E merkure, 01.05.2024, 12:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Admirali dhe kapedani

E merkure, 04.12.2013, 07:49 PM


ADMIRALI  DHE KAPEDANI

Tregim nga Resmi Osmani

Deti Mesdhe, riviera franceze,  shkurt 1804.

Deti ishte i trazuar e i tallazitur. Era ngrinte dallgë të mëdha që e heponin anijen sa majtas-djathtas dhe sa lart poshtë. Çarçafi i përhinjtë i mjegullës kishte mbuluar gjithëçka. Rigonte një shi i hollë si i shkuar në sitë,  që i pjerrësuar nga era përplasej në vela. Bregu i steresë kishte humbur,  nuk kishte fushëpamje. Lundronin me hamendje si të verbërit. Që të pakësonte shpejtësinë,  kapedan Andrea dha porosi të mblidhej vela e direkut qendror dhe ajo e bashit. Anija mori drejtim veriperndimor drejt brigjeve franceze për të hyrë në portin e Marsejës,  ku të uriturit prisnin ngarkesën e grurit. Për të qënë i sigurtë,  Andrea e mori vetë timonin. Më pas,  moti nisi të qetohej dhe era e pakësoi vrullin,  por e davariti mjegullën,  u duk sipërfaqia e shkumëzuar ujrave të gjelbra si mollë e pabërë dhe tutje në horizont,  sterea e mugët.

- Ngrini velat,  përpara me gjithë shpejtësinë!-Komandoi kapedani.

Kur mjegulla u tret e u shpërnda e gjitha,  kapedani dhe detarët u ndodhën para asaj që i ruheshin: Tre kanoniere të flotës angleze të Mesdheut i kishin rrethuar dhe vënë në mes.

-Dreq!-shfryu kapedani, -Jemi zënë si në çark.

Detarëve u ikën fjalët,  shihnin në sy kapedanin dhe prisnin urdhërat.

Kanonierat u afruan me shpejtësi.Në fajkat e tyre u ngritën qepenat dhe u dukën grykat e shumta të topave që vunë nën shenjë anijen.

Andrea e pa që s’kishte zgjidhje. Në përpjekjen e parë për të çarë rrethimin,  mbi të do të zbrazeshin mizëri gjylesh dhe anija e tij do të katandisej në një partallë dërrasash,  që do të pluskonin mbi ujë dhe detarët e coptuar do t’i përpinte deti. Trimëria në këtë rast s’vlente gjë,  veç për vetëvrasje. Këtë herë macja e kishte kapur miun!

-Do të dorëzohemi, - tha ai.- S’ka udhë tjetër. Do na gjykojnë sipas ligjeve të luftës. Kemi thyer bllokadën angleze. Zoti qoftë me ne,  - tha dhe bëri kryqin.

Nuk vonoi dhe njera nga luftanijet,  i hodhi litarët anijes dhe një skuadër detarë me një oficer në krye e vunë Andrean nën zinxhirë,  e zbritën në një kaike dhe e shpunë në njerën nga anijet që dukej se ishte e kapitenit komandues.

Të lidhur këmbë e duar me zinxhirë si të ishte kriminel,  e plasën në një kabinë-qeli,  të errët e të  lagët,  që kutërbonte era myk dhe nuk i dhanë as për të ngrënë e as për të pirë. Mendimet që i përsilleshin nëpër mendje,  nuk e lanë të  vinte  gjumë në sy.

Kur hapën derën e kabinës ishte bërë ditë. Në kabinën e kapitenit,  trupi gjykues me tre oficerë i bëri  një hetimi të shpejtë,  si për të shkuar radhën dhe pasi dëgjuan përgjigjet e shpalli fajtor dhe dhanë vendimin: dënohej me vdekje se kishte dalë kundër urdhërit të Madhërisë së Tij mbretit duke u përpjekur të thyente bllokadën,  për ti ardhur në ndihmë Francës armike. Detarët e tij shpalleshin robër lufte,  anija dhe ngarkesa sekuestroheshin.

Të drejtën e apelimit e kishte vetëm  admirali,  lordi Horacio Nelson.

*     *    *

Kur e vunë në dijeni të ngjarjes dhe vendimit të gjyqit,  admirali komandant  i  flotës së Mesdheut,  që quhej edhe “Flota blu”,  lordi Horacio Nelsoni,  ishte duke këqyrur shërbimet rutinë  në anijen e komandës kanonieren“Viktoria”, që kishte shtatëdhjet e dy gryka zjarri.

Për zbatimin e dënimit me vdekje,  me pushkatim,  kundër kontrabandistit,  që kishte guxuar për të çarë   bllokadën,  kërkohej miratimi i tij.

- Ma sillni ta shoh dhe ta pyes, - i tha oficerit- dhe vijoi qetësisht këqyrjen e detarëve,   që ngrinin velat,  tërhiqnin pallamarët dhe  kryenin gatitjen e anijes për lundrim.

Andrean e nxorën nga kabina- burg,  të lidhur me zinxhirë dhe e hipën në një velierë  të vogël e të lehtë,  që nuk mënoi të mbërinte te kanonierja “Viktoria”. Pasi hipën në kuvertë,  dy nënoficerë trupmëdhenj e kapën nga   krahët aq fort,  sa atij i dhembën. Para tyre shkonte kapiteni që e kishte gjykuar e dënuar.

-Po shkojmë te admirali Nelson. Kur të hysh brenda përkulu dhe nderoje.

-Në vendin tim se kemi zakon ti përulemi njeriu,  qoftë ky edhe sulltani i botës! Përulemi vetëm para Zotit!

Admirali i priste në kabinet. I ulur në kolltukun e rëndë,   po shqyrtonte hartat e shtrira mbi tryezë. Kur Andrea dhe shoqëruesit hynë brenda,  ai s’e ngriti kokën. Mori një kompas dhe diçka mati,  e shënoi dhe pastaj në hartë vuri një rreth të kuq.

Andrea pati kohë ti hidhte sytë kabinetit. Pas shpine flamuri i Anglisë dhe ai i anijes admiral. Në të katër muret ishin varur harta të gjysmë sferave të rruzullit tokësor dhe të Mesdheut dhe armë të vogla trofe,  pistola me doreza argjendi dhe shpata teh  harkuara. Përballë tryezës së punës ishte varur  portreti  i një zonje të bukur,  që nën strehën e ulur të kapeles,  shihte me një vështrim të përmallshëm. Në të djathtë,  gjendej një rruzull i madh i lëmshit të dheut.

Më në fund ai u kujtua që kishte vizitorë dhe ngriti kokën,  por nuk foli. Të dy burrat ia ngulën vështrimin njëri-tjetrit.

Andrea kishte para vetes admiralin e famshëm Nelson. Burrë i hijshëm,  me flokë gjer te supet,  të zbardhur nga pudra,  balli i lartë,  vetullat të harkuara,  hunda e drejtë,  goja e rregullt dhe mjekra pak e dalë që e rrëfente natyrë energjike. Syri i djathtë e kishte humbur dritën,   e kishte të mbuluar. Syri tjetër ishte i përhinjtë,  vështrim ftohtë e zhbirues. Pamja krenare dhe autoritare.  Andrea vuri re se admiralit i mungonte edhe dora e djathtë. Cungun e krahut e kishte futur nën jelek. Si për të plotësuar ato cene,  fraku blu jakëlartë i devizës ishte i stolisur me medalje,  dekorata të arta e të argjendta,  mirënjohjeje për shërbimet.

“ Admirali qënka katandisur në gjysmë njeri,  - mendoi Andrea. E kishte paguar shtrenjt lavdinë dhe shërbimet që i kishte sjellë vendit të tij. Por ja  rasti e solli që Fati i tij të ishte në dorën e vetme të këtij gjysmënjeriu.”

Admirali e pa kontrabandistin me kërshëri por edhe me habi: ishte mishërimi i burrave të lidjes,  egzotik,  si ata që paraqiteshin në tablotë e piktorëve. Duhet t’i kishte kaluar të tridhjetat. Shtatmesatar,  shpatullgjerë,  flokëverdhë të lidhura prapa,  me sy të kaltër ku përziheshin qielli dhe deti. Nën hundën si sqep gjeraqine, mustaqet e plota. Burrë i hijshëm. Në kokë kishte një feste të kuqe me xhufkë të zezë,  mbi këmishën e bardhë,   një jelek i shkurtër ngjyrë alle i mblidhte gjoksin. Mbi të setrën e kaltër që i zbriste paksa në bel dhe shallvare të gjera,  gjith me atë ngjyrë që kapeshin me gajtan nën gjunjë. Çorapet të bardha dhe këpucët telatina. Mesin e hollë ia qarkonte  brezi i stolisur me pafka argjendi.

Admirali nisi të pyeste. Përkthyesi fliste shpejt por zëulët.

-Nuk po mi hiqni zinxhirët,  admiral,  që të flasim si burri me burrin,  si detari me detarin ,  si admirali me kapedanin?

-Mos doni të thoni edhe si i barabarti me të barabartin? Jeni robi im!

Admirali hezitoi,  por e kapërceu ndërdyshjen dha  u tha ta zgjidhnin nga prangat.

Andrea e kishte gojën të idhët, po digjej për një gllënjkë ujë.

-Vartësit tuaj nuk janë aspak të gjindshëm. S’më kanë dhënë qoftë edhe një pikë ujë për të  lagur gojën.

I dhanë një kupë ujë që ai e piu me etje.

-Kush jeni ju?

-Emri im i pagëzimit është Andrea. Andrea Voko,  por më quajnë edhe Miauli.

Nelsonit iu kujtua se dikur në të ri,  kishte komanduar një kanoniere që quhej “Shën Andrea”

-Jeni Turk?

-Jo. Turqit janë armiqtë e mi. Ata janë shkaku që të parët tanë mbetën pa atdhe.

-E po,  jeni grek ?

-As grek. Jam thjesht arvanit,  me gjak të pastër arbëror.

-Kush janë arbërorët?

-Ata që tani i quajnë racë shqiptare.

-Kush është vendi juaj?

-Atdheu i dytë i të parëve tanë u bë ujdhesa e Hidrës,  në detin Egje.

Nelsoni rrotulloi rruzullin dhe e hodhi syrin te arkipelagu i ujdhesave të Egjeut.

-Jeni pjesë e perandorisë së sulltanit të Turqisë?

-Ujdhesa jonë është e lirë. Këmba e turqve s’ka shkelur kurrë atje. Ne i bindemi,  lutemi dhe ia kemi frikën vetëm Zotit.

Admirali hyri në temë:

-Ku e merr grurin?

-Në Odesë dhe Sevastopol të Rusisë.

-Kjo është hera e parë,  apo ke hyrë e dalë shumë herë?

-Shumë herë.

-Si ka mundësi?

-Ja që ka. Gardhi juaj i bllokadës ka shumë të çara ngaku mund të kalohet.

-Por këtë herë ama,  re në rrjetë!

-Fajin e pati mjegulla. Atë duhet të falënderoni.

Nelsonit po i bënte përshtypja qetësia por edhe krenaria e robit të tij. U habit kur në vend që ta mohonte,  ai pohoj se kishte hyrë e dalë shumë herë në portet franceze. E bënte për mburrje,  që të dukej,  apo naiviteti dhe sinqeriteti ishte në natyrën e tij trimërore?

-Pse e bën këtë,  ke simpati politike për Bonapartin dhe francezët?

Në vend të përgjigjes,  Andrea ngriti dorën e djathtë dhe fërkoi gishtin e madh me tjetrin pas tij.

-Për fitim? Për biznes?

-Ujdhesën tonë e ka vjellë deti në një çast zemërimi. Ai është një shkëmb pak më i madh se anija juaj. Nuk kemi as ullishte as vreshta,  as mbjellim as korrim. Që të jetonin atje, të parët tanë i shpuri e keqja, që të shpëtonin nga zgjedha e turkut. Deti është vreshti dhe ara jonë. Ne jemi detarë brez pas brezi,  në det lindim,  nga deti ushqehemi e në det vdesim!

-Si ju paguajnë francezët?

-Nuk ankohemi. Mirë,  me dukat floriri.

-E kupton se ç’ka je duke bërë? Ke shkelur urdhërat e qeverisë së Madhërisë së Tij, mbretit të Anglisë.

-Unë nuk jam shtetas i Madhërisë së Tij dhe brenda kufijve të shtetit të Tij. Kësisoj,  nuk kam shkelur asnjë urdhëresë.

-Kontrabanda dënohet si pirateria,  bile më rëndë.

-Admiral,  ne nuk u kemi shitur francezëve armë,  që tu dëmtojmë,  por grurë për të shpëtuar njerzit nga vdekja e urisë. Merret vesh,  e bëjmë edhe për fitimin tonë. Besoj u thanë se në anije veç armëve vetiake,  pisqollës dhe shpatës sime s’u gjet asnjë armë tjetër.

-Besoj ta thanë. Për këtë faj të rëndë,  gjyqi ushtarak,  në bazë të ligjeve të luftës,  të ka dënuar me vdekje, - i tha admirali dhe i bëri me dorë shenjën e kokëprerjes.

Pas atyre fjalëve,  plumb të rënda e tronditëse për këdo të paditur,  admirali deshi të shihte sjelljen e të dënuarit,  priste që ai të ligështohej e të kërkonte ta mëshironin,  por asgjë e tillë nuk u duk. Kapedani arvanit  ruajti qetsinë dhe e pa drejt e në sy admiralin,  me vështrim të guximshëm,  pa iu dridhur qerpiku. Kishte qëndrim e pamje burrërore,  me një krenari,  që e kanë burrat fisnikë e trima.

-Po. Ma thanë.

-Nuk ke frikë nga vdekja?

Andrea u mendua para se të përgjigjej. Me cilë mendonte se kishte të bënte ky lord anglez? Me ndonjë burracak zemërlepur?

-Jo. Burrat një herë vdesin. Frikacakët vdesin përditë.  Trimit i ka hije vdekja nga plumbi dhe jo ajo nga pleqëria në shtratin e shtëpisë. Të thënës nga Zoti dhe fati,  nuk i shpëtojmë dot! Ja,  admiral,  keni marrë gjith ato plagë,  por vdekja u ka kursyer. Nuk ka qënë e thënë. Ora juaj nuk ka ardhur1.

-Po jotja?

-Si të ketë bërë emër Zoti!

Biseda kishte mbaruar. Admirali, kishte dëgjuar për shqiptarët dhe trimërinë e tyre .Mehmet Aliu,  një shqiptar në Egjypt kishte thyer ushtritë e Bonapartit. Një tjetër Ali,  i quajtur Luani i Epirit,  ishte sundimtar i fuqishëm i një vilajeti tëmadh,  dhe u kishte marrë francezëve qytetet e bregdetit jonian,  por nuk kishte dëgjuar të flitej për arvanitët trima. Bëri shenjë që ta merrnin,  por kapitenit i tha  të qëndronte .

Andreas i vunë zinxhirët dhe e nxorën nga kabineti.

Kapiteni po priste në këmbë. Admirali doli nga përhumbja e çastit dhe nisi të shqyrtojë hartën e arkipelagut të Egjeut. Ato ujëdhesa shkëmbore si të mbjella nëpër det,  që rrisnin të  tillë burra trima,  që ai do të ishte me fat t’I kishte në flotën e tij. Si e quanin veten se ishin? Ah,  po arvanitë,  gjak  arbëror,  racë e pastër shqiptare.

-Admiral?

-Po. Sekuestroni ngarkesën. Kapedanin,  anijen dhe detarët lirojini. Ja kam falur jetën. Burra të tillë nuk mund të pushkatohen. Aq trim sa është ka për t’iu dashur vendit të tij që është ende i robëruar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora