Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Pak “SHQUP” në vend të piperit
E hene, 02.09.2013, 06:00 PM
Pak
“SHQUP” në vend të piperit (reflektime të lira për qeveri vajtëse dhe ardhëse)!
Nga Elvi Sidheri
2 shtator
sot!
Ditë me
rëndësi për ndonjë arsye të veçantë do thoni juve lexues?
Ditë
normale, më e zakonshme sesa speciale do të thoja unë, po të mos qe që edhe
sot, si shumë ditë të mëparshme të kësaj periudhës së fundit shqiptare,
hapësira jonë politiko-qeverisëse, ndahet sërish mes dy gati-qeverish, asaj
kushtetueshmërisht ende në funksionin e saj ligjor dhe asaj tjetrës që ka prapa
“mandatin” popullor të “1 milionëve”!
E dini
çfarë?
Ky termi
pa shije “1 milionë” vota, se ç’më kujton!
1 milion
dhe çfarë më pas?
Se në
emër të turmave “oqeanike” çfarë nuk ka ndodhur (për keq) jo në botën e
paqytetëruar, por edhe në mes të Europës sonë djep të lashtë qytetërimi.
Sheshe
plot në Nyremberg të themi nga vitet 30-të të shekullit të kaluar ku gërthiste
e gulçonte si gic para se t’a therin një mustaqe-vogël nga kufiri
austro-gjerman, marshime milionëshe mbi Romë në vitet 20-të po të shekullit që
lamë pas...nga ithtarë duçistë këmishëzinj apo turma miliardashe maoiste me
kazma dhe lopata në duar që rrethonin qytetin, për t’a fshatarizuar atë gjer në
palcë (sepse borgjezia dhe fisnikëria si qytetare shihej shtrembër nga
opingashët komunistë jo vetëm në Kinën e Revolucionit të Timonierit të Madh).
Mjaftojnë
këto tre shembuj për të ilustruar idenë?
Pushteti
nuk ka rëndësi se në emër të sa votave vjen, rëndësi ka që ai të jetë i fituar
në mënyrë demokratike, të ketë buruar nga një zgjedhje e lirë sikur edhe e 50+1
përqind të gjindjes së thjeshtë që thirret të japë opinionin e saj lidhur me
qeverisjen e vendit ku jeton dhe paguan taksat, njëherë në katër vjet.
Ashtu siç
jo më larg se PD-ja e 92-shit do të ishte dashur t’a kishte të qartë se ajo
përqindje tejet e lartë votash që pati marrë në 22 mars të atij viti, nuk
tregonte gjendjen reale të ndarjes djathtas-majtas të banorëve të Shqipërisë
(por eventualisht një grusht popullor majtas-djathtas, nga të vuajtur, të
pabukë dhe të palekë, të vrarë e dergjur në skamje dhe internime, të secilës
shtresë dhe rajon, kundër regjimit 45 vjeçar rrënues monist që ende nuk kishte
njohur reformim)...ashtu edhe kryeministri “in pectore”, i ardhëshmi pra,
nevojitet t’a vërë re dikur, se 1 milionët që e kanë votuar, i shërbejnë që të
qeverisi i qetë (shkak numrash në parlament), por jo që të ndihet Zot!
Ja ku e
sqaruam temën e parë pra!
Kujtoj
këtu, duke qenë vetë thelbësisht me bindje të djathta, kënaqësisht mos-votues i
majtë, se zgjedhjet e vitit 96, të fituara nga e djathta, u morën në qafë dhe
morën në qafë edhe vetë Shqipërinë, për shkak se në PD, nuk kishin kuptuar
akoma se përqindjet “milionëshe” të votave të 22 marsit 1992, nuk mund të
përsëriteshin më (ndaj dhe bashkë me vetëlargimin “strategjik” të komisionerëve
të majtë, dikush fryu numrat e një fitorje sidoqoftë ekzistente, në atë pikë sa
partnerët perëndimore dhe amerikanë, nuk e pranuan atë rezultat fiktiv).
Ç’ndodhi
më tej e dimë të gjithë dhe s’është kjo tema e këtij shkrimi.
Por sido
që të jetë, një fitore është fitore edhe me 70+1 deputetë (2009-a), kur si
qytetarë duruam edhe pa qenë të majtë, sheshe me tenda, greva urie, parrulla në
mes të bulevardit që himnizonin vetëm vizionin “njëngjyrësh” deri në ekstrem të
njërës palë (humbëses, qoftë edhe për 25 mijë vota)...e deri tek fund-janari
2011-ë dhe ngjarjet që pasuan.
“Të
shkuara-të kaluara” këto!
Tani jemi
përballë fitores “1 milionë votëshe” dhe presim të shohim frytet e kësaj
shumice mbështetje të rrallë për një qeveri gjatë këtyre 23 vjetëve demokraci.
