E diele, 28.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Poezi nga Lord Xhorxh Bajron

E diele, 01.06.2014, 05:54 PM


LORD  XHORXH  BAJRON (1788-1824)

Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj

 

SOT  JAM  TRIDHJETË  E  GJASHTË  VJEÇ

(Misolongji, 22 janar 1824, pak kohë para se të vdiste)

 

Po e mbaj zemrën fort mos më tronditet,

Kur të tjera zemra i ndalën trokitjet,

E megjithëse nuk më dashurojnë

Lermëni të dashuroj!

 

Ditët e mia u zverdhën një nga një;

Lule e fryte dashurie nuk ka më;

Brenda thellë në shpirt më janë:

Krimb-vreri dhe brenga shafran.

 

Në gjoksin tim një zjarr i strukur

Si ishull vullkanik i përgjumur;

Dhe nuk ndez dot asnjë pishtar

Jam i pakalluri në varr.

 

Largoj tej vetes me përçmim,

Shpresën, frikën, zilinë,

Por dhimbjen e të madhen dashurinë

Shtrënguar i mbaj fort.

 

Veç nuk është as kështu, as këtu-

Më parë të shkundej shpirti im, jo tani,

Kur Lavdia përkëdhel me dashuri

Heronjtë e rënë për liri.

 

Një fushë lufte, shpatë e flamur,

Lavdia e Greqia vështrojnë përreth,

Spartani i armatosur që në djep

Me vargonj po merr e jep.

 

Zgjohu! (jo Greqia-ajo s`ka gjumë!)

Zgjohu, shpirti im, në dej ke gjak

Duhet bërë edhe më shumë

Për të marrë hak!

Larg dëshirave të vogla

Të njeriut pa vlerë!-Buzëqeshjet

A s`janë njësoj me ngërdheshjet

Bukuria është gjetkë.

 

Nëse të dhimbset rinia, përse jeton?

Kjo tokë e vdekjes me nder

Atje në sheshmejdan të fton

Dhe frymën ty ta merr.

 

Ç`gjë tjetër mund të kërkosh

Përveç një varr ushtari,

Aty të shtrihesh të pushosh

I kositur nga zjarri.

 

 

STROFA  PËR  MUZIKË

 

As e them dot, as e shkruaj, as e pëshpëris emrin tënd;

Gërmat e trishtuara më duket sikur i lëndoj:

Veç lotët që më bien në faqe më zhytin në të thellat

Mendime që rrinë heshtur pas zemrës.

 

Sa të shkurtëra e të gjata njëkohësisht

Ato orë-mos na ndau gazhidhërimi dyfish?

Ne do ia falim njëri tjetrit, do e këputim zinxhirin-

Do ndahemi, do ikim larg e do ta lidhim prapë!

 

Oh! Ti paç gjithnjë hare, unë vetëm qortime!

Më fal e adhuruar! Braktismë po të mundësh;

Me siguri zëri jot do të nemitet patjetër,

Nuk do të thyhem kurrë çfarëdo që të më bësh.

 

Sa i ashpër jam me të liqtë, aq i butë jam me ty

Shpirti im në pikëllimin më të zi do bjerë;

Ditët ikin shpejt dhe minutat trokasin ëmbël

Ty të kam kaq pranë, por fjalët i kam ndër këmbë.

 

Një psherëtimë prej teje, një vështrim dashuror,

Do më largojë ose afrojë, do më shpërblejë a mallkojë;

Ata zemërgurët do habiten nëse do braktisem-

Buza jote do t`ju përgjigjet jo atyre, por shpirtit tem.

 

 

XHON  KIC

 

Kush të vrau, o Xhon Kic?

Ti ishe vërtet artist

Unë them `E Përkohëshmja`

Ajo e egra dhe e poshtra.

 

Kush qëlloi me shigjetë?

Milmani-ai prifti poet:

(Gati të vrasë çdo njeri

Apo Bërou, ndoshta Sauthi.

 

(Bërou, Milman, Sauth-poetë të kohës)

 

 

KUR  U  NDAMË  NE    DY

 

U ndamë ne të dy

Në heshtje e lotë.

Nuk u pamë me sy

Zemrat copë-copë.

Ti e zbehtë meit

Puthja jote e ftohtë

Mbeta kandil pa dritë

Malldjeguri në botë.

 

Vesa mëngjesore

Më ka lagur ballë,

S`të kap më përdore:

Jam akull e uj` valë.

Premtimet u shuan

Fluturuan n`erë

Emrin tënd përflasin

Të quajnë pa nder.

 

Sa dëgjoj emrin tënd,

Më pikon thellë në shpirt;

Diç më shpon tej e tej

Pse ishe aq e mirë?

Njerëzit e dijnë

Shumë të desha ty

Dhe të njohin mirë:

Sa vlen kjo për të dy.

 

Fshehur u takuam

Po vuaj në vetmi

Të ta harroj zemrën

Si të dyshoj për ty?

Po të të takoj

Pas shum` e shum` vjete

Do të të përshëndes:

Me lotë dhe heshtje.

 

 

GRUAS

 

Grua! Përvoja më ka rrëfyer se të gjithë

Duhet të të duan, janë të detyruar,

Sigurisht përvoja duhej të më kish mësuar

Se premtimet e tua të zjarrta janë hiç;

Për përballë joshjeve të tua të ëmbla

Harroj çdo gjë, vetëm të adhuroj ty.

O Kujtesë! Ti qofsh përditë e bekuar,

Isha i mbushur përplot me shpresë,

Por sa të mallkon çdo i dashuruar

Kur shpresa venitet, pasioni mbaron!

Grua, gënjeshtare, e bukur lozonjare

Djelmoshat hidhen për ty në zjarr,

Si na vërshen gjaku kur për herë të parë

Shohim sytë e tu xixëllonjës të kaltër

Që lëshojnë shkëndia guri të rrallë

O, sa shpejt i zemë besë çdo fjale

Dhe i gjunjëzohemi betimit tënd

Gënjehemi sikur do vazhdojë përherë

Medet! Ti ndryshon që të nesërmen

E kështu do të ndodhë përngaherë

`Grua! Betimet i shkruan në rërë!`

 

 

  PYETËN  SE  KU  ISH  FILLIMI  I  DASHURISË

 

`Fillimi i dashurisë` - Ah, përse

Më bëni këtë pyetje mizore.

Kur mund ta lexoni në shumë sy

A nuk fillon sapo të shoh ty?

 

As dua t`ia di për fundin e saj

Zemra s`më ndjell keq, frika ikën larg.

Ajo vjen heshtur me dhimbje pa fjalë

Por jeton- gjersa të jem gjallë.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora