E premte, 13.12.2024, 06:13 PM (GMT)

Kulturë

Besim Perjuci: ''Jam kosovar''

E merkure, 11.09.2013, 05:41 PM


“Imazhe jetësore të shkëputura nga intima shpirtërore të fragmentuara kujtesës”

Shkruan Besim Perjuci

“Jam kosovar…! Vepër me prurje të paluejtshme, që, për rrjedhojë ka intimën shpirtërore me komunikim personazhesh të shumtë me role e periudha të caktuara kohore historike, botuar më pare në Edicion të Ndërmarrjes botuese “Gjon Buzuku” në Prishtinë, nga autori Ibrahim Çavolli.

 “E vërteta, shpeshherë, e humbur  shpirtit,  s’mund të thuhet  me fjalë, e përjetuara ta bën të përjetshme”    

Më thanë,se Ibrahim Çavolli është kosovar e mbi të gjitha pejan. Ndërkoh, që profesori dhe miku im z.Musa Nushi, njëri ndër intelektualet shumë të nderuar pejan, i shquar  me saktësi, përveç tjerash, edhe në fushën e Shkencës së Gjuhësisë, më foli me shumë respekt për autorin dhe librin”Jam kosovar…! Madje me respektin më të madh më sigurojë, se, librin do t’ma huazojë për një kohë të caktuar. E vërteta e saktë!        Prandaj, përpjekja ime për ta ndërtuar mendimin sa me më veçanti, lidhur me librin dhe autorin pejan z.I.Çavollin”Jam kosovar…!, sigurisht paraqet një mundësi reflektimi të sinqertë, që e përthithura dhe e ruajtura gjatë leximit të veprës, të mbajë thelbin e mbarështrimit. Mbase, kjo do të përmbushte, jo deri në fund, një detyrim njerëzor artistik me imazhe jetësore të shkëputura nëpër segmente të fragmentuara e të përjetuara të autorit, viseve anëmbanë tokës shqiptare, me të vetmën ëndërr që ia rrëmbente, pa dyshim, tërë kohën, Kosova dhe Peja e lindjes, Bjeshkët e Nemuna dhe Gryka e Rugovës apo uji i kristaltë e jetëdhënës që rrëshqet tatpjetës me rrënbim dhe ushqen fushat dukagjinase ditë e natë.

Kujtime që s’mund të braktisën kurrë                                                                                        Sa inspiruese qëndrojnë kujtimet e autorit, të cilat përmes një fuqie mendore të heshtur përbrenda tij, ia kishte ngarkuar kujtesës. Dhe, këto rropatje shpirtërore, do t’ia fshehin dhimbjen që kishte marrë rrugë qëmoti, do të mbesin heshtake deri në ditët e vonshme të jetës së tij, duke ia shtrydhur shpeshherë dëshirat dhe iluzionet deri në thellësi. Por, çudia më e madhe qëndron në optimizmin real dhe drejtëpeshimin e tij me konsideratë. Të gjitha këto, do t’i rrëfejë me guxim burrërie e krenarie se ishte dhe mbeti kosovar. Edhe pse në larginë, përtej kufirit, përkundër të gjitha të këqijave, dëshpërimit, mjerimit e varfërisë së përjetuar bashkë me të tjerët e degdisur, dashuria ndaj atdheut, Kosovës, Pejës dhe njerëzve të saj, nuk e braktisi. Përherë brenda shpirtit e ka ruajtur nga një copë atdhe, kurse plisat e bardhë si bora e Bjeshkëve të Nemuna mbi kokat e baballarëve, që endeshin kryqetërthur Shqipërisë, do t’ia ngacmojnë kujtesën dhe s’do ta lën rehat as natën as ditës.Autori lufton me dallgën e madhe që i vlon në gji. Shpresën asnjëherë nuk do ta humb. Ndjenjë kjo, që e përcolli tërë jetën. Dhe, shih për këtë, sa i fuqishëm e vokativ bëhet mendimi i tij: “ Jam kosovar! E them me zë të lartë, pa e fshehur aspak krenarinë. Veç, ka qenë një kohë, kur do të doja ta shqiptoja këtë fjalë, më fort. Do të doja që ky pohim të ishte aq i fuqishëm, sa të jehonte me gjëmim, gjer në kup të qiellit. Jo, thjeshtë, siç thuhet rëndom: jam lab, jam malësor, jam shkodran apo

2.

korçar. Jo! Do të dëshiroja që zëri im të bubullonte, të shkrepëtinte si rrufeja dhe të davariste retë e thashethemnajës, si dielli me shkëlqimin e vet vërbues. Kam shumë arsye të jem krenarë që jam kosovar. Se Kosova ia ka zbardhur faqen Shqipërisë, gjithmonë.” Kjo e bën të bukurën shpirtërore që nuk shitet e as blihet, është fuqi natyrore që s’mund të kontrollohet nga shqisa të zakonshme të njeriut, sepse tejkalon edhe të mundshmën.

Përtypja e mendimeve me kujtesë kronikani                                                                       Libri “Jam kosovar…! Artikulon mendime me prurje të paluejtshme që ka për rrjedhë intimën shpirtërore me komunikim personazhesh të shumtë me role e periudha të caktuara kohore historike.                                                                                                     Përtypa e mendimeve që dalin si lumë nga kujtesa e ruajtur dhe përjetimi original i autorit, gravitojnë fuqishëm brendapërbenda tij, duke i shpalosur çiltër të destiluara e me durim të skajshëm, për t’i kundruar me prirje intelektuale në trajtën artistike të fjalës. Me elokuencë kronikani të kohës, autori na përkujton kohën e ngjarjeve të rëndësishme dhe të kryengritjeve të mëdha, si dhe luftën e parreshtur të popullit shqiptar, që kishte për synim çlirimin definitiv nga vargonjtë e robërisë serbo-sllave. Kohët e ngatërimeve dhe interesave të mëdha, nuk punonin për popullin shqiptar shënon autori në veprën e vet. Ndëshkimi vinte, përveç Serbisë sllavo-ortodokse, edhe nga shtetet e fuqishme evropiane, të cilat sikur i kishin mbyllur sy e veshë karshi akteve më çmendurake gjenocidale dhe programit të përhershëm Çubrilloviçian dhe viçëve të tjerë për zbrazjen e Kosovës dhe popullzimin e saj me kolonë të mileteve të ndryshëm. Kurse ne si zogjtë e qyqes bridhnim në kërkim të atdheut të humbur. Ne jetonim të ndarë në pesë copa, thotë autori. Pra, nga të gjitha anët ishim të ndëshkuar e të përsekutuar, ndonëse një mbrojtje e hapur vinte nga Amerika  largët.                           Me admirim të pashoq bisedon me botën që duhet përkrahur vullneti i popullit shqiptarë, si kauzën më të drejtë njerëzore. Megjithatë, autori do të pëlcas nga marrazi, kur thotë:” …Na bënë të radhitemi përkrah botës së qytetëruar, kundër forcave të ërrësirës. Patëm shpresë se bota do të dëgjojë zërin tonë, do të na japë atë që na takonte me të drejtë. Por ajo u tregua përsëri e egër me ne, e padrejtë dhe cinike. Kot shpresuam dhe u zhgënjyem, u mashtruam.” Për të vazhduar më tutje:”Kështu ndodhi pas pesë dekadash. Po tani? Atëherë bota na bëri thirrje të ngriheshim në luftë, kundër armiqëve të përbashkët dhe shqiptarët ashtu vepruan. I bënë nder vetes, emrit shqiptar. Tani, bota na bëri thirrje, të ulemi në tryeza: të bisedojmë sepse vetëm me dialog e me marrëveshje, do të zgjidhen të gjitha çështjet e kontestueshme. Ne, prapë e dëgjuam botën dhe i bëmë nder vetes, emrit shqiptar. Dhëntë Zoti e të mos mashtrohemi përsëri”                                                                                                          Autori, pa dyshim rahu mirë mendimin e vet dhe në kohezion me kohën depërtoi me lehtësi deri në thelb të çështjes sonë kombëtare, përmes shumë shembujve që marrin

 

 

3.                                                                                                                                                             rrjedhën e një kronike të kohës me fuqi historike-shkencore, pa u shkëputur ndonjëherë nga shpjegimet subjektive të realës. Dëshira e madhe që e shpërfaq autori gjatë gjithë shtjellimit të lëndës, për ta parë kombin të bashkuar, kurse tokat shqiptare të frymojnë lirshëm, e bëjnë të shpërthejë fuqishëm deri në imtësi  e që mbërthejnë, me një shije të hollë e sinqeritet, jetën fëmijërore, atë rinore dhe të pjekurisë . Ngjyrat e jetës aktualisht të mbushura me energji pozitive për t’u përballur bashkërisht me terrin ndër mote të akullta, por edhe do ta mrekullojnë atë, kur bima e re do të ngritë kokën dhe të dalë nga lëvozhga egërshane e kohës. 

Sintaksa gjuhësore me melmesa të gjuhës kosovare-pejane                                                Vepra në fjalë atrukturohet përmes 46 njësive fragmentare të mirëmenduara dhe të endura gjeografisë së tokave shqiptare autoktone e për të mbetur një si thesar i çmueshëm i sirtarizuar damarëve të gjakut me argument provash të përjetuara në distanca të ndryshme kohore. Autori Çavolli me sintaksën e gjuhës pejane e zbukuroi të dëshiruarën deri në pambarim; të gjitha vuajtjet shpirtërore, por edhe dashurinë dhe shpresën. Pra, përdor një stil të veçantë të të shprehurit që ruan në vete, para se gjithash, konfiguracionin sintaksor të gjuhës së njësuar dhe atë me melmesa të gjuhës kosovare-pejane, gjuhën e përdorshme të përditësisë pejane, pa ndryshime të mëdha për ta nëntheksuar patjetër mentalitetin e vendlindjes, që, përbën një element më shumë, sepse e folmja amënore nuk harrohet, nëpërmjet të cilës ka komunikuar me të afërmit.                                                                                                                                      Personazhet e veprës, që vinin sa një “batalion”, qenë aktorët më të jashtëzakonshëm të përditësisë, që aktronin në dheun e ëndrrave për fashitjen e etjes për atë të kulluarën tokë, për iluzionet e krijuara tek të gjithë ata që u degdisen andej kufirit për atë të ndritshmën e të dashurën Shqipëri, për përmbysjen e tragjikës që i përcolli tërë jetën, për luftën kundër të shëmtuarës, të nemiturës dhe pafundësisë së vuajtjeve, në një kohë që s’ishte e tyrja apo e tyrja s’mund të barasvlerësohej me kohën pa cen. Të gjitha këto figura të përmendura do të mbesin në zemrën e autorit: të dashur e të shtrenjtë, pa u shlyer e pa u harruar, përjetësisht të skalitur diku thellë. Eh, me sa shpresë e entuziazëm i shpalos autori të gjitha këto, duke i përbiruar gati, pa harruar as edhe më të skajshmën, më të pafolurën, e për t’ua bërë të ditur gjeneratave s’e nuk duhet shteruar shpresat se, një ditë do të ndodhë ndryshe. Sa ndenjë e çuditshme të mbërthen, kur për një moment, e kalon veten nëpër koren e jetës së këtij shkruesi! Çfarë pamje të kapërthejnë shpirtin kur dëgjon, i ndjen, i sheh dhe i flet të gjitha këto të përjetuara, si aktori kryesor i ngjarjeve nëpër mote.

 Vepër që artikulon imazhe në kohezion me ngjarjet dhe etjen për Kosovën e Pejën                                                         Zbërthimi i çështjeve që komunikojnë mendimin, artikulojnë imazhe të patjetërsueshme brendpërbrenda veprës, duke mos e zbehur e penguar, për asnjë moment konsideratën e autorit që të jetë në kohezion me ngjarjet, me kohën e mbi të gjitha me iluzionet djaloshare me frymëzim atdhetar e kombëtar. Me shpërthim shpirti, autori i rrëmben gjithçka harresës dhe materializon ngjarjet me forcën e narracionit konstruktiv e me përmbajtje, skajshmërisht, të kuptueshme, duke i vënë në spikamë momentet më të

4.                                                                                                                                                                                  dukshme psikike, shqetësimet, fatet, nderin, krenarinë, etikën, mburrjen, bujarinë, mikpritjen, fisnikërinë, rrethanat historike, shoqërore, ekonomike etj., pa i anashkaluar asnjëherë raportet njerëzore, fqinjësore e farefisnore. Patjetër se, autori në gjithë brumin lëndor të veprës është dhe mbetet udhëtar i shpresave me ideale të trashëguara, me parashikime reale për ta kornizuar në thellësi atdhedashurinë, si hyjnorën e një populli që duhet ta përjetojë.                                                                                                                                  Me ndjeshmëri të rrallë i rendit ngjarjet, i senzibilizon çështjet që rrinë pezull kudo e ngado që shkon. Ato i bën të hapura, të ndërvarme dhe të afërta për secilin. Kjo ndjeshmëri e pasuron formën e narracionit, kurse rrëfimet përftojnë në gjallëri, bëhen të prekshme dhe të përjetshme. Nostalgjia për Kosovën dhe të afërmit, bëhet plaga më e rëndë, por më i rëndë i duket zhgënjimi. Shumë copëra shpirti do t’i mbledhë autori, të mbetura andej e këndej kufirit artificial. Ai do të kthehet përsëri në Shqipëri për të mos u kthyer deri pas viteve të trazirave të mëdha. E ftohta e akulltë ia shtrëngon palcën e shpirtin ia rraskapitë. Kujtesa s’e kishte tradhëtuar asnjëherë e n’asnjë kohë z.Çavollin për ngjarjet e mëdha, të cilat i radhiti sipas kronologjisës tipike shqiptare e sipas zjarrit të derdhur mbi armiqtë e këtij trolli. Lirisht mund t’i përshkruhet epiteti i një kronikani të zellshëm e të mirëfilltë për të gjitha ngjarjet e kohës, të cilat nëpër tërë librin gjëllojnë si një.                                                                                                                                                          Eh, sikur të flisnin këto troje, këto bjeshkë e male, këto kodra e çuka, këta lumenj, këto dete e liqene, këto fusha të bleruara, këto ara të bukës e të bereqetit, e gjithë kjo e venitur shekujve mjeranë; të gjitha këto rrinë të menduara për faqe historie. E kujtimet për gjithçka e gjithandej do të mblidheshin si puna e bletëve që duhet shënuar e mbajtur mend. Këto mendime, sakaq, duken shumë subjektive me theks poetik, por i ka të peshuara e të goditura fjalët, të lidhura mirë e në kohezion të përmbajtjes së tërësisë, mbi të gjitha pa zbukurime rrëfimtari. Dhe, kur vepra lexohet me pasion atëherë duket sheshazi e vërteta e gjithë brumit përmbajtësor. E me vete duket se bartë kuptimin e jetës së mërgimtarit. “Mërgimi than shpirtin dhe venit shpresat”, thotë poeti.              Qëndresa shpirtërore e burrëronte dhe e vertikalizonte për të mbetur në këmbë. Ai, bashkë me të tjerët kishte nevojë që t’i dashuronte dikush. Fatjeta e tyre kishte vulën pa ngjyrë, kurse tragjikja po i përcillte, mbase, kudo. E hirta sikur nuk dilte nga shpirti i tyre i zhuritur. Dallgët e jetës me shkrepëtima të stuhijshme ia përcollën edhe ato pak ëndrra të shkrumuara shpirtit, ndërkaq jeta e copëtuar ishte vetëm një mozaik i shpërndarë nga rrjedha e moteve, do të thotë z.Ibrahim shumë herë. Shpeshherë i bëhen si të sosura e të kurrnjëhershme të ndodhura, përt’i kapërcyer më lehtë e me përkëdhelje lehtësimi.                                                                                                                           Është një fragmentar i mirë, i matur dhe shumë i sinqertë në shestimin e halleve të mëdha, por edhe të një dashurie të pakufi për vendlindjen e martirizuar. Vlaga e tejpërtejme e digjte dhe e gurëzonte për ta shndërruar në kala të pamposhtur kundruall stuhive të egërta që po e lëviznin me dhe pa dëshirën e tij. Sa i huaj në tokën amë! As numër as emër! As trup as hije! E neveritshme! E pakuptueshme dhe shumë vrasëse!

5.                                                                                                                                                               Vallë, si flasin kohët?- Athua, edhe ato e kanë gjuhën dhe sintaksën e vet?!/Një pyetje retorike e nënkuptuar/.                                                                                                                       Hise e pakëputur e jetës së tij ishte shkollimi dhe etja për dije. Patjetër, një gjë të këtillë e kishin për zemër edhe shumë të rinjë, të cilët më vonë u ngjeshën me dije e kulturë mësimore. Ai do të klithë me zë buçitës: “Në sundimin e Jugosllavisë së kralëve, po shuhej, dalëngadalë, gjuha jonë aq e bukur e aq e vyer…Mësuesit ishin tepër të rrallë. Jo se nuk donin të shkollohesin, jo se u mungonte vullneti apo zgjuarsia, por se pengoheshin, qëllimisht, me një mijë mënyra, nga pushtuesit jugosllavë.” Një mik i vonshëm i autorit në Stamboll thoshte, se:”Unë mbeta shqiptar dhe këtë ia di për nder mësuesit tim të paharruar, Qemal Haxhihasani, që, me durim prindi e përkushtim atdhetari, ma mësoi gjuhën tonë të harruar. Se ne shqiptarët ishim vërtet, por shqip nuk dinim.”                                                                                                                        Hapur flet edhepër aktivitetin legal e ilegal, gjatë viteve 1942-45, derisa ishte në Normalën e Prishtinës. Bashkëvepronte me Grupin e të rinjve përparimtar, si:Burhan Begolli, Mithat Begolli, Fadil Bakia, Gurbi Shehu, Faik Riza e të tjerë.                                                             Pjesë e pandashme e kësaj Monografie janë edhe rrëfimet mallëngjyese nga Ditari i mbajtur me hope, por me kujdes të ruajtura në kujtesë. Të bashkuara e të zbërthyera ato grimca mendimesh do të përbëjnë një tërësi tjetër të vogël sfidash nga pesha e jetës, të cilat, hiç më pak se pjesët e tjera, do të shndërrohet në vlerë të mirëfilltë, përmes një invencioni të fuqishëm narrative-tregimtar. Por, siç thotë autori, se: “ato nuk i lë të braktisura e jashtë kujtesës.”                                                                                                Rrëfimin e gjatë monografik, autori do ta përmbyllë me plot nostalgji për të dyja krahët e atdheut:” Si pranverë e jetës, nuk mund të ishte më e zymtë se kaq. Ishte, me të vërtetë, si një pranverë e plagosur. Më dukej vetja si një zog që dëshiron të fluturojë me hare në qiell të kaltër, por krahët i nguroste diçka më e rëndë se plumbi.”          Megjithatë, shtigjet e jetës shpërthejnë si vullkan njerëzor gjithmonë me energji pozitive dhe rrugëtimin kah ardhmëria s’mund ta ndalë askush.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora