E hene, 09.12.2024, 07:42 PM (GMT)

Kulturë

Flet këngëtarja e Malësisë së Madhe Violeta Deda

E diele, 08.09.2013, 01:07 PM


Flet këngëtarja e Malësisë së Madhe Violeta Deda: Kam plot 72 këngë në repertor, të cilat s’i ka kënduar askush

25 vjet e martuar, bashkëshortin e dua si ditën e pare

Nga Albert ZHOLI

Këngën e ka filluar që në moshën 10 vjeç për ta bërë pjesë të pandarë të jetës së saj. Ajo qysh  atëherë ka shkelur në shumë skena të botës, ku zëri i saj ka gjëmuar nga kënga e bukur dhe zëri melodioz. Ka fituar çmim të parë në Festivalin e fundit në Gjirokastër, por kujton me ëndje Festivalet e RTSH në regjimin komunist.

Kënga tek ju erdhi rastësisht apo rridhni nga një familje këngëtarësh?

Unë rrjedh nga një familje me tradita në fushën e këngës, pra, asgjë nuk ishte e rastësishme. Të gjithë në shtëpinë time kanë kënduar që nga mami, dy vëllezërit dhe motra. Ne çdo darkë në shtëpi këndonim. Prandaj në rrugën që nisa ndihmën më të madhe ma kanë dhënë prindërit e mi, të cilët dhe pse ekonomikisht jo mirë më çuan në shkollën e muzikës. Unë jam fëmija më i madh dhe ata kurrë nuk e ndalën dëshirën time, përkundrazi i dhanë krahë.

Cila ka qenë kënga juaj e parë?

Kënga ime e parë ka qenë “Unë sot jam e vogël”, që e kam kënduar në një koncert të shkollës. Atëherë zhvilloheshin shumë koncerte nëpër shkolla sikundër zhvilloheshin edhe festivale të ndryshme. Kishte shumë aktivitete. Të gjitha këngët që kam kënduar në regjimin komunist janë të regjistruara në televizionin shqiptar. Kjo ishte e mira e asaj kohe, që regjistronte çdo këngëtar me vlera dhe kurrë nuk  nisej nga miqësitë në shpalosjet e vlerave.

Sa albume keni regjistruar deri më sot në arkivin tuaj?

Deri tashmë unë kam plot shtatë albume. Pra në çdo 3 vjet një album dhe e them me krenari se të gjitha albumet më janë shitur. Për çdo vit unë bëj dy ose tre këngë të reja, të cilat i realizoj në Mal të Zi me muzikantin e njohur Sokol Vulaj. Njëkohësisht kam bashkëpunuar dhe me muzikantin shumë të mirë Ziko Beqaj, të cilët i falënderoj të dy.

Në sa Festivale të Gjirokastrës ke marrë pjesë dhe cili është mendimi juaj për ta?

Unë kam marrë pjesë në tre festivalet e fundit të Gjirokastrës dhe mund të them se është një nga organizimet më të mira të folkut shqiptar, ku njëkohësisht njihesh dhe me shumë këngëtarë të trevave të tjera. Në festivalin e fundit jam laureuar me Çmim të Parë  me këngën “Eni djem”. Njëkohësisht kënduam këngën “Kan dalë malit vllaznit”  këngë me të cilën kemi shkuar dhe në Francë, të ftuar në disa koncerte, ku kemi kënduar për një muaj rresht në disa qytete dhe kemi shpalosur vlerat e folklorit të krahinës, ku sidomos veshja jonë kombëtare, dhe veçanërisht xhubleta mori çmim të parë ndërkombëtar.

Cilat janë këngët tuaja të preferuara?

Unë këndoj këngë folklorike popullore, balada, por edhe rryma të tjera. Por këngët folklorike popullore dhe baladat janë më të preferuarat dhe më të kërkuarat në skenë për mua.

Po në regjimin komunist cilat ishin këngët tuaja të repertorit më të pëlqyera nga publiku?

Në atë kohë unë kam kënduar shumë këngë të trevës që i përkas, por më të pëlqyerat ishin këngët e kurbetit dhe këngët folklorike me çifteli. Unë dua të them se i bie dhe vetë çiftelisë dhe ato këngë i kam kënduar me zemër.

A kishte profesionalizëm atë kohë dhe cilët ishin krijuesit e muzikës së këngëve të tua?

Për atë kohë profesionalizmi ishte në kulm. Atëherë pak të dilje nga skema dënoheshe. Por unë ka pasur fatin se kam bashkëpunuar me krijues shumë të mirë, të cilët atë kohë kishin shumë emër. Ndër ta mund të përmend Ritvan Karakaci, Tonin Daja, Xhavit Ujkani, etj…Ndërsa përgjegjës për gjithë grupin muzikor kemi pasur Robert Prenushin.

Pra ju keni punuar me kulturën?

Po. Kam punuar në vatër të kulturës, ose më mirë të them kam qenë përgjegjëse e vatrës së kulturës punë nga e cila ruaj kujtimet më të bukura. Atë kohë çdo vit bënim koncerte, konkurse, plus çdo të shtunë organizonim mbrëmje rinore me rininë e fshatit.

Sa këngë ke në repertorin tënd?

Kam plot 72 këngë të miat shumica e të cilave janë në albume. Pra janë këngë specifike që unë i kam kënduar me shpirt.

Mendimi juaj për festivalet e muzikës së lehtë në RTSH?

Ato festivale mbeten krenaria e muzikës së lehtë shqiptare. Mezi i prisnim. Atëherë ka pasur këngëtarë shumë të mirë, por edhe kompozitorë shumë të mirë. Këngët atëherë ishin live dhe kjo ja rriste seriozitetin festivaleve. Kur vinin festivalet unë leja çdo punë.

A e ke ndjerë ndonjëherë veten keq në skenë?

Jo. Këtë e them me bindje. Ndoshta më ka ecur fati, ndoshta ngaqë kam shëndet të mirë, por në skenë s’jam turpëruar kurrë.

Cilin nga autorët e teksteve të tua do të veçosh?

Unë këngët më të bukura i kam ato folklorike, autor i të cilave ka qenë poeti popullor i Malësisë së Madhe, Sali Mani.

Në sa vende të botës ke dhënë koncerte?

S’i mbaj mend, por di të them që thuajse kam qenë në të gjithë Europën  sidomos 10 vitet e fundit kam qenë e kërkuar në Zvicër, Belgjikë, Itali, Gjermani, Angli kudo, ku ka emigrantë shqiptarë, madje mund të them se në kohë të caktuara kam ndenjur dhe 3 muaj rresht me koncerte të prenotuara.

Lëvizni në shumë vende nuk e keni burrin xheloz?

Aspak. N.q.s do të kisha burrë xheloz unë s’do të kisha arritur asnjë rezultat. Është merita e tij në radhë të parë që unë kam arritur kaq suksese. Kam 25 vjet e martuar dhe tek bashkëshorti im kam gjetur shokun, mikun, vëllanë, bashkëshortin model. Njerëz si im shoq janë të rrallë.

Sa kompozitorë janë në këngët e tua?

Janë tre, Sali Mani, Kadri Fika, Fran Kodra, por ndonjëherë kam kompozuar edhe vetë.

Nga këngëtarët e huaj cilin pëlqeni në mënyrë të veçantë?

Majkëll Xhekson, Albanon, Rominën, por ka dhe shumë këngëtarë shqiptarë që s’dua t’i përmend se do u ngelet qejfi të tjerëve.

Familja juaj?

Kam dy fëmijë një djalë dhe një vajzë, ku së bashku me bashkëshortin jemi një familje shumë e mirë. Unë njëkohësisht jam mësuese muzike në Bajzë të Malësisë së Madhe. Jam e dashuruar shumë me burrin tim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora