Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Turq, boshnjakë dhe shqiptarë!
E diele, 01.07.2012, 06:10 PM
Turq, boshnjakë dhe shqiptarë!
Nga Elvi Sidheri
Ç’ne ky
titull do pyeste dikush veten?
Normale, pikëpyetje
legjitime, sepse në të vërtetë neve s’do të duhej të na lidhte as edhe një gjë
me ato dy elementet e parë të titullit të këtij shkrimi.
Por ja që
na lidhin për fat të keq mjaft gjëra, shumë fije të dukshme e të padukshme, shumë
copëra kulture të kalbur e botëkuptimesh të përafërta,
Deri diku
feje e litarësh të tjerë që mbajnë të kapur ende fort këtë treshe ku bëjmë
pjesë fatkeqësisht edhe neve.
Ka njerëz
të shumtë nëpër Europë, të cilët po ashtu këtë treshe popujsh, e shohin si një
rrjedhojë llogjike, si diçka pazgjidhshmërisht të lidhur, si një familje e si
një kuadër ku secila pamje integrohet shkëlqyeshëm me tjetrën, duke krijuar
kështu pikturën “alla turka” të mbetjeve osmane në Ballkan.
Ndaj edhe
fati ynë si popull shqiptar, jo rrallë është takuar e bashkuar me jo vetëm atë
të turqve, por rëndom edhe me atë të boshnjakëve.
Unë
shpesh në shkrimet e mija e përmend me përçmim lëvizjen sulltandashëse
DumBabiste të pas pavarësisë shqiptare.
Dhe kjo
gjë nuk ndodh fare rastësisht.
Sepse në
atë kryengritje dhe kulisat që fshiheshin prapa saj, qëndronte dora e rëndë
gjakatare osmane dhe ata të cilët me më tepër ëndje ju vunë prapa qerres
anadollake dhe të cilët i vunë zjarrin Shqipërisë së mesme, ishin ca muhaxhirë
boshnjakë, të cilët burimet sidomos italiane të asaj periudhe, i tregojnë si më
të zellshmit në krye të asaj lëvizje bastarde.
Ata
njerëz kishin ardhur nga Bosnja, thuhet pasi Austro-Hungaria e kulturuar dhe e
qytetëruar ua mori osmanëve Bosnjen dhe Hercegovinën.
Më pas
siç bëhet shpesh edhe me të tjera ngjarje, plasin legjendat se si ata ranë në
tokat shqiptare.
U prishën
anijet që i çonin për Stamboll, a u doli ndonjë shenjë perëndie në ëndërr që u
tha se fushat pranë detit Adriatik në brigjet shqiptare do të ishin vendngulimi
i tyre i ardhshëm, por sidoqoftë përfundimisht ata u vendosën në trojet tona.
Teoritë e
konspiracionit të cilat aq shumë u pëlqejnë filoturqve apo mëkëmbësve të tyre, do
të na bënin të mendonim se në mos në marrëveshje me ta, qoftë edhe në kokë të
vetë, turku mund t’i kishte planifikuar t’i linte prapa si një lloj mbështetje
e ardhshme në shërbim të politikave të
tij kundrejt nesh shqiptarëve, por edhe kjo gjë mbetet për t’u verifikuar.
Ajo që
dihet dhe gjen faktim të qartë historik, është se gjatë asaj kryengritje
famëkeqe, pikërisht elementi boshnjak-muhaxhir prezent në trojet tona, ”shkëlqeu”
në angazhimin e plotë në favor të kauzës sulltanase.
Haxhi Qamili,
të cilit historia i vesh me të drejtë një mori fajesh, mëkatesh dhe krimesh
antikombëtare, në të vërtetë ishte vetëm një copë analfabet injorant, dallkakuk
dhe kryesisht tipi i personit pa as edhe një vlerë të vetme, të cilin rrjedha e
vrullshme a atyre ngjarjeve të zeza për Shqipërinë dhe shqiptarët, e mori përpara.
Tipi i
njeriut i cili gjendet në vendin e duhur, në kohën e duhur!
Vendi i
duhur, periferia aktuale e Tiranës, pra Sharra dhe koha e duhur viti 1914-të.
Them se
ai vinte nga vendi i duhur sepse Sharra ndodhej në një nga zonat me lëvizje më
të fortë pro-sulltanase në Shqipëri.
Zonë me
shumë tradita atdhedashëse dhe përparimtare, por njëkohësisht edhe një rajon me
prezencë të vjetër dhe të shtuar turke apo turkofile.
Po të
kujtojmë rrethimet e mëdha të Krujës 500 vjet më parë, jo rrallë shikojmë se
turqit ngrinin kampet e stërmëdha të hordhive të tyre vrasëse, pikërisht në
fushën e Tiranës.
Është e
qartë që si pasojë e politikës së pastër shfarosëse të ndjekur gjatë secilës
fushate osmane në Arbëri dhe përgjatë secilit rrethim të kryeqëndrës arbërore, popullsitë
shqiptare të asaj zone kanë qenë ndër më të goditurat nga jataganët e topuzët
turq.
Më pas
dihet shumë mirë me të dhëna të pakundërshtueshme historike, se të gjithë
banorët e Krujës, pas dorëzimit të qytetit në 1478-ën, përfunduan në tehet e
mprehta të shpatave turke, të vrarë një për një, të therur dhe kështu muret e
asaj kështjelle u lanë dhe mbytën në gjak arbëror dhe popullsia e saj u
asgjësua totalisht.
Po ashtu
në lindje të Arbërisë Svetigradi pati
rënë pas një rrethimi dhe mbrojtje heroike në vitin 1448-të dhe më pas edhe në
jug Berati ishte humbur diku në vitin 1450-të dhe pati mbetur përfundimisht në
duar turke pas rrethimit të pasuksesshëm të vitit 1455 dhe humbjes së vetme të
Lidhjes së Lezhës ndaj turqve.
Në viset
bregdetare perëndimore arbërorë, me përjashtime të vogla si Kështjella e
Rodonit, gjithë bregu dhe qytetet e fortifikuara kontrolloheshin nga
venedikasit.
Pra e
gjithë kjo do të thotë se sulmet dhe furia vrasëse turke përqëndrohej drejt
asaj që sot njihet si Shqipëria e mesme dhe kryekështjella e arbërve, Kruja.
Ajo zonë
për disa dhjetëvjeçarë, për aq sa zgjati rezistenca e Skënderbeut dhe njerëzve
të tij ndaj turqve, mbeti pjesa më e goditur dhe e sulmuar pamëshirshëm nga
osmanët dhe padyshim popullsia arbërore e atij rajoni mund të ketë qenë më e
tronditura numerikisht si pasojë e atyre ngjarjeve.
Më pas, regjimi
pushtues osman, që nuk arriti gati asnjëherë të depërtojë në vise malore apo të
largëta dhe të mbrojtura natyralisht si Mirdita apo Bregu në jug, sidoqoftë u
instalua me gjithë shpurën e oficerëve, drejtuesve, bejlerëve, agallarëve, myftinjve,
mullahëve, eunukëve, haremeve dhe kompanisë së tillë, në qytetet kryesore
shqiptare dhe po ashtu edhe në zonën e Shqipërisë së mesme.
Në fund
andej nga 1878-a, vërshuan edhe muhaxhirët e sipërpërmendur të Bosnjes dhe
njolla osmane në hartën e zonës u përhap edhe më tepër.
Haxhi
Qamili shqiptar nga gjaku, vinte pikërisht nga ai rajon.
Dhe ai
s’bënte pjesë tek borgjezia e re moderne e Shqipërisë së mesme, as tek
patriotët e shquar të Elbasanit, Tiranës apo Durrësit, tek ata që ngritën
flamurin në 1912-ën në Tiranë si Abdi Toptani e Muhamer Agalliu, apo si Aqif
Pashë Elbasani i cili mbuloi detyrën e ministrit të brendshëm të qeverisë së
Princ Vidit pikërisht gjatë kohës së shpërthimit të kryengritjes së fekaleve
filo-osmane DumBabiste të 1914-ës.
Ky njeri
i shquar bashkë me elbasanas të tjerë atdhedashës si Ahmet Haxhi Sinani apo Sava Papajani e Simon
Shuteriqi, u dalluan më parë si aktivistë të palodhur të lëvizjes kundërosmane
dhe më pas u përpoqën që të ringrenë në këmbë autoritetin shqiptar në mes të
Luftës së Parë Botërore.
Për këtë
njeri shtypi i kohës shkruante:...”Me gëzim të madh sot po botojmë fytyrën e
atdhetarit të çkëlqyer, Aqif Pashë Elbasanit, i cili atdhetarismën e provoi
dyke vënë... ndë rrezik kaqë herë dhe jetën e tij.Këtë burrë besnik tërë
populli shqiptar e adhuron dhe pret nga ay dhe shumë shërbime të tjera.Sot
ndodhet për shërbim të atdheut ndë Elbasan.....”!
Ky njeri
i mprehtë, diplomat dhe i cili i shkriu gjithë kontributin e tij jetësor, ashtu
si edhe pasurinë familjare në të mirë të çështjes kombëtare dhe vendit të vet, në
fund pasi me këshillat e tij ndihmoi që të ruheshin të paktën kufinjtë e
shtetit shqiptar të përcaktuar nga konferenca e Londrës, vdiq në vitin 1926.
Këtë
atdhetar fjalët e fundit në vlerësim të figurës së tij patriote e quanin si
:”një njeri pozitiv......duke e përjashtuar nga bejlerët dhe pashallarët e
liq”!
Duke u
kthyer tek Haxhi Qamili, siç thotë Mit’Hat Frashëri :”Esadizma mori frymë dhe
trup nën një trini apokaliptike; Esat Toptani, Myfti Musa Qazimi dhe Haxhi
Qamili, tre krerë të një hidre që përfytyronin ambicionin, tradhëtinë dhe
lakmimin, fanatizmën e verbër dhe injorante nën maskën e fesë, marrëzinë
brutale jo në figurë letrare po reale”.
Pra ky
Haxhi Qamili bënte pjesë aktive në këtë treshe, me merita të plota, por roli i
tij ishte sidoqoftë i stisur dhe i mbivlerësuar.
Ky person,
pati qenë siç thonë burimet e kohës :”në hekura si i prishur mendsh”!
Por ajo
kohë për të cilën po flas, nga Mit’Hat Frashëri shpjegohet edhe kështu:”Në atë
mot Shqipëria u bë dëshmonjëse e një sendi të paparë gjer atëherë; agjentët e
Greqisë dhe të Patriarkanës të lidhur ngushtë me “fetarin” Musa Qazim; njerëzit
që pretendonin se luftonin për din e dovlet (turkomanët e shumtë i kuptojnë
këto shprehje anakronike) bashkëpunojnë me çetat destruktore greke; Esadi dhe
partizanët e tij të “Sadai Mil’letit” bëhen vegla të shqehve dhe grekëve”.
Çfarë
nevoje ka për më tepër fjalë të shkoqitura se këto rradhë të arta?
Kjo ishte
periudha e fundit të sundimit turk mbi ne shqiptarët, një kohë kur turkoshakët
e shumtë ngritën krye në mënyrë të armatosur për të fundit herë, duke kërkuar
me zë të çjerrur sa “u dilte rryli i fytit”-(të bërtasësh me forcë sa të ikën
zëri, në dialekt tiranas), kthimin e ndonjë palo sulltanuci osman të rënë nga
fiku tashmë që vetë Perandoria Osmane ishte rrënuar njëherë e mirë.
Një kohë
ajo, ku ndërthureshin perfektësisht arsyet dhe motivet e këtij shkrimi të
sotshëm!
Kohë me
turq, boshnjakë e shqiptarë, filo dhe anti-turq.
Vendlindja
e Haxhi Qamilit, njeriut që përfaqëson dhe personifikon mrekullisht vegjëlinë
orientaliste, të pagdhendur dhe përjetësisht turkdashëse shqipfolëse, ishte për
rastësi Sharra e Tiranës.
Aty ku
sot ndodhet për konçidencë edhe “varreza” më e madhe e kryeqytetit!
S’do mend,
që aty ku lindi kjo monstër e vogël e antishqiptarizmit dhe e filoturqizmit, sot
vetëm një varrezë mund të gjendej.
Sepse në
varr desh përfundoi Shqipëria dhe pavarësia bashkë me të ardhmen e saj, si
pasojë e bëmave të Haxhi Qamilëve dhe frymëzuesve të tyre esadistë e
sulltanistë-osmanistë!
Shqipëria
e mesme e atëhershme u kthye në një varrezë të madhe ku vdekja kapte çdo
patriot e nacionalist shqiptar anti-turk të cilët guxonin të dilnin kundër
fondamentalizmit anadollak.
Po ashtu,
përmendorja e vetme e denjë për veprat dhe katrahurën e shkaktuar nga Haxhi
Qamilët, është dhe do të mbetet sigurisht vetëm një VARREZË!
Të kemi
të bëjmë këtu me një rastësi të fatit, apo me dorën e mistershme të diçkaje të
mbinatyrshme, që ka vendosur të bëjë një varrezë, aty ku u lind drejtuesi
fantomatik i revolucionit turkoman të atyre viteve, kjo gjë kurrë s’do sqarohet,
por fakti që vendilindja e tij ndodhet e mbuluar nga një varrezë, të jep
përshtypjen e një lloj shpagimi historik për bëmat e tij.
Në të
kundërt, edhe një WC publike s’do të kishte qenë keq, por të mjaftohemi me këtë
rreng të bukur që Zoti a historia i ka bërë atij palaço njeriu.
Shqipëria
që doli akoma e gjallë pas asaj kryengritjeje DumBabiste, ishte thellësisht e
plagosur, e gjymtuar dhe e copëtuar.
Duke
cituar edhe njëherë të madhin dhe mendjendriturin Mit’hat Frashëri:”Barka e
Shqipërisë kishte mbetur pa komandant, pa timon, pa rema, e lëkundur në një det
të shfryrë, e rrahur prej tallazeve të pasionit.Në këto kondita çdo organizim, çdo
politikë ishte e pamundur. Populli rënë në mizerje e anarki, po priste ngjarjet
në mënyrë pasive, pa zhvilluar dot asnjë vullnet”!
Po qe se
sot, varka e Shtetit Shqiptar, mund të konsiderohet se deri diku ka nisur të
notojë në drejtimin e saj, me komandant e rrema në një det sado të trazuar, sidoqoftë
anija e shqiptarisë, është ende në po ato ujëra që përshkruan mjeshtërisht ky
citat.
Një
popull akoma pranë mizerjes, që jeton në një gati anarki politike, në kushte ku
çdo organizim dhe politikë në të mirën e tij, pra të popullit, është ende e
pamundur!
Një
popull përjetësisht pasiv në veprimet dhe qëndrimet e tij, i cili pret dhe
vetëm pret, pa ditur kurrë që të zhvillojë një vullnet të tijin autentik dhe të
padrejtuar dhe orientuar nga autoritetet politike përmbi të.
Një
popull i mbetur akoma pre i valëve të një deti vazhdimisht të trazuar.
Në një
varkë pa rrema e drejtim të përcaktuar, në dorë të erërave të ndryshme që këtë
varkë shqiptarie e përplasin nga munden nëpër shkëmbinj të thepisur
vdekjeprurës turq e osmanë, por edhe nëpër ishujt e Helladhës a deri tek
brigjet e shkreta të Arabisë dhe Iranit, andej nga “Ura e Qabesë”, ku siç
thonin dikur vargjet, venin e vdisnin nizamë të rinjtë shqiptarë, duke luftuar
për turkun.
“Mbeçë
more shokë mbeçë...përtej Urës së Qabesë, falëm me shëndet nënesë ”-thoshte ajo
këngë vaji shqiptare!
Deri aty
kanë përfunduar shqiptarët duke bërë luftën e turqve, të më thotë dikush
ç’donin të rinjtë tanë në ato vise të djerra, të largëta e të vdekshme për çdo
të huaj?
Po ja, do
na dalin turkomanët e rradhës dhe do na thonë se ata luftonin për “madhështinë”
e supozuar të perandorisë së turqve!
Po me
mbijetesën e vendit të tyre Shqipërisë ç’bëhej ndërkohë që ata shqiptarë linin
kockat për turkun, në Arabi, Azi e Misir (Egjipt)?
Çfarë
fitonte Shqipëria nga kjo gjë?
Humbte të
rinjtë e saj, prapambetej dhe zhytej thellë e më thellë në gropën e qelbur
thithëse të zgjedhës osmane dhe i largohej me hap galopant përparimit dhe
iluminizmit europian, duke u injorantizuar, katundarizuar dhe verbëruar deri në
palcë!
Në vazhdë
të kësaj ideje po më kujtohen vargjet e një bejtexhiu të njohur shqiptar.
Hasan
Zyko Kamberi thoshte:”Nizamë e xhelepë s’ka, është populli fukara”!
Dhe të
thuash se bejtexhinjtë, përgjithësisht lëvronin një kulturë shkrimi dhe krijimi
tipike osmano-turke!
Ata
përdornin alfabetin arab për shkrimin e shqipes dhe vargjet e tyre i kishin të
mbushura dëng me fjalë të pafundme turke.
Por edhe
atyre u kishte ardhur në fyt shtypja dhe sjellja e turqve ndaj shqiptarëve.
Sepse
turku merrte të rinjtë shqiptarë dhe i vërtiste në zonat më të humbura dhe të
largëta të perandorisë, i linte andej për dhjetëra vjet dhe në shumicën e
rasteve as që u binte më të ktheheshin të gjallë mbrapsh në vendlindjen e tye
ndonjëherë.
Ja çfarë
thotë Çajupi i madh për shembull për Misirin:”Fushë, fushë dhe fushë prapë, fushë
e pasosur dhe shumë vapë”.
Mënjanë
që në Misir-Egjipt sundonte një familje pashallarësh shqiptarë me origjinë nga
jugu i vendit tonë, të cilët ishin gati komplet të pavarur nga sulltani dhe
Porta e Lartë në Stamboll dhe që si rrjedhojë aty ishin strehuar mjaft
shqiptarë.ky sidoqoftë është një përshkrim perfekt i cepave të perandorisë nga
hidheshin shqiptarët prej turqve.
Por
Çajupi u zgjuar dhe me humor largpamës shkruante dhe kështu në vjershën
“Punërat e Perëndisë”...:
”Kur bëre
derr’ dhe arinë,
Ç’deshe
që bëre Turqinë?
Se të mos
qënkej kjo farë,
bota do
të vinte më mbarë,
dhe do të
lulëzonte,
Shqipëria
do t’gëzonte”.
Për t’u
rikapur me fillin e shkrimit, i cili ndër të tjera flet edhe për boshnjakët, po
kaloj tani sërish tek tema e tyre.
Ata
supozohet të rrjedhin nga një grup sllavësh të quajtur Bogomilë, njerëz
heretikë të persekutuar njëkohësisht sa nga serbët e krishterë ortodoksë e po
aq nga kroatët katolikë.
Të dhënat
e lashta, të cilat flasin për ardhjen e sllavëve në Ballkanin e sotëm, nuk të
lënë ndonjë informacion të qartë për ta, pasi aty flitet vetëm për serbë, kroatë
dhe sllovenë nga njëri krah.
Në krahun
tjetër ishin shumë fise të vogla sllavësh të cilët më pas u përfshinë në
etnicitetin e quajtur më vonë bullgarë, për shkak të mbisundimit të fisit turk
të egër të bullgarëve mbi ta, të cilët më vonë u shkrinë me elementin
mazhoritar sllav dhe krijuan kombet e sotme bullgare dhe maqedonase.
Bullgarët
patën disa perandori të forta, me Car Borisin, Car Samuilin etj. përveç Khanëve
të tyre të parë si Asparuhu e Krumi.
Ata u
shtrinë për një kohë të gjatë edhe në territorin tonë shqiptar dhe kështu
shpjegohen edhe emërtimet e shumta sllavo-bullgare në rajonet e Shqipërisë.
Emërtime
që kryesisht u pranuan nga popullsia vendase edhe si kundërvënie dhe si
pretekst për shmangie ndaj taksave të autoriteteve bizantine grekofone, duke
zgjedhur kështu mburojën bullgare për arritjen e këtyre qëllimeve nga banorët
shqiptarë të asaj kohe.
Serbët
patën mbretëritë dhe perandorinë e tyre dushanase jetëshkurtër.
Kroatët
patën po ashtu disa zhupanate të tyre të pavarura para se të hynin në shtetet e
mëdha hungareze e austriake.
Sllovenët
prapë gjenden të përmendur historikisht si pjesë e rajoneve me dominim gjerman
apo austriak.
Ku janë
boshnjakët në këtë mes, një Zot e di!?
Dihet që
këta ish-bogomilët gjetën strehimin ideal tek pushtuesit e rinj turq dhe feja e
importuar prej tyre.
Ata
kthyen masivisht fenë dhe nisën të dallohen nga serbët dhe kroatët me të cilët
ndanin tradita dhe histori të ngjashme përveçse një gjuhë të njëjtë.
Gjatë
sundimit turk, ata u kthyen në bejlerë, çifligarë, agallarë e mëkëmbës të
çfarëdolloji të turqve.
Sot e
kësaj dite në Turqi, veç gjakut shqiptar që aq shumë trumbetohet, pjesa
europiane e rracës së shartuar turke, përbëhet nga miliona boshnjakë të
turqizuar dhe helenë nga banorët e Azisë së Vogël paraosmane.
Po këta
njerëz, pas kalimit të Bosnjes nën suazën e Perandorisë dualiste
Austro-Hungareze, e ndjenë veten të huaj dhe të papërshtatshëm me atë sundim të
ri joturk dhe masivisht e lanë vendin duke u shpërngulur me dëshirë të lirë
drejt Turqisë.
Ka të
dhëna që tregojnë se jo pak por rreth 150’000 prej tyre e lanë menjëherë
Bosnjen pas 1878-ës duke u nisur për Turqi, pasi nuk mund të ambientoheshin dot
me dorën e re austriake dhe kërkonin të vazhdonin që të shihnin qendrën e tyre
shpirtërore në Stamboll.
Punët e
tyre rrodhën të qeta, deri në formimin e Republikës Federative Jugosllave të
Bosnje Hercegovinës, në të cilën boshnjakët vetë ishin rreth 50% e popullsisë
së përgjithshme.
Por pas
“Bratstvo Jedinstvo” dhe viteve të bashkëjetesës me serbë e kroatë të një gjuhe
por me fe dhe identitet të ndryshëm nga ata, boshnjakëve nisën t’u venë keq e
më keq punët me fillimin e luftës civile në ish-Jugosllavi e cila e zuri
menjëherë edhe vendin e tyre.
Vend i
cili ndahej në vija etnike dhe fetare dhe sipas të cilave u zhvillua edhe
konflikti i tmerrshëm që pasoi në vitet 1992-1995!
Kohë kur
boshnjakët, të cilët për habi veten e quajtën sipas fesë së tyre dhe jo si
nacionalitet më vete, ata u gjendën të vetmuar dhe të izoluar, shpesh në
konflikt jo vetëm me serbët por edhe me kroatët dhe të ndihmuar jo rrallë nga
vendet orientale, arabë, turq e iranianë.
Por në
fund vetë lufta në Bosnje, ku humbësit e mëdhenj dhe viktimat e preferuara ishin duke qenë vetë boshnjakët, përfundoi
pas ndërhyrjes amerikane me avionët e NATO-s që bombarduan çetnikët serbë dhe
në terren ushtrinë kroatë që avancoi pa u ndalur në brendësi të Bosnjes deri në
hyrje të Banja Lukas (kryeqendrës se serbëve të Bosnjes), pasi kishin fshirë
nga hartat Krajinën Serbe në Kroaci.
Boshnjakët,
do thënë se ngjallën pak simpati në audiencën botërore për çështjen e tyre, megjithë
masakrat çnjerëzore që po kryheshin mbi ta nga serbët, megjithë përdhunimet dhe
krimet e padëgjuara si Srebrenica.
Pse
ndodhi kjo?
Përveç
apatisë konstante të Europës dhe pafuqisë kronike të fuqive europianë për të
marrë vendime, përveç ushtarëve frikacakë dhe moskëkëçarës të dehur hollandezë
që ia shtronin pijes me Mlladiçin ndërsa ca metra më tej pushkatoheshin në pikë
të diellit të gjithë meshkujt e qytetit, kjo gjë ndodhi edhe për arsye të
tjera.
Sepse
boshnjakët jo vetëm që nuk e kishin një vend amë që t’i mbështeste, por ata po
ashtu në vitet e luftës nuk bënë asgjë për të treguar qartësisht një identitet të tyrin të veçuar
nacional!
Për
shembull, ata nuk luftuan siç ndodhi me të treja kryengritjet e ushtrive
çlirimtare shqiptare në Kosovë, Presheve e FYROM, me simbolet kombëtare në krah
dhe në emër të një çështje të pastër nacionale të pangatërruar me gjë tjetër.
Me siguri
që po qe se Adem Jashari e pasuesit e tij do të kishin dalë me terma fetarë etj,
në luftën e tyre vetëmohuese me serbët, çështja e Kosovës, s’do t’a kishte
gjetur kurrë mbështetjen vendimtare ndërkombëtare që pati!
Ishte
pikërisht identifikimi i luftës së guerriljeve shqiptare, si një përpjekje jetë
a vdekje, për qëllime kombëtare, çlirimtare e për liri, objektiva këto
mbifetare dhe joreligjioze, ndër të tjera ajo që i siguroi legjitimitetin e
nevojshëm lëvizjeve kryengritëse shqiptare.
Kurse
gjatë luftës së Bosnjes, Boshnjakët njiheshin dhe vetëquheshin sipas termit të
tyre fetar dhe jo sipas identitetit nacional që do i dallonte etnikisht nga
serbët e kroatët dhe po ashtu do i jepte luftës së tyre një natyre tjetër
jashtë konotacionit religjioz.
Emri boshnjak
për ta, hyri në përdorim vetëm pasi lufta pati mbaruar përfundimisht.
Pas lufte,
në të kundërt të rastit të UÇK-ve, dolën në pah në atë vend edhe shumë
mbeturina të kësaj politike dhe këtij qëndrimi
plotësisht të gabuar ndaj identitetit të tyre kombëtar.
Bëhet
fjalë për tipa arabësh të ardhur gjatë luftës dhe që më pas u bënë problem
serioz për zhvillimin dhe sigurinë e atij vendi.
Qindra-mijëra
njerëz të pafajshëm të atij kombi humbën jetën dhe vendi i tyre u rrënua dhe
kjo për faj sigurisht të serbëve gjakatarë, por edhe për shkak të kësaj
mendjelehtësie fatale të vetë boshnjakëve, të cilët harruan që identiteti dhe
liria nuk kërkohet me fe, por me dashurinë për komb dhe për atdhe!
Kjo gjë i
është kanosur, do i kanoset dhe i kanoset ende mjaft shqiptarëve në trojet e
tyre.
Ky
bosnjizim apo bosnjifikim i qënies tonë shqiptare.
Ky
barazim i fesë me identitetin nacional në një komb shumë konfesional si i yni, ku
në momentin kur largqoftë do të niset të konsiderohet më e rëndësishme
përkatësia fetare se ajo nacionale, atëherë edhe katastrofa do të jetë direkt
prapa portës.
Bosnjifikim
që thellë-thellë do të thotë thjesht dhe qartë....”TURQIZIM”, por nga ai i
species shqipfolëse, siç ka edhe serbishtfolës të tillë.
Mbetjet e
lëna pas nga turqit në Ballkan janë ato që janë.
Boshnjakë
me identitet të dyshimtë dhe përherë në dyzim mes të qenit kombësi më vete apo
serbë të myslimanizuar apo edhe turq ballkanas me gjuhë tjetër.
Pastaj
kemi sanxhakasit e Serbisë dhe Malit të Errët, njerëz që herë hiqen si thjesht
myslimanë dhe që si të tillë edhe e regjistrojnë vetveten, herë mbahen për
boshnjakë me njëfarë identiteti më të sqaruar e herë janë edhe më serbë se vetë
serbët, por me fe të ndryshme.
Mes
këtyre të fundit fshihen edhe mjaft celula ekstremiste, si ajo që goditi
ambasadën amerikane në Sarajevë para ca kohësh, me një shenjë shumë kuptimplotë
“mirënjohje” për atë shtet që vëllezërit e tyre në Bosnje i shpëtoi nga
shfarosja me ndërhyrjen e tij ushtarake ajrore kundër serbëve!
Kemi
pastaj edhe boshnjakët e vetëidentifikuar si të tillë dhe të shpërndarë në
Kosovë e FYROM, të cilët s’dihet se si kanë zbritur mirë deri në Kosovë, e cila
edhe kufizohet me Sanxhakun, por deri në rrethinat e Prilepit e më poshtë nga
kanë ardhur, apo kanë rënë nga qielli?
Apo janë
shqiptarë ca të turqizuar në fe e ca të serbizuar në gjuhë?
Misteret
e jetës këto të cilat s’ia kemi ngenë aspak që t’i shpjegojmë tani.
Më tej
kemi goranët e Kosovës, deri diku të Shishtavecit tek ne dhe ata të FYROM-it.
Për të
tanët s’bëj dallim me shqiptarët e tjerë, pasi me pak përjashtime kemi të bëjmë
me njerëz që në shumicë jetojnë dhe flasin e mendojnë si shqiptarë, duke
përdorur në jetën e përditshme edhe një dialekt të vjetër bullgar, të mbetur
ndoshta nga ngulimet e shumë shekujve më parë gjatë zgjerimit të perandorive
bullgare.
Për
goranët e Kosovës pak di, por do vënë re se prej kohësh janë sulmuar si nga
serbët që i shpallin si myslimanë të tyret, sa nga boshnjakët e sa nga
bullgarët, ndërkohë që vetë vështirë t’a dinë se çfarë janë.
Këto ditë
ndërkohë doli në shtyp lajmi se vajza e mitur gorane të cilës i ra sipër orteku
i borës dhe që u shpëtua nga policia e Kosovës e dominuar nga shqiptarët, tani
shfaqej në duart e hoxhës serbishtfolës të zonës së saj dhe paraqitej si trofe
gjuetie para njerëzisë.
Punët e
tyre sidoqoftë që nuk na interesojnë!
Kemi në
fund edhe torbeshët e FYROM-it, maqedonishtfolës myslimanë.
Njerëz që
jo rrallë quhen Agim a Fatmir dhe që deri tek brezi i etërve të tyre kanë qenë
komplet shqiptarë, por që më pas janë sllavizuar duke ndjekur shkolla sllave
dhe folur gjuhën e FYROM-asve të tjerë.
Të tëra
këto shembuj flasin për një grup njerëzish me identitet gjithmonë në evoluim
dhe pa një formim të vërtetë kombëtar.
Njerëz
mbi të cilët mund të ngrihen hipoteza dhe të cilët shumëkush mund t’i
pretendojë si të vetët.
Dhe mbi
të gjitha njerëz më ndjenja dhe orientim të qartë filoturk!
Njerëz të
cilët në shumicë kanë humbur identitetin e tyre origjinal për shkak të
njëhësimit të etnicitetit të tyre me pushtuesin (turkun) dhe me fenë.
Prandaj
edhe sidomos neve shqiptarët duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm me të
tilla fenomene si ai i bosnjizimit të shoqërisë tonë.
Neve jemi
një popull i cili ia ka dalë të triumfojë mbi armiqtë dhe pushtuesit e shumtë, mbi
të gjitha për shkak të gjuhës sonë dhe ndjesisë sonë shumë të fortë nacionale e
cila na bën të ndihemi më shumë shqiptarë se ortodoksë, myslimanë, katolikë, protestantë
apo bekatshinj.
Po ashtu
identiteti ynë i pathyeshëm shqiptar na bën më të fortë se ndjenjat tona
filo-italiane, filo-turke apo filo-helene e filo-sllave!
Kjo është
pasuria jonë më e madhe e momentit, uniteti jonë në diversitetin përherë në
evoluim të qënies sonë unike shqiptare.
Po t’a
humbim këtë gjë, do përfundojmë edhe më keq se të gjithë “të paidentitetshmit”
e tjerë të Ballkanit dhe në fund do biem sërish në prehërin aziatik të turkut.
Por ky
rrezik qëndron gjithmonë mbi ne si një tip “shpate Demokleu”, gati për t’i rënë
përsipër fatalisht shqiptarit në momentin që ai do harrojë kush është në të
vërtetë e do nisi të ndjekë karrocat e turqve a dikujt tjetër përtej tyre.
“Shqipërinë
e mori turku, i vu zjarr.!....Shqipëtar mos rri po duku, shqipëtar”!-kështu
vjershëronte dikur Çajupi, pa e ditur ndoshta as vetë se fjalët e tija, akoma
do ishin aktuale edhe në ditët tona, shumë e shumë vite pasi ai i pati shkruar.
Fjalë të
fuqishme, kushtruese që dyshoj fort se do t’a humbin ndonjëherë kuptimin e tyre,
për aq kohë sa në këtë botë të ketë njerëz që vetes i thonë shqiptarë e të
tjerë që quhen turq.
Kjo pasi
në ADN-në tonë esenciale si shqiptarë është natyrale që të vetëmbrohemi nga
shumëkush por së pari nga turqit dhe pasojat e tyre edhe njerëzore që na
rrethojnë.
Por po aq
sepse edhe në ADN-në e turqve nuk ka sesi të mungojë qëllimi i përhershëm për
t’u hakmarrë ndaj atij populli që si fillim ua theu hundët sulltanëve dhe
jeniçerëve të tyre dhe më pas megjithë përpjekjet titanike nga ana e turqve për
shekuj me rradhë, asnjëherë nuk iu dorëzua hijes së errët turke.
Po e
mbyll me Çajupin sërish, me këto vargje të mrekullueshme të cilat do jenë
gjithmonë aktuale dhe kuptimplota.
Andon
Zako Çajupi
SHQIPËTAR
Shqipërinë
e mori turku, i vu zjarr!
Shqipëtar
mos rri, po duku shqipëtar!
Mjaft
punove për të tjerë, o fatkeq!
Kujto
vendin tek ke lerë dhe tek heq!
Të ka
bërë perëndia luftëtar,
Si
s’të lodhi robëria, shqipëtar!
Erdhi
dita të ngresh kokë, të kërkosh lirinë,
Bashkë
me shokë të leftosh!
Mos
bëni si keni bërë gjer më dje,
por të
leftoni të tërë për Atdhe.
Pesëqind
vjet kemi rruar me pahir,
Lidhur
me kemn’ e duar me zinxhir!...
Myslymanë
e të krishterë jemi keq!
Të
ngrihemi që të tërë, djem e pleq!
Të
ngrihemi të dëftojmë trimëri;
ja të
vdesim ja të rrojmë për liri!
O moj
Shqipëriz’ e dashur, mëmëdhe,
Të
shoh me buzë të plasur, si më sheh.
U
shkretove anembanë, Shqipëri,
se
shqiptarët s’kanë dashuri.
Gjithë
djemtë që ke qarë dhe mban zi,
për
Morenë janë vrarë, për Turqi!
Zhvish
rrobat e robërisë mëmëdhe,
vish
armët e trimërisë që ke.
PS: Për të pakënaqurit dhe dyshuesit
ndaj shkrimeve të mija, u sugjeroj
miqësisht që të mos marrin mundimin t’i lexojnë!
Shtypi, media dhe interneti janë të pafund dhe kanë
hapësira edhe për mendimet e tyre, po
kjo nuk është një e tillë dhe sa kohë që jetojmë në shoqëri pluraliste me liri
mendimi, neve do vazhdojmë të themi
mendimet tona të lira.