Kulturë
Kostaq Duka: Kur prek nostalgjitë
E marte, 03.12.2013, 08:56 PM
Kostaq Duka
Kur prek nostalgjitë
Shtegu
i nostalgjive
ngjan me udhëzën në varreza.
Nostalgjitë
dhe merrmerin e të ikurve herë, herë i prek
edhe pse pas çdo prekjeje
kthetrat tregon vdekja.
Shtegu i nostalgjive
ngjan me udhëzën në varreza,
here, herë më duhet vetmitar mes tyre të ec,
në kthim më bëhet më e vyer jeta.
Ajri
I përkëdheluri.
I adhuruari.
I dëshiruari.
I barazuari me ekzistencën e jetës sonë.
Ajri
sa i butë , aq i sertë.
Herë puhizë
e herë stuhi,
kalërues pa fre.
Ajri
na robëron me lindjen
lirinë prej tij e sjell vdekja.
Sita e kohës
Të gjithë pretendojnë
se janë shërbëtorë të mirësisë
se për të lodhen e dërmohen
i falen si perëndisë.
Por vjen një ditë
e sita e kohës
ndan farën që i shërben jetës
nga helmi i djallëzisë.
Iluzion
Edhe pse vdekjes
çdo ditë i afrohemi nga pak
çasti i përqafimit me të mbetet i pacaktuar.
Ndaj të dëshiruar
përpiqemi ta bindim veten
se ajo s’ka për të ardhur kurrë.
Sikur ta dije
Sikur ta dije
padurimin tonë për ardhjen tënde
do mblidhje tërë fuqitë
e tej në dritë do dilje.
Por ti indiferent lart e poshtë vjen
duke ushqyer ditët
kalkuluar saktësisht në gen.
Kur të bëhesh i joni
me siguri do na gjesh rreth teje mbledhur të gjithë
e do lëshosh të qarën klithmë,
si anija lëshon sirenën
kur në breg mbrin pas udhëtimit të lodhshëm, të gjatë.
Pesha e natës
O njeri!
Duhet të mbash mbi supe
peshën e natës
që të kuptosh e vlerësosh
lehtësinë e bukurinë e levizjes
në pistat plot ajër e dritë të ditës.
Çast vetmie
Shkëlqimi i vitrinave
më verbon sytë
më shkakton drithma.
Nën xhupin e trashë
trupin dhe vetminë e ndrydha.
Për t’u ngrohur
nisa të dëgjoj muzikë të vjetër nga vendlindja.