E marte, 06.05.2025, 07:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Mikel Gojani: Lidhjet Kosovë - Mirditë

E marte, 03.12.2013, 08:58 PM


REFLEKSIONE

LIBËR QË PASQYRON LIDHJET  ETNOLOGJIKE DHE GJENEALOGJIKE  KOSOVË – MIRDITË

Disa aspekte rreth librit “Lidhje gjenealogjike Kosovë – Mirditë”, të autorit nga Tirana Pjetër Nikolla

Nga Mikel GOJANI

Pjetër Nikolla, krijues dhe  studiues nga Tirana, autor  i dhjetëra veprave zhanresh të ndryshme (poezi, prozë, publicistikë etj.) i njohur ne opinionin shqiptar, po lë gjurmë të pashlyeshme në këto gusha letrare dhe studimore.

Studiuesi Nikolla, këto ditë lexuesve shqiptarë ju ka ofruar librin e tij, të titulluar “Lidhje gjenealogjike Kosovë – Mirditë. Edhe me librin: “Lidhje gjenealogjike Kosovë - Mirditë, botoi Ger Tiranë 2013, fq. 342, autori në fjalë, i vyer dhe mjaft i frytshëm, ka dëshmuar prirjen dhe përkushtimin e tij për t' u marrë me këtë fenomen historik dhe kulturor të qenies dhe qenësisë sonë.  Libri i autorit në fjalë është strukturuar në disa kapituj përmbajtjesor që ruajnë në kronologji ngjarjesh dhe figurash. Natyrisht librit i paraprin edhe një hyrje mjaft shkoqitëse e shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur, Sulejman Mato. Duke folur  për vlerat e këtij libri, shkrimtari dhe studiuesi Mato  thekson se për nga paraqitja e argumentuar e shkencore e lidhjes gjenaologjike të së njëjtës trevë, Pirustë – Dardan, Dukagjin (Mirditë) – Rrafshi i Dukagjinit që na jep ky libër, do të quaja unik në llojin e vet, popullsia e së cilës mund të quhet me plot krenari, palca e kombit shqiptar. Sipas S. Matos, autori Nikolla, vë në dukje ngjarjet historike  dhe lidhjen për veprime të përbashkëta të kësaj treve në synimet e veta kombëtare. “Këto lidhje i drejtonte gjaku i përbashkët  dhe kushtrimi i të parëve. Kanë qenë rrënjët e tyre të përbashkët dhe që në të dy anët e kufirit ushqenin të njëjtën degë gjenealogjike. Në këtë libër është fokusuar në ditët e sotme një përzgjedhje  e kujtesës  së historisë, e cila  ka vlerë të pallogaritshme për kohën që jetojmë, kur emigracioni dhe globalizmi janë kthyer në kërcënim serioz për kujtesën e kombit”, shton ndër të tjera studiuesi Mato. Në librin e Nikollës, “Lidhje gjenealogjike Kosovë – Mirditë, kryesisht trajtohet e kaluara historike  dhe autoktonia e popullatës  së Rrafshit të Dukagjinit, kryesisht ajo e Klinës dhe e Gjakovës, të shumë fshatrave dhe lokaliteteve të këtyre vendbanimeve. Me këtë rast, siç shprehet edhe vetë autori, janë trajtuar karakteristikat pozitive në këtë trevë të luftës titanike të popullsisë  kundër pushtuesve  romakë, turq, sllavë etj., popullsi e së cilës  ruajti pastër traditat, gjuhën, folklorin dhe etnografinë shqiptare, sfidoi asimilimin nga serbët islamizimin nga turqit dhe mbijetoi krenar në trojet e veta shumëshekullore.

Në këtë libër, P. Nikolla ka hulumtuar shumë përbërës me rëndësi të historisë së këtyre trevave duke na dhënë shumë informacione me interes shumë të rëndësishëm dhe shumëdimensional. Me këtë rast autori pasqyron  luftën dhe rezistencën titanike të popullsisë së këtyre krahinave kundër pushtuesve shumëshekullor, duke i portretizuar dhe idealizuar edhe bartësit të këtyre luftërave për liri, luftërat  e të  cilëve janë të hershme për aq sa  edhe përpjekjet për të dalë nga zgjedha e huaja, si Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ndue Përlleshi, Pjetër Qeli, Ndue Përlleshi, Zef Gjidoda, Pjetër Ramaja e shumë të tjerë. Sllavët dhe otomanët autori i paraqet si pushtues të egër dhe shumëkullor të këtyre trevave, pushtimi i të cilëve ka ndikuar edhe  ngecjes së këtyre trevave në shumë fusha të jetës.  Në libër po ashtu trajtohen edhe përpjekjet e kësaj popullate gjatë gjithë rrugës së tyre historike  në ruajtjen e vlerave arsimore, kulturore, fetare etj.   Autori në këtë libër jep disa të dhëna historike të trevës së Rrafshit të Dukagjinit, duke filluar që nga e kaluara historike deri në ditët e sotme. Për të kaluarën e thellë historike të kësaj treve autori i referohet të dhënave të studiuesit të mirënjohur shqiptar, akademik Mark Tirta i cili  shprehet: “Zotërimet e Dukagjinëve në shek. XI-XV, shtrihen që nga Lezha e deri në Malësinë e Prizrenit e në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo plotëson  dhe një emër  në shtrirje të gjerë territoriale”, shprehet akademik Tirta.  Në një kapitull të veçantë në libër autori prezanton disa fakte dhe dëshmi rreth Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 1878, organizimit të kësaj Lidhjeje dhe rëndësinë e saj në krijimin e shtetit shqiptar, po ashtu duke u fokusuar edhe në platformën politike dhe filozofike të këtij akti të rëndësishëm historik. Edhe Lidhja e Pejës, si një akt mjaft me rëndësi për historiografinë shqiptare, prezantohet në mënyrë mjaft të denjë. Në një kapitull të veçantë dhe me interes të shumëfishtë autori flet për rrugën historike dhe zhvillimin e arsimit në Rrafshin e Dukagjinit, duke u ndalur edhe të kontribuuesit të kësaj fushe të rëndësishme në këtë trevë, si Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Mati Logoreci, Lazër Lumezi, Shtjefën Gjeçovi, Sali Morina, Zekeria Rexha, Ndrecë Ndue Gjoka dhe shumë të tjerë, kontributi i të cilëve është tejet i madh.  Kapitulli i këtij libri, që njëherësh mban edhe titullin e librit, Lidhje gjenealogjike Kosovë – Mirditë, është boshti kryesor i esencës studimore të këtij libri. Autori Nikolla në këtë pjesë të këtij libri prezanton një studim etimologjik të 22 fshatrave dhe 14 familjeve në zë të Lugut të Drinit që kanë lidhje gjenealogjike me vëllezërit të tyre të një gjaku në Mirditë. Rrethanat historike, të cilat kanë lënë vulën në jetën e popullit shqiptar, kanë qenë mjaft të ashpra. Shumë familje shqiptare të Lugut të Drinit (sikur edhe e shumë pjesëve të tjera të Kosovës), kanë qenë të detyruara të lëvizin  nga një trevë në trevën tjetër. Kështu, lëvizjet kanë qenë të shpeshta, kryesisht duke iu adaptuar rrethanave që ju janë krijuar asaj popullate ku ka jetuar. Pushtimet e ndryshme dhe luftërat, po ashtu edhe gjendja e rëndë ekonomike dhe shumë arsye të tjera që ka pasur kjo popullatë, i kanë detyruar ata  që të lëviznin brenda trojeve etnike shqiptare. Një gjë të tillë e ka bërë edhe popullata e Lugut të Drinit (verior), që kryesisht vijnë nga trevat e ndryshme të Mirditës, mirëpo edhe të Malësisë së Shkodrës, Pukës etj. Megjithatë, pjesa dërmuese vijnë nga vende të ndryshme të Mirditës dhe sot për nga etnologjia veten e konsiderojnë mirditorë.  Sipas kujtesës së shumë breznive të shumë familjeve të ardhura në Kosovë dhe të vendosura në krahinën e Lugut të Drinit, të parët e tyre kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të krahinës së Mirditës dhe janë vendosur në këtë pjesë. Këto familje, në aspektin tradicional të përkatësisë u takojnë vëllazërive, përkatësisht gjakut të njëjtë të familjeve të tjera mirditore. Këto familje, si në Kosovë, po ashtu edhe në Mirditë janë të degëzuara dhe për shkaqe të ndryshme janë kanë migruar edhe nëpër vende të ndryshme të dy vendeve, por edhe në Perëndim dhe Amerikë. Në Lugun e Drinit Verior, që kryesisht njehet si vendbanim i hershëm dhe që prek thellësitë e shekujve jetojnë popullatë të fiseve Mirditë (pjesë dërmuese e kësaj popullate i takojnë përkatësisë së këtij fisi), pastaj po ashtu edhe shumë fise të tjera që lidhen me emra fisesh dhe vendesh të Mirditës, si Kaçinari, Xhuxha, Kqira, Bisaku, Rrapi etj.  Dihet fakti, që këto lëvizje që janë bërë  nga Mirdita nëpër troje të tjera të Kosovës, përkatësisht  Lugut të Drinit, janë bërë kryesisht për shkaqe e ekonomike, përkatësisht për të ngritur një kualitet sa më të lartë të jetës, për të siguruar tokë më pjellore, ngase toka pjellore në Mirditë ka munguar. Kështu edhe në Lug të Drinit janë vendosur banorë të lëvizur nga Mirdita, disa nga këto familje që kanë ardhur nga kjo pjesë e Shqipërisë e kanë ruajtur emrin e vendbanimit nga kanë ardhur dhe kanë gjetur farefisin, vëllazërinë dhe gjakun e tyre edhe në Lug të Drinit. Sipas disa të dhënave studimore  nuk ka pasur ndonjë dyndje të popullsisë së trevës së Mirditës për të ardhur në Lugun e Drinit, siç ka gojëdhëna të pavërtetuara se gjoja janë dyndur  nga Mirdita dhe kanë shkuar në Lugun e Drinit , apo e kundërta, mirëpo ka pasur lëvizje të ndryshme dhe  të natyrshme kësaj popullate, kryesisht  nga disa vendbanime të Mirditës, si nga Oroshi, Kqira, Domgjoni, Bisaku, Xhuxha, Rrapi dhe vendbanime të tjera, që kanë ardhur në Kosovë, përkatësisht në Lugun e Drinit, ku nga gradualisht  këto familje kanë pësuar edhe shtesë natyrale të popullatës dhe sot fshatra të tërë janë krijuar me këso familje mirditore.  Në Lugun e Drinit, pothuajse të gjitha fshatrat që gravitojnë në këtë krahinë, si Krusheva e Vogël, Krusheva e Madhe, Zllakuqani, Radulloci, Ranoci, Leskoci, Budisalci, Stupa, Jagoda dhe fshatra të tjerë janë të populluar kryesisht me popullatë të “ardhur” nga Mirdita dhe sot këtë krahinë e kanë shndërruar në një “Mirditë në miniaturë”.  Këto familje që kanë ardhur nga vise të ndryshme të Mirditës, sot ruajnë me krenari ruajnë mbiemrat e tyre me domethënie nga ata kanë ardhur.

Autori Nikolla, librin e përmbyll më arritjen e frymës së lirisë së mbërritur në këtë trevë dhe  në Kosovë përgjithësisht dhe perspektivën e këtij populli që ka pas aq shumë shekujsh vuajtje dhe përpjekje për mbijetesë, po ashtu edhe me përshkrimin e një manifestimi kulturor në shenjë të 100 –vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, me ç’rast njëherësh u përshkuan me promovimin e dy librave të këtij autori në Klinë, Trojet e Dardanëve dhe Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën.

Në fund mund të konstatojmë se libri  “Lidhje gjenealogjike Kosovë – Mirditë, i autorit Pjetër Studiuesi Nikolla, plotëson një zbrazëtirë të disa fakteve historike që na kanë munguar deri me sot rreth kësaj teme bosht, që njëherësh është me interes të rëndësishëm dhe shumëdimensional që jep për të hapur shtigje  në lidhjen e bashkimit të trojeve etnike shqiptare.

Ky libër i autorit Pjetër Nikolla,  është mjaft i çmueshëm dhe i cili shpresojmë se do të mirëpritet nga lexuesit, jo vetëm të të dy anëve të kufirit, por edhe në gjithë hapësirat tona.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx