E merkure, 01.05.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Një engjëll vjen në gjuhën shqipe

E enjte, 05.12.2013, 08:06 PM


Një engjëll që vjen në gjuhën shqipe me flatrat e mendimit

(Vështrime mbi librin “Heshtje te pafejuara” të poetit Dumitru Ichim)

Nga Fatmir Minguli

Vëllimi bilingv i poetit Dumitru Ichim “Heshtje të pafejuara”, është një univers i veçantë poetik që e pajis lexuesin me mendime interesante mbi jetën, vdekjen dhe dashurinë. Të shkruara me një intelektualitet sipëror, poezitë e këtij libri paraqesin portretin e vetë  autorit, një portret brilliant që shfaqet nëpër faqet e librit në disa pamje, në dritë e në hije, në heshtje e në ngazëllime. Me të drejtë Dumitru Velea  cili ka bërë parathënien e kësaj vepre, i jep një rëndësi të madhe “harresës” duke e trajtuar atë me një theks të spikatur në sensin e kritikës estetike. Dhe jo vetëm kaq! Harresa si një kategori thuajse filozofike, e përshkon çdo poezi me shumë delikatesë, herë në dukje të plotë e herë në një lloj fshehtësie .

Libri “Heshtje të pafejuara”, i përkthyer me mjaft elegancë në gjuhën shqipe nga Baki Ymeri, vjen para lexueve shqiptarë, kudo që ndodhen, krejt original, plot ritëm, mendim e muzikalitet poetik. I ndarë në katër kapituj kuptimplotë dhe të emërtuar përkatësisht: “Gjuha e harruar e dritës”, “Poemë për Floryn”, “Shpirti i shenjtë”, “Vetmia e ëngjëllit”, ky libër i ri poetik mëton të lejë gjurmë në mendjen e lexuesve të të gjitha kategorive. Prandaj, pa e tepëruar, mendoj se përzgjedhja e këtij libri për lexuesit në gjuhën shqipe nga ana e përkthyesit, i jep veprës një rëndësi të vaçantë, që paraqet origjinalitet dhe ekuilibrin mendimtar të poetit Dumitru Ichim. Kaq i vërtëtë është ky konstatim sa që mjafton të lexosh poezinë “Globalizmi” e të kuptosh se poeti na jep prologun e librit të vet. Nëpërmjet një ironie të zgjuar, të hollë ,ai i referohet ndarjeve historike të njerëzve në kombe, në fe  dhe seleksione të ndryshme duke na dhënë një mendim global:

 

Përmbi varr kanë ngritur një kishë

përmbi kishë kanë ngritur një sinagogë

përmbi sinagogë kanë ngritur një xhami

përmbi xhami kanë ndërtuar një spital

përmbi spital kanë ndrequr një mur

përmbi murë kanë ndërtuar një rrugë.

Pastaj kështjella i bëri murit kartiere:

kartierin e krishterë, atë hebraik dhe atë mysliman

kartierin e gjuhëve klasike atë latin dhe atë grek

kartierin e kombeve, atë armen, rumun, shqiptar etj.

Epidemia e mureve vazhdon

dhe krejt popullatën e globit e kaploi panika

duke u shpërndarë lajmi

se faktikisht varri ishte i zbrazët.

 

Vetë jeta e poetit Dumitru Ichim është globale, prandaj është pikërisht ai që që e trajton këtë temë kaq filozofikisht duke e kaluar në disa panorama virtuale dhe duke i qëndruar besnik librave të Shenjtë e deri në ngjarjet e ditëve moderne. Jeta e  këtij poeti na e kujton Fan Nolin e madh, rrugët e tij të gjata dhe studimet akoma më të gjata. Siç duket, gjejmë këtu një ngjashmëri në brenditë e faqeve të Biblës, një hapësirë qiellore mbushur me ide dhe britma ngazëlluese për jetën në tokë…

Autori është shumë kompleks në strukturimin e poezive të këtij libri. Kështusoj konstatojmë se ai mbush hapësirat qiellore me ngjarje e materie njerëzore. Në këtë kontekst nisem thjeshtë nga guximi i tij për të të kombinuar dheun me qiellin, diellin me kallirin, duke i futur edhe në kornizën e “Darkës së fundit”. Në poezinë “Evolucion” ,ai shkruan: “Ikën dhe gjethet/ Ta kërkojnë dheun/ Por ky/ Tashmë u bë këngë/ Në duart e Poçarit.”

Dumitru Ichim e di më së miri se puna e dorës mund të kontrollohet me anë të dorës, por puna shpirtërore është sikurse zjarri dhe vërshimi i ujrave, të cilët pothuajse nuk mund të kontrollohen. Ato përhapen vetvetiu. Dhe prandaj bën kujdes të pajtojë qiellin me tokën, shpirtrat njerëzorë në konfrontim me teoritë e Librit të Shenjtë e të gjitha këto i vendos me vetëdije të plotë në formën e pikëpyetjes: “Se njeriu është hije, më thua:/ Por unë e pyes profetin:/ Hija e kujt?/ Dhe nëse hija/ Është e një qenjeje me ëndrrën?”

Në poezitë e librit delikat “Heshtje të pafejuara”, ndeshemi pikërisht me këtë punë shpirtërore e cila prek të gjitha “ mjeshtëritë “ e botës, dhe kështu, nëpërmjet magjisë së vetë poetit ndjejmë edhe modernitetin e poezisë, duke ndjerë se “në vend të rrugës/ erdhi  oqeani te dritaret.” Apo “ në mëngjes/ xhami që vdiq para meje/  ishte i mbuluar/ me një pëlhurë anije të bardhë.” Nëse në pjesën e parë  “Gjuha e harruar e dritës” ndjehet modernja në poezi, në pjesën e dytë (“Poemë për Floryn”), ngrihet lart ana shpirtërore tepër e ndjeshme dhe  mikluese.

Në të gjitha poezitë e tij moderne, ndjehet një fllad i rrymave të poezisë së sotme  amerikane, rumune dhe kanadiane, çka vertëton se ky poet është në gjurmët e poezisë më të mirë kontemporane dhe universale. Mjafton të lexosh poezinë drithëruese “Doganat e ajrit” për të kuptuar forcën e poetikës së Dumitru Ichim: „Dhe përnjëherë të dukshme e të padukshmet/ U shndërruan në orë muri:/ Orë zjarri, ajri e uji/ Orë shqarthi, orë frashëri./ Përrallat shtrembëroheshin në orë fajance/ Dhe zogjtë vërtiteshin rreth një kuadri të hatashëm./ Në të gjitha anët orë e orë dhe orë.../ Mos më shndërroni në orë muri/ Ju lus juve me gurra e me kisha prej druri!/ Krahët e mi s’mund t’i drejtojnë kah orët e natës.” Dhe me të vërtetë, poeti rrebelohet modernisht dhe i kërkon „doganave” për të mos e „inkuadruar në formacione të ndryshme” të pakontrolluara. Këtu qëndron dhe magjia e këtyre poezive mendimtare dhe stilistike në llojin e vet krejt origjinal.

I tillë shfaqet ai edhe në lajtmotivin e fluturimit, lajtmotiv qe e ka  pothuaj në çdo poezi  e ku fluturojnë jo vetëm zgalemët dhe zogjtë tjerë, por edhe mendimet e njeriut. Eshtë qielli ai që e frymëzon poetin deri në pafundësi. Ështe ai që risjell shkopin magjik të Moisiut të Biblës apo  „Darkën e fundit” të Jezusit nëpërmjet itinerarit njerëzor qiell–tokë. Hapësirat në kohë dhe në gjeografi si dhe ngjarjet që kanë ndodhur brenda këtyre dimensioneve  të mëdha, ai i lidh magjishëm me mësimet e Biblës, duke na bindur për  vërtetësinë dhe gjenialitetin e tyre, gjëra që i shohim në realitetin e përditshëm: „Bijt e shkretëtirës/ Asnjëri nuk shihte përveç vetvetes/ Se korita etjen ua shuamte/ Ishte plot mrekulli dhe ujë.”

Libri „Heshtje të pafejuara” (ROZAFA, Prishtinë 2013), mund të quhet libër vetmitar në llojin e vet, por pikërisht për këtë, vetmitaria e tij duhet ndriçuar e duhet përhapur ndër njerëz, të vjetër e të rinj, rumunë e arumunë,shqiptarë e fqinjë të të gjithë këtyre popujve sa të afërt me njeri tjetrin, po dhe aq emetues të një arti të veçantë, art adekuat që buron nga shpirti dhe derdhet në zemrat e njerëzve të thjeshtë.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora