E shtune, 27.04.2024, 08:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Hysni Ndreu: Uni poetik si shenjë unike

E diele, 01.06.2014, 05:11 PM


UNI POETIK SI SHENJË UNIKE QË ZBULON VLERAT E VËLLIMIT “QYTETI I LUTJEVE” TË REXHEP SHAHUT

NGA HYSNI NDREU

Përmbledhja “Qyteti i lutjeve”, që përfaqëeson librin e katërtë të autorit, në të gjithë hapësirën e teksteve që shpalon, përveç shenjave të dukshme letrare, në marrëdhënie me vargun, i cili anësohet nga vargu i lirë, fjalën, me ekuilibrin ndërmjet thënies dhe shprehësisë, ta tërheq vëmendjen sidomos për praninë e unit poetik, të ndërlikuar e të hapur, dhe që krijon situatën e marrëdhënies, sidomos ndërmjet dy tiparesh mbizotëruese:

Së pari: Identifikimi i unit lirik dhe qytetar, i rrokjes së gjerë të gjithë problematikave sociale, i kritikës së hapur, i bashkëshkrijes së unit të poetit me fatin e shoqërisë dhe qenies shqiptare, kudo që ajo mbijeton në hapësirat e Ballkanit. Kjo vihet re në një mori poezish, si te ato me titull: “bulevardi i mbretit”, “jam i lirë të vdes”, “fluturoi pa leje një kometë”, “orakull”, “çfarë të bëj me veten” etj., si dhe në mënyrë të veçantë te poezia “të guxosh”, në të cilën, kjo lloj lirike shënon një përmasë krejt kualitative. Sa i përket lirikës në fjalë, objekt poetik i saj bëhen një varg problematikash që hasen në përditshmëri, si dhe një sërë mangësish të ndryshme, të cilave poeti u qaset në një mënyrë të hapur e të sinqertë, por edhe me një ndjeshmëri të theksuar lirike e shprehësie poetike.

Së dyti: Identifikimi i unit lirik intim, që vjen përmes një spektri të pazakontë ndjenjash dhe rrezëllimash lirike, duke na shpërfaqur kështu një marrëdhënie të larmishmërisë së jetës erotike, të bashkëbisedimit dhe dialogut ndërmjet dy qenieve të ndryshme dhe të ngjashme, që lidhin shpirtin, trupin, zemrat. Edhe kjo prani e unit lirik, tipik erotik, është një situatë që vihet re dukshëm në disa poezi, të tilla, si: “ti je prej uji”, “ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur”, “historinë e shpirtit tim”, “krijimi i diellit”, “krijimi i natës” etj., por që e arrin kulmin në poezinë “më ka marrë malli”.

Me këtë vëllim, poeti i ka zgjeruar edhe më tej përmasat e lirikës intime në letërsinë shqipe, duke na hedhur në shtigje poetike pak ose aspak të njohura më pare, sidomos në lirkën e pas viteve ‘90. Uni lirik i dyfishtë, qytetar dhe intim, shpërfaq një tipar të poezisë së ndërlikuar, të bashkëshkrimit të problematikës së fatit të njeriut, të shoqërisë dhe individit, që të shpie te poezia e angazhuar, me poezinë erotike, pra me lirikën e pastër, që e shpërfill angazhimin. Kjo situatë shënon një nga tiparet e dalluara të ekzistencës së unit poetik, por edhe të formësimit të një poezie qytetare në thelbin e vet, në domethënie, në shprehësi e, mbi të gjitha që kërkon të bashkëjetosh fatin e ligjërimit, pra, përjetimin poetik ta marrësh si të tillë, si shenjë të ndërlikimeve që ka jeta qytetare. Një përkujdesje të veçantë tregohet edhe ndaj mënyrës se si janë organizuar poezitë, si janë konceptuar strofat, e vargjet, ku vihet re një ndërthurje ndërmjet poezisë, poemës, distikut më shpesh e triptikut më rrallë, me sa duket për të krijuar një larmishmëri llojesh, jo vetëm duke krijuar, eksperimentuar me forma të ndryshme, por edhe duke shmangur monotoninë, që mund të ndiente lexuesi nga përdorimi i vetëm një lloji poezie. Një rol të rëndësishëm, në hapësirat e teksteve, luajnë edhe përsëritjet, të cilat përbëjnë një nga veçoritë kryesore stilistike të poezisë së autorit. Ato na vijnë jo vetëm si anafora, por edhe si asonanca e konsonaca, si për shembull në vargun: “Një korb si kob krrokon korbnisht”. Nëpërmjet përsëritjeve janë krijuar harmoni imitative tingujsh, fjalësh e shprehjesh, të cilat jo vetëm e përveçojnë vargun për nga origjinaliteti, por edhe pasurojnë nëntekstin semantik dhe sidomos emocional të poezisë. Në këtë mënyrë, strofa e poezisë shqipe begatohet edhe më tej, jo vetëm se vargjet, fjalët, na vijnë të kursyera deri në kufijtë e fundmë, por edhe sepse vlerat estetike të këtij vëllimi dallojnë për një mjeshtëri të pazakontë në mënyrën e qasjes, për fjalën e zgjedhur, mënyrën e përdorimit të gjuhës, stilin apo figuracionin. Madje, për të zgjeruar diapazonin e standardit, autori përdor trajta gjuhësore të gegnishtes, ku më shpesh bie në sy përdorimi i formës së pashtjelluar të foljes, i paskajores, duke e bërë edhe më të larmishme e më stilistike mundësinë e shprehjes. Ato e pasurojnë poezinë me kuptimësi figurative, i shtojnë një tjetër përmasë semantike dhe e bëjnë më lakonike fjalën e përdorur, duke qenë se bartin ngarkesa emocionale të fuqishme. Po ashtu, duket se të njëjtin qëllim ka edhe përdorimi i dy llojeve të vargut, i atij të lirë dhe i atij me rimë, duke ecur kështu jo vetëm në hullitë e poezisë moderne, por edhe të asaj tradicionale. Një tjetër veçori e poezisë në fjalë është se autori ka vendosur të qëndrojë larg abstraksionit poetik apo hermetizmit, jo se kjo mungon, por poeti e ka zbritur në një nivel racional-analitik. Duke iu shmangur kësaj lloj poezie, lexuesit i hapen shtigje për argumentime më të sakta, më bindëse, por njëherësh, sendërtohet një poezi me një nëntekst të pasur figurativ dhe mjaft emocional, me një figuracion në dukje të thjeshtë, por që bart mesazhe në nëntekst e kontekst dhe që të fton për lexim e rilexim.

Nisur nga këto tipare të pranishme në poezinë e librit, mund të themi se autori ka krijuar një poetikë krejtësisht të vetën, me veçori të stilit artistic, që e dallojnë atë jo vetëm nga përftesat semantike, stilistike e të pasura në kuptimësi, por edhe me nota lirike dhe vlera të larta estetike, duke siguruar kështu një komunikim edhe me lexuesin e nesërm. Si përfundim, do doja ta mbyllja me dy vargje të shkëputur nga poezia me titull “më ka marrë malli”, ku ndër të tjera, poeti i drejtohet asaj duke i thënë: “U binda nga ti për një të vërtetë të thjeshtë / Fitohet çdo betejë në jetë, qëllimin veç ta dish”. Mendoj se me ketë vëllim poetik, poeti për të cilin jemi mbledhur sot e ka pasur të qartë jo vetëm betejën që ka nisur, por edhe qëllimin e saj. Dhe, e ka fituar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora