E diele, 28.04.2024, 09:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Irena Gjoni: ''Çast vejushe''

E enjte, 29.05.2014, 07:59 PM


"ÇAST VEJUSHE"

NGA IRENA GJONI

Unë po skicoj krahët e mi në një mërmëritje të dehur. Forma boshe poshtë diellit si pluhuri i erës në një mëngjes tjetër, duket si ditë e zezë. Sa ditë e lodhshme! Ndjeva pavarësinë nga realiteti dhe mendova se unë nuk do të vdisja kurrë. Me buzëqeshje dhe zemër të thyer njerëzit vrapojnë në kohën e tyre, në një kohë të lodhur nga vuajtja. Lule të egra që mbijnë në qiellin blu nga mërzitja e realitetit.

Sonte në këtë obsesion, vajtimet janë bërë kënga e lirisë së shpirtit. Uau... më duket vetja e sëmurë të jetosh jetën me këta fëmijë të egër dhe këto gra të frikshme. Është bërë si një kopësht i mbyllur me pasiguri dhe djallëzi. Në këtë kopësht vdekja bëhet engjëlli i shpirtrave tanë dhe na jep krahë që ne të fluturojmë mbi retë e çoroditura. Duke ecur në shoqërinë e vetes, ajo të kujton një reminishencë nga e kaluara e afërt dhe përpara syve të mi, verbëria e realitetit trondit qenien e pafajshme në këtë botë pambarim.

Po unë po bie derisa të prek në tokë.

Unë mund t’ju them se pse shtrihem përtokë. Të gjithë mund të pyesin veten se pse i pëlqen të rrijë vetëm. Ndoshta vërtet kanë humbur kontrollin. Duke vrapuar drejt hënës, dëgjohen të qarat e dallgëve të brishta dhe të kuptojnë se si vuan shpirti i njeriut, kur bindesh se një pjesë e tij ka ikur tutje në shtëpinë e ftohtë ëngjëllore.

Sa larg u shtri ky vështrim! Në sa agoni ndeshi ai! Nga një anë prehet mendimi se çdo gjë është e bukur, e mrekullueshme dhe në gjunjët e këtij mendimi, shtrihen vuajtjet që të bëjnë të pyesësh dhe të tretësh veten deri në fund.

Ditë pas dite e gjithë dhembja e urrejtjes dhe dashurisë fle si gur në zemrën e mbushur me vajtim.

Në gjithë presionin e kësaj bote gënjeshtare të bën suprem. Si një gjarpër i vrerosur zilie mbyt të vërtetën dhe si errësira vret ditën, njerëzit i vjedhin shpirtin njëri - tjetrit dhe bëhen të tërë të vuajtur. Secili është zot në zbrazëti. Por disa zbrazëtinë e mbushin me iluzione dhe imazhe që burojnë nga moraliteti i kotë. Dhe duke u ngritur në rutinën e tyre, djegin të vërtetën, mbjellin urrejtje dhe vdekje. Në universin e plagosur nga vdekja - e vërteta, jetojnë ato që mund të jetojnë.

Sa më thellë të zhytesh në humnerën e realitetit, aq më shumë robërohesh prej tij dhe në fund të humnerës vajtimi që del nga trupi është: “Ndihmomë të arratisem nga kjo ekzistencë. Unë pres përgjigje. Mund të më ndihmosh?” Dhe pas shumë vjetësh jete dhe pas shumë kohësh ëndërrime, duke u mbytur në një det ëndërrimesh dhe iluzionesh, ndoshta rruga e shpëtimit do të ishte vërtet arratisja nga ekzistenca e vërtetë...



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora