Kulturë
Anton Boçi: Ukshin Morina - ''Liridoniada''
E diele, 08.09.2013, 04:17 PM
LIRIDONIADA
PARATH?NIE
Nga Anton Boçi
Autori
Ukshin Morina së fundi vjen para lexuesit me romanin e tij “Liridoniada” . Kjo
vepër trgon më së miri përpjekjen dinjitoze për të na dhënë një dimension krejt
të veçantë prezantimi, ku me një mjeshtëri prozaike për ta patur zili, arrin të
na shpalosë deri në detaje aspekte, ngjarje dhe skena tronditëse rreth
qëndresës dhe heroizmit të popullit liridashës të Kosovës martire.
Historia
e rrëfyer mjeshtërisht nga U. Morina njëherazi na tregon nivelin dhe shijen e
tij artistike, si edhe botën humane dhe
patosin patriotik që autori manifeston, ku me të drejtë nuk rezervohet për ta
shfaqur hapur nëpërmjet skalitjes së personazheve dhe zhvillimit të
ngjarjeve...
Ngjarjet
janë vendosur në Malësinë e Gjakovës, një ndër zonat që u godit ashpër nga
dhuna e makinës ushtarake serbe. Në këtë terren përplasen ashpër për jetë a
vdekje dy rryma dhe dy kultura diametralisht të kundërta brenda të njëjtit
lloj. Hap pas hapi autori na prezanton një aventurë që i kalon përmasat e
njerëzores, e cila merr trajtën e një gjenocidi shfarosës të një pale kundrejt një pale tjetër deri dhe
brenda vetë qenies... Persiatjet,
dyzimet, ankthi i humbjes, instinkti i mbrojtjes dhe i mbijetesës, filozofia e
individualizmit të sëmurë drejt “unit” apo e “superiorit” për të grabitur e
plaçkitur gjithçka, deri në kufijtë e marrëzisë, marrin gjithnjë e më tepët
trajtë, duke na u prezantuar dhe shoqëruar deri me skena intime, të veshura me
finesë të lartë artistike.
Lufta e
ashpër në terren padyshim që i kalon përmasat e saj. Ajo merr trajtën e një konflikti më të madh se midis palëve;
ajo kalon në një luftë dhe konflikt të brendshëm që motivon jo vetëm ngjarjet
dhe mjedisin, por sulet drejt konfliktit të brendshëm midis personazheve, dhe
akoma më tej, brenda vetë personazhit, brenda vetë qenies...
Pikërisht
këtu qëndron e veçanta dhe specifika e artit të këtij autori. Këtu, në këtë
“nerv” delikat, Ukshi Morina qaset me
finesë e thellësi psikologjike, tronditëse dhe zhbiruese në analizën e
konfliktit të brendshëm të personazheve
dhe jo vetëm kaq, për pasojë, konflikti, i cili ka si farë njollën dhe damkën
historike, por që tek lexuesi vjen mjeshtërisht i mbjellë me rrënjët fabuleske
të tregimit, ku nëpërmjet leksikut të pasur dhe artikulimit artistik të
autorit, marrin jetë dhe sharm portretet dhe gjestikulacionet e personazheve sa
në frontin e luftës, po aq edhe në mizanskenat intime nëpër mjediset e
mbyllura. Autori tregohet shumë i kujdesshëm, herë-herë edhe “bujar” duke na
prezantuar jetën me të dyja anët e medaljes: luftë në front me zjarrin
vdekjeprurës të barutit, po ashtu edhe luftë me zjarrin e xhelozisë dhe të
hipokrizisë...
Proza e
Morinës mishërohet nga një rrëfim plot trille emocionale, që përkëdhel dhe
zgjon ndjenjën dhe dashurinë për jetën dhe të bukurën, por gjithnjë e shoqëruar
kjo me krenarinë dhe vetmohimin për lirinë si gjëja më e shtrenjtë së paku për
çdo qenie humane...
Ndjeshmëria
dhe tronditja e madhe shpirtërore dhe fizike që ka pësuar gjenerali, personazhi
kryesor, disa herë e kalon në gjendje
kllapie, shpesh bisedon dhe debaton me vdekjen, të cilën e ka bashkudhëtare.
Ashtu si Dostojevski, autori U. Morina, nëpërmjet rrëfimit të tij, na lë të
kuptojmë se ndjeshmëria e acaruar e “gjeneralit të tij” në çastet e kllapisë
arrin të kapë dhe drithërimat më të vogla të botës së tij shpirtërore... Kjo
“depërtueshmëri mistike” rrit çastet e parandjenjës dhe i shërben si shtysë
profetike për të vazhduar misionin e tij të pamundur për t’u lidhur me njerëzit
e tij të dashur, që tashmë i ka humbur nga lufta, por shpresa e shtyn drejt
trojeve të tij, duke ushqyer dëshirën instiktive se do t’i takojë sërish, po
aty, tek porta dhe vatra e tij e dashur... Një gjetje e bukur dhe e arrirë
artistikisht nga autori Morina.
Krahas
tyre, rrëfimi i tij shpeshherë i nxjerr kokën edhe dilemës së famshme: “të kesh
apo të jesh”, të cilën dhe psikoanalistit Erik From e analizon në punimet dhe
konkluzionet e tij duke i dhënë vlerë së dytës, pra të “jesh”...
Romani
“Liridoniada” i Ukshin Morinës, është një rrëfim i gjallë dhe spontan, ku
filozofia e jetës dhe e dashurisë kalon dhe përthyhet nëpër labirinte të
shumta, e ngjeshur me përvoja, skena dhe ngjarje nga më ekstremet, ku lexuesi
shpeshherë e ndien veten si pjesëtar dhe aktor i atyre skenave falë angazhimit
emocional, që autori arrin të krijojë nëpërmjet rrëfimit të tij. Skenat janë aq
tronditëse dhe heraherës kontraverse, sa
befasohesh nga kalimi i kohës dhe i faqeve, pasi i gjithë libri lexohet
me një frymë. Nëpërmjet këtij rrëfimi që të rrëmben pa u ndier, nëpërmjet
skenave që kapërthehen në mënyrë të befasishme, herë të qeta e herë të mprehta
në një skajshmëri ngjarjesh dhe dukurish të ravijëzuara mjaft mirë
artistikisht, shijon një gjuhë të rrjedhshme e të buisur nga gurra popullore.
Aty-këtu ndeshim kundërshti dhe përplasje faktesh, ngjarjesh dhe idesh, çka e
bën gjithë librin më të shkrifët e më të këndshëm. Përgjatë gjithë episodeve
kemi këmbim të vrullshëm dhe frenetik të këtyre ndjesive, ku personazhet
përjetojnë vuajtje sa fizike, po aq edhe shpirtërore, por në çdo rast apo
rrethanë qofshin, ata e duan dhe ëndërrojnë për jetën, ndonëse e drejta dhe e
padrejta, e mira dhe e keqja shkrihen nga zjarri i furishëm i vuajtjes, në mos
fizike, nga ajo shpirtërore ose nga të dyja së bashku...
Këto pak
fjalë, nuk kishin si qëllim dhe mision në vetvete për të realizuar një koment
apo analizë letrare të këtij romani, pasi autori U. Morina çdo ditë e më shumë
po prezantohet me veprën e tij si një vlerë e shtuar e prozës shqiptare, me
stil dhe tematikë krejt të veçantë.
Duke i
uruar autorit suksese të mëtejshme në këtë mision fisnik, po ia lëmë radhën
lexuesit që të shijojë dhe të depërtojë në enigmën e këtij rrëfimi.