Kulturë
Myzafere Mustafa: Gustav Majer - Tregime gojore
E merkure, 04.09.2013, 08:02 PM
MBI STRUKTURËN NARRATIVE TË
TRI TREGIMEVE GOJORE TË BOTUARA NGA ALBANOLOGU GUSTAV MAJER
Nga Dr Myzafere Mustafa
Ndër
materialet e shumta të krijimtarisë letrare gojore të botuara nga albanologu i
njohur edhe i shquar austriak Gustav
Majer, i cili kontributin e tij kryesor e ka dhënë në lëmin e studimeve gjuhësore,
gjenden edhe tri njësi folklorike në prozë, të cilat janë shënuar ndër
arbëreshët e Greqisë. Tregimi i parë titullohet Vajza cmirzezë e mbretit, i dyti Kusari dhe çupa dhe i treti Çupa
në dollap, që të tria janë botuar në veprën Albanesische Studien, VI, Wien 1897.
Për
materialet folklorike, të cilave u përkasin edhe këto tri njësi folklorike ,
Gustav Majer vë një shënim në parathënien e vëllimit të V në Albanesische Studien, Wien, 1886, në të
cilën thuhet: «Pjesa më e madhe e këtyre teksteve është nxjerrë nga trashëgimi
i abanologut të njohur, Teodor C. Rajnhold… tekstet në prozë dhe në poezi janë
në pjesën më të madhe të tyre, si tentativë e dialektit shqiptar që flitet në
ishujt Poro, Hidra dhe Specia». Në veprat e veta Majeri kishte botuar materiale
folklorike edhe nga Mjaltë nga bleta
(Dorëshkrimi i Pragës) e Thimi Mitkos, si dhe materiale letrare gojore të
shënuara në Mirditë dhe në Shkodër.
Tri
njësitë e cekura të prozës gojore Majeri i kishte klasifikuar në pjesën e II me
titull Märchen, që në gjermanisht ka
kuptimin përrallë, por nocioni Märchen
nënkupton edhe tregimin gojor në kuptimin e gjerë, brenda të cilit mund të
hyjnë disa lloje (zhanre). Vlen të theksohet se studiuesit e letërsisë gojore
me nocionin Märchen e kuptojnë vetëm
përrallën e mirëfilltë mitike, e njëri ndër ta është edhe studiuesi i
përrallës, Max Lüthi.
Në
vëllimin Mbledhës të hershëm të folklorit
shqiptar (1635 – 1912) vëll. I [1],
këto tri njësi janë klasifikuar si përralla. Qëllimi ynë është që nëpërmjet
shqyrtimit të strukturës narrative të shihet se a mund të konsiderohen ato
përralla të mirëfillta mitike. Tregimi i parë, Vajza cmirzezë, në fillim lë përshtypjen e një përralle të
mirëfilltë mitike. Ajo fillon: «Një kish
tre dielm, e njëri ish me një si, jatri me një këmbë e i tretëti me një si të
vetëmë në ballë. E kur u rinë tuti e u bënë trima, ndonjë vajzë nëk i doji për
burra. Ashtu u prishnë edhe këta e vane ndë dhe të huaj. E ai ç’u le me si i
verbëre vate prej notisë; e ai ç’u le me si ndë ballë vate anatolisë; e i
shklepëri vate ndë Pol».
Në
këtë krijim shfaqet babai dhe tre djem të tij, që të tre të lindur me nga një
të metë fizike, njëri me një sy të verbër, tjetri i çalë dhe i treti me një sy
në ballë.
Në
situatën fillestare kur dalin në skenë personazhet, mbizotëron harmonia
familjare. Por kur ata rriten, thotë përralla, asnjë vajzë nuk donte të
martohej me asnjërin nga ata. Harmoninë familjare e prish pakënaqësia e djemve
për pamjen e jashtme dhe për konstruktin fizik të tyre, meqë asnjë vajzë nuk
pranon të martohet me asnjërin prej tyre. Që të tre vendosin të largohen nga
shtëpia për ta kërkuar secili fatin e vet. Kjo situatë fillestare është tipike
për përrallën, sepse për të filluar veprimi dhe aventurat për vënien në sprova
të personazheve duhet të lindë pakënaqësia për gjendjen ekzistuese, ose duhet
të lindë dëshira për ta parë botën, për ta gjetur ndonjë mjet të rrallë mitik,
për ta kërkuar të Bukurën e Dheut, për ta takuar vajzën e bukur ose për ta
kthyer vajzën e bukur të rrëmbyer. Siç ndodh, zakonisht, në përrallë, edhe këtë
rrëfim shohin se të tri personazhet marrin rrugë të ndryshme dhe arrijnë në vende
të ndryshme. Narratori rrëfen vetëm për njërin vëlla, kurse për dy të tjerët
nuk rrëfen fare, pra, ata lihen jashtë rrëfimit, nuk mësojmë asgjë për veprimet
e tyre, por vetëm thuhet se: ai që kishte lindur me sy të verbër vajti në Noti, ai që kishte lindur me një sy në
ballë vajti në Anadolli, ndërsa vëllai i çalë për të cilin vazhdon rrëfimi,
ndalet në Pol (Konstantinopol) për ta mësuar zejen e përpunimit dhe të qepjes
së pëlhurave. Pas tri vjetësh, mëson zejen dhe vendoset pranë shtëpisë së
mbretit. Një ditë vishet me rroba të mëndafshta që i kishte qepur vetë dhe del
në udhëkryq ku e sheh e bija e vezirit. Ajo i tregon vajzës së mbretit për
rrobat e bukura që ia kishte parë djalit të çalë. Të dy vajzat kërkojnë nga ai
t’ua bëjë nga një palë rroba të mëndafshta, mirëpo ai u përgjigjet se rrobat e
mëndafshta do t’ia punojë vetëm asaj vajze që do të martohet me të. Është ky
reagim tipik i heroit të përrallës. Mirëpo, në vazhdim sikur fillon të rrënohet
struktura e modelit të përrallës. Kjo
vërehet gjatë bisedës së vajzave se cila duhet ta marrë për burrë djalin e
çalë:
-
E marrmë njëra nga nevet?
Ashtu
vajza e mbretit i thotë asaj të vezirit:
-
U z’munt t’e marr atë burrë edhe maletë t’kish mallam; pse nomet e mbretërisë
nëk e duanë të marrë burrë të shenjuam. Po ti mboreto t’e marrësh, e do të
shkosh jetë të mirë.
Ky
dialog, në të cilin arsyetohet vajza e mbretit pse nuk mund të martohet me djalin e çalë, nuk
është i natyrshëm për përrallën. Në raste të tilla, kur djali e kërkon vajzën e
mbretit, prej tij mbreti do të kërkonte t’i kryejë tri detyra të rënda, ose vajza do të vendoste vetë për t’u martuar
me djalin e çalë, duke e çmuar punën dhe mençurinë e tij, e jo të arsyetohet se
vajza e mbretit nuk mund të martohet me një djalë me shenjë, pra me të meta
fizike.
Djali
martohet me vajzën e vezirit, por atëherë vajzës së mbretit i lind smira. Ajo
kërkon nga djali i çalë që edhe asaj t’ia bëjë një palë rroba të mëndafshta
sikurse të bijës së vezirit. Djali refuzon t’ia punojë rrobat, kurse mbreti, i
cili në strukturën sintagmatike shfaqet në funksion të dëmtarit, urdhëron ta
mbysin djalin. Djali e pëson me vdekje, meqë refuzon t’i punojë rrobat.
Ky
përfundim nuk është tipik për përrallën, nuk është i preferuar dhe nuk është i
zakonshëm. Përralla e mirëfilltë mitike gati asnjëherë nuk ka përfundim
tragjik. Përfundimi i tillë i rrënon kërkesat e horizontit të pritjes së
dëgjuesit, përkatësisht marrësit. Vdekja e personazhit do të duhej të bëhej
shkas për vazhdimin e veprimit dhe për fillimin e rrjedhës së dytë të veprimit
të përrallës, në të cilën do të dilnin në skenë dy vëllezërit, të cilët me
mjete mitike, ose me ndihmës mitikë do ta ngjallnin vëllanë, kurse dëmtari,
mbreti, do ta merrte dënimin e merituar. Mirëpo, të dy vëllezërit kishin veti
mitike, këtë veti e shohim pas largimit të tyre ”ai me një si ndë ballë shkruan ndë print të ti pse ai ishtë dielli e
jep dritën ndë tuti dhe; e ai me një si shkruan ndë print pse ish hënëza çë
feks natën”, prandaj ata nuk rikthehen për të vepruar, ata kalojnë në botën
e legjendës, njëri ishte diell që jep dritë e tjetri ishte hënëza që feks natën.
Duke
mos e trajtuar veprimin e këtyre dy personazheve, narratori këtë e krijim
përfundon si gojëdhënë, ku heroi përfundon tragjikisht, por jo duke u
ballafaquar me forca antagoniste natyrore, por në ballafaqim me kundërshtarin
njeri, ndërsa vëllezërit përfundojnë njëri si diell e tjetri si hënë.
Ky
krijim me tipare të përrallës përfundon si gojëdhënë etiologjike.
Në krijimin Kusari e çupa, rrëfimi fillon në mënyrë të drejtpërdrejtë:
“Një kusari
i veshurë shpatën e pishtollatë duall në kusari; e dhromit që vei prëpoq një
lumë të gjerë e nëkë munt të shkon. Po tei ndera pa një vashëzë e mire bënë. I
thotë:
- Vashëzo! Ndë më shkofshe nga lumi
të mos mbyt – hem, do të të marrë grua; e ndë mos shkofshe e shkova vetë, ku të
vesh, edhe ndë brij të kaut të hish, do të çonj të të pres. E sillojisu mirë e
bën atë që të thom, e do mos baresh; pse jam plot florinj, e do shkosh jetën
tënde mirë”.
Është
ky një fillim i rrëfimit të drejtpërdrejtë, që zhvillohet nëpërmjet një dialogu
në mes të vajzës dhe kusarit, i cili me kërcënim e urdhëron vajzën, të cilën e takon rastësisht, që t’i
ndihmojë ta kalojë lumin, e pastaj të martohen. Nëse nuk i ndihmon, ai do ta
zërë me dhunë edhe në hyftë në brirë të kaut, do ta presë. Rrëfimi më tutje
vazhdon me dialogun ndërmjet djalit dhe vajzës, të cilët vendosin të dalin në
dyluftim. Përshkrimi i gjendjes para se të dalin në dyluftim ka një ngjyrim të
thellë emocional. Nga përshkrimi krijohet imazh i ngjashëm sikurse në baladat
arbëreshe kur trimi para se të vdesë lë porosinë për vashën dhe prindërit. Këtu
vajza lë porosinë që në rast se vdes ta bartin dymbëdhjetë vasha prej gjaku të
kulluar e ta varrosin pranë varrit të babait. Është kjo një porosi sugjestive,
në të cilën dymbëdhjetë vashat prej gjaku të kulluar mund të simbolizojnë muajt
e vitit. Mirëpo, vajza triumfon në dyluftim duke e mbytur kusarin. Me paratë që
ia gjejnë atij në rroba i marton katër motrat e çala, të cilat, gjithashtu,
supozojmë se simbolizojnë katër stinët e vitit.
Krijimi
do të mund të përfundonte këtu. Mirëpo rrëfimi vazhdon me rrjedhën e dytë, që
ka këtë përmbajtje: Vajzën e kërkon për grua një mbret. Ajo nuk pranon të
martohet me të, por i mbledh trimat e vendit dhe e sulmon një mbret tjetër që i
kërcënohej vendit të saj. Edhe këtë herë arrin fitore, kurse pasurinë e fituar
në formë haraçi ia lë vendit të vet.
Nga
formula hyrëse, nga përshkrimet dhe nga dialogu, shihet se ky krijim ka frymën
e kallëzimit gojor (novelë). Ndodhia
dhe veprimi i personazheve zhvillohen në frymë realiste, kurse gjatë rrëfimit
hetohet dukshëm toni moralizues, që është veçori e kallëzimit e jo e përrallës. Në rrafshin kuptimor theksi është vënë
në ruajtjen e integritetit të individit dhe kolektivit. Megjithatë, duhet të
theksohet se ky ka strukturën
kompozicionale të përrallës me dy rrjedha, me ç’rast rrjedha e dytë e
veprimit fillon me shfaqjen e dëmtarit.
Krijimi
i tretë, Çupa në dollap, ka strukturë
kompozicionale të përrallës, kurse veprimi i personazheve zhvillohet pa mjete mitike dhe pa ndihmës
fantastikë (mitikë). Mënyra e zhvillimit të veprimit, kalimi nga një episod
në tjetrin dhe atmosfera që dominon me rastin e zhvillimit të ndodhisë, këtë
krijim e vendosin në përrallë.
Në
situatën iniciale të përrallës paraqiten dy personazhe, nëna dhe djali i saj.
Largimin nga shtëpia, pra, prishjen e harmonisë familjare në situatën
fillestare, e nxit nëna. Ajo kërkon që djali të shkojë të gjejë punë. Djali
shkon te nuni i vet në Izmir. Këtu rrëfimtari e emërton vendin ku vendoset
djali, derisa në përrallë nuk është e zakonshme që vendet të emërtohen me emra
konkretë. Kjo, si duket, bëhet më shumë për të treguar se djali shkon në një
vend mjaft të largët. Emërtimi i vendit, edhe pse nuk është i preferuar, nuk e
lëndon strukturën e rrëfimit të kësaj përralle, në të cilën veprimi zhvillohet
me mjete dhe me veprime racionale, e jo me mjete dhe me ndihmës mitikë. Edhe
pse me elemente realiste, kjo përrallë përmban në vete motive të njohura të
përrallës. Kështu një ditë, derisa djali po punonte në dyqan, andej pari kalon
një njeri që thërriste:
- Shes këtë sënduqnë; i cili t’e
marrë, do metanoisnjë; i cili të mos e marrë, meta metanoisnjë.(Ai
që e merr do të pendohet, ai që nuk
e merr do të pendohe t- MM.)
Ky
motiv është i njohur në suaza të motiveve ndërkombëtare të indeksit të Aarne
-Thomsonit, por edhe në suaza të motiveve të përrallës shqiptare, në të cilën,
ofrohet një objekt dhe ai që e merr pendohet, por edhe ai që nuk e merr, po
ashtu pendohet.
Në
tekstin e përrallës shohim se djali e blen sandëkun (arkën) dhe e dërgon në
shtëpi. Në arkë kishte qenë e mbyllur vajza. Ajo për çdo ditë fshehurazi del
nga arka, ia pastron dhomën djalit dhe ia përgatit ushqimin. Ky veprim ka
ngjashmëri me motivin e vajzës breshkë, ose bretkosë, e cila shndërrohet në
vajzë të bukur që ia pastron shtëpinë djalit dhe ia përgatit ushqimin. Ky motiv
në këtë përrallë shfaqet në frymë më realiste, meqë në arkë është vajza që rri
e fshehur. Këtu, pra, nuk e kemi motivin e antropomorfizmit, kur breshka apo
bretkosa shndërrohen në vajzë të bukur apo në të Bukurën e Dheut, kurse motivi
i fshehjes së vajzës pason për shkak se babai i saj ia imponon të martohet me
një njëri të cilin ajo nuk e donte. Motivimi i fshehjes së vajzës në këtë
përrallë është i natyrës reale njerëzore.
Pastaj,
ajo çfarë është e natyrshme në raste të tilla, djali martohet me vajzën dhe e dërgon atë me arkë tek e ëma, kurse ai
mbetet në kurbet derisa të fitojë edhe pak para që pastaj të kthehet në shtëpi.
Gruaja arrin në shtëpinë e burrit dhe jeton me nënën e tij.
Që
veprimi të mos përfundojë, por të vazhdojë në mënyrë dramatike me rrjedhën
tjetër të veprimit, duhet të ndodhë ndonjë fatkeqësi. Shkas për rrjedhën tjetër
të veprimit është paraqitja e dëmtarit, me ç’rast pason përzënia e vajzës. Shkak
i përzënies është xhelozia. Gjatë rrugëtimeve të saj, vajza arrin në mbretërinë
e babait. Në ndërkohë edhe burri i saj vihet pas për ta kërkuar, edhe ai gjatë
rrugëtimit duhet të ballafaqohet me sprova
dhe pengesa, të cilat duhet t’ i tejkalojë. Tejkalimi i sprovave dëshmon
edhe arritjen e pjekurisë se personalitetit të tij dhe formimin e integritetit.
Pas shumë sprovave e shtegtimeve ai arrin në mbretërinë e gruas së vet.
Djali
dhe vajza përsëri martohen dhe pas martesës gruaja ia lë burrit fronin. Në fund
kundërshtarët dënohen. Përfundim tipik i
përrallës.
I
tërë veprimi në këtë përrallë realizohet pa kurrfarë mjetesh apo ndihmësish
mitikë, por që nga fillimi e deri në fund atmosfera e dhe fryma veprimit është
vetvetiu magjike, sepse çdo veprim zhvillohet në kohën e duhur, sipas kërkesave
dhe natyrës së përrallës, me ç’rast izolimi
dhe lidhshmëria janë veçori të
saj.
Ky
krijim dëshmon se fantastikja (mitikja)
nuk është faktor vendimtar për përcaktimin zhanror të përrallës. Përcaktimi
zhanror i krijimit letrar gojor varet, ndër të tjera, nga krijuesi gojor, nga
aftësitë e tij narrative – krijuese, si dhe nga njohja e sistemit modelativ dhe
formulativ të krijimtarisë traditës kulturore dhe letrare gojore të cilës i
përket ai.
Këto
tri tregime të prozës sonë gojore, të shënuara ndër arbëreshë, kanë rëndësinë e
tyre për kohën kur janë shënuar, për ambientin nga janë vjelë, për gjuhën e
tyre të pasur dhe arkaike të arbëreshëve, si dhe për vlerën e tyre letrare
artistike. Vlen të theksohet se sidomos tregimi Vajza dhe kusari, edhe pse i thurur me motive të njohura
ndërkombëtare, në vete përmban veçori dhe elemente të botës dhe të mentalitetit
arbëresh, përkatësisht shqiptar.
[1] Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, (1635 – 1912), I, Instituti
i Folklorit Tiranë,