjet

Ndjej thirrjen epike të dashurisë

 

Duart e tua

Ah ato duar që m’i mbajnë gjallë plagët

Sa herë që i drejtoj sytë kah universi

Shikimi im depërton përtej çdo honi

 

 

DHE ATA TË TJERËT

 

Sonte do të ecim përtej çdo mundësie

Edhe nëse nën hapat e erës

Fshihen shpirtrat e akrepave

Ne do të ecim

Nëpër tehun e mprehtë

Të shpatës së gjetur

Do ecim nëpër llavën e vullkanit të përskuqur

 

Kur të mbërrimë deri te mermeri i kuq

Mes kolonadave të erës

Do i takojmë mbretërit

E të gjitha kohërave

Ata që abdikuan

Për disa shkaqe personale

Dhe ata të tjerët

Që i gjykuan dashnoret për tradhti

 

Por domosdo duhet të ecim

Nëse ndalemi

Kurrë më

Nuk do të jemi në gjendje

Të njëjtë si para

Ose pas lindjes së diellit

Përgjumja askujt nuk i bënë mire

 

Sa herë që fjetëm

Nuk i patëm punët mirë

Gjumi i jonë i përdalë

Hynte nëpër çdo udhë të verbët

Hynte nëpër ato vende

Ku nuk mund të delte asnjëherë

I ngjante rërës së gjallë

Në shkretëtirën e shpirtit kryengritës

 

 

MBI SHPATULLAT E RRAPEVE

 

Atë çast hyjnor

Mbeta pa asnjë fjalë

U stepa para mjegullave

Kur ninëza

E lirikave të erës

Si një mbretëreshë prej uji

Hyri në shpirtin e malit

 

Lëvizën drurët si gurtë

As gjethet më

Nuk ishin në gjendje

Të heshtin

Nga korijet e lulëzuara

Vinte një fëshfërimë prej ëndrre

Ishte koha

E zgjimit të baladave

 

Nëpër degët e pemëve

Lulet çelnin

Disa specie zogjsh

Çelnin edhe duart e lisave

Disa lloje prej kashelashave

Mbi shpatullat e rrapeve

Era i krihte

Flokët e brymta të shirave

 

 

KUR TËRBOHEJ ERA

 

Kur tërbohej era

Duart e mia nuk ishin këtu

Njëri sy më mbeti te shkurret

Kurse tjetri

Kishte ikur nga rrudhat e ballit

 

Asnjë pikë shikimi s’kishte mbetur

Në degët e thyera të akacieve

Edhe rrënjët e rrapit të dehidruar

Kishin ikur

Nga Kodra e Trimave

 

Me lotët e erës

Qyteti i lante duart

Nga majat e gjetheve të lënduara

Pikonte trishtimi

 

Si në kohërat e liga

Nëpër mëhallën e evgjitëve

Nuk pushonin

Lehjet e pamatura të lukunive

 

Çdo gjë i përngjante trishtimit

Edhe njerëzit e vegjël

Ishin të frikësuar

Si pëllumbat prej argjile

 

Nëpër qiellin e plagosur

Të Lumëbardhit

Fluturonin deri në asgjësim

Zogjtë e shenjt të një nate

 

 

TË GJITHË KËTU

 

Fëmijët e fqinjëve të mi

Fshihen nën rropullitë e jorganit

Për çdo natje

I dëgjojmë si në ndonjë kor mbretëror

Piskamat e mëngjeseve

 

Dënesin edhe çatitë

Ullukët e ndryshkur pikojnë dhembje

Që menatë

Këtu në këtë lagje

Nënat ziejnë gur të murrmë

Dhe trungje drurësh

 

Kur kemi restrikcione të ujit

Askush nuk merakoset për këtë skamje

Ka aq shumë lot në këtë lagje

Sa që mund ta ziejmë

Edhe hekurin e përskuqur

 

Por për çudi

Asnjeri nuk ndjen uri

Të gjithë këtu

U përngjajnë përmendoreve

Për të mos dënesur asnjëherë

Prej kalimtarëve huazojnë qeshjet e bronzta

 

Prishtinë, 16 nëntor 2013

 

 

VETËM SHATËRVANI I VJETËR

 

Kur kthehem në qytetin tim

Në katet e sipërme të mendjes

I shikoj ballkonet e zbrazëta

Pa asnjë njeri për t’i pritur

Ose përcjellë lejlekët

E vjeshtës së vonuar

 

Paskan ikur

Ose janë moshuar të njohurit

Dhe të panjohurit

E qytetit të zambakëve

 

Shoh fytyra të zbehta në ëndrrat

E të tjerëve

Disa njerëz largohen

Përtej përtejmes

Dhe me nga një trastë të dhirtë

Bartin atdheun nëpër ishujt e harresës

 

Një lejlek i zi që menatë

Rri mbi një çati të vjetër

Rri dhe shikon

Ndoshta për herë të fundit

Përjeton

Ekzaltimin e lindjes e diellit

 

2.

 

Nga grykat rebele të maleve

Kthehen barinjtë

Kthehen edhe bareshat

Me nga një kërthi në prehër

Ose me ndonjë xhemper të thurur

Për dimrat e gjatë të këtyre anëve

 

Kur vijnë netët nëpër oda zbrazen

Dhe mbushen gjymat

Me verën e një stine të begat

Por ballkonet  janë të zbrazëta

Zbrazëtia e cila i përngjan honit

Ose shpirtit endacak të mërgimtarit

 

Kot trokas nëpër xhamat e erës

Çdo gjë në qytetin tim

Fle në një gjendje asnjanëse

 

Askënd nuk e njoh

Askush nuk më njeh sonte

Vetëm shatërvani i vjetër

Pikon në xhamat e shpirtit

Duke i përcjellë dhe pretë kalimtarët

Me sytë e qenit besnik

Të Uliksit endacak

 

 

SI TË ÇMENDUR TROKASIM

 

Kur kemi

Ose fare nuk kemi kohë

Ne udhëtojmë nëpër hapësirë

Si zogjtë e egër

prej një ane të rrugës

Kalojmë befasisht

Në anën tjetër të mendimeve

Të shthurura të mjegullave

 

Ose heshtim

Si guri i murrmë

Ngjan që

Nga duart e padukshme të erës

Kafshojmë mollën e papjekur

Dhe nuk jemi në gjendje

Të kuptojmë

Se si mpihen dhëmbët e portave

 

Kur bie shiu imcak

Ne deshëm ose jo

I dëgjojmë me andje

Këngët e Nexhmije Pagarushës

Dëgjojmë në kujtesë

Se si fërshëllejnë gjethet

Psalmet e një kohe të humbur

 

2.

