E merkure, 01.05.2024, 10:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Librin po, kafen po...

E enjte, 05.12.2013, 08:04 PM


LIBRIN PO, KAFEN PO……. JEPI EDHE KUSURIN!

Nga Kadri Tarelli

Mëngjes të shtune. Sadriu u vesh dhe pasi mblodhi me shumë kujdes librin e tij të porsa botuar, doli nga shtëpia. Ecte me një lloj shqetësimi në vetvete, si do ta prisnin shokët librin e tij. Ishin të parët ata që do t’i bënin një lloj vlerësimi. A do t’i pëlqente të paktën si format e paraqitje, e mëpastaj si përmbajtje. Këto po mendonte teksa përshëndetej me të njohurit që takonte rrugës. Pa pritur ndjeu dhimbje në gishtat e dorës së majtë. Pa vetëdije, po e shtrëngonte librin aq fort, sikur të ishte libri i shenjtë, apo “Kodiku i Beratit”….

- Po unë ç’paskam kështu!? – foli me vete. – Një copë libri të zakonshëm kam bërë, e jo kryevepër. Nuk është as lingotë floriri nga “Thesari i Krrabës”! – Qeshi me vete. Ku nuk shkon mendja. Dhe vazhdoi për tek kafja ku mblidhen përherë me shokët. Porsa u afrua, ata i hapën vend dhe Ganiu mori edhe një karrige tjetër. Sadriu e ul, u përshëndet me ta dhe vuri librin mbi tavolinë.

- Më në fund e bitise. Urime! – Foli Faja, me një lloj kënaqësie, që u zgjat dhe mori librin në dorë. Nuk e mbajti gjatë, pasi edhe të tjerët kërkuan të shuajnë kurreshtjen. Ndjehej një lloj nderimi në fytrat e tyre.

- E more Belul! Paske dalë goxha bukur. Të lumtë, u bëre edhe me portret në libër! – Foli, “qesh e ngjesh”, Fadili. Beluli ja rrëmbeu librin nga dora. Filloi ta shikoj veten në fotografi. I pëlqeu. Më pas nisi të lexojë, sikur po i përpinte fjalë dhe rreshtat.

Me sa duket, që më parë biseda ishte nisur për librat, prandaj Fatmiri, nuk priti gjatë:

- Ti Sadri nuk e dëgjove fillimin. Aman të kam rixha dëgjoje nga fillimi. Po e nis edhe një here. Dëgjoje, më qafsh se është për ty dhe për të gjithë sojin e atyre që shkruajnë libra. Para dy ditësh, shoqata “Durrësi” organizoi “Festën e ullirit”, që tashmë është bërë traditë e qytetit, në çdo fund tetori. Mos me e zgjat fjalën, u dha edhe një koncert mjaft i bukur, ku ishin të ftuar shumë artistë dhe humorist të njohur, mes tyre edhe dy nga Shkodra, Gëzim Kruja dhe Rajmonda Marku. Shkodranët si shkodranët, e gjejnë humorin si me nxjerr nga xhepi. Dolën në skenë. Gëzimi po mban nën sqetull një libër. Rajmonda, partnerja i drejtohet:

- Ç’e ke atë libër nën sqetull, që po e shtrëngon kaq fort?

- Kam botuar një libër, porsa e mora nga shtypshkronja. Kushton lirë fare, 3000 lekë, (të vjetra). – U ngut Gëzimi në përgjigje.

- A po ma fal, pasi kushtoka mjaft, e unë kam rrogën e vogël. – Gëzimi mbetet në dysh, si i habitur, por vendos mos me ia thye zemrën.

- Po moj burrnesh, s’po ta prishi qejfin, po ta nap. – I jep edhe autografin gjith buzegaz.

- Faleminderit Gëzim! Më ke nderue me kët dhuratë të çmuar, ndaj vendosa me të qeras. Ja ulemi tek ajo patiçeria pranë. – Rajmonda porositi: dopio uiski, kafe, lëng portokalli dhe tortë. Gëzimi u kthye pak nga salla që duartrokiste:

- Ç’bëhet kështu!? Me kaq pare, kishe ble tre libra e më kishe nxjerr nga sikleti.

- Bën vaki e po më ndodh edhe mua kështu!? –Foli Sadriu duke qeshur.

- Prit, prit dhe do të shohësh! - Sikur e ndolli tersin, Fadili. Të gjithë qeshën, veç Belulit, që s’po ja gjente fundin leximit. I ndrisnin sytë nga kënaqësia. Kur përfundoi, gjithë qetësi, vuri librin mbi tavolinë, u mbështet mirë në karrige dhe pa hequr duart nga libri, tha me një gaz të brendshëm:

- E paske qëndisur bukur fare. Besoj se mua do ma falësh!?

Të gjithë u gajasën së qeshuri.

- Tundi paratë!- U përgjigj Bajrami, aty për aty. Ndërsa Fadili me lot në sy, që s’po e mbante të qeshurën, pa pritur u bë serioz dhe foli si “orakulli i delfit”: Kam përshtypjen, se po s’e bleve, pas ca ditëve libri do të përfundojë tek shitësit e librave në trotuar.

- Eee ! Ju thashë unë, paska edhe më keq akoma! – E ngriti zërin Flamuri, i skuqur si rrallëherë. Të gjithë qeshnin dhe shikonin Belulin, që s’po kuptonte pse hidhnin shikimet drejt tij. S’e kish ndjekur fillin e muhabetit.

Pas pak biseda u ftoh. Mbase është hera e parë që ndeshet me të tilla kërkesa dhe Sadriu u ndie i fyer. U mërzit dhe po pyeste veten: “Pse ç’është libri, qindarka që i hidhen lypsit në trotuar. Dhurata nuk kërkohet. Pastaj jo gjithkush e meriton. Mbase e kam gabim, po të mundohesh kaq shumë e në fund, biri i botës, që e di sa je lodhur, të thotë pa të keq, ma fal”. Si i zënë në faj, po fliste në heshtje: “Vetëm unë psakam detyrime? Sa orë të humbura për gjetje shkrimesh, dokumentash, intervista, madje edhe me Belulin që kishte përballë. Po shpenzimet për shtypshkronjën, që vajtën një djall e gjysëm, sa rroga e tre-katër muajve të një mësuesi, pa futur këtu korrektorin letrar, redaktorin, dizanjimin në kompjuter, le pastaj sa shpenzime të vogla që s’llogariten, foto, disqe, skanime, vajtje-ardhje lart e poshtë, etj, etj. U skuq, por s’e lshoi veten. Vuri re se Beluli nuk kishte pirë kafe, ndaj i bëri shenjë kamarjerit që erdhi menjëherë:

- Për mua një kafe, ndërsa për këtë mikun, kafe edhe raki. – duke bërë me shenjë nga Beluli, i cili po ndjehej i kënaqur që sot po ndjehej i vlerësuar dyfish: portret në libër dhe i qerasur, si zotni, me kafe e raki. U krekos, duke i dhënë vetes pamje agai. Duket, po mendonte se, me kërkesën e tij po i bënte nder të madh autorit të librit.

Sadriu, që s’po e mbante vendi, e piu shpejt kafen, sa s’dogji buzët nga nxitimi, thirri kamarjerin:

- Urdhëro 1000 lekët. Këtu mbaj kafen time, kafen e rakinë e këtij mikut. Kusurin…. jepja po këtij mikut. Unë po i jape edhe librin.

Beluli s’e priste. U ndje keq. Si fillim u skuq, e më pas u zbeh. U ngrit pa e mbaruar kafen. Edhe gota e rakisë ishte akoma në gjysmë. U kthye dhe pa përshëndetur askënd, u largua si i dalldisur. Që nga ajo ditë s’ëshët parë më në atë kafe, po askush nga shokët nuk ka pyetur për të.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora