Kulturë
Ryzhdi Baloku: Teveqeli foli nga budallalleku?
E marte, 03.09.2013, 08:22 PM
ATHUA KY TEVEQEL FOLI NGA BUDALLALLEKU ... ?
Nga: Ryzhdi Baloku
Derisa
drekonin, moti jashtë tërbohej gjithnjë e më shumë duke gjëmuar pa ndalë. Binte
aq shumë shi, saqë dukej se po vërshon një det i tërë, ndërsa ushtima e
Lumëbardhit nisi të dëgjohej brenda në dhomë, anipse rrjedha e tij shtrihej
bukur larg nga kjo shtëpi.
Xha
Sokoli mendon: Po të ishte një mot i këtillë në stinën e pranverës, atëherë kur
bora shkrihet maleve, ky lumë do të bëhej i pamëshirshëm, do vërshonte duke
fshirë gjithçka para vete edhe me përmbytje shtëpish, mu sikurse rreth dyzet
vjet më parë kur përmbi Shtypeq të Rugovës i fshiu prej faqes së dheut dhe e
shpërlau atë vend prej shtëpizave të kolonëve malazezë, duke e kthyer atë
sipërfaqe përsëri si në gjendjen e mëhershme që ishte.
Pas
jetesës së kolonëve aty mbi një decenie, një ditë Lumëbardhi u rrit aq shumë,
saqë i barti të gjitha shtëpizat e atij vendbanimi, të cilat shqiptarët i
kishin ndërtuar me dhunë, nën tytën e pushkëve të ushtrisë e xhandarmërisë malazeze.
Në
atëkohë përmbytjesh, xha Sokoli, si i ri e kishte parë një shtëpizë prej druri
duke lundruar si vapor nëpër Lumëbardh, me shporet të ndezur që nxirrte
shtëllunga tymi prej qyngut të ngritur si oxhak mbi kulm. Shtëpiza kishte
arritur deri në Pejë pa iu shkatërruar konstrukti.
Ai imazh
i kishte lënë mbresë të pashlyeshme nga ajo kohë. Xha Sokoli mendon: Ata që nuk
ia njohin teket këtij lumi, iu duket se është i vogël dhe i pafuqishëm, por një
ditë të tillëve do t’iu dalë “kapuç me mëngë”, sepse “bashkimi e bën fuqinë”, e
edhe ky lumë, duke i mbledhur përrenjtë e përroskat, di ta rrisë vëllimin e ta
shumëfishojë kapacitetin rrëmbyes, saqë do të përmbytë çdo gjë para veti.
Ai u
thellua aq shumë në mendime, saqë e ngadalësoi të ngrënit, ndërsa e shoqja Zoja
duke ia lëshuar sytë e vërente shqetësimin e tij, prandaj me një ton të butë iu
drejtua:
-
Ky, duke
mos ia treguar arsyen e vërtetë, e ktheu shikimin kah ajo e i tha:
-
- O
Sokol, me çfarë mendsh ai djali i Zekës i kishte hyrë atyre telasheve, duke e
ditur se bjeshka nuk shtyhet me gjoks ? !
Fjalët e
tij e kishin prekur xha Sokolin, pos që atë e kishte djalë shoku ai edhe vetë i
kishte përjetuar burgjet jugosllave dhe s’ishte kohë e gjatë që ishte liruar.
Pas atyre fjalëve u vu në dilemë: Athua ky teveqel foli nga budallallëku, apo
ndoshta e pat me prapavijë e qëllim të keq ?
Duke
menduar lidhur me këtë iu kujtuan edhe disa thënie popullore të tilla që e nervozonin, si: “Nëse pushteti
është gomar, mos gabo t’i hipish, por vetëm kape për dore dhe ledhatoje”,
pastaj “rruana Zot prej ujit, zjarrit dhe pushtetit”, si dhe “një dorë e fortë që
nuk thyhet, puthe”, e të ngjashme.
Këto
thënie nuk mund të ishin tabu, sepse secila e kishte zgjidhjen. Për “ujë” duhej
ndërtuar pendë të forta, ndërsa për ta shuar “zjarrin” nevojitej uji, kurse
“pushtetit të pushtuesit”, duhet futur flakën.
Proverbat
që sugjerojnë defetizëm, xha Sokoli i konsideronte të dëmshme dhe qëllimkëqija.
Pa hezituar, atij ia kishte kthyer:
- E
vërtetë zotrote është që bjeshka nuk shtyhet me gjoks, por për ta lidhur e
bashkuar trasenë apo rrugën, bjeshkës duhet futur minat, që qytetarëve t’u
shkurtohet rruga e t’u lehtësohet jeta. Pas kësaj bisede xha Sokoli i kishte
thënë:
- Më
duhet të kthej andej për t’i kryer ca punë, ditën e mirë.
Duke
kujtuar këtë ndodhi të para pak ditëve, xha Sokoli pushoi së ngrëni. Mendoi:
Çdo gjë duhet bërë me masë, dhe me asgjë s’duhet tepruar, madje as me ushqim. U
ngrit ngadalë nga sofra duke pëshpëritur më vete: “Zoti e faltë, e shtoftë dhe
e bëftë bollëk”. Kjo lutje i doli vetvetiu prej goje në formë rituali, ngase në
atë çast ia përshkoi mendjen “zia e bukës” të cilën në Kosovë për qëllime të
caktuara e kishin stimuluar pushtetarët
partizanë. Kujtesën për këtë ngjarje të asaj kohe ia ndërpreu një erë e
furishme me shi e breshër që nisi të përplasej në xhamat e dritares, gjë që si
me komandë të gjithë përnjëherë e kthyen shikimin jashtë. Xha Sokolit iu kujtua
se njërën prej kanatave të dritares në divanhane e kishte lënë hapur për
ajrosje. Ia mori mendja se shiu e breshri mund të futej brenda. Menjëherë u sul
për të shkuar atje, por pa dalë nga kuzhina i tha së shoqes:
- Zojë, kur t’i zieni kafet, timen ma sillni
lart, se unë po shkoj në divanhane.
Me të mbërritur atje, menjëherë u drejtua kah dritaret. Kur nisi ta mbyllë kanatën u dëgjua një krismë rrufeje, që u duk si shpërthim mortaje. Xha Sokoli vrojtoi përjashta andej kah gjëmoi. Pasi për pak çaste vështroi me kujdes në të gjitha anët, u kthye ngadalë e u ul në divan. Buçimat e herëpashershme ia përkujtonin ngjarjet nga lufta, të cilat kishin ndodhur njëzetë vjet më parë, e që prej asaj kohe të gjitha ishin palosur në kujtesën e tij si në një album me foto, të cilat faqe për faqe nisi t’i shfletojë në mendjen e tij.
Fragment
nga romani në dorëshkrim ..., i përgatitur për botim.