 

Thash se

Kur kemi kohë

Ne nuk i përkasim askujt

As drurëve qind vjeçar

Jemi vetvetja e jonë

E ikur nga mendja

 

Trokasim në portat e mëkateve

Si të çmendur trokasim

Edhe te ato të yjeve

Trokasim

Në kotësinë e një kohe të humbur

 

Prishtinë, 17 nëntor 2013

 

 

KUR JANË TË URITUR FËMIJËT

 

Kur ecin njerëzit

Si për mahi

U përngjajnë drurëve të verbër

 

Nga degët e akacies

Pikon një lloj qumështi

Me shije të gështenjës

 

Kur janë të uritur fëmijët

Me afsh të padëgjuar

Thithin nga lëvorja e ahut

Eliksirin e shtrydhur të gjetheve

 

Nëse qajnë vaji i tyre

Nuk do të thotë asgjë

Përpos shtrydhjes së  trishtimeve

 

Një kafshatë më shumë

Ose më pak

Ku fshihet uria pas një alegorie

Që përjeton e nesërmja e kontaminuar

I përngjan një hiçi në degët e erës

 

Dhe sërish njerëzit ecin

Ecin deri te ëndrra e tejpërtejmes

Pa kurrfarë problemi

Hynë si buklat nëpër fushat

E pakorrura të pikëpyetjeve

 

Hynë dhe mbjellin

Një lloj druri të zi

Që rritet

Vetëm në sqepin e lejlekut të bardhë

 

 

NJË NJERI MBASE I URITUR

 

Dje ishte një ditë jo e zakontë

Era dhe shiu trokitnin në xhamat

E thyera të degëve

Një njeri mbase i uritur

Recitonte poemën e mjerimit

 

Shiu si nga shtambat derdhej

Në thinjat e flokëve të shtjellës

Sërish pash një tjetër njeri

Me duart e shtrira kah qielli

I shurdhët i mesditës

Më duket se

Ai përsëri kishte mbetur pa asnjë lutje

 

Qante era si një çilimi i braktisur

Dënesnin udhët deri te sinagoga

Edhe një epitaf më tepër

Në këtë trishtim të padëgjuar

Nga fërshëllima e varrtarit

Asnjë trishtil

Nuk ndalet në degët e shimshirit

 

Nëpër parathënien e muzgut

Kalon një tjetër muzg

Që i përngjan sterrës së frikshme

Ne ecim

Deri te morfologjia e trishtimit

Ecim si një shpresë pa shpresë

Udhëve pa asnjë rrugëdalje

 

 

ECJET I KANË TË NGATHËTA

 

Njerëzit janë si hijet

Ecin përpara herë me sy të hapur

E herë

Me duar të lidhura për koke

 

Janë të zbrazët pa asnjë ëndërr

Mbase e nesërmja nuk ekziston

Në gjeografinë e mendimeve

Nuk di kujt i përngjajnë

Por janë të boshatisur

Si rropullitë e shpresave

 

Një ditë bisedojnë me heshtjen e lisit

Kurse ditën tjetër

Nazalet e erës

Bëhen poema të pa kënduara

Dhe qajnë përpara

Deri në një adresë pa numër

 

Ecjet i kanë të ngathëta

Si shirat e ngadalshëm fundosen

Në përgjumjen e honit

Nëse ndalen në ndonjë bujtinë

Këtë e bëjnë jo për të fjetur

Po për t’i gjetur burimet e ëndrrave

 

 

KUR PERËNDON DIELLI I FUNDIT

 

Kur bezdisem

Pa dashje i thyej gishtat e erës

Prej turtujve huazoj këngën e shiut

Dhe tërë kohën këndoj

Si i çmendur

Serenatën e lëngtë të mallëngjimit

 

Këndoj të njëjtën këngë

S’ndalem dot as një çast

Disa qindra vjet

Eci nëpër fushat e pentagramit

Derisa kënga ime

I hapi krah më krah portat e shiut

Për një të ardhme që do vij nesër

 

Kur perëndon dielli i fundit

Zambakët qeshin

Në qytetin e Lumëbardhit

Dhe me muaj të tërë

Nuk ndalen refrenet e pëshpëritjeve

 

Disa stërkala uji notojnë mbi një gjeth

Vjeshta e verdh i shkund frytet

Nga xhepat e shqyera të stinëve

Derdhen

E nuk pushojnë shirat e kaltra

 

 

ASKUSH NUK FLE SONTE

 

Sonte të gjithë jemi zgjuar

Nuk fle as nata

Druri që ecën kah e nesërmja

I përngjan një cope mishi në trupin tim

 

Në sqepin e thyer të korbit

Qanë mëngjesi

Rrapet i ka zënë një nostalgji

Sharri plak nuk e ndalë kollën

Kolliten

Edhe gjethet e fishkura nëpër degë

 

Thash se

Askush nuk fle sonte

Gjumi nuk u bën mirë shokëve të luftës

Te murishtat e shembura

Po sillen vërdallë

Disa mallkime hijesh të zeza

 

As drurët nuk i zë gjumi

Bisedojnë me miqtë e mi

Sy pishë

Kjo natë e gjatë

Ka vu syrin mbi një gur

Dhe i përgjon

Fluturimet e çafkave të sëmura

 

 

DHE NJË NJERI  I VETMUAR

 

Si një lis i dehidruar

Bredhi rrugëve të vetmisë

Askush pranë meje

Përpos bastunit të gjyshit tim

 

Ecim si dy shkopinj të lënë pas dore

Secili me problemin e vet

Ty të mundon vetmia

Kurse mua diabeti

Është duke mi gërryer rropullitë

 

Vetëm na mungonte ky shi imcak

I cili çmendurisht troket

Nëpër xhamat e kujtesës

Troket e nuk ndalet qe disa ditë

Gërryen

E gërryen nëpër mendje të erës

 

Një lis

Një bastun i babagjyshit

Dhe një njeri i vetmuar

Ecin nëpër ëndrrën e shiut imcak

Ecin deri në fund të një tregimi

 

 

E CILA PO KAFSHON

 

Me gishtat e lodhura të erës

I preka të gjitha kujtimet

Dikur vonë i lodhur

E vura kokën

Mbi jastëkun e ëndrrës

Dhe fjeta

Derisa më zgjuan këngët e turtujve

 

Kur i hapa sytë

Mendova se dimri kishte ikur

Përtej maleve

Dhe asnjëherë nuk kuptova

Se një tjetër dimër më i ashpër

Kishte lëshuar rrënjë në shpirtin tim

 

Ende edhe sot e kësaj dite

Më duken se gjërat

Nuk ndryshojnë asnjëherë

I përngjajnë

Po asaj ëndrre që e shoh çdo natë

Veshur me një pallto të trishtuar

E cila po kafshon

Egërsisht është duke i shqyer

Këmishët e mia të leckosura

 

 

SA JEMI LARG NJËRI - TJETRIT

 

Të thash

Mos më zgjo nga ëndrra ime

O të lutem mos më zgjo

Qenkan të paprekshme duart e erës

Kjo natë e gjatë

Kurrë të mos soset sonte

 

Të lutem

Më lërë në këtë gjendje të ngurtë

Dua të vdes

Si flutura në përqafimin e qiriut

Unë dhe ëndrra ime

Sa jemi larg njëri- tjetrit

Në këtë çast të paharruar

 

Më lërë kështu të lutem

Mos i ngacmo as fluturat

E kësaj kënaqësie

Dua të fle

Si një kërthi i mëkuar

Mbi flatrat e një ëndrre

Po lind një botë e re

Që i përngjan dashurisë

 

 

PA TITULL

 

Unë nuk i frikohem plumbit

As vdekjes

Por të lutem

O të përgjëroj si Hyjin

Mos m’i mbytë shpresat

Në zemrën tënde të brishtë

E dashura grua

 

 

Kuajt e mi të bardhë

 

Cikli i dytë

 

NJË KËNGË E BARDHË

 

Po vijnë shirat

Si qengjat

Po kërcejnë stërkalat

Nëpër sqepat e thyera të lejlekëve

Mbinë trëndafilat

 

Po kthehen mërgimtarët

Nëpër sokakët e qytetit tim

Për çdo ditë

Hapen dhe mbyllen qepenat

Kalldrëmet zgjohen nga kllapia

Zgjohen

Dhe i përshëndesin zogjtë

 

Plakat e mëhallës

I kanë shqyer shamitë e zeza

Dhe nga kajsishtat e mbjella

Kësaj radhe

Paskan ikur kukuvajkat

 

Një këngë e bardhë

Si kurdoherë më parë

Dëgjohet mbi pastelet e luleve

 

Prishtinë, 18 nëntor 2013

 

 

TË VARFRIT E QYTETIT TIM

 

Në qytetin tim

Të varfrit kanë dëshira të vogla

Këta njerëz të mëdhenj

Kënaqen me pak gjëra të imta

Me një kafshatë bajate

Dhe me pak kripë

Si në mahi

E tejkalojnë maratonën e urisë

 

Ecin si të dehidruar

Prej një treni deri te një autobus tjetër

Duke i shikuar në sy njerëzit e kamur

I njohin ata fare mirë i njohin

Duart që japin lëmoshë

 

O sa mirë i njohin njerëzit e mirë

Nuk ja zgjasin çdokujt dorën

Ecin dhe qendrojne

Me dinjitet njerëzor

 

Kur vjen e nesërmja në sytë e tyre shndrin

Një e nesërme tjetër

Dhe nuk merakosen për asgjë

Ndonjëherë i shtrijnë shikimet

tejpërtejmes

Kurrë në shpirtrat e tyre nuk vdes optimizmi

 

Për këta njerëz të mëdhenj

Nuk ëndërrojnë saga që s’i përqafon mendja

Por në urtësinë e tyre

Prej një lypsari

Ndërtojnë kullat më të bukura të shpresave

Për një të nesërme

Me një buzëqeshje më ndryshe

Më madhështore

Se kjo e sotmja...!

 

 

VAZHDON PO AI REFREN

 

Ka çaste nuk na kthehet në kujtesë

Fëmijëria pa ëndrra

Si një mollë e vetmuar

Dielli i përskuqur

Piqet në imazhet e horizontit

 

Ecim përskaj trotuareve

Nuk ndalemi në asnjë shitore

Ecim si kukullat në teatrin tragjik

Të përditshmërisë

Pas shpine i lëmë vitrinat e zhveshura

 

Lumëbardhi gurgullon në përgjumjen

E një dite pa rrugëdalje

Njerëzit kalojnë

Ecin pa e përfillur erën

Mjegulla e dendur na i shprish flokët

 

Të nesërmen

Vazhdon po ai refren

I përditshmërisë se numërimit të hapave

Dikush troket nëpër dritaret përdhese

E dikush tjetër

Te portat e yjeve të verdha

 

 

KUAJT E MI TË MIRË

 

Mbi një araba prej ëndrre

Udhëtoj nëpër fëmijërinë time

Më del parasysh

Rrugë e gjatë dhe e lashtë

Vrapi i kalit të zi

Pa frena nuk e ndalte trokun

Deri në Kostandinopojë

 

Më kujtohen imazhet e erës

Kur e ndaja misërniken

Me arabaxhiun babaxhan

Me një copë djathë dhie

Kapërdinim  tërë bukën e çerepit

 

Nëse na premtonte koha

I pushonim kuajt

Në ndonjë han të vetmuar

Ku gjenim hanxhiun duke na pritur

Me pagurin e mbushur

Me verë të kuqe

 

Më pastaj sërish na prite

Një udhë e gjatë

Derisa arabaja tundej

Në ëndrrën e plepave

Kuajt e mi të mirë

Gjumin e bënin në ecje e sipër

Duke i numëruar

Gurtë e kuq të kalldrëmeve

 

 

NUK MARR DOT FRYMË PA TY

 

Të lutem o të përgjëroj

Mos shko në këtë çast

Me trenin e çmendur të mëngjesit

As me atë të mbrëmjes së vonshme

Nuk marr dot frymë pa ty

 

Kjo aromë e pemëve që zbret

Nga kujtesa e degëve

Ishte dikur në ëndrrën e flokëve të tua

Të lutem

Mos shko me trenin e çmendur

 

Jam pakëz i lodhur

Më dridhen këmbët e fishkura

Si purtekët e metaltë  më dridhen

As duart më

Nuk i përngjajnë duarve

Kjo ëndërr e sfilitur po dënes si qilimi

 

Të lutem mos ik sonte

Nëpër shtegun e binarëve të verbët

Ti e di

Se unë tani jam shumë i lodhur

Nuk mundem t’i ndali

As të reshurat e verdha të stinës

 

 

DUART E MIA

 

Duart e mia

Si duart e pemës së egër

Marrin frymë

Qeshin me udhëtarët e vonuar

Qeshin me njerëzit

Që i kanë humbur kujtimet

 

Qeshin

Dhe i përqeshin zogjtë

Krahthyer

Marrin frymë si gjelbërimi

Nën degët e këputura te shelgjeve

Ndërtojnë kala prej ëndrrave

 

Duart e mia

Si ato të erës asnjanëse

Nëpër skutat e gjelbërimit

I humbin rrugët

 

Dhe asnjëherë më shpresat

Nuk kthehen të pinë ujë

Në kroin e kujtimeve

Ku vërshojnë ëndrrat e përrenjve

 

Duart e mia

Nuk i përngjajnë asgjëje

Sepse çdo lëvizje e tyre

E përqafon pafuqinë

Herë janë si aroma e mushmollës

E herë si kundërmimi i ashtit të thyer

Në ndonjë trup të ndërkryer

 

 

SEPSE E NESËRMJA

 

Më thanë te mjegullat ka varre

Edhe përtej mjegullave

Pohojnë se

Lindin njerëzit me nga një sy

Dhe kur kanë kohë

Dynden si shirat në mesin tonë

 

Atje është ajo e përtejmja

Që i përngjan fjalëve të shthurura

Të vetëtimave

Ku njerëzit me xhelozi

I rruajnë ëndrrat e vjedhura

I rruajnë

Si vashat e vogla kukullat

E drunjta të erës

 

Nëse i lajmë duart me ngjyrat blu

Te ylberit

Dhe të reshurave ua marrim zemrën

Mund të takohemi me një tjetër kohë

Sepse e nesërmja

Më nuk do të jetë më nesër

Por një hapësirë krejtësisht tjetër

Mes të kaluarës dhe të ardhmes

 

 

SI  ÇAFKAT E SËMURA

 

Nga majat e gishtave pikon dita

Zogjtë e blerimit tim

i kanë harruar çerdhet,

Bredhin hapësirës

Si mjegullat

pa itinerar

 

Ikin ose vijnë trenat

Nga dritaret e autobusëve

Udhëtarët i gjuajnë letrat e dashurisë

I gjuajnë edhe shikimet e zbrazëta

Në drejtim të vashave sygështenjë

 

Në një katrahurë mendimesh

Përzihen disa lloje emocionesh

Përzihen si mendimet e lënduara

nga rrebeshi

Jashtë dhomës sime

Si për mëri frynë

Një erë e fortë i shkulë lisat.

e sëmurë

 

Veriu i acartë frynë

E nuk ndalet në asnjë portë

Mendimet bien në tokë

Si çafkat e sëmura

 

Shkëputen degët e mushmollës

Pa shënuar dot-kurrë

Asnjë kuotë!

Një dimër i zi po vjen

Arkeologët me lopata të ngrira

Rrëmihin të kaluarën e hidhur të erës

Duke mos lekundur fare portat e humnerës...

 

 

ZOGJTË E IKUR TË MENDJES

 

Në kujtesën time të kositur

Sërish po mbinë bari

Zogjtë  e vetmuar të korijeve

Kanë filluar t’u përngjajnë turtujve

 

Vera iku më herët sivjet

Kurse dimri ka mbetur peng

Mes një kohe asnjanëse

Çfarë të bëjë me duart e mia

 

Kjo kohë e ngrysur

Paska hyrë në shpirtin e zgërbonjës

Dhe pret që në befasi ta sulmoj ditën

E cila posa është nisur

Në një udhëtim pak më ndryshe

 

Asgjë më nuk i përngjan etjes

Mëngjesi vuan nga kotësia

Zogjtë e ikur të mendjes

S’fluturojnë më këndej pari

 

Prishtinë, 19 nëntor 2013

 

 

SI DEVETË E SHKRETËTIRËS

 

Kjo moshë e shtyrë qenka tepër e rënd

Nuk mund të bartet

Zvarritet si mali i lodhur

Më është rënduar mbi supe

Lakohet në dysh kurrizi i thyer

Si te rrapi i bardhë

Frynë erërat në zgërbonjën e shpirtit

 

Përpos hapave të lodhur dhe vetmisë

Askush pranë nesh

Ecim si dy kukëza të drunjta

Pa shpresë

I shkelim udhët e ndrydhura

Të ditëve

Që vijnë dhe ato që ikin

 

Qenka shumë e rënd

Tepër e rënd kjo peshë e padurueshme

Rëndojnë mbi supe ditët

Muajt dhe vitet

Kjo barrë e madhe sa bota

S’durohet dot

Ama as nuk mund ta heqim

 

Si devetë e shkretëtirës

Pushojmë nëpër oazat e kujtesës

Për inatin tonë

S’ndalen buzëqeshjet e drurëve të shtrembër

Qeshin e qeshin me ne zhapikët prej dune

Kurse pesha

Në çdo hap më e rënd se jeta

 

 

SHTËPIA IME

 

Shtëpia ime e ngrohtë

Më pret diku në vetmin time

Askush brenda

Përpos fëmijërisë së hidhur

Dhe sandaleve të motrës

 

Një palë këpucë të vjetra

Të arnuara nga duart e babait

Ai njeri i mirë

Për çdo festë fetare

Na arnonte këpucët dhe dhimbjet

 

Shtëpia ima mbuluar me kashtë thekre

Asnjëherë nuk pikoi trishtim

Me duart e saja të ngrohta

Na mbante gjallë

Dhe shpeshherë

Recitonte poemën e mjerimit

 

Por ishte shtëpia e jonë

E ngrohtë si zemra e nënës

Kur kishim mall

Për diellin e përflakur të atdheut

Krah më krah i hapnim dritaret

 

 

PËR TA MBËRRI  FUNDIN

 

Rrugët janë të gjata

E kur të mbërrimë në fund

(I cili asnjëherë

askund nuk ekziston)

Mu aty mbërrijmë

Mund t’i prekim mendimet e erës

 

Ndoshta njerëzit nuk kuptojnë

Por në fundin e një fundi

Fillon një tjetër fund pambarim

Pa emër

Dhe pa mbiemër

Ku mund të humbim

Si zogjtë e ngrirë të një stine

 

Ne duhet të ecim, bijtë e mi

Domosdo duhet të ecim

Përtej ngadhënjimit të fjalës

Nëse ndalemi

Te fundi që nuk ekziston

Do filloj sërish një tjetër fund

 

Në hapin e parë

Të vrapit të kaprollit të verbër

Fillon përmbytja e yjeve

Dhe detet fundosen në univers

 

Për ta mbërri fundin

Nuk duhet shumë mençuri

Ne edhe ashtu jemi në fund

Andaj duhet të fillojmë të ecim

Nga fillimi i një fundi

Që s’duket askund

Në horizontin e imagjinuar

 

 

MOS TË LUTEM MOS THUAJ

 

Mos të lutem

Mos më thuaj

Se këtu është fundi i rrugës

 

Ditët posa kanë filluar të lëvizin

Përtej mendimit të shiut

Po lahen në pluhurin e horizontit

Trëndafilat e zinj

 

Mos thuaj se është stinë vjeshte

Ani se shirat

Lotojnë si detet e pikëlluar

Ti asnjëherë

Nuk do të përmirësohesh

 

Shih se si po luajnë me ne

Të vdekurit mes të gjallëve

Një valle të lashtë morti

 

Mos të lutem

Mos thuaj se jemi në fund

Fillimi i ditës

Posa ka nisur të ecën

Po bien do shira të verdha

Mbi flokët e shprishura të hënës

 

Ishim njëherë

Ose nuk ishim askund

Kur luante Lumëbardhi me fatin e erës

 

Shiko të lutem

Se sa shumë i xhelozon kalaja

Prekjet e gishtave të tua

 

Mbi supet

E posa të çelura të zambakëve

Kanë zënë të çelin vezët e kanjushave

Disa lloje të tjera lejlekësh

 

 

NGA BARRA E MËKATIT

 

Kur stërkalat e shiut imcak

Bien me rrebesh

Mbi flokët e mia të thinjura

Nën një gjeth të mykur të fatit

Rrëqethet dreri i verbët

 

Nën hijet e mjegullave

Ylberet i fshehin ngashërimet

Vashat lahen me lotët e hënës

Trishtimi zbret nga degët e pemëve

Dhe qan me ngashërim

Si një mjellmë e plagosur

 

Kur shurdhohet zëri i kambanës

Të vetmuarit

I humbin edhe shpresat e fundit

Nga barra e mëkatit

Degët e mushmollës së pikëlluar

Lëshohen

Deri në fund të rrënjëve

 

 

BARRA QË MUND TA MBAJ  SONTE

 

Vrapoj si shiu i përhumbur

Nëpër rrugët e brymta të qytetit tim

Një zë më vjen nga lashtësia

Mbase është zëri i kujtesës

 

E shiu troket si i çmendur

Nuk ndalen të trokiturat në mendje

Shtreza ka filluar të ecën si drurët

Ecin çatitë

Nëpër shpirtin e ngurtë të hënës

 

Asnjë kalimtar nuk duket në horizont

Vetëm kjo vetmi e brishtë

I shtrinë duart

I shtrinë kah pikëllimi i plepave

Ku qajnë zogjtë e verbër të fëmijërisë

 

Më duket se

Sonte është për çdo gjë vonë

Tepër vonë që të pendohem sërish

Ky faj që më rëndon në shpirt

Mbase qenka barra më e lehtë

Që mund ta mbaj sonte

 

 

CILI DO QOFSH TI

 

Ndalu

Ndalu të lutem

Cili do çofsh ti që shkelë sonte

Nëpër ëndrrën time

Ndalu

Se përndryshe do i shembësh

Të gjitha urat

 

Kur ishim të rinj

I preknim  flokët e mëndafshta yjeve

Po ashtu

I ngacmonim

Edhe vashat sygështenjë

Deri në mëngjes bisedonim

Me gjethet e verdha

 

Ndalu miku im

Cili do qofsh ti

Ndalu sonte

Më trego se kush je

Që kaq shumë i përngjan kryeneçësisë

 

 

SI NJË MALLKIM I HERSHËM

 

Nëpër trotuare të pa meremetuar

Si shtëllunga prej mjegulle

Kalojnë njerëzit e dëshpëruar

Secili kalimtar  ecën

Me mendime të shthurura

 

Një njeri i moshuar

Të cilin e takoj çdo ditë

Kalon pran meje

Si një hije e paprekshme

Si një mallkim i hershëm

Një trastë e vjetër i varret pas shpine

 

Ecën ky njeri me brengën e viteve

Ecin edhe të tjerët pas tij

Secili më i dëshpëruar se tjetri

U përngjajnë semaforëve

Që kyçen e shkyçen

 

Nëpër këto  trotuare ecin shiringat

Ngjizur me një pluhur të bardhë

Parakalojnë devetë e verbuara

Njerëzit u përngjajnë

Kukullave të drunjta

Ecin si hijet e zeza në procesion

 

Prishtinë, 20 nëntor 2013

 

 

KUR NUK VJEN TI

 

Kur nuk vjen ti

Nata është e gjatë aq e gjatë

Sa që pashmangshëm i përngjan

Atyre netëve të thikave

Kur çaheshin drurët nga dhembja

 

Lëvizin damarët

Tmerrshëm lëvizë frymëmarrja

Nga degët e vetmuara të yjeve

Shkunden gjethet e mbrëmjes

 

Një gjysmë hëne noton diku për në askund

Por nuk ndalet si ora e vjetër në stacion

Noton nëpër mjegullat e çmendura

Si trenat e verbër

Ecën nëpër shpirtin e thyer të reve

 

Dikur vonë kur mbërrin trenat në stacion

Shoh se ti nuk je në mes të  njerëzve

Dhe valixheve të drunjta

 

Pas mesnate kur udhëtarët

Shpërndahen të vetmuar

Secili shikon punën e vet

Përpos meje dhe pritjes

Askush s’merr frymë pranë binarëve

 

 

SIVJET PËR HERË TË PARË

 

Po bien

S’pushojnë shkundjet e gjetheve

Si perënditë e përrallave

Po vdesin fluturat e bardha

Një ylber te kujtesa

Thurë xhemperin  e një stine të vrarë

 

Sivjet për herë të parë

Kaluan zbathur këndej pari dimrat

Kaluan edhe acaret

Ngarkuar me trishtim

Një zog i vetmuar

Mbi një çati të stinës

I përcillte për në atdhe lejlekët e vonuar

 

Po bien

Nëpër sheshet e qyteteve

Po bien përmendoret

Një kohë e bronztë shkrihet në hapësirë

Nga shpirtrat e kolonadave

Si nëpër  tregime të lashta

Ringjallen perëndit e vdekur

 

 

ME PLAGË TË PASHËRUARA

 

O kush jeni ju të më mësoni

Se si duken prangat

Dyzet e katër vjet jetova i prangosur

Si luani në kafaz

Dhe akoma kam mbetur

Me plagë të pashëruara

 

Nuk më besoni por lindja ime

Ishte një trishtim i paharruar

Nën rrogozin  e vuajtjes

Dhembja lëshonte gjëmën e përditshmërisë

Dhe ju sot më tregoni

Se si duhet me e dashtë atdheun

 

O kush jeni ju të më mësoni

Se atdheu është një peng

Që të mban

Dhe nuk të lëshon asnjëherë

Mbi katër dekada e barta gurin e pikëllimit

Dhe gjumin kurrë nuk e pata gjumë

Me sy të mbyllur e ëndërroja lirinë

 

O kush ishit ju që nga faqet e abetares

Deshët të mi zbritni germat

Dhe si lugetërit e zinj

Ma kafshuat palcën deri në asht

 

Unë asgjë nuk desha

Më shumë se ju në jetën time

Desha vetëm të jem një njeri i lirë

Në atdheun tim të robëruar

 

 

KUR ISHIM TË RINJ

 

Kur u plakëm

Bisedat i patëm të gjata

Por as bastunët nuk na dëgjonin

Kishim harruar

Se si shkruhen letrat e dashurisë

 

Na ikën kohërat

Nuk na njeh as amalgama e pasqyrës

Si ajri i pastër i dimrit të kristaltë

Jemi të tejdukshëm

Nëpër trupin dhe shpirtin tonë

Si hijet hynë dhe dalin njerëzit

 

Tani më të njohurit tanë kanë ndryshuar

Janë pakëz më të çuditshëm

Se sa çfarë ishim ne

U përngjajnë kukullave të dyllta

Nëpër vitrinat e pista të shpirtit

 

Kur ishim të rinj

Aq pak probleme kishim

Sa që u përngjanim fluturave të egra

Depërtonim nëpër shpirtin e çdo flake

Që kallej si malli i nuses

Në zemrën e brishtë të shpresës

 

 

NJË DITË

 

Një ditë ndoshta që nesër

Ne do gjejmë një vend

Ndoshta do jetë prehri i ndonjë druri

Ku mund t’i mbështesim

Kokat tona

 

Jemi lodhur

Aq shumë jemi të lodhur

Sa që shpirti i jonë delikat

Po bëhet copë e grimë

Në lotin e kristaltë të erës

 

Një ditë ndoshta që nesër

Do kthehemi në baltë

Nga e cila erdhëm

 

Jemi sfilitur

Dhe mbetur pa miq

S’kemi me kënd të luajmë

Një lojë shahu

Më kujtohet

Kur për mbretëreshën

I flijonim kuajt dhe oficerët

 

Një ditë në përrallat e gjetheve

Ne do të gjejmë një vend

Ku mund të pushojnë

Shpirtrat delikat të njerëzve

Dhe pemëve që ecin vertikalisht

 

Prishtinë, 21 nëntor 2013

 

 

Menatë vijnë lejlekët

 

Cikli i tretë

 

MENATË VIJNË LEJLEKËT

 

Po kthehen lejlekët

Po kthehen tok me baladën e një stine

Në shpirtin tim të acartë

Po mbinë luleborat

 

Për çdo menatë

Një zog i vetmuar

Rri në çatinë e kujtesës

Rri dhe i numëron ardhjet e brishta

Si dhe shkuarjet

E lejlekëve përtej deteve

 

Po  ashtu edhe njerëzit

Si kanjushat e verdha

I presin letrat e mërgimtarëve

I presin me padurim

Mos vallë fëmijët tanë

Po shndërrohen

Në zarfe të kaltra trishtimi

 

Po kthehen

Menatë vijnë lejlekët e vetmuar

Me një grusht trishtimi

Ku presin që në atdhe të kenë një vend

Ku mund ta mbështesin

Te ndonjë zgërbonjë kokën e lodhur

 

 

KTHEHEN DHE SHKOJNË SËRISH

 

Sa herë që shkurtohen ditët

Në qyteti tim vijnë lejlekët prej letre

Fëmijët dalin rrugëve

Vrapojnë si drerët e egër

Vrapojnë e nuk ndalen në asnjë stacion

 

Përtej hapësirës së paanë

Shikojnë qiellin e ngrysur të vendlindjes

I shikojnë dyndjet e zogjve shtegtar

Dhe me lot mjellme

Si lumi dënesin me ngashërim

 

Vijnë dhe kthehen

Kthehen dhe shkojnë sërish

Zogjtë e verdhë prej letre

Një mall si një zjarr i pashuar

Herë ngre kokë

E herë bie në dy gjunjë

Mbi shpirtin e shkallmuar të pritjes

 

 

KUR ISHIM TË VEGJËL

 

Kur ishim fëmijë

Ah kur ishim të vegjël

Më së miri kuptonim atëherë

Se sa ishin të lumtura rrugët

Nën hapat tona të brishta

 

Dinim të shkruajmë letra dashurie

Gjenim fjalë të bëra prej ere

Ose i shkulnim germat

Nga dunat e rërës nëpër sytë e mjegullave

Por shkruanim letra

Nëpër zarfe të kaltra si qielli i Kosovës

 

Kurse sot ecim të zbrazët

Jemi të tërë bosh

Kemi mbetur pa fjalë

Mbase kryefjala e fjalëve tona

Qenka tretur diku me fëmijërinë

 

Ecim të mërrolur rrugëve

As të dashurat tona

Më nuk janë ato vasha të vogla

Që gëzoheshim me një karamele

Kanë ndryshuar shumë

U përngjajnë

Dëshirave të tyre të çmendura

 

 

UNË KAM HARRUAR KUR ISHA FËMIJË

 

Shpeshherë u them nipërve të mi

Se unë kurrë nuk isha fëmijë

Më rriti varfëria

Më rriti aq shumë

Sa që para kohe u burrërova

 

Në moshën time të njomë

I përngjaja lejlekëve të verdhë

Tërë ditën me një drapër të vjetër

Kositja barin e gjelbër të luadheve

 

Për një gllënjkë qumësht

Kam mbledhur gjethe akaciesh

Ditët e mia ishin të ngarkuara

Vetëm me dhembje

Unë kam harruar kur isha fëmijë

 

Ose asnjëherë nuk isha i vogël

Më rriti skamja

Armiku më mësoi se si dhe sa duhet

Me e dashtë atdheun

Ja pra pinjollët e mi të mirë

Gjyshi i juaj

Kurrë nuk ishte fëmijë

 

 

TË LUTEM MË THUAJ BIR

 

Të lutem më thuaj bir

Se nuk do t’i përngjash lejlekut të Mjedës

Nuk do të na lësh vetëm

Si qyqe mali

T’i përqafojmë këto drurë të lagjes

 

Kjo sterrë e tunxhtë

Si balsam i dendur pikon në shpirtin tim

Të lutem

O si Zotin të lutem

Mos më lërë as mos ik

I trishtuar si lejlekët në mërgim

 

Të kujtohet Bardhyli i Bardhit

Letrat e të cilit

I lexoje me ngashërim

Ai më nuk mund të na shkruaj

Nga arkivoli

S’do kthehet asnjëherë

Sepse jeta e tij në mërgim

Ishte vetëm një mashtrim

 

Të lutem më thuaj bir

Se kurrë më

Nuk do t’i përngjash zogjve shtegtarë

Shih se si kemi mbetur me nënën

Si një trishtim i paparë

 

 

EDHE GJYSHËRIT E VDEKUR

 

Nëse nuk kanë se ku të flenë

Zogjtë e ikur

Do i ftojmë të flenë me ne

Mbi drurët e ngrirë të atdheut

 

Dimrat këtu fshihen pas mjegullave

Dhe nuk janë aq të acarta

Në çdo kohë

Presin ardhjen e pranverës

Dhe kthimin e lejlekëve  të penduar

 

Një ditë po që se zbresin malet

Si lumenjtë

Do dalim shëtitoreve t’i presim kanjushat

Sepse kthimi i tyre në atdhe

Do i ringjallë

Edhe gjyshërit e vdekur

 

 

LEJLEKU

 

Atë ditë pat vetëm një ëndërr

Kur u largua lejleku im

Kurse të nesërmen

Jeta e tij

U shndërrua në një trishtim

 

 

SI ZGALEMAT E DËSHPËRUAR

 

Fluturojnë

Si zgalemat i dëshpëruar

Po rrëshqasin ditët mjegullave

Tej maleve të pafund

Po largohen zogjtë e trishtuar

 

Orët bëhen vite

E vitet shekuj prej maktheve

Zogjtë e pafat të qyqes

Si gjethet

Po shkunden nga degët e ngrira

 

Mos ndodhtë më kjo dhembje

Një kanjushë e vetmuar

Dënes mbi një dunë lotësh

Po ikin edhe turtujt e dëshpëruar

Të fatit

Po ikin zogjtë e pashpresë

 

 

NJË ZË I VEÇANTË SI PËRHERË

 

Kur i shikonim kanjushat

Nga krahët e plagosura

Pikonte trishtimi

Një zë i veçantë si përherë

Buron nga zgërbonja e shpirtit

 

Po vijnë ose po shkojnë retë

Shpërndahen mjegullat

Një ditë e zymtë mbi flatra dhembjesh

I përngjan

Zvarranikëve parahistorik

 

Pas shpine më vjen një zë

Më duket se

Është po ai zë që vjen nga thellësia

Zëri i trishtuar i kujtesës

Dëgjohet si hukamë deti

Duke u përmbytur mes shkëmbinjve

 

Vetëm një meduzë e vetmuar

Mbi një kresht të dendur uji

Me duart e plagosura të erës

Ia mbyllë të gjitha portat

E shpirtit gllabërues të shkumës

 

Prishtinë, 22 nëntor 2013

 

 

ATJE KU PËRFUNDOJNË FJALËT

 

Një pikturë e pikëlluar

Rri mbi maje të një plepit

Të metaltë

Era frynë nëpër zgërbonjën e shpirtit

Një copë e shqyer prej mjegulle

U bënë hije lejlekëve të dylltë

 

Nga një çerdhe e vetmuar

Bien në tokë ca vezë të bronztë

Tejpërtejmes së paanë

Nuk ndalen fluturimet e  zogjve

 

Meteorët e verbër

Si nëpër përralla ngarendin

Skutave të harruara të shpirtit

Lotët e nuseve të reja

Pikojnë së rrëshira

Mbi flokët e trishtuara të ditës

 

Kolona ecën në heshtje mortore

Atje ku përfundojnë fjalët

Ngre kokë kryefjala

Disa hije të njoma te murishtat

Ka kohë

Që bisedojnë me arkivolet e mykura

 

 

LATONTE TRISHTIMIN E NJË KOHE

 

Në rrugëtimin tim të gjatë

Mbi çdo çati dhe plep

Kah do që fluturova

Lash nga një pjesë të jetës

 

Kur hyra nën urën e legjendës

Së Rozafës

Pashë se si nga qumështi

I gjirit të ngurtë të historisë

Ringjalleshin njerëzit

Dhe qemerët prej guri të ftohtë

 

Një usta i hijeve të strallta

Latonte trishtimin e një kohe

Latonte me mall të pashuar

Shpirtin e një druri të murrmë

 

E muranat shikonin me nostalgji

Se si përdridhej era

Në harkun e lakuar të kohës

Dhe parakalimin e vashave

Me gjinj prej silikoni

 

 

MË FAL NËNA IME

 

Sa shumë po i përngjan ky lejlek

Ëndrrës sime prej sfinksi

Për çdo menatë

Me krahët e bardha të erës

I mbështjell si nëna foshnjën

Plagët e një dune të përlotur

 

Më fal nëna ime

Më fal

Edhe burrat qajnë

Qajnë

Më shumë se gurtë e atdheut

Çdo lot i ngrohtë njeriu

Në vete paska një trishtim

 

Më fal nëna ime

Më fal për herë të njëqind

Por nuk mund të duroj

Nuk më ka mbetur asnjë pikë durimi

Mbase edhe unë po u përngjaj

Këtyre gurëve

Që asnjëherë nuk i ndalin vajet

 

Më trembin

Si enigmat e trishtuara

Me trembin këto hije

Që zvarriten shpirtrave të ngrirë

Kjo natë e stërgjatë

Paska ngecur diku mes baladave

 

 

PASKAM MBETUR

 

O ju përgjëroj njerëz

Më nxirrni

Nga ky boshllëk i pafund

Duart dhe shpirti im

Po fundosen

Pashmangshëm po fundosen në mjerim

 

Kam mbetur si kallkanët

Mes këtyre netëve

të gjata të dimrit

Asnjë ledhatim të ngrohtë dore

Nuk ndjen lëkura ime

 

Si të dal nga kjo zbrazëtirë

E pashpirt

O ju lutem

M’i zgjatni duart e mishta

 

Nga vetullat e mia të thinjura

Pikojnë si lotët

Shtreza të ngrira prej dhembjeve

 

Kah më qon kjo udhë

E kah ajo tjetra

Kam mbetur si kërcu

Mes kësaj shkretëtire të urisë

Paskam mbetur

Si një kallkan i ngrirë dimri

 

 

NËPËR TË CILIN VEND

 

Nëno kjo kanjushë

Paska një tatuazh të verdhë në sy

Nëpër të cilin vend

Kaluan lukunitë e ujqve

Duke i shkretuar kullosat e bletëve

 

O ju lutem më tregoni

Pse ikën mbrëmë mjellmat e bardha

Ne nuk kishim ndërmend

T’i zëmë zogjtë

Moti e kemi lënë fëmijërinë prapa shpine

 

Te çezma e plakave një lejlek i vetmuar

Piu ujë

Dhe iku përtej mjegullave

Zogjtë që erdhën nga mërgimi

Kishin nga një plagë në shpirt

 

Ky shi sonte paska një tjetër trajtë

Nga sqepi i plagosur i lejlekut

Pikon dhembja e ditës

Kush i vrau zogjtë te një stinë

Kur dëneste

Me ngashërim qielli im i vjedhur

 

 

ME GJASA NJË KORB I ZI

 

Në fluturimin e parë

Një zog kaloi nëpër ëndrrën e mishtë

Të erës

Aroma e mishit të pjekur

Kishte marr me vete të gjitha fushat

 

Me gjasa një korb i zi

Kishte mbetur te përrenjtë

Kishte mbetur dhe ëndërronte

Një fluturim salto mortare

Deri në rrënjën e rrapit kryeneç

 

Një shungullimë gjethesh zbrite

Nga Lugu i Zanave

Nëpër qiellin katran një fluturim i paparë

Dolën nga nëntoka

Kalorësit e bardhë të rrufeve

 

 

TI ASNJËHERË NUK ERDHE

 

Mund të mos kthehesh sonte

I kam mbyllur të gjitha shtigjet

E fluturimeve

Më lërë të lutem

Mos e ngacmo vetminë time

 

Nuk është hera e parë

Që po përsëritet kjo uverturë

Edhe herëve të tjera

 

Kam pritur një fluturim lejlekësh

Nuk di se sa mëngjese kanë gdhi

Në pasqyrën e akullt të kujtesës

 

Ti asnjëherë nuk erdhe

As nuk ma mësove

Mjeshtrin e fluturimit

Kjo natë qenka tepër e gjatë

Kur i shtri duart kah kotësia

 

Të thash më

Nuk ke nevojë të kthehesh

Në çerdhen tënde çelën zogj të tjerë

Edhe ashtu mjegullat

Më kanë zbërthyer

Në qindra cifla gurësh

 

U bëra një pjesë e pandashme

E kësaj xhadeje

Duke pritur

Të lulëzojnë ftonjtë e ngrirë të fluturimeve

 

Prishtinë, 23 nëntor 2013

 

SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatrat Studençan të

Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e

fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe

pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja “Ngjyra e kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij.

Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës,

prezent në disa antologji dhe në librin Kosova letrare të poeteshës Monica Mureshan. Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët

Shqiptarë për fëmijë 1872 - 1995 nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit

ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë ndërsa aktivitetin letrar e zhvillon në kuadrin e Klubit letrar “Fahri Fazliu”, në Kastriot.

BOTIME TË AUTORIT

1. “Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974.

2. “Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.

3. “Çamarrokët e Thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”,Prishtinë 1996.

4. “Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997.

5. “Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë,2000

6. “Ai vjen nesër”, poezi, Qendra e Kulturës, Klubi letrar“Fahri Fazliu”, Kastriot, 2oo7

7. “Letër nga mërgimi”, poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot , 2007

 8. “Letër nga mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar , “Fahri Fazliu”, Kastriot 2007

9. “Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar ,“Fahri Fazliu”, Kastriot , 2008

1o. “Thirrje e gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2008

11. “Asgjë sikur molla”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu”, Kastriot, 2009.

12. “Vesa në lotin tim”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu”, 2009,

13. “Puthja e gozhduar”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”, Kastriot , 2oo9.

14. “Kashelasha në vargje”, poezi për fëmijë,” Qendra e kulturës, Kastriot, 2oo9.

15. “Pema e bekuar”, E përkthyer, Rumani, 2o1o.

16. “Bajraktarët e vatanit”, poezi satirike, Klubi letrar, ”Fahri Fazliu” Kastriot , 2010.

17. “Hijet e ndryshkura”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

18.”Stuhi në Kutulishte”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

19. “Posa ikte nata”, poezi, “Qendra e kulturës “, Kastriot,2010.

2o. “Loja e myshqeve”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

22. “Metafora e heshtjes”, poezi, “Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Kastriot,2010.

24. ”Sinorët e hinores”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot 2010

25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”, poezi, Shoqata  e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010

26.”Zjarri i dashurisë”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2010

27. ”Kur likenet vallëzojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

28. “Ditari në vargje”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 201O

29. “Tingujt që nuk përfundojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o1o.

