E shtune, 26.07.2025, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Patlixhanat

E premte, 30.05.2014, 07:32 PM


PATLIXHANAT

Tregim nga Sami ISLAMI

Ishte ditë pranvere. Mala ishte zgjuar heret si zakonisht, po sot, për ndryshim nga ditët e tjera, që shkonte në ara, ai ia kishte mësyer qytetit. Ai shkonte atje pothuaj çdo ditë tregu, sepse, hlbete, do të punonte, e ndoshta  do të fitonte diçka. Atë ditë fitoi pak të holla, veç sa për mos me u kthy me duar bosh, si thonë. Me t’u kthyer në shtëpi i bleu dy kilogramë  patlixhana. Ishte mesi i  sezonës së pranverës. Patlixhanat  s’kishin dalë ende në Lugajë, po as në rrethinë. Ato mund të gjendeshin vetëm në treg. E vërteta ishte se në atë mesosezonë  patlixhanat  konsideroheshin , si të thuash, “luks” për një pjesë të madhe të popullsisë.

Mbrëmja po afrohej. Mala me një frymë arriti në stacion të autobusëve,  e mori biletën dhe u fut disi në të, i cili pothuaj ishte mbushur.  Vende  të lira  për t’u ulur as që mund të bëhej  fjalë. Përveç kësaj  edhe korridori në mes të dy rendeve të karrigave ishte plot. Megjithatë, autobusi  vazhdonte të mbushej. Mala po qëndronte  në korridor në mes të rreshtave, duke i mbajtur  në duar patlixhanat që mos t’ia shtypnin udhëtarët. Autobusi u mbush  aq shumë, sa kishe përshtypjen, se  udhëtarët s’do të mund të lëviznin dot, as majtas, as djathtas; as para, as prapa! Njerëzit  qëndronin afër njëri- tjetrit si peshqit në konzervë, si thonë! Edhe pse  disa dritare  ishin të hapura, nga numri i madh i udhëtarëve,  të zihej  fryma! Shumë afër, aty  ku ishte  Mala,  e pa  Can tyxharin, kusheririn , të cilin e quanin “aga”. Ai, me gjasë  kishte ardhur më heret, prandaj kishte zënë vend dhe po bisedonte rehat  me një zotëri, i veshur  rroba të zeza, plis të bardhë e jelek, ku vërehej  ora e xhepit me çystek.

Aga Can e shikoi fluturimthi Malën  dhe vazhdoi bisedën. Ai e kishte  zakon që kur fliste, ta dëgjonin edhe të tjerët, prandaj edhe fliste me zë të lartë. Në një moment, derisa  ishte duke biseduar me mikun aga Can e vërejti nga  afër Malën se  po  mbante me kujdes  në duar një qese me patlixhana dhe  sigurisht për t’u lavdëruar te miku, nga  mendjemadhësia, apo thjesht për t’u treguar si njeri  bamirës, iu drejtua atij:

-           A po e shef këtë njeri këtu?

-           Po.- i tha miku.

-           E kam akraba, prandaj ia bleva këta patlixhana, se s’ka hangër ende sivjet!

-           ?!

Miku e shikoi me habi  agën Can, sikur donte t’i thoshte “Po kjo  çfarë lidhje kishte me  bisedën, pastaj edhe nëse ia paske ble, pse po më tregon ti mu? “, po nuk foli  gjë. Mala e lexoi qartë në  fytyrën e mikut sikur donte t’i thoshte „Or zotni kjo që po ban ti nuk asht njerëzore!  Edhe në qoftë se vërtetë  e paske ndihmu, ndihmë quhet  kur i jep dikujt  diçka me dorën e djathtë, pa e pa dora e majtë, e jo me ia thanë atij dhe neve kështu publikisht!“

 

Mala e dëgjoi Canin  çfarë i tha mikut, por edhe të tjerëve  për patlixhanat. U ngushtua shumë .  Iu errësuan sytë. Iu duk sikur  gjithë autobusi i ra mbi kry. Thjesht u bllokua nga ky rast i papritur. Kurrë s’ia kishte marrë mendja se kusheriri do ta fyente ashtu, edhe pa asnjë arsye se!  Një mendje i thoshte: „Jepja për fytyrë të gjithë patlixhanat Can tyxharit, se ky këtë e meriton“. Një tjetër i thoshte: „Jo, ma mirë me ia heq maskën  në sy të mikut  dhe të gjithë të tjerëve në autobus, e me ia qitë rrenën në fushë, se patlixhanat nuk i kishte ble ai, por i kisha ble vetë me paret e mia!“. Po Mala nuk e bëri as njëren e as tjetrën. E la. E dinte që ai ishte bashkëpunëtor i pushtuesit dhe ku ta dijsh, ndoshta reagimi i tij do ta  acaronte më shumë situatën. Se ky kishte fuqi  t’i bënte ndonjë të keqe pastaj. Ashtu mendoi.   S’i tha gjë,  edhe pse nga ky poshtërim  veç timi sa  nuk i dilte.  Mala i vërejti se edhe udhëtarët që ishin përreth e  vështronin tregtarin   me shikim përbuzës, po për çudi askush nuk reagoi. Nuk reagoi as ai zotria.

Në autobus bëhej vapë e padurueshme, po për Malën vapa më e madhe po i vinte nga brenda! Djersët i shkonin vadë. Mezi priste të ndalonte  autobusi, të dilte në ajër të pastër  dhe të çlirohej nga ky ankth.

Më në fund  autobusi  arriti  në stacion. Në mesin e shumë  udhëtarëve  zbriti edhe  Mala. As vetë nuk e mori vesh se si u gjend  në rrugën e fshatit. Hapat i ndërronte me shpejtësi, sikur të ishte vonuar për ndonjë takim të rëndësishëm. Një energji e papërshkruar po  e shtynte përpara! Nuk shikonte as majtas as djathtas. Shikimin e kishte  fiksuar diku dy-tre metra përpara...

Dielli veç sa s’kishte perënduar, por nga nxehtësia që po ndiente në trup, i dukej sikur të ishte mesi i ditës! I ngarkuar  emocionalisht  as nuk shihte  as nuk dëgjonte! Nga nervoza madje nuk i dëgjoi  që e  kishin përshëndetur as  disa fshatarë. Ata madje, sikur u habitën me të, nga se nuk kishte ndodhur përpara që dikush ta përshëndeste e ky të mos i përgjigjej.

U fut në shtëpi i djersitur, i lodhur, por mbi të gjitha i nervozuar sa s’ka. Gruas ia dha patlixhanat dhe vetë u ul për pak  në pragun e shtëpisë përdhese. Freskia e mbrëmjes dhe një gotë ujë e sollën  pak në vete. Gruaja e vërejti se diçka nuk ishte në rregull me Malën, po aty për aty nuk deshi ta bezdiste. E la të pushonte pak. E vërteta ishte se Mala kishte nevojë të madhe  t’i tregonte dikujt atë histori, e cila rëndonte mbi të  sikur ta mbante kodrën e Lubotenit   mbi supe! E kujt do t’i tregonte? T’i tregonte  gruas nuk deshi, vëllait poashtu. Vendosi t’i tregonte djalit tij të madh, Fatmirit, që shkurt e thirrnin Miri,  me të cilin bisedonte hapur për shumë gjëra. Ai u prek  gjithashtu  dhe  deshi të shkonte  e ta bënte për një pare  tyxharin, po Mala nuk e la.

-„Hajt se do t’i vjen rendi se tash për tash nuk ban- i tha. Ai ende punon për  pushtuesin dhe mund t’ju baj ndonjë të keqe juve, se mu s’ka çka më ban tjetër përveç kësaj që bani- e këshilloi djalin. Se po të ishte ashtu unë vetë kisha me ia thanë në autobus! A e keni pa se sa shpesh shkojnë policia  vetëm  në shtëpi të tij? Krejt fshati e dinë punën e tij po nuk po guxojnë me folë për te.“

Pas kësaj bisede me djalin Mala u qetësua pakëz. Pasi  piu edhe një ujë të ftohtë, u shtri mbi shtratin gjysëm  shtruar me  kashtë e gjysëm  tokë, që e ndante një  dru i gdhendur  dhe i lëmuar. Qëndroi  ashtu për një kohë sa  të çlodhej pak.

***

Vitet po kalonin.  Mala vazhdonte jetën e tij. Bashkë me gruan i kishin rritë, ashtu si mundën,  fëmijët, të cilët tashmë nuk ishin fëmijë. Ishin bërë burra. Dy djemtë e mëdhej kishin mbaruar universitetin, të tjerët  vijonin shkolla të larta ose  të mesme. Me një fjalë të gjithë fëmijët e Malës shkonin në shkolla. Ishte koha kur në Dardani filluan të frynin erëra demokracie...

Në anën tjetër  klasa e agallarëve, së cilës i përkiste edhe aga Can tashmë po  i takonte të kaluarës. Me një fjalë filloi të ndryshonte gjithçka. Can tyxharit dalë nga dalë   filloi  t’i binte autoriteti. Koha e tij s’ishte më. Nuk ishte më ai Cani që luante me  para duke i mashtruar njerëzit e varfër! Nuk ishte më ai  Cani që bënte para,  duke bërë be rrejshëm    kuran e në  zot. Nuk ishte më  ai Cani  që nëpër dasma u hedhte  këngëtarëve  njëmishe për kënaqësinë që i jepnin ata  kur atij ia përmendnin emrin, me  „iu rritë ndera Can tyxharit“ ! Shokët iu larguan. Tani filloi të shkonte më shpesh në xhami. Aty nisi të gjente ngushëllim! Nisi të bëhej i rregullt. Lutej dhe falej  ndoshta për t’i larë  gjynahet,  që i kishte të panumërta!.

***

Mala kishte shpirt  të çiltër. Edhe pse  ia dinte  të këqiat e Canit, nuk kishte dashur të hakmerrej. „Zoti  do të hakmerret në te „ i thoshte shpesh herë vetes. Po djali i madh i  Malës, Miri,  ishte betuar se pa ia marrë fytyrën Canit nuk do ta lente. Se  nuk bënte që ai të shkonte nga kjo botë pa i la borxhet.

Një ditë bëhej dasëm në Lugajë. Ishin fuar miq nga gjithë rajoni. Në odën e burrave kishte plot mysafirë. Ishte  edhe  Can tyxhari. Dikush nga të pranishmit i foli:

-Pa na trego diçka  aga Can se ti din shumë, se ke dalë shumë!

-Paj s’po di  çka me thanë, valla bre burra, po ju e dini se puna e tyxharit të jep mundësi  me shetitë gjithandej vilajetit. Kam pa e kam përjetu gjana te ndryshme, po edhe i kam ndihmu këtij populli, sa kam pasë mundësi! -tha.

Mirit i erdhi në shteg t’ia  thoshte atë që aga Can ia kishte bërë babës së tij. Ai  e mori fjalën atje nga fundi i odës dhe tha:

-Mirë e ka aga Can se i ka ndihmu  njerëzit, po ndihmën ma të madhe ia ka ba kusheririt të tij e babës tem! Ia ka pasë ble një herë   dy kilogramë patlixhana!?

Të gjithë u kthyen kah djali si me çudi. Çka ishte puna e patlixhanave? Kurse aga Can , sikur të donte ta përhupte këtë, tha:

-Leje ti punën e patlixhanave. S’asht kurgja ajo! Te je i ri e nuk i din kurgja për mu! Sa të mira kam ba, ju e dini vetë, mu nuk më kujtohen  se sa besa?

- Për ty , ndoshta edhe nuk  asht kurgja, ose nuk të kujtohen, po mbasi ra fjala  po i tregoj të gjithëve këtu „bamirësitë“ e agës  Can! Të kujtohet, atëherë kur e skuqe Malen , babën tem, ndër sy të mikut tand  dhe  udhëtarëve të tjerë në autobus kur ti  the „ Ia kam ble këtij  akrabasë këta patlixhana se sivjet s’i ka kërku hala. Ti  din shumë mirë se ata patlixhana i ka  pasë ble ai vetë e jo ti. Paj bre edhe me ia pasë ble, një njeri i ndershëm si ti që po thue se ke ba shumë të mira, këto gjana s’i ban! Dhe kujt ia bane një kusherini, që askujt dreq me gojë kurrë  s’i ka thanë! Marre të kesh!

-A ty të doli rendi me folë a?!- tha  Cani, sikur nuk dëshironte të shkonte më gjatë kjo punë. Po  nga turpi një qehre i shkonte e një tjetër i vinte.

-Po,  tha Miri, dhe  do të flas t’iu tregoj të gjithve se kush  asht  Can tyxhari?!

Pas këtyre fjalëve  të gjithë  çka ishin prezentë, mbeten si të shtangur.  Edhe pse shumica në odë e njihnin se kush ishte  Cani, e shikonin njëri-tjetrin sikur nuk mund të besonin se edhe këtë  e kishte bërë  ai?

-A për nime kështu ia ke ba Males, i tha ai që e pyeti për herë të parë  për të folë diçka?

Aga Can i zënë ngusht  vetëm e lëvizte kryet herë majtas, e herë djathtas dhe po mendonte „Po edhe kjo m’u desht! Kurrë s’kam besu  se ky ka mujt  me ma thanë këtë në fytyrë, bile edhe  në prani të gjithë këtyre burrave! Ky  nuk po më njohka hala“

-Po veç kam ba hajgare,-  tha !

-Kjo nuk asht hajgare  aga Can!- i tha  Miri.

Tani  Can tyxhari e pa veten edhe më ngusht. Ishte  skuqur në fytyrë. Nuk shikonte më njeri në sy. Uli kryet  dhe e ndezi një cigare. Mollëzat e faqeve plot rrudha dhe të lëshuara teposhtë i dridheshin. E humbi krejt kontrollin  dhe  duke tërrfatur iu drejtua një të riu që shërbente në odë:

-M’i sjell këpucat se dola! Kam një punë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx