Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Karl Marksi dhe jo vetëm!
E marte, 28.05.2013, 06:00 PM
Karl
Marksi dhe jo vetëm !
Nga Elvi Sidheri
Sa herë
që kam menduar për Karl Marksin, në tru se ç’më kanë parakaluar ca imazhe
social-realiste ala-shqiptare të para viteve nëntëdhjetë në fakt.
Zotëria e
Tij Karl, gjermano-hebre për nga origjina siç rreken të thonë burimet
biografike që lidhen me të, ishte thelbësisht një njeri që merrte shumë erë nga
ekonomia e po ashtu edhe nga psikologjia dhe evolucioni njerëzor.
Kështu
nuk është fare e habitshme që ai të predikonte një botë cilësisht, për nga
sfera e vlerave dhe kontributeve, nga mënyra zhvillimore dhe këndvështrimi
përparimtar...të barabartë!
Asgjë të
keqe nuk do të ketë patur në mendje ai teksa ngjizte këtë ide në mes të labirinteve
të panjohura, por tejet të iluminuara të trurit të vet dhe sot e kësaj dite
shembulli i tij, gjithësesi mbetet i pranishëm në secilën teori që mëton të
shqyrtojë pasojat dhe simptomat e një bote të rregulluar enkas si globalisht të
çrregullt.
Marksi
andej nga i nëntëmbëdhjeti shekull...qysh nga gozhdimi i Jezusit të Nazaretit
(pas fshikullimit publik dhe tradhëtisë së dishepullit renegat 30 denarësh, Juda
Iskariot)...pati besuar se klasat e opresuara, të shtypura dhe të shkelura nga
këmbët e majmura dhe këpucët prej lëkure origjinale kafshësh të gjora të vrara
dhe rrjepura posaçërisht për këtë qëllim, të aristokracisë...do t’a merrnin në
posedimin e tyre fatin e shoqërisë humane dhe kështu ditë më të mira do t’a
prisnin medoemos njerëzimin.
Utopia
prandaj fundja është interesante dhe tërheqëse...sepse ajo tingëllon bukur
prandaj!
Për këtë
fakt nuk kam pasur asnjëherë qoftë edhe një dyshim të vogël unë dhe të tjerë
para meje.
Përmenda
cazë më lart se i pari nga të fundit (këtej e dymijë vjet së paku)...që pati
promovuar e predikuar barazinë dhe “drejtësinë” e shoqërisë njerëzore, kishte
qenë një hebre, i lindur siç thuhet nga mpleksja e frymës së shenjtë (perëndisë
së gjithëpushtetshme)...me një grua humane, pra të virgjërën dhe tërëshenjtën
Mari!
Si e mori
i ngrati Jozef zrdukthari këtë eveniment (babai efektiv, në mos adoptiv i
fëmijës hyjnor në fjalë)...nuk është se na e ka referuar ndokush që t’a dimë
ndërkohë!
Jezusi i
cili përveçse çoi nga varri Llazarin, shumoi peshqit e liqenit të bukur të
Tiberias dhe në mos gabohem i ktheu një të gjori të verbër shikimin, mbi të
gjitha eci kryq e tërthor tokës së Judesë, duke u kërkuar hebrenjve, këtij
populli të zgjedhur dora vetë...nga Zoti, që ata të njohin fjalën e fundit të
perëndisë dhe që në shoqërinë e tyre së pari...e më pas në gjirin e tërë
njerëzimit, të arrijë dita e shumëpritur dhe uruar e barazisë midis gjithë
rracës humane.
“Të
fundit do të jenë të parët”...thuhet të jetë shprehur ai!
Skllevërit
se kush tjetër?
Domosdo
që edhe fjala dhe doktrina e Jezuit, pasi si e “krishterë” në të gjallë të tij
nuk është se njihej ende...sido që të jetë ajo pra mori dhenë dhe u përhap
ngado, gjersa një ditë këtë profet, vetë birin e Zotit, e tradhëtuan pra dhe më
pas e kryqëzuan barbarisht në kryq mbi një kodër të qytetit të
përjetshëm...Jeruzalemit.
Marksi
pra të dashur lexues, nuk ka qenë i pari që të ketë predikuar utopikisht një
barazi universale, apo qoftë edhe një dominim të ri të shtresave të ulta
kundrejt shtypësve ose uzurpatorëve të pasuruar rishtaz ose qysh më parë në
errësirën e kohës së pakujtueshme.
Jezusi do
shtoja unë modestisht, duke ruajtur gjithësesi këndvështrimin tim tejet të
stakuar dhe laicist kundrejt krishtërimit që është gjithmonë feja ime, sidoqoftë
ai pra predikonte barazi dhe jo përmbysje hierarkish, jo direkt të paktën (i
pasuri, fisniku, patrici dhe skllavi, i pangrëni dhe plebeu, para së njëjtës
perëndi do dilnin në ditë të gjykimit, ferri ose parajsa i priste secilin pa
dallim origjine), kurse manifestot marksiste, drejt kësaj tendojnë
pashmangshmërisht dhe përfundojnë si rëndom tek një diktaturë e re, e
proletariatit në këtë rast!
Ne
shqiptarët se çfarë do të thotë kjo saktësisht e dimë mirë dhe s’ka nevojë të
ndalem unë për t’u thelluar këtu më tepër.
Marksin e
përpunuan pas vdekjes dhe ia çorientuan mesazhin e tij utopisto-revolucionar
për kohën kur ai qe pjekur dhe formuluar (kohë eksesesh të gjithëanshme të një
aristokracie që ishte izoluar në kafazin e saj të artë dhe nuk ndjente a
dëgjonte as zërat ekstremë të revolucionit nga shtresat punëtore, por as edhe
ato më realistët dhe të nevojshmit e borgjezisë apo shtresës së mesme, palca e
shëndetshme e secilës shoqëri moderne).
Pol-Poti,
Mao ose mizoritë enveriste, kubane e staliniste na mësojnë se një utopi, do
studiuar mirë përpara se të vihet në jetë ndërkohë.
Por
Marksi ose Engelsi për komunizmën ashtu si edhe Nietzsche që u akuzua
idiotësisht lidhur me pseudo-frymëzimin që teoria e tij e mbinjeriut i cili
figurativisht “vrau Zotin dhe vuajtjet tokësore” me forcën e karakterit dhe
intelektit të pamposhtshëm human...i ofroi idesë dhe strukturës së sëmurë të
trurit të kompleksuar dhe nazistoid të Adolfit të mbiemruar Hitler nga një
katund austriak pranë Bavarisë, asnjëri prej tyre pra, nuk ishte, është apo do
të jetë fajtor për keqinterpretimin e përpjekjes së tyre të vlerësueshme
maksimalisht, për t’i dhënë formës, trajtës dhe botëkuptimit të kësaj bote, një
sens dhe zhvillim më optimal e njerëzor!
...Por
bota jonë ekziston ngahera (epoka e Kopshtit të Edenit e përfshirë, se edhe aty
çështja “molla”, u bë shkas që ndoshta perëndia t’i tregonte atij Adamit
bishtëpërpjetë dhe asaj Evës bishtdredhur, se i pari qe “Ai” dhe askush
tjetër...e për këtë arsye u gjet edhe një “casus belli”, shkak pra që ata të
përziheshin pa një-pa dy nga parajsa në tokë)...sipas teorisë totalisht të
pabarabartë dhe realiste, të “peshkut të madh që ha të voglin”!
“Rrofsh o
Charles Darwin se na hape sytë”!-do thosha unë.
Evolucioni
i specjes humane nuk është perfekt, por prej tij kemi rezultuar edhe ne
njerëzit e sotëm, që në përshtypjen time, gjithësesi jemi shumë më fatlumë sesa
paraardhësit tanë me gur të mprehur në duar duke tentuar të vrasin ndonjë
mamuth për t’u ushqyer apo duke ia mbathur me të katërta se mos i kapi tigri
parahistorik dhëmbëmadh ose kushedi se çfarë bishe tjetër!
Teoria e
Darwin-it (të cilën e urrejnë të gjithë ekstremisët fetarë “rastësisht”, sidomos
ata të ndezurit dhe ngrefurit rëndshëm), parashikon që natyra dhe bota (pra
edhe ajo specifikja që ka lidhje me ne, ”njerëzorja”)...nuk janë të përkryera, si
të tilla nuk funksionojnë dhe ashtu në dukje “kaotikisht” ato zhvillohen, në
garë dhe rivalitet të përhershëm për mbijetesë brenda species, rracës dhe qënieve
të gjalla.
Ekuilibri
perfekt që ka shpënë përpara botën tonë, si dhe ne njerëzit vetë, qëndron
pikërisht në këtë “Far West” kompetiviteti dhe lufte të përditshme mes kujtdo
dhe gjithçkaje, prandaj mesa duket ky planet dhe ata që e banojnë, me ne në
krye, ecën para e njëkohësisht plaket, mpaket e konsumohet në resurset e tij, po
ashtu si edhe një njeriu (të suksesshëm e të fortë pse jo?!)...i skadon koha me
vitet që ikin!
Siç neve
lindim e vdesim, ndoshta kjo ndodh edhe me botën tonë, planetin e shoqërinë ku
jetojmë e tentojmë të lëmë edhe ndonjë gjurmë.
‘Gjenerim-çgjenerim-rigjenerim”...i
them unë kësaj!
Ndaj
popull, unë teorinë e makinerive që do të na lehtësojnë të ardhmen dhe ndoshta
paqësojnë jetën dhe konfliktet, për shkak të heqjes së një barre të madhe nga kurrizi
ynë, e kuptoj dhe megjithë kontradiktat që ushqej kundrejt këtij eventualiteti
zhvillimor, e vlerësoj së tepërmi.
Por duke
njohur natyrën humane, do të dyshoja që realizimi i saj, si përherë edhe duke
ditur atë që ka ndodhur me teori të respektuara nga Jezusi tek Marksi, do të
kishte pika të errëta.
Sepse
makinat dikush do t’i krijojë, mendojë dhe dirigjojë!
Eh aty po
që do të plasë konkurrenca se kujt ky thesar i paçmim t’i bjerë në duar (dhe
kështu të kontrollohet bota praktikisht, qoftë edhe nën devizën e admirueshme
të një paqeje dhe qetësie e çtendosje universale)!
I tillë
është njeriu.
Kështu
ndodhi me fjalët e Jezusit, të cilat njeriu i përktheu jo rrallë si ia deshi
qejfi i vet, duke ia varur fare teneqen mesazhit të perëndishëm i cili i qe
tejçuar nëpërmjet tyre dhe duke i transformuar ato sipas nevojave dhe dëshirava
thelbësisht njerëzore.
Koncili i
Nikesë, më i rëndësishmi për krishtërimin, është drejtuar dhe dirigjuar siç e
dimë, nga një ilir, pra një shqiptar i madh, nga kush tjetër veç Kostandinit të
Madh.
Shumica e
organizimit, dogmës dhe mënyrës sesi edhe sot e kësaj dite funksionojnë kishat
e krishtera, është vendosur dhe miratuar sipas vizionit dhe urdhërave të këtij
iliri po ashtu.
Struktura
dhe ngrehina e krishterë, përveç ungjijve (atyre që ndër të tjera Kostandini i
njohu si mirëfilli të tillë)...dhe fjalët e predikimet post-Jezus të të
shenjtëve të parë, është legalizuar dhe kanonizuar gjithashtu sipas filtrimit
dhe shijes së këtij iliri të shquar.
Ndër të
tjera edhe roli i nënvlerësuar i femrës, gruas e bijës brenda vizionit të
dikurshëm të krishterë, i dedikohet ca edhe Kostandinit tonë.
Pra edhe
ne si shqiptarë, këtu e shumë kohë më parë, kontributin tonë kaq të rëndësishëm
në çuarjen përpara të botës së civilizuar (për mirë apo jo, nuk i dihet ende)...e
kemi dhënë.
Rëndësi
themelore për fenë e ligjëruar nga iliri Kostandin dhe të predikuar gjer në
vdekjen tokësore (para ringjalljes hyjnore) nga Jezusi i Nazaretit, megjithë
njëmijë gabime (si manastiret, sjellja ndaj femrës, shkencës, dijetarëve, dijes
ose inkuzicioni)...ka fakti që ky religjion diti t’i përshtatet “evolucionit”
(Darwin-i ka gjithmonë të drejtë në teorinë e tij të kaosit perfekt)...të kohës
dhe lau një pjesë të mëkateve, qoftë edhe detyruar nga revolucione madhore (si
ai francezi më 1789-ën), apo nga përparimi i vetëdijës moderne liberale të
shoqërisë së qytetëruar perëndimore.
Kisha
kështu sot Europës i ka lënë vlerat e pashlyeshme të një të kaluare të
civilizuar të përbashkët (të krishterë), ato të familjes e mbi të gjitha vlerën
e madhe të sakrificës së birit të perëndisë për mëkatarët njerëzorë si dhe
bindjen e vyer të barazisë së gjithëkujt nga bota jonë, në të përtejmen
përballë Zotit!
Realiteti
ynë shqiptar, nuk le vend për asnjëlloj teorie në përgjithësi, ato fetare më
pak ndërkohë.
Unë gjithësesi
në rradhët e këtij shkrimi aq utopik sa edhe teoria më utopiste, pata rastin që
të rrëshqisja figurativisht përmes Marksit dhe utopisë së tij të ndritur
përparimtare e cila pati shenjuar
Bota
njerëzore (ajo shqiptare po ashtu) nuk është kurrësesi gri, por ajo ngërthen në
vetvete një larmi të atillë ngjyrimesh, saqë aty gjejnë vend edhe doktrinat e
krishtera të secilit denominacion, ato budiste, hinduiste, sikhe, muhamendane
apo cilatdo qofshin, deri tek ”Kapitali” i Marksit dhe ”Evolucioni” i
Darwin-it.
Rëndësi
dhe vlerë madhore ndërkohë, për çdokënd që vetes i thotë shqiptar, ka më tepër
se gjithçka, shpirti i pastër dhe i kulluar (ashtu si gjaku)...pikërisht
shqiptar dhe asgjë më tepër.
Kjo nuk
është aspak një “UTOPI”, por realiteti më i vlefshëm dhe i vërtetë që neve
trashëgojmë qysh nga largësia e shekujve më të moçëm.
Mos e
bëni “utopi” shqiptarizmën, gjuhën e traditat tona, mos e lini në teori
“atdheun” dhe të ardhmen e tij, bëjeni realitet “shqiptarinë” dhe brezat do ju
kujtojnë!