3o.  “Shtegu i mallit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

31. ”Korniza e thyer”’,Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, -Kastriot, 2010

32. “Zgjimi i gjëmës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010

33. “Vallja mistike”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2010

34. ”Merre kodin”,  Poezi për fëmijë, Shoqata e shkrimtarëve Kastriot,2011

35. “ Letër atdheut” poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

36. “ Tejdukshmëria e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

37. “ Përtej teje”,poezi, Shoqata e  Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

38. “Sa afër e sa larg” , poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2011

39. “Vallja e zanoreve”, Poezi , Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

40. “Ikja e eshtrave”, Poezi për të rritur, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

41.”Kalorësit e mjegullave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2012

42. “Hingëllimat e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot 2012

43. “Kur pemët i ndërrojnë këmishët”. Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot,  2o12

44. “Mirëmëngjes Imzot”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

45. “Kafshimi i mikut”, Poezi satirike, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

46. “Atje tej maleve”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve , Kastriot-2012

47. “Heshtja që del në shesh,” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot -2o12

48. “Portat e shpresës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot-2012

49. “Në dhomën time gjysmë të errët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

5o. “Kinse Lojë Shahu”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

51. “ Për çdo dekadë nga një baladë “, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

52. “Fusha e mëllenjave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

53. “E kujt është kjo vetmi”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

54. “Mos pyet për adresën e lumit”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2012

55. “ Stoli në parkun vjetër” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

56. “Urori i stralltë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

57. “Po të mos ishte fjala”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot,2o12

58. “Thyerja e urave”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

59. “ Trokëllimat në gjumin e dallgëve”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

60. “ Në flokët e dëborës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

61. “Një grusht nostalgji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2o12

62. “ Kur filluan të flasin njerëzit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2012

63. “Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot,2012

64. “ Lisi në rrënjët e veta” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot 2o12

65. “Eca ecëm dhe do ecim”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

66. “Fëmijët e erës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot 2012

67. “ Çast në fund të stinës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot-2012

68. “Si të flas me drurët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

69, “ Më pëlqejnë mendimet e tua”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

70. ”Andej dhe këndej kohës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

71. “Zëri i heshtjes”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

72. “Kush i lexoi letrat prej erës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

73. “ Fluturimi i korbave në netët pa hënë”, prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

74. “Koha e ime dhe koha e jote”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot , 2012

75.” Diku te një baladë”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

76. “ Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

77 “ Ky def prej hëne”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

78.“Pyesni zogjtë në ikje ”,Poezi , Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot 2013

79 “ Fërfërimë gjethesh”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013

80. “Refrene yjesh”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

81. “Te delta e mjellmave”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013

82.“Rinjohja”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

83.“Diku në fund të një fillimi”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

84.“Makthi i hijes”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-“ Fahri Fazliu”Kastriot, 2013

85.“Një zog prej uji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot

86.”Asnjë fjalë nuk frymon”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, “Fahri Fazliu” Kastriot, 2013

87.”Daullet e një nate”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot ,2013

88.”Sytë e gurtë të erës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot, 2013

89.”Kur dehen perënditë” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot ,2013

90. “Fjetëm njëqind shekuj”Prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot , 2013

91.”Krakëllimat e natës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot, 2013

92. “Ndjekësit e enigmave”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot ,2013

93. “Atdheu i paçmuar”Poezi, Shoqata e  “ Fahri Fazliu”s Kastriot, 2013

94.”Psalm i harruar ”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”Kastriot 2013

95,”Për kë po bie moj kambanë”, Poezi  Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”-Kastriot, 2013

96. “Mbi flokët e ullukëve”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot 2013

97. “Menatë vijnë lejlekë”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” Kastriot 2013

 

PËRMBAJTJA

Askush nuk fle sonte - Cikli i parë .................... 19

Më lërë të vdes ...................................................... 21

Kur egërsisht puthim ............................................. 22

Duart e tua ............................................................. 24

Dhe ata të tjerët ..................................................... 25

Mbi shpatullat e rrapeve ........................................ 27

Kur tërbohej era .................................................... 28

Të gjithë këtu ........................................................ 30

Vetëm shatërvani i vjetër ...................................... 31

2. ............................................................................ 32

Si të çmendur trokasin .......................................... 33

2. ............................................................................ 34

Kur janë të uritur fëmijët ....................................... 35

Një njeri mbase i uritur ......................................... 37

Ecjet i kanë të ngathëta ......................................... 39

Kur perëndon dielli i fundit ................................... 40

Askush nuk fle sonte ............................................. 41

Dhe një njeri i vetmuar ......................................... 42

E cila po kafshon ................................................... 43

Sa jemi larg njëri tjetrit ......................................... 44

Pa titull  ................................................................. 45

Kuajt e mi të bardhë - Cikli i dytë ..................... 47

Një këngë e bardhë ................................................ 49

Të varfrit e qytetit tim ........................................... 50

Vazhdon po ai refren ............................................. 52

Kuajt e mi të bardh ................................................ 53

Nuk marr dot frymë pa ty ...................................... 55

Duart e mia ............................................................ 56

Sepse e nesërmja ................................................... 58

Si çafkat e sëmura ................................................. 59

Zogjtë e ikur të mendjes .......................................  61

Si devetë e shkretëtirës .......................................... 62

Shtëpia ime ............................................................ 64

Për ta mbërri fundin .............................................. 65

Mos të lutem mos thuaj ......................................... 67

Nga barra e mëkatit ............................................... 69

Barra që mund ta mbaj sonte ................................ 70

Cili do qofsh ti ...................................................... 71

Si një mallkim i hershëm ...................................... 72

Kur nuk vjen ti ...................................................... 73

Sivjet për herë të parë ........................................... 74

Me plagë të pashëruara ......................................... 75

Kur ishim të rinj .................................................... 77

Një ditë .................................................................. 78

Menatë vijnë lejlekët - cikli i tretë  .................... 81

Menatë vijnë lejlekët ............................................. 81

Kthehen dhe shkojnë sërish .................................. 83

Kur ishim të vegjël ................................................ 84

Unë kam harruar kur ishim fëmijë ........................ 86

Të lutem më thuaj bir ............................................ 87

Edhe gjyshërit e vdekur ........................................ 89

Lejleku .................................................................. 90

Si zgalemat e dëshpëruar ...................................... 91

Një zë i veçantë si përherë .................................... 92

Atje ku përfundojnë fjalët ..................................... 93

Lotonte trishtimin e një kohe ................................ 94

Më fal nëna ime .................................................... 95

Paskam mbetur ...................................................... 97

Nëpër të cilin vend ................................................ 99

Me gjasa një korb i zi .......................................... 100

Ti asnjëherë nuk erdhe ........................................ 101

Katalogimi në botim – (CIP)

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”

 

821.18-1

Zaplluzha, Adem

Me natë vijnë lejlekët  / Adem Zaplluzha.  - Kastriot : Shtëpia Botuese  “ Fahri Fazliu”, 2014. - 113 f. ; 21 cm.

Shënime biografike për autorin : f. 103-111

ISBN 978-9951-664-16-5



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx