E merkure, 01.05.2024, 05:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Ejup Ajdini - “Misteret e shpirtit”

E merkure, 04.12.2013, 07:59 PM


Takim i papritur me haikun e “Mistereve të  shpirtit”

(Shënime për librin me haiku të poetit dhe studjuesit Ejup Ajdini “ Misteret e shpirtit” botim i Menada,  Tetovë, 2012)

Nga Fatmir Minguli

Magni artifici est clussis totum in  exigno!

Eshtë mjeshtri që tek e vogla të përfshish të  madhen!

Ishte më shumë se një rast fatlum pjesmarrja në ‘Takimet nën rrap” në tetorin e  këtij viti në Kërçovë të Maqedonisë. Krahas veprimtarive të shumta me poetë, këngëtarë ,aktorë e kritikë të letërsisë , aty midis dhjetrave miqve të rinj e të vjetër u takova dhe me poetin dhe analistin tetovar Rami Kamberi.

Me këtë njeri të talentuar bisedova rreth librit tim me ese dhe kritika për poezinë haik e që nuk e kam botuar akoma. Në një fare mënyre ishte edhe një provokim nga ana ime për të mësuar se si lëvrohej poezia haik ndër poetë shqiptarë të Maqedonisë.

Rami Kamberi me plot gojën dhe me një lloj vendosmërie për çka po më trajtonte më tha:- Po more , po. Eshtë Ejup Ajdini, profesor në Universitetin e Tetovës, që ka bërë një libër të bukur me poezi haiku.-

Tani që po shkruaj këtë shkrim meditues , librin e kam marrë me kohë nga vetë poeti Ejup Ajdini dhe përtej modestisë së një kritiku letrar do thoja se libri me haiku  me titullin “ Misteret e shpirtit “ ështënjë gjerdan kristalesh që regëtijnë rreze shpirtërore me një poetikë të lartë e mjaftë fine.

Ndryshe nga shumë poetë të haikut, Ejup Ajdini i afrohet shumë jo vetëm teknikës së bërjes poezi haik, ashtu si e ka spikatur hollë recensuesi i  këtij libri dr. Salajdin Saliu, por njëkohësisht na ka dhënëhaik origjinal të botës shqiptare në përgjithësi e veçanarisht asaj dhe në Maqedoni.

Ejup Ajdini me një finesë të rrallë  tregon një mjeshtri të skajshme për “carpe diem” ( kape çastin). Një poet që e njeh masën e të shkruarit , jo nga se është vetë një studjues i letërsisë , por se është poet në thellësi të shpirtit. Prandaj dhe tregon ato veti aq të ngjashme me poetët e mëdhej japonezë të traditës si psh me Bashon e madh , ustain e poezisë së çastit dhe meditimit të thellë.

Me këtë libër unë njoha poetin  mendimtar, të përkorë  në zgjedhjen e temës dhe në organizimin e vargut. Në një luftë të pandërprerë me vetveten ai ka mundur të shoh nga lart artificat e të bërit haik të vërtetë, në kundërshtim me shumë poetë që nuk mund ta thithin lëngun magjik të thurjes së mëndafshtë të mendimit befasuse. Këta poetë të fundit , ndonëse kanë botuar libra me haiku , mjerisht nuk e kanë kapur konceptualisht rënien e gjethes nga pema, apo afrimin e resë deri afër tokës  e kështu me radhë.

Ja si shkruan Ejupi :

Një re e bardhë

Posi kali pa samar

Kulloste tokën.

Apo personalitetin  e  çuditshëm që merr një gjethe e thjeshtë e që  “ nervozon poetin” , duke e bërë të shpërthejë në poetikë e të sjellë këto vargje tepër fine:

Lakmova gjethen

Që po ngjitej ngadalë

Mbi supin e saj.

Në librin kristalin me poezi racionale , Ejup Ajdini kinse sikur eksperimenton tek thotë me një sinqeritet poeti të vërtetë jo vetëm i haikut:

Unë dhe nata

Dhjetë orë papushim

Gjetëm një haik.

Pra vetëm një haik!? A e kuptojmë se sa bukur e trajton , e respekton teorinë e të bërit poezi ky autor? E nuk ndodh kështu me shumë e shumë poetë që ndonëse me disa libra nuk kanë arritur të bëjën atëqë duhet bërë, eksperimentin dhe respektin për poezinë. Poezia nuk është thjeshtë batuta e filan fistekut në pijetoren plot me erë qoftesh dhe tym cigareje. Jo. Ajo është e destinuar për mëndje të kthjellta e të pandotura me asnjë lloj tymi publik.

Impresionet e shumta që të jep ky libër janë me theks të ndryshëm. Po ajo që mua më duket shumë  e  rendësishme dhe që e kam theksuar disa herë lidhur me teoritë e të bërit poezi haik, është përshtatja elastike e haikut natyror me atë të motiveve qytetëse.

Ja një haik qytetas:

Për një dashuri

Treni rallë fishkëllen

Por nuk harron.

Treni është njëheraz edhe djalosh, edhe bilbil . Por tema e dashurisë nuk rresht në këtë libër, pak erotizëm dinak, pak ironi dashamirëse për shumë gjëra njerëzore, pak pezimizëm të përzjerë edhe me tëkundërtën, optimizmin bindës, dyshimet keqardhëse për pak gjë etj. Ejup Hajdini me këtë libër shpalos idetë e tij ekzistencialiste , një dyzim mendimesh dhe kundërshtim të ideve moralisht të pranuara si pozitive.

Këtë fenomen unë e vrej tek   disa poezi haik për korbin. Eshtë ndër të paktët poetë që njoh unë që merret me ideologjinë e “korbit”. Përsëri ma kujton poezinë e Martin Camajt ku ai shkruan dhembshurisht: “ Një ditë e ka dhe korbi” . Mendoj se nuk është snobizëm të shkruash për korbin:

Të dy janë zogj

Pëllumbi feston paqen

Korbi ka brengat.

Për korbin dhe filozofinë e tij është folur që në Bibël, dhe aty mëson se kur ai doli nga arka e Noes për të parë se ku kish dalë maja e ndonjë toke mbas përmbytjes së madhe nuk u kthye pa e zbatuar detyrën që i ngarkoi plaku Noe.Rishikimi me këtë sy i korbit është bërë nga disa poetë dhe kjo patjetër që përbën një temë studimi. Shumica e poetëve të “ vështirë” në më të shumtit janë marrë me filozofinë e këtij zogu “ të dënuar”.

Dhe poeti Ajdini shkon më tej me vrojtimin e hollë , tek hedh shikmet në gjëra të vogla por shumë domethënëse. Kurrë nuk do të mundja të mendoja një haik të tillë sa të hollë aq provokues e aq të bukur, aq respektues ndaj një erotike gati të fshehur.

Ditët e verës

Panaire të para

Këmbët e grave.

Në librin ‘ Misteret e shpirtit ‘ lexuesi gjen jetën shqiptare jo vetëm te bjeshkët apo te natyra e viseve mahnitëse shqiptare, por ai e sheh edhe në legjendat dhe doket shqiptare. Disa poezi janë me nëqendër gjarpërin , simbol kaq i vecantë tek ilirët, disa të tjera kanë në embrion krimbin, metafora më e bukur për të këqinjtë, prishësitë e jetëve të bukura e të shëndetshme. Përdorimi i një përcjelloreje nëpoezitë haik nga ana e autorit , të jep muzikalitetin e të folmes të shqiptarëve të Maqedonisë, një shqipe origjinale  dhe e këndëshme në të dëgjuar, ndryshe nga vise të tjera shqiptare.

Ndoshta nisur nga  një dëshirë  respektuese , në libër ndjehet admirimi ndaj poezisë haik. Janë disa poezi të tilla ku misteret e shpirtit të poetit regëtijnë e dridhen për nga shqetësimi: “A do t’a rregullojëmendimin brenda kufijve të 5- 7-5 –ës? “ Ai, poeti ja arrin më së bukuri këtij qëllimi, dhe madje  po zë dhe një vend nderi ndër poetë  shqiptarë të haikut.

E kam shkruar që në fillim se nuk do jem modest në vëzhgimin e këtij libri. Jam i detyruar nga befasia dhe mendimi ndryshe I poetit dhe studjuesit të letërsisë Ejup Ajdini.

Fantazia e tij aq pjellore i sjell Ufot në tokë dhe i bashkërendit me veten e tij në një punë të vështirë plot mistere të bukura, thesare të vargjeve, diamante të vesës që qëndron në cepin më delikat të gjethes e cila është duke u lëkundur në rënjen e pashmangshme drejt tokës.

Ufot mister

Fluturojnë mbi tokë

Presin haikun.

Si persianët e vjetër i thur lavde trandafilit  por si qytetarët e sotëm lavdëron  dhe parfumin që mbeti në kabinën e ashensorit,  parfumin e gruas të panjohur pasi ajo  zbriti në katin e tretë.

Por më shumë Ajdini jepet mbas të bukurave legjenda shqiptare , frymëzime të denja për skenarë Hollivudi, ku  majat e bjeshkëve mpleksen me hënën e ku nëpër mjegulla kali i bardhë ecën me nusen nëshalë!

Me të drejtë libri titullohet “ Misteret e shpirtit”. Dhe Ejup Ajdini nuk është se i ka zbuluar të gjitha misteret me këtë libër…

Për këtë libër mund të shkruash shumë , por në se zgjatet mëtej ,ndoshta humbet dhe magjia e zbulimit të misterve të poezisë së Ejup Ajdinit.”Misteret e shpirtit “ është një margaritar midis poezive tekanjoze të haikut .



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora