Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Çfarë të bëjmë me pedofilët?
E premte, 22.03.2013, 08:32 PM
Çfarë të
bëjmë me pedofilët?
Nga Elvi Sidheri
Kam parë
këto ditë pas daljes në sipërfaqe të ngjarjes së tmerrshme të ndodhur me
mostrën fëmijë-vrasës e abuzues, kam qenë dëshmitar pra i shumë reagimeve ndaj
këtij njeriu!
Të gjithë
kanë të drejtë të indinjohen, të tërë bëjnë më shumë se mirë që e ngrenë zërin
sa mundin kundër kësaj bishe të pashpirt e asaj çfarë ai ka guxuar të bëjë!
Të mos
kishte pasur edhe kësaj rradhe reagime, pas kësaj mënxyre të padëgjuar (se të
“pandodhur” nuk them dot me bindje se të tilla gjëra siç po del, me siguri kanë
ndodhur por nuk janë denoncuar apo më keq evidentuar nga njerëzit e organet
përkatëse)...të mos ishte indinjuar, irrituar apo acaruar njeri edhe në këtë
rast, atëherë seriozisht do të isha bindur që ndërgjegjia jonë qytetare si
shqiptarë, këto ditë do të kishte vdekur përfundimisht.
Në
Shqipëri lejojmë që shumë gjëra të ndodhin...e askush të mos e çajë qoftë edhe
lehtësisht kokën për to.
Priten
kokat, dhunohen njerëzit, shkelen të drejtat më thelbësore, preket prona, jeta
e fëmijëria e bijëve tanë, por askush nuk e vë ujin sërish në zjarr!
Çudia më
e madhe që sipas traditës duan të thonë se tre ditë zgjat, ajo tek ne nuk shkon
as tre orë të paktën!
Për habi
kjo gjë ndërkohë, sepse si traditë makutëria morboze shqiptare për të ditur
gjithçka për gjithëkënd, për të futur hundët pa asnjë lloj të drejte në punët e
të tjerëve...ky tipar i qënies tonë kureshtare në ekstrem pra, në të tilla
raste bëhet i padukshëm e kështu ngjarje të skajshme në tragjiken e tyre, bien
menjëherë në një harresë të turpshme e cila rregullisht në kohë rekord mbulon
çdo krim makabër që ndodh në vendin dhe brenda shoqërisë sonë.
Pra dua
të them që në sytë e publikut shpesh nuk është entiteti dhe rëndesa e krimit
ajo që më tepër paraqet e përbën gjënë më me peshë, por në të kundërt ajo që
cyt kureshtjen e sëmurë të shoqërisë është sekreti që mund të fshihet pas
krimit të rradhës.
Kjo
gruaja të cilës i ngulën thikën në në fyt...kishte të dashur apo jo?
Ky burri
që hodhi gruan nga kati i pestë, ishte cazë xheloz apo jo?
Kjo vajza
e cila ishte dhunuar për vite të tëra, edhe duke qenë minorene në moshë
ndërkohë, ajo a kishte ndonjë mik intim apo jo?
Dy
kushurinj që e zëmë se janë vrarë për kanalin ujitës mes tokave të tyre
bujqësore...a votonin këtë apo atë parti para se të thereshin mes tyre e të
linin gra e një tufë me fëmijë pa bukë pas?
Kështu
pra këto detaje të parëndësishme anësore, janë ato që vërtet tërheqin vëmendjen
e publikut të gjerë shumë më tepër se vrasja, përdhunimi, therja apo dhuna e
çfarëdollojtë që godet familjen, gruan apo tashmë edhe të miturit shqiptarë!
E kjo
është vërtet diçka e pangjarë askund tjetër veç shoqërisë dhe vendit tonë!
Në vend
që të analizohen e të vihet në shqyrtim ndërgjegjia jonë kombëtare (në e paçim
si popull një të tillë?!), që të kërkohen shkaqet e këtyre krimeve, e këtyre
fenomeneve që po trondisin në themel shoqërinë tonë...në vend të gjithë këtyre
veprimeve që kudo tjetër përveçse tek ne do të ndodhnin natyralisht pas të
tilla rasteve, ajo që ndërkohë ndodh është që këto ngjarje vetëm lihen nën
hijen e errët të harresës kolektive.
Kjo është
më pas normalisht arsyeja përse këto gjëra ripërsëriten në pafundësi me
makabritete gjithmonë e më të rënda e shpesh të paimagjinueshme po ashtu!
Ne jemi
një shoqëri që harron shpejt.
Shoqëri
që preferon gjithmonë shpjegime të cekëta në vend që çështjeve të tilla
kriminale e sociale po ashtu, t’u gjejë shkaqet e vërteta psikologjike, zhvillimore
e morale po të jetë nevoja!
Jemi një
shoqëri që akoma lëpin plagët 500 vjeçare të anadollakëve, prapambetje
mongolo-orientale ku hyjnë jo vetëm defiçitet në mendësinë tonë popullore, në
botëkuptimin tonë për demokracinë, lirinë e të drejta të tjera
themelore...diferencat ekonomike, sociale, kulturore etj që kemi me Perëndimin
e jo rrallë edhe fqinjët tanë të afërt...por ajo që në këtë rast ka rëndësi
është që jo pak prej këtyre gjëmave të përditshme lidhen po aq me atë
gjysëm-mijëvjeçari të kaluar përdhunshëm nën sundimin osman.
Haremet turke
me po aq burra sa edhe gra të ndarë në dhoma të ndryshme, poshtërsitë e
shumëllojshme, thikat pas shpine, vrasjet në gjumë, spiunimet e shitjet mes
familjarësh, miqsh e bashkëshortësh, duke arritur deri tek fenomenet si ky
aktuali për të cilin po shkruaj, janë një trashëgimi e “kulluar” turkomane që
mesa duket do e “mbajmë me shëndet” për kushedi sa kohë akoma!
Kujtoj që
përdorja kriminale antinjerzore e minorenëve për martesa për shembull, në
Europë nuk ndodh sepse ndalohet me ligj dhe shtetet e civilizuara atë që guxon
t’a shkeli këtë rregull...e plasin në qeli pa ia zgjatur fare!
Nga anët
tona kjo praktikë hasej në mos ndodh ende, deri vonë sidoqoftë e veç nesh vetëm
tek romët e Rumanisë mund të ketë ndodhur në tërë kontinentin tonë plak.
E kur
dikush minorenët i mendon si të “martueshëm”...atëherë vija e hollë që këtë gjë
e ndan nga i kobshmi “shfrytëzim seksual pedofil”, ajo është gati e padukshme!
Më tej
pafytyrësia turkomane, mostregimi e mosthënia e të vërtetave (edhe atyre që
lidhen me të tilla abuzime) brenda e jashtë familjes dhe në shoqëri, janë
elementet që më shumë e plotësojnë katrahurën në fjalë.
Turqit
mund të theren e shqyhen në dhomën e bukës, por kjo nuk i pengon që në dhomën
ngjitur...atë të miqve pra, aty më pas po të njëjtët njerëz që më parë i kanë
ngulur thikat njëri-tjetrit, ata kafen për “sy e faqe” do t’a pijnë
domosdoshmërisht së bashku, se ashtu e do tradita!
Kështu
edhe tek ne ish të pushtuarit e tyre shumëshekullorë, krime e dhunime të
çfarëdolloji ndodhin jo rrallë edhe brenda të njëjtave mure shtëpiake e për to
askush nuk flet pasi gjithçka duhet të mbesë pas kuintave (si në teatër ku ajo
ç’bëjnë aktorët spektatorit i intereson vetëm kur ngrihet sipari)...e etiketa
për “sy e faqe” do mbajtur gjithmonë e paprekur.
Në këtë
mënyrë mund të ketë dhunime të tilla, pedofili, vrasje, keqtrajtime femrash, grash,
të rinjsh e largqoftë siç po duket edhe fëmijësh, por për to askush nuk flet e
derisa këto gjëra bëhen kaq alarmante sa në këtë rast specifik, ato kalojnë të
pavëna re!
Kjo sepse
shoqëria jonë indiferente sa edhe post-turkomane, nuk e ka problem faktin që
këto gjëma ndodhin, sepse mjafton që ato të mos bëhen publike ndërkohë...e
fundja është sikur mos të kenë ndodhur fare!
Kështu
edhe jetojmë të lumtur, kafen e pijmë të qetë (turke dhe atë)...e po ashtu
bëjmë rregullisht sikur asgjë nuk ka ndodhur, sipas traditës “më të mirë”
shqiptaro-turko-kriminale që na mëson me përpikmëri të sillemi në këtë mënyrë
vetëshkatërruese sa edhe të papërgjegjshme për veten e shoqërinë tonë.
Prandaj
krime të tilla edhe kur ato prekin gjënë më të shenjtë...pra fëmijët, shpesh
kalojnë si pa u dukur, siç me shumicë kanë kaluar edhe fenomenet e pafundme të
keqtrajtimeve ndaj grave apo motrave e nënave tona, sepse shoqërisë sonë i bie
më lehtë të bëjë sikur nuk ka parë apo dëgjuar gjë!
E nuk po
them se pedofili apo dhunë të ngjashme nuk ka edhe në Europë apo zona të tjera
të civilizuara të planetit tonë.
Ka që
ç’ke me të!
Por kur
gjëra të ngjashme kanë ndodhur në Belgjikë para ca vitesh për shembull, me
pedofilin Marc Dutroux, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin e abuzimin e të
paktën 6 të miturave prej të cilave 4 i ka vrarë më pas, ato kanë shkaktuar
cuname të vërteta shoqërore e pse jo edhe politike.
Ky belgu
për të cilin po flas për shembull, njeri që veç këtyre horroreve me të miturat
që përmenda, po ashtu u akuzua edhe për përdhunime apo tentativa rrëmbimi të
disa femrave me origjinë lindore, ai pra ia kishte dalë që të dilte palagur nga
disa proçese e gjyqësore e hetime të drejtësisë së ngadaltë belge.
Ai ishte
arrestuar disa herë për krime të ndryshme e gjithmonë kishte qenë liruar për
ndonjë arsye.
Paaftësia
dhe cektësia e policisë belge pati arritur deri në atë pikë sa pasi ishte
kontrolluar shtëpia e tij, oficerët nuk kishin vënë re se në bodrumin e
pedofilit vrasës ndodheshin ende gjallë dy vajza të rrëmbyera të cilat për më
tepër edhe patën bërtitur për ndihmë por nuk ishin dëgjuar pasi policët në
fjalë patën menduar se britmat vinin nga
fëmijët e fqinjëve.
Ngadalësia
dhe paaftësia e autoriteteve për të zbuluar dhe ndaluar këtë njeri, bënë që
belgët (që prandaj s’janë shqiptarë!) të dilnin në protesta masive, në njërën
prej të cilave në tetor të viti 1996-ë në Bruksel që u quajt “Marshimi i
Bardhë”, morën pjesë mbi 300 mijë persona.
Më pas në
vitin 2000 për shkak të evenimenteve të lidhura me të njëjtin njeri dhe çështje,
jo pak por Ministri i Drejtësisë, Ministri i Brendshëm dhe Shefi i Policisë
belge dhanë të gjithë bashkë dorëheqjen!
Edhe në
këtë rast të ngjashëm në Belgjikë, në hetimin e ngjarjes dhe përgjegjësit, pati
vonesa, pakujdesi të pafalshme nga ana e hetuesve e policisë, por në fund u
arrit tek e vërteta, u dënua fajtori dhe populli u ngrit në këmbë kundër
sistemit të kalbur të drejtësisë i cili i mundësoi atij vrasësi pedofil që për
vite të tëra t’i shmangej ligjit.
Keni parë
gjë tek ne ndonjë protestë lidhur me këtë ngjarje këto ditë????????
Kafsha që
fëmijët i çonte në dukje për të blerë cigare e më pas i rrëmbente, lidhte, abuzonte
e vriste për t’i hedhur më vonë në fushën e plehërave në periferi të Tiranës, ai
pra për fat, falë edhe punës së lavdërueshme të policisë...u kap!
Kjo ka
rëndësi për momentin.
Të paktën
ky njeri-monstër nuk është më i lirë!
Por
ndërkohë tashmë për kaq pak ditë pas zbulimit të krimeve të tij të fundit, dimë
se ai shenjat e devijimit të tij kriminal i ka shfaqur prej kohësh në qytetin e
tij të lindjes ku është akuzuar disa herë për ngacmime apo abuzime me të
miturit.
Më pas ai
edhe është dënuar për të tilla krime në Greqi!
E si për
habi, kur për të njëjtat gjëra këtë qelbësirë humane e kanë akuzuar në Shqipëri,
askujt s’i ka rënë mendja t’u hedhi një sy preçedentëve të tij penalë lidhur me
pedofilinë apo abuzimet e tij të faktuara apo dyshuara.
Kjo mefshtësi e pabesueshme e lejoi këtë qënie të padenjë për t’u quajtur njerëzore, që ai të rrëmbejë sërish një të mitur, t’a abuzojë e t’a vrasi e më pas të njëjtën gjë të përpiqej t’a bënte prapë derisa më në fund policia e ndali njëherë e përgjithmonë!
Tani po
dëgjoj shpesh të dilet tek i njëjti përfundim...pra DËNIM ME VDEKJE!
U tha kjo
dhe u zgjidh puna!
Dënim me
vdekje nuk ka dhe këtë gjë pikësëpari ata që më shumë e thonë, e dinë mirë!
Jemi vend
në prag BE-je e në Europë ky dënim nuk aplikohet më prej kohësh.
Vlerat e
civilizimit europian janë të atilla që këtë praktikë nuk e pranojnë më prandaj.
Unë vetë
do propozoja Gijotinën franceze për të, pse jo!?
Të
njëjtin dënim meritojnë edhe ata që vrasin me gjak të ftohtë bijtë e tyre, nuset,
gratë apo ata që lëshojnë plumbin pa ju dridhur syri kundër kasiereve apo
shitëseve të pafajshme nëpër banka e dyqane të ndryshme.
Por
shanset që ky dënim i merituar të vihet në jetë janë aktualisht baraz me “
Pra “Zero
%” mundësi ka që dënimi kapital të kthehet në kushte demokracie në fuqi në
vendin tonë.
Nuk është
kjo zgjidhja e këtyre fenomeneve kriminale që kanë gllabëruar shoqërinë tonë.
Të vësh
si të vetmen zgjidhje dënimin me vdekje për këdo që kryen të tilla krime, është
një e drejtë, por kjo gjë askund nuk na shpie.
Do doja
të mendoja që sa herë ka të tilla gjëra, vrasje komisarësh policie, krime
makabre brenda familjes apo tashmë edhe pedofili të tillë, kur pra menjëherë pa
u thelluar tek ngjarja, shkaqet e “pse-të” e saj...direkt kërkohet me pathos
dënimi kapital, të mos bëhet kjo gjë pra...me qëllim të shmangies së të
kërkuarit të llogarisë e të përgjegjësive të vërteta!
Është e
thjeshtë të thuhet që ka pedofilë, ka vrasës serialë, ka maniakë të tillë, ka
kriminelë, ka të tilla ngjarje sepse nuk ka dënim me vdekje!
Sepse siç
e dimë...e vërteta nuk mbulohet me gisht!
Dhe e
vërteta është që nuk e ka fajin mungesa e dënimit kapital, se nuk është
mospasja në kodin penal e këtij dënimi shkaku përse ndodhin këto krime apo
përse ekzistojnë shpesh të lirë e të padënuar të tilla monstra kriminale.
Problemi
është tjetërkund e faji nuk është edhe në të tilla raste...aspak jetim.
Puna
është se dënimet për të tilla gjëra janë vetë të ulta, por edhe si të tilla ato
nuk zbatohen mirëfilli!
Puna
është po ashtu se normalisht, sidomos në këtë rast për të cilin po flas, ky
njeri DUHET TË KISHTE QENË I SKEDUAR SI PEDOFIL!
E njëjta
gjë duhet të ndodhë me të gjithë ata të rracës së tij, në mënyrë që policia e
shoqëria të kenë një njohuri për persona me rrezikshmëri të tillë.
Kurse më
pas ligjet që lidhen me armëmbajtjen pa leje, me vrasjet në familje, me
goditjen ndaj oficerëve të rendit, me dhunën ndaj femrës e për më tepër “të urryerat” abuzime ndaj të miturëve, ato
pra duhet të jenë tepër drastike, me dënime maksimale shumëvjeçare të cilët
nevojitet të zbatohen rreptësisht me rigorozitet e që duhet të jenë të
pa-apelueshëm si dhe po ashtu pa të drejtë reduktimi të kohëzgjatjes së
dënimit.
Shoqëria
jonë nga ana e saj, do bënte mirë që “sytë e faqet” t’i linte për të tjera
raste e në të tilla situata të vërtetën t’a shihte siç është, pa e fshehur e pa
e kaluar si të paqenë e të pandodhur!
Për më
tepër që po qe se ka arsye ndonjëherë që kjo shoqëri të bashkohet e t’a ngrejë
zërin në kupë të qiellit, ky moment është tani!
Të
ngrihet zëri ndaj këtij njeriu-monstër, ndaj shoqërisë që atë dhe ata si ai i
ka lënë të livadhisin të qetë ndërsa abuzonin fëmijët tanë e po aq të kërkohet
që ky djall-njeri të dënohet maksimalisht.
Të
kërkohet zbatimi, përmirësimi, ndryshimi e ashpërsimi i ligjeve që lidhen me
rendin në përgjithësi e këto krime të ulta antinjerëzore në veçanti.
Të
kërkohet që drejtësia të ekzaminojë ndërgjegjen dhe gabimet e saj, po të ketë
patur të tilla lidhur me këtë rast po ashtu.
Të
kërkohet e të bëhet drejtësi mbi të gjitha.
Jo të
kërkohet dënimi me vdekje kur kjo gjë dihet që është e pamundur dhe s’të çon në
asnjë drejtim.
Fëmijëve
tanë t’u mësohet që nuk duhet të flasin me të huajt, që duhet të dyshojnë tek
kushdo i rritur që u vardiset dyshueshëm.
Për shkak
të trashëgimisë turkomane, por edhe asaj Enveristo-sigurimse, do pranuar që jo
rrallë jemi një popull që spiunimin e ka të lehtë, qoftë edhe kur s’është
nevoja...atëherë këtë vigjilencë “hundëfutëse” në punët e fqinjëve, miqve apo
të afërmve tanë, pse të mos t’a përdorim për të mbrojtur fëmijët tanë nga
monstra të tilla?
Çdokush
që sheh të tilla raste, ato t’i ndalojë vetë po mundi, por mbi të gjitha t’i
raportojë tek organet përgjegjëse së paku.
Është
shumë më e pranueshme të bëhesh spiun ndaj një dhunuesi të gruas apo një
keqtrajtuesi të dikujt e aq më tepër ndaj një pedofili...sesa të bësh spiunimet
ala-shqiptare të punëve të fqinjit, të çfarë flet a çfarë vesh e ha tjetri e
kështu me rradhë!
Nevojitet pra një impenjim i përgjithshëm i shtetit, i organeve të hetimit e të drejtësisë dhe mbi të gjitha i shoqërisë sonë e cila duhet të ngrihet mbi dobësitë e saj, mbi indiferentizmin e moskokëçarjen tradicionale pra, një sforco e gjithanshme e të gjithë përbërësve të ngrehinës sonë shqiptare...në mënyrë që kjo sfidë ndaj fenomeneve të tilla kriminale në fund të fitohet.