E merkure, 01.05.2024, 06:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Ura

E enjte, 05.12.2013, 07:26 PM


URA

Tregim nga QAZIM D. SHEHU

Ajo ishte një urë ndërtuar që në kohë të Zogut.Kishte këmbë prej betoni dhe mbi to ishin hedhur hekura e mbi hekura qenë vënë, mbërthyer me trarë, dërrasa që ndërroheshin sapo i kalbte koha.Ura qe ndërtuar në bërrylin e një kodre aty ku ishte vendi më i ngushtë nga bashkoheshin dy brigje. Poshtë saj rridhte një zall që tërbohej në dimër dhe pothuajse shterte në verë. Ajo shërbente për makinat e rralla që kalonin këtë urë për t`u ngjitur një të përpjete e pastaj për të rënë ne një shesh e për të vazhduar përmes krahinës sipas relievit.Këtë rrugë e kishte ndërtuar po Zogu vite të shkuara, madje ajo nuk do hapej po të mos kishte këmbëngulur Isë  Batusha i cili duke qenë shtëpi e fortë i merrte fshatarët me kërcënim, i nxirrte në punët botore dhe sipërmarrësi u jete pastaj lekët. Atëhere qe mendimi se rruga nuk duhej ,shteti do vidhte pyjet dhe taksidarët do e kishin më të lehtë për të ardhë me tromobil.Vërtetë ashtu ndodhi.Fshatarët kishin pasur të drejtë po ja që rruga duhej dhe ura së tepërmi i shpëtoi njerëzit pa u mbytur në dimër nga shiu dhe moti  lig.Isë Batusha qe bërë ballist.Ai kishte influencë në zonë, kishte vendosur rregull,të gjithë dridheshin prej tij ,ashtu siç qenë dridhur atëhere kur ishte ndërtuar rruga.Disa herë ia kishin numëruar plumbat po Isë Batusha nuk vritej lehtë.Nga disa fshatra dolën edhe partizanë, dhe Isë Batusha nuk ngacmoi njeri.Flitej se gjermani do të vinte në krahinë me makina të rënda.Skeptikët e dikurshëm të urës dhe rrugës tani thoshin se sa drejtë kishin pasë dikur po ç`ti bënin Isë Batushës dhe italianëve që jepnin lekët.

Njësiti mori vendim se ura duhej hedhur në erë para se gjermani të vinte me makinën e madhe.Ishte një makinë me grykë të gjatë që villte zjarr.Ajo i shembte shtëpitë me një të shtënë,digjte mullarët e barit dhe shfaroste ay ku shënonte.Pasi u mor vendimi u diskutua mbi mënyrën e hedhjes së urës në erë.Në fillim do zhvidhoseshin vidat e hekurave, pastaj me vajguri do të digjeshin dërrasat. Me siguri makinat e gjermanit nuk do guxonin të hynin në urë dhe ai, Isë Bausha do mbetej si peshku në zall gjatë verës.Po ku të gjenin vajguri?As vajguri nuk kishin.

Njësiti caktoi detyrat .Do të vepronin natën.Ata do shkonin nëpër shtëpitë e fshatarëve dhe me siguri do e grumullonin sasinë e nevojshme.Duhej vepruar sa më shpejt në mënyrë që afër mëngjesit, po natën, ura të digjej dhe ata të largoheshin.Krahina gjendej e nën vëzhgimin e rreptë të Isë Batushës.NJësiti partisan përbëhej nga nomalistë dhe ca qytetarë të Elbasanit që kryenin veprimtari të fshehtë në Çermenikë.Ishin nja shtatë vetë, djem të rinj mes dy burrave gjysmë të moshuar. Urdhri qe i prerë.Atë mbrëmje ata e panë urën mirë.Çvidhosën disa bullona të ndryshkur dhe vendosën të dilnin në grup natën për të kërkuar vajguri ndër fshatarë.Ecën në fillim për tek fshati më  afërt.Rruga ishte e ngushtë e rrëpirtë dhe ata ecnin me tahmin.Nuk lejohej drita.Diku panë përmes flakës së një kandili një dritë.Duhej të qe shtëpia e parë e fshatit.Trokitën, heshtje dhe një qetësi që dyndej nga brenda oborrit rrethuar me një avlli të lartë sikur donte t`i sprapste ata .Trokitën më fort.Nga shkallët e brendshme u ndie një zë.Ishte një zë gruaje.Ata i thanë se ishte njësiti partizan dhe dera u hap.Hynë brenda duke ngjitur shkallët e gurta të katit të dytë.U gjendën në një dhomë të madhe.Mbi srehën e oxhakut ndrisnin tri llamba me vajguri.Aty mbi shilte ishte shtrirë një plak i vjetër.

