Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Harku i Kostandinit, Zgërdheshi (Albanopolisi) dhe Shën Sofia... tre pelegrinazhet e munguara të shqiptarëve!
E enjte, 14.02.2013, 07:30 PM
Harku i
Kostandinit, Zgërdheshi (Albanopolisi)
dhe Shën Sofia... tre pelegrinazhet e munguara të shqiptarëve!
Nga Elvi Sidheri
Në Romë, për
ata që kanë qenë aty ose që nuk kanë qenë asnjëherë e ndoshta do shkojnë dikur,
krah Koloseut që njeh gjithë bota, ndodhet edhe një hark i madh triumfi, i cili
përveçse është dukshëm më i vjetër se ai i Napoleonit në Paris, ky pra ka dhe
një lidhje shumë të madhe me neve si shqiptarë.
Ku buron
kjo lidhje në mes nesh, nacionalitetit tonë dhe një harku triumfal në Romë?
Qëndron
në atë që ky hark është ndërtuar për nder të...dhe nga perandori Kostandin i
Madh!
Mjafton
ky si shpjegim për t’a bërë sadopak të qartë idenë e asaj çfarë po shtjelloj?
Kostandini,
ky njeri madhështor, ky perandor romak, i cili për nga veprat e tij jetësore, është
lehtësisht i krahasueshëm me Çezarin, Hadrianin apo Augustin, për shkak të
rëndësisë që ai vetë si person dhe vendimet e tij patën jo vetëm për
perandorinë në fjalë, por më tepër për vetë vijimin e historisë botërore deri
ditët e sotme, ai pra siç e dimë (po e ditëm të gjithë gjithmonë, se ka dhe që
s’e dinë, prandaj më shkoi goja prapa mua duke e theksuar këtë gjë), ishte i
lindur në Naissus-Nishin e sotëm.
Nishi si
dhe Shkupi ishin qytete të mëdhaja të Dardanisë së lashtë ilire dhe sadoqë nën
pushtetin romak, me një popullsi ca të romanizuar në tradita e deri diku në
gjuhë, ai rajon ishte padyshim një tokë ilire 100%.
Tani t’i
hyj e të tregoj me data apo gjenealogji familjare origjinën e Kostandinit, dikush
edhe mund të lodhet sepse jo të gjithë kemi qenë të dhënë pas historisë në
shkollë, por ka rëndësi të dihet që ky njeri vinte nga një familje perandorake.
I ati
quhej Kostanc Klori dhe ishte një nga perandorët romakë, që erdhën pas ilirit
tjetër të madh, Dioklecianit nga Dalmacia.
Diokleciani,
i zgjedhur perandor romak nga ushtria, njeri me origjinë shumë modeste, është
një tjetër figurë e jashtëzakonshme për nga lartësia e vlerave që ai paraqet
historikisht e për nga sjellja që ai pati si perandor, po aq sa edhe për
gjestin e tij të rrallë edhe për ditët e sotme, atë të tërheqjes apo dorëheqjes
nga pushteti, pa qenë i detyruar për t’a bërë një gjë të tillë nga asnjë
rrethanë imponuese.
Kthehemi
tek Kostandini për të mos t’a shpërndarë vëmendjen.
Kostandini
thonë se është zgjedhur perandor kur bashkë me të atin ndodhej në Britani dhe
mesa di unë, statuja e tij sot e kësaj dite qëndron krenare në Jork të Anglisë,
aty ku ai ndodhej kur u zgjodh për të drejtuar atë perandori të pamatë.
Pas
vdekjes së babait të tij, ai merr titullin perandor dhe niset nga Britania
drejt Romës për t’u ndeshur me rivalët e tjerë për fronin.
Rrugës ai
heq qafe Maksimianin, Masencin dhe në fund Licinin, por për t’a realizuar këtë
gjë, atij do t’i nevojiten shumë mund e përpjekje.
Njihen
betejat e tij të mëdhaja në Torino, Mediolanum (Milano sot) apo Verona, ku ai
rrethon trupat e kundërshtarit Masenc, si dhe zgjuarsia e tij tipike ilire në
fushëbetejë, kur në Verona për shembull ai ushtarët e Masencit i detyron të
dalin jashtë mureve dhe aty i “sheshon” me sulmin e tij.
Kjo
ndodhi pasi Masenci në atë qytet kishte lënë një gjeneral të tijin shumë të
aftë, Pompeianin dhe ky i fundit trupat i mbante mbyllur pas mureve të qytetit
i cili ndodhej në një gadishull dhe i rrethuar nga tre anë prej lumit Adixhe i
cili i lejonte nga ana tjetër të rrethuarit të merrnin edhe furnizime nëpërmjet
lundrimit në lumë.
Prandaj
Kostandinit ju desh të bllokonte kalimin lumor së pari, duke e vënë totalisht
nën rrethim kështu qytetin e më pas i detyroi të rrethuarit të dilinin e të
luftonin në fushë të hapur.
Armiqtë e
Kostandinit ishin sërish më të shumtë në numër, por strategjia e perandorit
ilir ishte më efikase dhe pas luftimeve që zgjatën tërë natën, në mëngjes ai
kishte fituar betejën, Pompeiani kishte lënë lëkurën aty dhe kështu rruga për
në Romë ishte e lirë.
Aty e
priste rivali Masenc me 100 mijë njerëz.
Beteja
finale mes të dyve u bë në Urën Milvio pranë brigjeve të lumit Tevere.
Ishte
viti 312 pas Krishtit.
Ky moment
historik kujtohet jo vetëm për shkak të fitores së shkëlqyer të këtij
iliro-romaku të madh, por edhe për shkak se nata para betejës, ndryshoi
përfundimisht historinë e botës.
Atë natë
e ditën e mëpasshme siç tregojnë, Kostandinit ju shfaq dielli me shenjën e
Kryqit dhe fjalët:”In hoc signo vinces-Me këtë shenjë ti fiton”.
E të
nesërmen ai vërtet fitoi.kjo fitore ka një prapavijë sa profetike, për shkak të
lidhjes së pazgjidhshme me fenë e krishterë, aq edhe praktikë e taktike.
Trupat e
Masencit dimë nga burimet historike që ishin më të shumta në numër se ato të
Kostandinit.
Por
morali i trupave të perandorit ilir ishte dukshëm më i lartë ndërkohë, pasi veç
eventit profetik për të cilin folëm, ata vinin
nga një marshim i tërë triumfal nga Britania deri në portat e Romës.
Nga ana
tjetër, që në fillim thonë se Kostandini vuri re pikën e dobët të vendosjes
taktike të ushtarëve të Masencit.
E miq të
dashur, për t’u kapur pak me një temë më të gjerë, ky tru gjenial në luftë e
politikë, dallohet mes gjithë personazheve mitikë me origjinë iliro-shqiptare
që ka njohur historia, që nga Pirro i Epirit, i cili njihet si i vetmi që mundi
romakët, në Tarent ku edhe pse humbi shumicën e ushtrisë së tij, ai sërish
FITOI dhe për të fshehur këtë humbje të rrallë sa dhe të turpshme, romakët më
pas shpikën teorinë poshtëruese të “Fitores së Pirros” e cila gjasme nuk vlen
për asgjë!
E gjejmë
këtë shpirt vigan dhe mendje të mprehtë edhe tek Aleksandri iliro-maqedonas dhe çarja e tij mespërmes
Azisë deri në Indi, e gjejmë po aq edhe tek Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe
mbrojtja legjendare që ai i bëri vendit të tij kundër fuqisë më të madhe e të
egër të kohës, domethënë osmanëve turq.
Ku vajti
e u zhduk ky shpirt i pamposhtur shqiptar që do të duhej t’a kishim trashëguar
në ADN-në tonë prej këtyre njerëzve të paharruar?
Me siguri
atë e kemi trashëguar ne shqiptarët e sotëm po ashtu, por ai është nënshtresuar
poshtë shumë llumi e mbetjesh që na ka lënë “dhuratë” historia shpesh pak
bujare me ne.
Kthehemi
në temë tani.
Pika e
dobët e rreshtimit taktik të ushtarëve të Masencit, ishte se ata qëndronin të
gjithë përbri brigjeve të lumit Tevere, në bregun që ishte përballë Romës, në
anën ku ishin edhe trupat e Kostandinit tonë.
Ky veprim
taktik i Masencit e bëri Kostandinin të dali në dy përfundime të rrufeshme, të
cilët më pas i dhanë atij fitoren në betejë dhe luftë.
Ai kuptoi
se së pari, duke qëndruar përpara lumit, ushtarët e Masencit në rast sulmi, nuk
do kishin ku të tërhiqeshin dot më, pasi prapa tyre ishin vetëm ujërat e ftohta
e të rrëmbyera të Teveres.
Po ashtu
konstatimi më i rëndësishëm që bëri Kostandini i shkathët, ishte se për t’i
vënë në atë rreshtim “vetvrasës” ushtarët e tij, Masenci kishte qenë i detyruar
nga mosbesimi që ai dukej të ndjente ndaj ushtarëve të tij.
Dhe duke
i vënë me shpatulla nga lumi, ai i detyronte ata të mos kishin ku të
tërhiqeshin dhe që të luftonin deri në fund, pasi s’kishin çfarë të bënin
tjetër, ndryshe do mbyteshin në ujë.
Çdo
udhëheqës tjetër ushtarak me mend në kokë, trupat do i kishte vënë në mbrojtje
të urës dhe të bregut tjetër të lumit, ku të kishin dhe hapësirë manovre në
rast nevoje, por Masenci nisej nga mosbesimi dhe një gjeneral që s’ka besimin e
ushtarëve të tij, është i dënuar të humbë.
E ashtu
ndodhi vërtetë.
Kostandini
sulmoi me të gjitha forcat, i shtyu drejt lumit ushtarët e Masencit, të cilët u
kapën nga paniku dhe nisën të hidheshin në lumë.
Beteja
kaloi edhe në Urën Milvio dhe ndërkohë trupat e Masencit ngritën dhe një urë
tjetër artificiale nëpër të cilën duhej të largohej lideri i tyre, perandori
uzurpator.
Por në
mes të kësaj arratie të çmendur dhe të paorganizuar, me ushtarët e pretorianët
e tij, që binin si mizat nën goditjet e shpatave e heshtave të trupave të
Kostandinit, vetë Masenci ra e u mbyt aspak fisnikërisht në lumin Tevere.
Kjo ngaqë
duan të thonë historianët, vetë ai dhe shumë prej ushtarëve të kalorsisë së tij,
ishin të veshur me parzmore e kokore hekuri, të cilët ua bënin të pamundur
notimin në ujërat e lumit.
Kështu
përfundoi ky uzupator i fronit.
Pas
betejës që Kostandini me zgjuarsi e guxim, e fitoi triumfalisht, trupi i
Masencit u gjet, koka e tij u pre dhe majë ndonjë heshte ajo u soll si trofe në
Romë, ndërsa Kostandini dhe trupat e tij bënin xhiron e rrugëve të Citta
Eterna-Qytetit të Përjetshëm.
Më pas
Kostandini bëri shumë gjëra të mëdha, si për shëmbull luftoi edhe me rivalin e
fundit Licinin, të cilin edhe e mundi pas shumë kohe dhe në 324-ën ai u shpall
më në fund Perandor.
Kundërshtari
i tij final, Licini me të cilin ndau perandorinë në paqe për ca vite, u mund
përfundimisht në Krisopoli, në pjesën aziatike të Stambollit të sotëm, në
Üsküdar për ata që si unë e kanë parë atë lagje buzë Bosforit.
Kostandini
dhe e ëma Elena (Shën Elena, pelegrinia e parë e Tokës së Shenjtë), njihen si
nga themeluesit e kanonizimit të krishtërimit siç e njohim neve dhe bota ditët
e sotme.
Kisha e
Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, është vepër e tyre nënë e bir dhe puna për të
ka nisur diku nga vitet 325-326 kur është ndërtuar dhe bazilika kostandiniane.
Sot e
kësaj dite, aty ndodhet edhe selia e Patriarkatit Ortodoks të Jeruzalemit.
Fakt ky
që vjen në mbështetje të rëndësisë së pamohueshme historike të Kostandinit për
historinë botës dhe të krishtërimit, por edhe të rrënjëve ilire të kishës
lindore ortodokse, e themeluar KRYEKËPUT sipas udhëzimeve të Kostandinit në
Koncilin e Nikesë e më tej.
Vetë
Kostandini është i konsideruar si i shenjtë dhe i përafërt me apostujt nga
kisha ortodokse, e cila vetëm kështu mund t’a vlerësonte themeluesin e saj
iliro-romak.
Dimë dhe
që Kostandini zhvendosi qendrën e tij dhe të perandorisë në qytetin i cili mori
emrin e tij, pra në Kostandinopojë.
Ajo që na
intereson ne, është në këtë rast Harku i Kostandinit në Romë.
Këtu dua
sërish të ndalem pak unë dhe t’u flas ca më tepër për këtë vepër të
mrekullueshme arkitektonike që aq shumë lidhet me ne shqiptarët, por për
ekzistencën e të cilës ne nuk dime thuajse asgjë.
Ky hark u
vendos të ndërtohej sapo perandori ilir i Romës, hyri triumfalisht në qytet
pasi shkërmoqi Masencin.
Ai hark
është sipas mendimit të historianëve dhe arkeologëve, as më pak e as më tepër
se një përshkrim, një “kronikë mbi gur” për të treguar jetën dhe bëmat e këtij
perandori deri në ngritjen e harkut në vitin 315 pas Krishtit, për
dhjetëvjetorin e pushtetit të Kostandinit.
Aty
tregohen të gjitha betejat e këtij udhëheqësi dhe modernizuesi të perandorisë, rrethimet
e fushatat e tij dhe po ashtu aty gjendet një veçanti unike, ajo e një ushtari
romak që paraqitet i skulpturuar ndërsa po bie, pra po vdes, gjë kjo e
pandodhur kurrë më parë në artin romak, që njihte dhe paraqiste veçse triumfe
në monumentet e tij...e sigurisht që ky i rënë vinte nga trupat armike të
Masencit.
Në hark
paraqiten edhe statujat e perandorëve të mëdhenj romakë si Trajani, Hadriani e
Mark Aureli të cilëve u përafrohet pamja me atë të Kostandinit tonë, si për t’u
treguar romakëve atëherë e botës akoma, se ky perandor ishte pasuesi i tyre i
denjë.
Aty ka të
skalitura dhe pamje të princërve barbarë (dakë) të mposhtur nga Trajani e skena
të tjera të shumta që çdo shqiptar do nevojitej t’i shikonte vetë me sytë e tij,
për të admiruar për së gjalli këtë kryevepër të njerëzimit e cila flet me
shkronja latine e pamje të gdhendura në gur, për veprën e jetën e një njeriu, një
“iliri” të madh i cili i dha botës emrin dhe legjendën e tij të pavdekshme.
Aty mund
të shikojmë edhe dëshminë e diplomacisë së rrallë të këtij iliri që sundoi me
inteligjencë të lartësuar atë perandori të stërmadhe, kur në mbishkrimet e
harkut, lexojmë sesi vullneti i tij për të qenë i kuptuar nga të tëra shtresat
e shoqërisë romake, bën që ai të shprehet e lexohet sipas çdo syri e ndjesie
religjioze, kur thotë ...:”Instinctu divinitas”-pra :”Me frymën e perëndisë”.
Në të
vërtetë ai megjithëse së shpejti do të shpallë krishtërimin fe zyrtare, sërish
lë qëllimishit vend për interpretime që zgjasin dhe sot e kësaj dite, pasi
perëndinë nuk e ka të përmendur me emër qartësisht!
Ajo mund
të ishte Perëndia e të krishterëve, ajo që atij iu shfaq natën para betejës në
Urën Milvio dhe nëpërmjet kryqit të nesërmen në luftë, sa edhe perëndia diell, me
rrënjë të forta kudo në perandori sa edhe mes ilirëve të tij, aq sa simbolin e
Diellit Zot-Sol Invictus, e gjejmë tek simboli i Aleksandrit të Madh, si dhe
tek mburojat e trupave të vetë Kostandinit të Madh pikërisht para asaj beteje
vendimtare kundër Masencit.
Një
diplomaci dhe proselitizëm fetar, që dhe në ditët tona, mes shqiptarëve, pasues
të kësaj figure madhështore, vazhdojnë të jenë po aq të gjallë edhe pas 1700
vitesh.
Po ju jap
të plotë tani edhe shkrimin kryesor në hark:”Për perandorin Cesar Flavius
Konstandin Maksim, I ndershmi, i lumturi August.Senati dhe populli romak, i
dedikuan këtë hark si simbol të triumfeve të tij, sepse ai me frymëzimin e
shenjtë dhe madhështinë e shpirtit të tij, nëpërmjet një lufte të drejtë, me
ushtrinë e tij, ua mori me të drejtën e tij shtetin tiranit dhe fraksioneve”.
Ka edhe
shkrime të tjera si:”Liberatori Urbis dhe Fundatori Quietis”-pra “Çlirimtari i
qytetit dhe Themeluesi i qetësisë”.
Ai hark
për të cilin po rrekem të flas pra, ndoshta “tu i ra içik si gjat”, ai monument
imponent i cili akoma sot zbukuron e i jep hijeshi qendrës së Romës, së bashku
me Koloseun dhe rrënojat e tjera të atij qyteti mitik, ai është sadoqë neve nuk
e dimë, një objekt i vyer ndër të tjera edhe i trashëgimisë tonë historike si
shqiptarë.
Vërtetë
që Kostandini ishte perandor i Romës, por po aq është e vërtetë që atëherë
Iliria e tij, ishte e përfshirë në shtetin romak.
Shtet i
madh e kulturuar, që botës i la rrugët, ujësjellësat, shkollën, shkrimin, traditat
e mbi të gjitha ligjet tij, të Drejtën Romake pra.
Kostandini,
në fronin e asaj perandorie e më pas të Bizantit që vetë e themeloi, nderoi
gjakun e rracën e tij ilire, që është e njëjta rracë e i njëjti gjak i yni sot!
Krishtërimi
botëror, miliarda njerëz të atij besimi, këtij iliri-romak, i detyrohet
ligjërimin e kanonizmin e tij, të cilin në përqindje të madhe e ka të njëjtë
edhe sot.
Kishat
Katolike e Ortodokse, ende sot mbeten në skizmë, ndër të tjera, veç dogmës
fetare edhe për shkak të prevalencës së figurës së Kostandinit dhe lidhjeve të
tij sa me Kostandinopojën-Stambollin (ku gjendet dhe sot Patriarkana Ekumenike)
aq dhe me Romën.
Perandoria
që ai ngriti, Bizanti jetoi deri më 1453-shin kur turqit mongolë çanë muret e
hynë aty me dhunë, pra rreth 1000 vite pas Kostandinit e qyteti i tij Stambolli
akoma është një nga qytetet më të rëndësishme në botë.
S’ka
nevojë të them sërish që duke qenë ky ilir-romak, ”babai” i kishës lindore dhe
iniciuesi i kanonizimit të fesë së krishterë, pesha jonë si shqiptarë në
krishtërim dhe tek ana ortodokse e tij veçanërisht, është tejet e ndjeshme dhe
kjo gjë hedh me të pasme përtokë që në gjenezë të tëra pallavrat sa greke e po
aq brendashqiptare për identifikimin si helenë apo sllavë të pjesës ortodokse
të popullit shqiptar.
Kjo do të
thotë, që unë në kishë njoh Perëndinë, Krishtin e dogmën e religjionit tim si
shqiptar ortodoks, por di dhe që kjo kishë, jetën e saj ligjërisht e
kanonikisht e ka nisur nën drejtimin
largpamës të një njeriu të gjakut tonë, një iliri me emrin Kostandin nga Nishi,
perandori i Romës e Bizantit!
Prandaj o
shqiptarë të çdo feje, krahine dhe ideje, po u ra rastësisht rruga nga Roma (se
thonë se ngahera aty të çojnë të gjitha rrugët)...kushtojini sikur edhe pak
minuta dhe ndonjë fotografi, atij harku, Harkut të Triumfit të një iliri, një
shqiptari të madh të quajtur Kostandin!
Do
shpenzoja, duke dashur të mos u kem lodhur akoma me “ligjërimin” tim
nacional-historik, edhe ndonjë rrjesht për të folur pak për dy tempuj të tjerë
të harruar nga ne shqiptarët.
Së pari
për njërin prej tyre që e kemi pak kilometra nga kryeqyteti ynë Tirana dhe ca
pëllëmbë më tej se Kruja kastriotase.
Bëj fjalë
për rrënojat akoma të dukshme të qytetit antik të Albanopolisit, apo siç quhet
tani Zgërdheshit.
Një vend
që ndodhet pranë Fushë-Krujës e ku çdo shqiptar po të donte, mund të shkonte pa
u lodhur fare.
Lokacioni
i këtij qyteti të lashtë, është afër aeroportit të Rinasit, Tiranës dhe Krujës.
Një
trekëndësh i mrekullueshëm pra, shumë lehtësisht i vizitueshëm nga kushdo.
Përreth
nesh kemi plot fqinjë ziliqarë, të cilët do e falenderonin Zotin 3 herë në ditë
po të kishin pasur fatin tonë e të kishin para hundës gjenezën e rracës e
nacionalitetit dhe emrit të tyre ndërkombëtar.
Ne që
këtë fat e kemi, as që e vëmë ujin në zjarr fare.
E kujt i
bëhet vonë fundja?!
Se t’a
kishim vërtetë seriozisht, aty tashmë do ishte gërmuar cep e më cep ai lokacion
dhe do kishte dalë në dritë gjithçka ka mbetur ende nga Qyteti i Albanëve!
Dhe siç e
dimë, neve që nga Ptolemeu në mos gabohem, bota na njeh si Albanë.
Pra emri
i këtij fisi të lavdishëm ilir, na ka identifikuar këtu e dymijë e ca vite ne
shqiptarët.
Albanë, që
domethënë indoeuropianisht (familja e madhe gjuhësore, ku hyn dhe shqipja jonë
e bukur)...”të bardhë”-apo “njerëz alpesh”, siç ne shqiptarët kemi qenë e jemi.
Jo
rastësisht ky emër na ka mbetur në mijëvjeçarë pra.
Ne popujt
e lashtë të Europës, ndajmë të tilla emra, kam dëgjuar që edhe skocezët e sotëm,
në gjuhën kelte i thonë “Alba” vendit të tyre të lashtë plot male.
Ngjashmëria
është e qartë dhe prezenca në kulturën skoceze e “Kilt-it” të ngjashëm me
“Fustanellën” tonë, apo ajo e gajdes, të bëjnë të mendohesh.
Por po
thoja që serbët apo sllavët e tjerë, për të kërkuar rrënjët e tyre duhet të
shkojnë në fushat ukrainase apo në Rusi.
Turqit
duhet t’ia mallarin (fusin vrapit) tek stepat e shkretëtirat mongole.
Kurse ne,
si pak të tjerë, kemi burimin, kërthizën e vërtetë të emrit e qënies tonë, e
kemi të zbuluar, të faktueshëm me të dhëna historike, e dimë ku ndodhet dhe me
të s’bëjmë asgjë prej gjëje.
S’ka një
agjenci që t’a promovojë e mbrojë atë vend.
Nuk ka
turist, jo më të huaj, por shqiptar që t’a vizitojë.
Duket
sikur kuriozët e fundit për atë qytet ilir kanë qenë Herodoti e Ptolemeu dora
vetë e pas tyre kërshëria për atë vend, duket të ketë vdekur bashkë me ta.
Para se
ai qytet, rrënojat e tij, të bëhen të vizitueshme për të huajt, ato DUHET të
jenë tempulli i krenarisë e memories tonë historike si shqiptarë.
Dhe kjo
nevojitet të ndodhi, pa ose me interesimin e shtetit.
Unë s’kam
nevojë të më kujtojë shteti për ekzistencën e Albanopolisit-Zgërdheshit, se të
kem mundësi shkoj aty vetë e prek me duart e mija, të njëjtat gurë apo mure ku
kanë shkelur e janë mbështetur albanët, ata që na kanë falur emrin e bukur me
të cilin na njeh tërë bota.
Edhe emri
i dytë që ka ai qytet, Zgërdhesh pra, sipas mendimit që kam dëgjuar, do të
thotë “i hapur”, nga fjala “gardh”-pra i mbyllur, e “zgardh”-pra hap.
Ai është
një qytet, një lokacion arkeologjik që kemi fatin t’a kemi aty afër kryeqytetit
aktual e qytetit të pamposhtur të Gjergj Kastriotit, ai sipas emrit të tij, është
gjithmonë një “qytet pa gardh-Zgërdhesh” e aty çdo shqiptar mund të shkojë e të
bëjë pelegrinazhin e tij personal apo familjar në atë tempull të përjetshëm të
shqiptarizmës.
Në fund
do flas pak edhe për kishën e Shën Sofisë në Stamboll.
Kishë e
dy shenjtëve Justinian e Kostandin, këtyre dy perandorëve ilirë që ndritën
botën e Bizantin.
Kishë e
ndërtuar me formën që ka edhe sot, përfundimisht në vitin 562 dhe e ngritur me
urdhër të perandorit Justinian i Madh nga Tauresiumi i Dardanisë.
Kishë kjo
që për shekuj ishte më e madhja dhe e rëndësishmja e krishtërimit derisa u
ndërtua ajo e Shën Pjetrit në Romë.
Kush ka
qenë ky njeri i mrekullueshëm që ringjalli Romën e lindjes, pra Bizantin e që
reformoi legjislacionin e saj dhe tentoi të bashkonte sërish perandorinë romake,
që u përball me sllavët e gjermanikët barbarë dhe që ngriti nga e para qindra
kështjella në Ilirinë e tij, këto besoj se i dini apo i keni dëgjuar, por mund
të merremi me to herë tjetër.
Por kisha
e tij, një muze sot, është akoma aty në Stamboll, në zonën e quajtur
“Sulltanahmet”, afër Xhamisë Blu e Obeliskut të Teodosit, pranë Urës së
Gallatës e Kapallëçarshisë.
Pra e
keni në zonën më turistike të mundshme të Stambollit o e nderuar gjindje
shqiptare.
Kur t’u
bjerë udha nga ato anë, futuni aty brenda, paguajini ato 10 euro dhe hyni në
ngrehinën hyjnore të këtij iliri të madh, në qytetin e themeluar nga iliri
tjetër Kostandin.
Rastësisht
ajo nuk është më një kishë, por një muze, siç kam shkruar herë tjetër, brenda
gjeni ikona e citate kuranore.
Pra më
shqiptare, më multifetare se kaq s’bëhet!
Sa
largpamës e sa shqiptar paska qenë ky Justiniani ynë ilir!
Siç neve
shqiptarët kemi 5 fe, jemi të krishterë e myslimanë, sa jemi dhe laikë e
ateistë, edhe qyteti i Kostandinit është një udhëkryq mes krishtërimit e
myslimanizmit, mes Europës e Azisë, me kisha e xhami, siç ne shqiptarët jemi
edhe sot kaq shekuj pas këtyre perandorëve ilirë të Romës e Bizantit.
Harroni
që ajo kishë ndodhet në shtetin e turqve apo që i thonë gërqisht Agia Sofia, sepse
ajo është Shën Sofia e perandorit ilir Justinian, e cila ndodhet në qytetin e
perandorit ilir Kostandin.
Këto janë
tre pelegrinazhe të munguara shqiptare që desha të përmendja sot.
Gjithë të mirat deri herën tjetër popull!