E marte, 06.05.2025, 06:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Poeti që "pikturon" me vargje

E marte, 03.12.2013, 07:03 PM


Poeti që "pikturon" me vargje

"Koha e artë e dashurisë" e Luan Çipit

(esse)

Nga Përparim Hysi

Luan Çipi tanimë nuk është i panjohur për mbarëlexuesët shqiptarë. Librat që ka botuar në prozë e poezi janë bërë pronë intelektuale e  mijëra lexuesëve. Kur them mijëra, nuk është se  flas me  apriori. Përkundrazi. Mjafton që të futesh   vetëm në blogjet internetike apo dhe më tej në "google", kini për t'më dhënë të drejtë. E ka filluar këtë "valle" pak si vonë për arsye subjektive a ca më shumë nga një kondicion që ia impononte koha (nënkupto regjimi i dikurshhëm). E kish ndjerë drejtpërdrejtë atë survejim prej censori xhelat jo në potencë, por si rrezik real.

Për ata që nuk e njohin ashtu si është dhe jo vetëm nga shkrimet, mund t'ju them vetëm kalimthi: një nga ish studentët honor në  fushën e ekonomisë, por,pikërisht, ky student honor dhe  ekonomist brilant, për arsye biografie, shpesh,duhet ta linte qytetin dhe degëdisej diku në periferi në ndonjë ndërmarrje bujqësore. Se ishte ajo kohë kur "gomari qëndronte para kalit". Çudia nuk qëndron në mënjanimin e qëllimshëm të njërit prej ekonomisëve më në zë, por në faktin tjetër,që Luan Çipi as që zë e  të ankohet apo të qarravitet për këtë padrejtësi apo mënjanim. Vazhdues i denjë i një familjeje fisnike, ai, kudo që shkeli apo punoi, la gjurmën e bukur dhe të pashlyeshme të  një kuadri model dhe të një njeriu me zëmër të madhe. Dhe nuk ka qenë vetëm student honor i ekonomisë (ai ka arritur deri pedagog në këtë fushë), por dhe një sportist ekselent. Ky njeri i brishtë ka qenë kampion në peshën e vet në ngritje peshe, gjimnast i mirë dhe,sado që ishte sportist trainer në ngritje peshe,tek bëhej gati të përfaqësonte vendin tonë në LOJRAT  E GANEFOS në Indonezi, në minutat e fundit, ia prenë si me thikë shpresat. Arsyeja "madhore": me ftomë në biografi. Kjo hije e ka ndjekur nga pas, por fara elite mbin edhe mbi gur. Kështu ndodhi dhe me Luan Çipin. Ndaj "vallen" e krijimit e filloi në vitet e demokracisë. E filloi dhe po  e kërcen bukur. Kur them po e kërcen, kam parasysh, se ky i "ri në moshë të vjetër" ( Luani po mbush tetë dekada), vazhdon ta kërcej këtë valle. Ai veç në raste të rralla hesht. Si një makineri që vetëm punon. Në një farë mënyre, si një "vidë pa fund", po të huaja një termë nga fizika mekanike.

*     *    *

"Koha e artë e dashurisë" është libri që porsa nxorri. Ka mbi 200 poezi. Që të gjitha kanë një emërues të përbashkët: dashurinë. Jo dashurinë si një ndjenjë e një ashiku të djegur, por  për dashurinë për njerëzit. Dhe është unik në këngën e tij. Fillon nga familja, ngjitet tek shokët e miqtë; mandej me njerëz që janë të tillë që nderohen nga mbarë kombi dhe në fund: një dashuri mbi gjithë dashuritë! Ajo për Atdheun. Dashuria për Atdheun është ajo ëmbëlsira që hahet në fund. Ashtu si bakllavaja.

Në kapitullin e dashurisë për familjen, Poeti vizaton,së pari, bashkëshorten e tij. Ndryshe , shumë më ndryshe nga shumë e shumë poetë të tjerë, ai i kthehet dhe i rikthehet bashkëshortes,sa, duke e vizatuar me vargje  made in Luan Çipi, kjo grua zonjë  bëhet si një model inspirimi për gjithë  gratë bashkëshorte. Pse   është aq e gjendur dhe e kudondodhur në vargjet e poetit, ti që e lexon, bindesh se ke të bësh me një grua të emancipuar dhe me një familjare model. Luan Çipi i ka vizatuar një dhe nga një gjithë pjesëtarët e familjes: dy gocat (njëra me familje në Holandë), tjetra me

familje në Kanada dhe djali me familje në Çikago të Amerikës. Jo më kot nuk u thur poezi. Është domethnëse: të tërë të ikur dhe,sado që janë mirë e më mirë prishet, Poeti ( kjo ia rrit vlerat poezive) bën thirrje: kthehuni! Ejani këtu t'i shërbeni Atdheut!

Kjo thirrje e poetit sikur paraprirë atë thirrjen e kryeministrit aktual. Edi Rama, për të gjithë ata specialistë jashtë atdheut. Në kapitullin "Familja", mjalti i mjaltit të vargjeve,janë ato për nipërit e mbesat. Në poezitë kushtuar atyre do gjeni jo vetëm poetin piktor, por gjyshin e gjyshen që mend u çahet zemra copa për trashgimtarët e  tyre.

*    *    *

Po ta vështrosh nga  ana kompozicionale, libri është si një triptik. Si një tablo kompozicionale me tri pamje. Në "tablonë e dytë"( po të futemi nën lëkurën e një piktori) ballafaqohesh me njerëz që janë krenaria e kombit: në letërsi, në art, në arsim. Tek kjo "tablo",pa tjetër do qëndrosh më shumë: aty do gjesh NËNË TEREZËN me një fotografi që vetëm në minutën e fundit u bë e njohur; një fotgrafi kur  qe vajzë e njomë. Poeti piktor di dhe se si i nanuris vargjet dhe e sjell dhe më pranë. Gjen më  Babaxhanin e Letrave Shqip që quhet Dritëro Agolli; gjen Vaçe Zelën apo Vaçe Këngën siç e kam quajtur unë në një poezinë time modeste; gjen të bukurin dhe të thjeshtin deri në pafundësi,Robert Ndrenikën. Timo Fllokun aq karizmatik. Gjen Trëndafilin e Bregut  të detit, "rebelin", Petro Marko. Harilla Kuçuli dhe Xhevdet Kofina, dy korfienj të Arsimit SHqiptarë. Lirikun më të bukur (flas për ata që janë gjallë) që quhet Lefter Çipa. Gjen sportistë të  tillë si Mexhid Haxhiu,Sokol Kushta,Medin ZHega.

Gjen..., po si mund të vazhdosh dot? Luan Çipi është krijuesi më i çuditshëm që njoh. Të pa, të vizatojë. Ta bën portretin ayt për aty. Ashtu siç je. As të zbukuron dhe as të heqë gjë nga portreti. Në nuk të pëlqen, nuk është faji i tij, por yti. Shpesh, kur rri e  hamndësoj për Luanin, më kujtohet ai tituli i atil librit" Akull,rrezik rrëshqitjeje". Edhe nga sytë e Luanit duhet të ruhesh. Ka shikimin e një studjuesi. Jo më kot shikon. E përgatiti "drithin dhe e çoi në "mulli" për ta bluar. Dhe bluan grurë kuturli,se ka një zëmër të madhe.

*   *   *

Siç thashë më lart, apogjeu i gjithë triptikut , është kapitulli për Atdhenë. Dhe Atdheu për një poet me mizurën e Luan Çipit, nuk është vetëm ky i hartës aktuale. Jo.Atdheu është dhe Kosova,edhe Çamëria,por dhe bashkëkombasit kudo që janë. Këtu, për t'ia hedhur "kripën me karar", ky piktor vargjesh, zë e këndon për 100-vjetorin;për Vlorën; për ruajtjen  e gjuhës; bën thirrje që të kthehen të ikurit në emigracion. Këndon për Ramush Haradinaj,për Nolin në Ibrik-Tepe; për Ali Pashë Tepelenën. Lëshohet me anatema për Dik Martin e Karla De Ponten që"vërvisin shashka"  kundër UÇK-së e tjera.

Anatema për monumente të pamerituara si ajo për ishmbretin Zog që "harroi opingat poshtë krevatit" dhe u "kujtua"të hiqte  llozet e pushkëve. Kundra shkenctarëve që bëjnë harxhime kolosale për "kozmosin" dhe "harrojnë" të zgjasin jetën e njerëzve.

Pra, në mbyllje, mund të them: Luan Çipi ka ardhur me një album të bukur dashurie. Unë e pashë këtë album dhe u befasova. Porvojeni dhe do më jepni të drejtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx