Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Të jemi përballë një “genocidi” anti-femër, apo jemi shndrruar në emirat mesjetar grua-urryes?
E enjte, 18.07.2013, 06:00 PM
Të jemi përballë një “genocidi” anti-femër, apo jemi shndrruar në emirat mesjetar grua-urryes?
Nga Elvi
Sidheri
Duke e
nisur këtë shkrim, dua të vë në dukje se me emiratet si etnitete politike apo
shtetërore, nuk kam asnjë gjë, si me ato moderne apo ndonjë syresh më të
lashtë.
Emirate
tejet të përparuara për kohën kur ato kanë ekzistuar, ka pasur në Spanjën e
dominuar nga arabët para rekonkuistës kristiane, në shekujt 7-12 pas Krishtit, si
dhe po ashtu në Siçili për shembull, nga shekulli i 8 gjer në të 11-tin.
Ishin
kohë kur Europa zhytej thellë e më thellë në ujërat e ndotura të Kohëve të
Errëta, ku arsimi, librat e dijet që në Perandorinë Romake patën shkëlqyer dhe
prekur nivele të padëgjuara (që nuk u arritën më deri pas Revolucionit Francez
të paktën në kontinentin plak, pra rreth 14 shekuj pas rënies së perandorisë në
fjalë)...qenë harruar, djegur e mënjanuar dhe kur shkrimet e lashta që flisnin
për matematikën, filozofinë apo yjet dhe shkencat, ruheshin nëpër manastire të
mbyllura, teksa gjindja e përgjithshme mbytej në injorancë dhe bestytëni nga më
të ndryshmet!
Përgjatë
atyre kohëve, numrat, algoritmet, ekuacionet, frazat, vështrimet dhe llogaritë
yjore, thellimet filozofike e gjithçka i qe trashëguar njerëzimit nga bota
antike (Aristoteli, Platoni), u ruajtën dhe përkthyen ndër të tjera, me një
bujari dhe largpamësi të veçantë (duke shpëtuar kështu nga harresa dhe zhdukja,
për t’iu përcjellë brezave të ardhshëm deri tek ne sot), edhe në territoret e
emirateve arabe që ishin përhapur nëpër kufinjtë e Europës, nga Spanja në Siçili
e Maltë.
Me këtë
pra, dua të them se termi “Emirat” që përdor në titull, nuk mund të
konsiderohet domosdoshmërisht, si gjë jo e mirë!
Edhe në
ditët tona, kemi të pranishëm shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe (Abu
Dabi dhe Dubai i kamur e shumë “glamour” ku venë të shpenzojnë të hollat edhe
mjaft pasanikë të anëve tona, janë dy prej emirateve përbërëse të këtij shteti),
vendi që si shumë fqinjë të tjerë të Gjirit Persik, noton në naftë dhe falë
këtij burimi (jo të pashtershëm) energjitik, emirët dhe një pjesë e qytetarëve
të tij, lahen në ar dhe lukse nga më të shfrenuarit e imagjinueshëm.
Por si
“emirat” shumëkush mund të ketë dëgjuar edhe versionin aspak pozitiv të këtij
termi, atë që flet për Emiratin taleban në Afganistanin e para ca viteve për
shembull.
Problemi
themelor i këtij entiteti politiko-fetaro të marrë, tashmë e dimë se nuk ishin
fare vetëm “burkat”, pra veshja deri diku tradicionale e grave afgane, të cilën
ato edhe pas kaq vitesh prezencë të huaj perëndimore në vendin e tyre, s’është
se e kanë hequr në masë vullnetarisht, por në të vërtetë çfarë e bëri famëkeq
në ekstrem atë regjim “emirati”, ishin abuzimet dhe shtazëritë monstruoze të
vëna në jetë me gjakftohtësi dhe përpikmëri nga talebanët.
Aspekti
kryesor i sjelljes së tyre çnjerëzore, ishin veçanërisht GRATË, VAJZAT dhe
FEMRA në përgjithësi.
Rrugës
kishte vend edhe për vepra të tjera, tip 11 shtatori apo gjëra të ngjashme, por
këto janë fakte të njohura që shpunë paevitueshmërisht në fundin e asaj
çmendurie pas ndërhyrjes perëndimore.
Në këtë
version pra, termi “emirat” ka lidhje me titullin e këtij shkrimi!
Fati i
femrës të cilës i ka rënë...quajeni ju si të doni, pra ose “shansi” ose “barra”
që të lindi e gjora askund tjetër përveçse në Shqipëri (se mund të lindte edhe
në “parajsa” femërore si Islanda, Norvegjia, Suedia e tërë vendet Nordike, por
edhe në “ferr tokësor” femëror si zonat tribale pakistaneze, Kabuli, bota arabe
apo edhe trotuaret e Perëndimit ku femrat ende nën sytë dhe ndërgjegjen e
pavrarë të shumëkujt, prostituohen në mes të ditës dhe natës, duke u
shfrytëzuar barbarisht pa e lëvizur kush gishtin)...është i lidhur pra me shumë
pikëpyetje, të pathëna dhe të paditura po ashtu!
Ja përse
tashmë qartësisht në vendin tonë po ravijëzohen trajtat e një “genocidi” të
mirëfilltë mjaft spontan sa edhe të radikalizuar nën lëkurën e të qënit
shqiptar, ndaj femrës, gruas, nënës, motrës e shoqes apo mikes tonë në
përgjithësi.
Kjo që
ndodh prej vitesh në vendin tonë, nuk mund të mbulohet më me shoshë, është e
pamundur të heshtet, sa edhe të bëhet sikur asgjë nuk po ndodh tashmë!
Nuk para
merrem me statistika, por vështirë të ketë shtet tjetër rreth nesh apo më gjerë
në Europë, ku marria mashkullore, të arrijë nivele kaq të shfrenuara sa në
Shqipëri!
Rusët
ndoshta pijnë shumë vodka, furnizojnë Perëndimin, SHBA-në dhe Kanadanë me mish
të bardhë (prostituta), por sidoqoftë këtë prirje të lindur për t’i bërë keq me
qëllim femrës, nuk më duket t’a kenë!
Dyshime
çakërdisje ballkanike normalisht që bien mbi mjaft prej fqinjëve tanë, por as
serbët apo grekët (shovinistë të mëdhenj, genocid-bërës dhe shfarosës të
qindra-mijëra pjestarëve të kombësive rivale, si ne shqiptarët për
shembull)...nuk njihen për ndonjë tendencë të fortë dhunimi sistematik e aq më
pak vrasjesh e torturimesh ndaj femrës, ashtu siç prej kohësh vihet re të
ndodhë rregullisht tek ne.
Turqit
kanë lënë pas aq të zeza dhe mënxyra sa nuk del një jetë e tërë për t’i
numëruar dhe evidentuar, por megjithë një mendësi tejet anadollake që mbretëron
mes miliona banorëve të atij shteti (ku gruaja domosdo që përbën përherë të
fundit rrotë të qerres), sido që të jetë, nuk rezultojnë barbarë në këtë pikë
kundrejt femrës, siç duket të jemi neve.
S’besoj
se ndokush i palajthitur mendërisht, të dyshojë ndërkohë për prirje të tilla
anti-femërore nga francezët e rafinuar, meshkujt latinë spanjollë, italianët
tipikë “cascamorti” (që bien përmbys pas çdo gruaje) apo gjermanët e nordikët e
ftohtë sa edhe të njohur për respektin e tyre të rrallë kundruall barazisë
gjinore!
Pra
tanimë do pranuar, se përveç historisë sonë të lashtë, gjuhës sonë unike dhe të
bukur, gjakut iilir, thrak e arbëror, kujtimeve të Gjergj Kastritotit (atij që
e motra Mamica i drejtonte vetë një kështjellë, Petrelën dhe dilte edhe ajo në
luftë me armë në duar)...mbretëreshës sonë legjendare Teuta (që iu fut grindjes
me vetë romakët, pa pranuar të heqë dorë nga të drejtat e popullit të saj mbi
detin që ende atëherë quhej Jon, pra “I JONI”, Mare Nostrum-i i ilirëve)...e
gjer tek Nënë Tereza, shqiptarja humane dhe e amëshuar që na e njeh dhe
respekton tërë globi, këto kohë neve jemi transformuar dhe po bëjmë lajm
kryesisht si dhunues sistematikë të çdo femre me të cilën kemi të bëjmë!
Kjo i
përket pjesës mashkullore të banorëve të shtetit shqiptar kuptohet.
E vërteta
e zhveshur është, që kjo lojë nuk ka nisur sot dhe nuk besohet lehtësisht, se
brenda pak muajsh apo vitesh, mund të mbarojë.
Jo, kjo
është një frymë kolektive që është formësuar qysh larg nëpër rrjedhat e
historisë së shqiptarëve, mosrespekti dhe nënçmimi ndaj gruas ka ekzistuar më
parë me siguri, por ai ka zënë rrënjë të forta gjatë sundimit osman (jo se na i
lanë të gjitha “dhuratë” turqit, se duke tentuar t’u kalohet secili faj atyre, sikur
e lehtësojmë pak si shumë vetveten, ndërsa fajtorë jemi mjaft edhe ne, sikur
për asgjë, për faktin se kemi ditur në mënyrë tinzare, që nga çdo pushtues, të
përthithim gjithnjë, aspektet dhe trashëgimitë më të qelbura dhe të dëmshme të
mundshme).
Problemi
qëndron se pas shporrjes së turqve për nga patën ardhur në Turqinë e sotme (eh
sikur të qenë “çmolekularizuar” drejt e në Mongoli, andej nga Turkestani kinez ku
banojnë ende Ujgurët, turqit e origjinës, ”larg syve-larg zemrës” thotë një
shprehje popullore, larg turqve-larg marrëzirave mesjetare të tyre do të ishim
përfundimisht edhe ne)...shteti i ri shqiptar, sadoqë u kujdes të ngrinte nga e
para aparatin shtetëror, organizoi Bankën dhe financat, shtypi monedhën, reformoi
praktikimin e fesë e shumëçka tjetër, pozicionin e femrës brenda shoqërisë sonë,
nuk e nxorri dot nga mesjeta e egër ku akoma gjendej në shumicë.
Motrat e
Naltëmadhnisë së tij Mbretit Zog, visheshin ala-oksidentale, Tirana kishte një
elitë mondane, me gra të lira dhe moderne, Shkodra, Korça, Gjirokastra, Durrësi,
Vlora po ashtu njohën përparim të gruas në gjirin e jetës së tyre sociale, por
më gjerë mesjeta për gruan shqiptare ishte realiteti i përditshëm gjersa
partizanët hynë në kryeqytet me shokun Enver në krye.
Partia
bëri edhe ajo reformat e saj, popullin analfabet, injorant dhe të pagdhendur, e
çoi në bankat e shkollave (ashtu si vajzat e gratë, të cilat me hir apo pahir, për
të parën herë në historinë shqiptare e patën këtë mundësi), përmirësoi sistemin
mjekësor dhe femrës i dha mundësi të gjithëanëshme për t’u integruar në çdo
profesion brenda jetës së vendit.
Gratë u
bënë mjeke, mësuese, kuzhiniere, treniste, fatorino, sportiste, ushtarake, byroiste,
por atij regjimi skizofrenik i do njohur edhe “merita” e veçantë, se në të
persekutuarit dhe të përçudnuarit që i bënte vendit, gratë nuk i trajtoi aspak
veçan meshkujve dhe burrave!
Pra ato u
pushkatuan njëlloj, u internuan njëlloj, u torturuan njëlloj, u vranë dhe u
poshtëruan e u çnderuan edhe më keq se mjaft burra (Musine Kokalari është
shembulli perfekt në këtë kontekst, e mençur, e bukur dhe intelektuale e paepur,
të cilën e bënë të jetonte ferrin përgjatë disa dekadave, duke e trajtuar më
keq se shumë meshkuj që i kishin dalë kundër vijës së Partisë)!
Partia
dhe xhaxhi Enver nuk mund kurrësesi të pohohet se bënin dallime seksiste në
këtë këndvështrim, prandaj diktatura e tyre mizore, po qe se ka nevojë të
“vlerësohet” për diçka, kjo është barazia në persekutimin e secilës gjini të
popullit shqiptar, gra e burra, pa dallim feje, krahine dhe ideje (armiqtë e
popullit s’kishin ndryshim në qenë femra apo meshkuj)!
Pastaj
rrugës, teoria e “emancipimit të femrës” nga Partia, veçse shumë gra i shpëtoi
nga zgjedha e prapambetjes, iu hapi portat e dijes dhe shkollimit e punësimit, të
tjera i mashkullizoi duke i transformuar në “trimënesha”, ”burrënesha”, kooperativiste
me mëngët gjer në llërë, duart në komposto fekalesh gati për të plehëruar tokën
socialiste që do të ushqente popullin e uritur, traktoriste, tornitore, minatore,
ushtare, stakanoviste të dalluara, pa trajta femërore dhe praktikisht të
“aseksuara”, të shndrruara në qënie amorfe, jo më femërore, si krijesa ish-gra
në kërkim të perfeksionit që gjendej tek njeriu i ri socialist, i cili ishte
përherë një mashkull sypatrembur, i palodhur me kazëm në njërën dorë e pushkë
në tjetrën!
1990-ta
shqiptarëve dhe gruas e femrës tonë, i solli lirinë si kujtdo tjetër.
Por
bashkë me të erdhi edhe shfrytëzimi i seksit të dobët në trotuaret italiane dhe
më gjerë (nga duart e meshkujve shqiptarë), segregimi sërish i femrës brenda
mureve të shtëpisë, dhuna në familje, vrasjet makabre, krimet e pazbardhura
kurrë me objekt dhe viktimë gjithmonë vetëm femrën.
Femra
mbeti dekor dhe “makiazh” për shtetin e politikën shqiptare, parlamenti ka
ngelur ende i zbrazur me përfaqësim tejet të disfavorshëm për gati 50% të
popullsisë së Shqipërisë, qeveritë me ministre femra që nuk numërohen dot as me
gishtat e një dore dhe me pozicionet kyçe të aparatit shtetëror, gjithmonë
Gratë
kanë sigurisht shoqatet e tyre (shumë mirë që i kanë), kur ndonjë femër
masakrohet...edhe dalin nja 5-6 prej tyre (secila shefe shoqate, të cilës nuk i
vijnë as tre-katër mikesha me vete sa për shoqëri, në mënyrë që sheshi i
protestës të mbushej pak sa për të rënë në sy)...dhe “ngrenë” zërin kundër
dhunës që femrës shqiptare po i merr frymën, jetën dhe dinjitetin përditë.
Por
ndërkohë, inercia makabre e shtetit, shoqërisë dhe vetë gruas shqiptare, vazhdon
proçesin e saj dezintegrues, teksa shoqëria jonë vandalizohet edhe më tepër, gruaja,
nëna dhe motra jonë theret, goditet e vritet dhe genocidi shqiptar antifemëror,
aq sa edhe mendësia prej emirati afgan, nuk gjejnë ndalje!