Dy
përbërëset e vërteta të mazhorancës së re (LSI dhe PS), kanë duar të zgjidhura
për të bërë çfarëdo politike të kenë menduar...për t’iu futur letrarisht “Detit
me këmbë”, për të vënë në jetë (tentuar të paktën) realizimin e çdonjërit prej
premtimeve të tyre populiste, mjekësi falas e legalizime e ç’mos tjetër më
tepër!
Janë të
lirë të veprojnë, brenda suazave të një gjendje ekonomike pranë stanjacionit
për shkak të asaj çfarë na rrethon (Itali+Greqi sa të frenuara, aq edhe në
krizë të thellë), por gjithësesi të lirë, për shkak të 83 deputetëve në 140 në
kuvend dhe si pasojë e një pritshmërie popullore, që do pranuar se nuk është e
vogël kundrejt tyre.
Urime
pra!
Sipas
praktikës së vendeve perëndimore, ku edhe ne synojmë të bëjmë pjesë dikur në të
ardhmen, fituesi urohet pas fitores së ligjshme në zgjedhje (edhe kur ka bërë
ndonjë proçkë të vogël, tip Lezhe)...dhe atij i lihet të paktën një afat 100
ditësh për të parë sesa do të impenjohet realisht për t’u përpjekur të vërë në
jetë me rradhë, premtimet e fushatës elektorale.
Dakort
jam edhe unë me këtë formulë, ndaj dhe s’më takon, edhe duke i përkitur kampit
tashmë efektivisht opozitar të ri, që të
“Tu pa e
tu bo”- i thonë edhe tironsit, e mbështes edhe unë këtë thënie të tyre!
Të shohim
pra se çfarë kryeministri i ri dhe shoqëria e tij gazmore e shumë ministrave të
rinj, gra, vajzka e djemka apo burra, do të bëjnë të gjithë bashkë, për të
mirën (shpresohet) e këtij vendi i cili i yni është përbashkësisht, se nuk ia
ka lënë njërës palë nëna dhe tjetrës njerka.
Të
durojmë bashkërisht edhe ne të frontit opozitar të pas 9 shtatorit, sikur edhe
për 100 ditë, se tre muaj do jenë.
Më pas,
po qe se pritshmëritë tona (tejet të ulta) për këtë qeveri, do të dalin dhe
jetësohen si katërcipërisht të vërteta, si të kenë kaluar 100 ditët, le të
nisim e flasim atëherë, pa rënë në gabimin e paragjykimit politik për fakte të
pandodhura (siç do ndodhte po të kritikonim tani që ende zyrtarisht në pushtet
është partia që votojmë ne), duke u mbështetur eventualisht mbi fakte me bazë
reale.
Tre muaj
më pas 9 shtatorit, jetë sipas termave kushtetuese, qeverisë në ardhje, do i
ketë mbetur edhe për 3 vjet e 9 muaj, kohë për kritika, aksion opozitar,
denoncime, faktim abuzimesh, konferenca shtypi nga selia e partisë (tek
ish-SHQUP-i) etj, do kemi sa të “hanë qentë” siç thotë populli, pra sa të
duash.
Por meqë
megjithë shumë anormalitete që i shoqëruan, këto zgjedhje, na bënë dëshmitarë
edhe të ndonjë evenimenti të padëgjuar si njohje të humbjes nga humbësi dhe
përdorim gjuhe normale dhe jo triumfaliste nga fituesi, uroj që për të vazhduar
me vënien e disa piketave historike për zhvillimin e këtij vendi, opozita e re,
PD-ja, siç ka rrëzuar mumjet gjakatare moniste, ka dorëzuar pushtet edhe kur i
kanë kthyer armët, është ngritur nga hiri pasi janë përpjekur t’a shfarosin dhe
sërish ka fituar me votë të lirë, tanimë të bëjë këtë zgjedhje ala-perëndimore
dhe t’i japi kohë mazhorancës së re që të tregojë veten dhe të nisi të mbajë premtimet e saj, duke ndenjur sidoqoftë
në dritare, gati për të ngritur zërin që ditën e parë, për çdo shkelje dhe
arbitrarizëm nga fituesit e etur për pushtetin që u mungoi 8 vjet!
(Të
mësuar me 4 vjet ilegalitet dhe 45 vjet pushtet të pandalur të majtë, me të
mirë apo të keqe, do pranuar që tek shumë të djathtë, dyshimi lidhur me urinë e
majtë për pushtet, është me themele të shëndosha dhe vështirë se dobësohet).
Pas 100
ditësh nga 9 shtatori, flasim prapë për këtë temë pra, deri atëherë, punoftë
mirë qeveria e “Rilindjes që Ecën më Shpejt”...dhe iu plotësofshin ëndërrat dhe
dëshirat e iu zgjidhshin problemet me të vërtetë, atyre shqiptarëve që me të
drejtën e tyre të lirë, e votuan këtë alternativë politike (si dhe mos iu
mbarofshin nga 50 në 300 eurot atyre të djathtëve që aq e cilësuan çmimin e
votës së tyre, se edhe në dyshek t’i fusin, aq lekë nuk zgjasin 4 vjet sa
ç’zgjat një mandat qeverisës)!
Kaq për
qeverinë “ante portas” (para derës...së pushtetit).
Tani tek
tema e dashur e kaq ditëve...SH.Q.U.P-i!
Sa më
kënaq ky emër-pa emër, se ç’më bie në mend edhe “S.P.Q.R” të Romës antike!
Shtëpia
Qëndrore e Ushtrisë Popullore...përballë për shembull homologes Senatus
PopulusQue Romanus!
Tani
ashtu siç për SPQR-në ka edhe anekdota të llojit “Sono Pazzi Questi
Romani”...pra “Janë të çmendur këta romakët” (se botës kështu i dukej ky
qytet-shtet-popull legjendar që përveçse e pushtoi, por edhe i dha rrugë,
qytetërim, ligje, ujësjellësa, shkolla, shkrim e këndim gjithë Mesdheut e më
larg)...edhe unë mund të krijimtaroj mbi inicialet e SHQUP-it.
Shtazët e
Qethura tek Ura e Përmetit (ushtarët në monizëm trajtoheshin nga shteti si
shtazë, qetheshin dhe shërbenin për një luftë imagjinare, që kurrë nuk ndodhi,
me NATO-n dhe Traktatin e Varshavës si kundërshtarë, që ne pa pikën e vetme të
dyshimit, që do t’i mundnim e shkërmoqnim bashkërisht)...ose pse jo edhe
“SHTETI QË URDHËRON PUSHKATIME”!
Kjo e
dyta shkonka edhe më tepër, pra të mos kapet njeri pas ca inicaleve debile dhe
pa lëng (“Merre me lëng se mishi u mbarua”...edhe disa nostalgjikëve, u iku
xhaxhi merhumi dhe Ushtria Popullore e copës së preshit me kripë dhe tani
ngrenë zërin e ngjirur, për t’u kacavjerrur mbi pasqyra, sikur çfarë na ndodhi
që u zhbë SHQUP-i)...se asgjë nuk rregullon dot.
Mua
SHQUP-i, Piramida e “Kumandar na mori malli”, Vila e tij luksoze tek Blloku,
vetë Blloku etj, më ngjethin mishin dhe më sjellin NEVERI dhe asgjë më pak!
Pra po qe
se avionët e NATO-s (organizata që SHQUP-dashësit e thekur, këta të Ushtrisë
Popullore të Titos, Stalinit dhe Mao-s...që me NATO-n pra kanë qenë armiq për
vdekje)...andej nga 1999-a godinës së SHQUP-it (pa njerëz brenda largqoftë),
Piramidës dhe Vilës së xhaxhi Dullës, do u kishin hedhur “gabimisht” (sipas
idesë së njohur “friendly fire”)...rrugës për në Kosovë...edhe ndonjë bombë
disa tonëshe dhe do t’i kishin rrafshuar me tokën, kjo gjë do të më kishte
entuziazmuar mua dhe shumë shqiptarë të tjerë...pamasë si dhe po ashtu do e
kishte shpëtuar Tiranën tonë të bukur nga dilema Shekspiriane “To be or not to
be?...Çfarë to do with the Pyramide of the living dead comrade Enver and with
his Villa in the Block”???
Ja edhe
zgjidhja e vërtetë për SHQUP-in (aty e shihnit pastaj çfarë proteste të vërtetë
dhe të zjarrtë do bënin ish-SHQUP-sat e shumtë, më keq se tani që PD-ja, pra
ish “kllasat e përmbysura”, kulakë, njerëz me shkollë, fisnikë, borgjezë e
ballistë apo legalistë, hyri në territorin e ish-Pushtetit Popullor dhe të
ish-Ushtrisë së tij të lavdishme)...por edhe për Piramidën dhe Vilën e
Zombie-s, që më keq se të vdekurit e gjallë të filmave hollivudianë, s’po na lë
të qetë dhe na shfaqet akoma me hijen e tij të errët edhe nëpër konferenca të
organizuara nga partia e më e madhe e pushtetit dhe qeverisë së ardhëshme.
Konferenca
(flas me fakte tani, s’po cënoj 100 ditëshin, sepse këto propozime pa sens, tashmë
kanë ndodhur)...ku të huaj pa idenë më të largët të asaj çfarë ka ndodhur në
Shqipëri para viteve 90-të të shekullit të kaluar, kanë turinj të na propozojnë
edhe rrëshqitje turistike tek përkujtimorja e diktatorit apo gjumë morboz në
dhomën e tij!