-Çfarë ka gjyshi –pyeti njëri nga studentët

-Është sëmurë, në grahmat e fundit…,-mërmëriti njëri nga të shtëpisë.Po ju uluni mos kini dert..

-Jo s`kemi ardhur për të ndenjur,-na duhet vajguri,-tha më i vjetri

-Vajguri ?!Partizanët s`kanë kërkuar kurrë vajguri,bukë po, veshmbathje..

-Leri llafet.Na gjej vajguri! Ky është urdhër…Të zotët e shtëpisë rrinin të heshtur.Ata s`dinin çfarë të thoshin.Që vajguri duhej për të djegur kjo dihej po çfarë do digjinin këta jezitë, kjo nuk u shkonte ndërmend.Kohët e fundit digjeshin shtëpi.Ishte djegur shtëpia e një parizani nga forcat e Isë Batushës.Njëri nga pjesëtarë e njësitit nxori nga thesi një bidon, mori llambat në oxhak,i shoi me radhë u hoqi poçin pej qelqi dhe derdhte në bidon vajgurin e mbetur.U bë gjysmë errësirë.Shihej vetëm me dritën që falte zjarri.Nuk ka më ngushtë se sa çasti kur njeriu s`di si të veprojë para tytës së armës.Isa Batusha kishte të drejtë.Komunistët nuk njihnin fe e zakon.Ata dolën përjashta në errësirë duke lënë njerëzit në errësirë.Dhe ikën diku në një shtëpi tjetër.Trokitën,dera u hap shpejt sikur i prisnin.

-Vajguri,-tha studenti,-ne duam vajguri…Në shtëpi ishte vetëm një plakë dhe një nuse e re e bukur e cila ndoshta s`do kishte dalë para tyre sikur plaka të mos ishte gënjyer nga e trokiura e lehtë ashtu siç trokiste i biri.

-Vajguri?Ka nana nja tre kile-foli plaka dhe tëhoqi nga nënpërparsja një çelës e hapi një arkëz të vogël .Ajo nxori një bidon dhe ua zgjati.Plaka e mbante vajgurin si gjë të shtrenjtë në arkëz.Nusja e re ishte zhdukur prej aty.Ikën nga kjo shtëpi disi të lehtësuar dhe trokitën tek shtëpia afër.Nga dritaret dilte një dritë e fortë. Edhe në errësirë shtëpia tregonte prezencë.Kjo nuhatej, duhej të qe shtëpi e pasur.Po të gjenin vajguri aty aq sa u duhej, sa ishte urdhëri nuk do bridhnin më.Ishte mirë që ta kryenin aksionin sa më shpejt.Mëngjesit nuk i dihej.Trokitën.Ishte një derë e rëndë prej druri.

-Kush asht aty?...-u dëgjua një zë nga dritarja.

-Mysafirë, -tha më i vjetri.

-Nuk ka mysafirë në mes të natës,në mes të natës ka vetëm banditë,-qërohuni ose u lëshova qentë t`u çaplojnë…

S`dinin çtë thoshin.Zëri ishte i egër ,dukej këmbëngulës dhe agresiv,i fyer.

-Na duhet vajguri,-tha më i vjetri,- kemi një të sëmurë..Kanata prej druri e dritares u mbyll dhe u bë qetësi.Nga brenda oborrit qentë lihnin më të madhe gati po këpusnin zinxhirët.Ikën prej aty.

Trokitën në një shtëpi përdhese.Trokit e zgjo,si në mesnatë…,iu kujtua studentit një varg i Shkespirit.Ai e kuptonte se kjo ishte një turp, po urdhëri është urdhër.Në shpëtonte nga lufta do vinte dhe do u kërkonte ndjesë këtyre njerëzve po gjer atë here s`ka rëndësi.Rëndësi kishte sigurii i vajgurit..Pas të trokiturave të forta dera u hap.Doli një burrë me xhaketë krahëve dhe të linjta.Dukej i përvuajtur.

-Vajguri,-u nxitua të thotë i pari sudenti

-Shes, po pak kam , nja tre a katër kile,-tha fshatari,-sot u furnizova po ma blenë fshatarët.S`kanë faj të shkretët,mali me pishë është larg,koha e ngatërruar e dritë duan…

-Na i jep ato, -foli më i vjetri

-Posi, mre jahu, po ju hajdeni brenda tu baj lala nji kafe ,pse me kaq nxit mre jahu…

-Na i jep ato, foli tjetri, jemi partizanë dhe vajguri na duhet

-Me këtë xhephane që ka gjermani ,jo vajguri po…

-Leri fjalët,urdhëroj!…

Tjetri u tremb.Ai hyri brenda dhe shpejt doli me dy bidona me vajguri.Ata morën bidonat dhe kthyen kurrizin

-Po paratë?...u ndie zëri i të zotit të mallit.

-Liria nuk paguhet me para po me gjak,tha student,vajguri na duhet kundër armikut.

-Atëhere hallall e paçi foli tjetri duke u treguar i zgjuar.

Mbasi brodhën edhe një orë nëpër fshat ata i gjetën edhe dy litra të tjera.Ishte bërë një sasi që u vlerësua si e mjaftueshme.Dërrasat duheshin spërkatur pastaj zjarri përparonte vetë.Nuk duhej një zjarr i menjëhershëm si shpërthimi i dinamitit.Afër mëngjesit flaka u ngrit përpjetë.Në fillim erdhi e vogël, pastaj ngadalë filloi të rritej; dërrasat kërcisnin në kafshimin e tyre dhe fundi i luginës ndriçohej si një dritë që vinte nga një greminë e ngjitej me një pezm të hidhur lart.

Kur zbardhi ,forcat e Isa Batushës qëndronin pranë urës.Hekurat nuk ishin zbërthyer po dërrasat ishin djegur krejt.Shumë fshatarë rrinin në heshtje dhe shihnin Isa Batushën tek vërtitej i vetëm duke bërë një ecejake pa kuptim Askush nuk guxonte t`i afrohej.Pastaj ai u ndal dhe hipi mbi një gur të madh.Isë Batusha dinte të fliste.Ai  demaskoi komunistët dhe tha se ata ishin të tmerrshëm .Pataj urdhëroi disa utallarë të shihnin bullonat e hekurave dhe disa të tjerë të sillnin dërrasa. Ura duhej ndërtuar afër mbrëmjes.Pa urën e gjithë krahina ishte e mbaruar.Kaluan ditë dhe ura qe e mbaruar.

Pas një jave tanku nazist iu afrua urës. Pastaj ai u kthye mbrapsht, gjeti një rrëpirë të butë eci nëpër të,  u fut në lumë ,doli nga lumi dhe pa vështirësi hyri në rrugë pa e kaluar urën.Pas tij kaluan edhe tanke të tjerë.Ata u rreshtuan në rrugë dhe ikën drejt Veriut.

Kjo urë vazhdoi deri vonë për vite e vite. Kur partizanët hynë në krahinë urën nuk e dogjën më.Ata dogjën shtëpinë e Isa Batushës përndoqën atë që nuk u pa më.Po njerëzit në heshtje e linin takimin tek ura e Isa Batushës….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora