E premte, 03.05.2024, 11:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Kadillaku

E marte, 03.09.2013, 07:56 PM


Kadillaku

Tregim

Nga Kostaq Duka

-Të shtunë do të shkojmë në një shou makinash-më tha im bir.Bëhet fjalë për makinat kadillak që për shumë vite kamë qënë krenaria e makinave amerikane, për paraqitjen, luksin, komoditetin. Në to dihet, nuk mund të ulet kushdo sepse janë shumë të shtrenjta.

Mbeta në mëdyshje. Fjala kadillak më goditi fort dhe më pështjelloi mendimet…

-Më dëgjove?- Ritheksoi im bir. Unë dua të shkoj vetëm për ty se sa për mua kadillakët janë jashtë mode ose më troç nuk janë për ne të rinjtë. Brezi juaj e di që i pëlqen.

Brezi ynë! Cili brez? Sigurisht djali kishte parasysh shijet e kërkesat e 60-të vjeçarëve këtu në Amerikë mes të cilëve na përfshin edhe ne të ardhur nga një botë krejt tjetër.

-Po do të vij! Do të vij patjetër – i thashë me një entuziazëm të papritur sikur këtë ftesë për të parë një shou të makinave kadillak e kisha pritur prej kohësh madje ajo paskësh qënë një ëndërr e vjetër, strukur diku, që u rizgjua  krejt rastësisht.

Mjedisi ku po zhvillohej shou ishte i gjërë, plot dritë, zbukurime e gjallëri. Makinat kadillak të ekspozuara hijshëm prisnin e përcillnin vizitorë. Ishin makina të viteve të ndryshme të një periudhe kohe gati një shekullore sa është edhe vetë mosha e kadillakut. Padyshim vëmëndjen të tërhiqnin makinat e viteve 50-të e sidomos të viteve 70-të kur profili i kadillakut  si makina më luksoze u kristalizua plotësisht. Dhe seria mbyllej me makinat e këtyre 13-të viteve të para të shekullit të 21-të, që janë kurorëzim i traditës dhe novacionit për paraqitjen elegante, luksoze, shkelqimtare, komoditetit dhe teknikave më të përsosura  në lëvizje.

Mbeta i hutuar dhe i mahnitur. Për herë të parë merrja pjesë në një ngjarje të tillë. Organizatorët dhe vetë pronarët e kadillakëve te vjetër kryesisht edhe ata të moshuar të ftonin të shihje gjithçka, që nga motorët, sediljet, pajisjet e drejtimit, të ajrit të kondiconuar etj. Mes këtij shkëlqimi e luksi ndiheshe  si më ndryshe, si më i sigurt, i lirë, optimist për jetën dhe pse jo krenar për vetë qënien njeri që di të krijojë mrekulli të tilla.

I’u afrova një kadillaku ngjyrë argjendi të viteve 70-të. Pronari i saj, një burrë i shkurtër, barkalec, me një fytyrë të kuqe e të tultë, më ftoi të ulesha në vëndin e shoferit. Rehatohu-më tha- do të ndihesh mirë. Sediljet janë të gjitha prej lëkure.

Po nguroja.

-Ulu, ulu-më tha djali.

U ula dhe vendosa duart mbi timon. Një çast dhe m’u duk sikur kisha hipur në makinën  e ëndrrave për një fluturim marramëndës në rrugë të gjera e të pafundme.

Dhe në kujtesë m’u përshkëndit  ngjarja që edhe pas më shumë se dyzet vitesh s’më është shkulur nga mendja.

50-të vite më parë( kadillaku ku isha ulur sigurisht sa kish dalë nga prodhimi) u gjenda në një sallë të mbyllur, me dritare të vogla e me hekura nga jashtë. Ishte salla ku zhvilloheshin të ashtuquajtura gjyqe publike, thënë ndryshe gjyqe të popullit. Edhe unë isha aty pjesë e këtij “publiku” me padurimin për të ndjekur fatin e jetës së një të riu pak më të vogël nga unë në  moshë me të cilin isha rritur në një mëhallë diku afër varrezave të qytetit. Ai do të gjykohej për aktin e tentativës për arratisje bashkë me një të ri tjetër në të njëjtën moshë por që ishte nga pjesa e qëndrës së qytetit. Ky i  qëndrës së qytetit ishte edhe mbjellësi i idesë për të çarë shtigjet e telosura të kufirit.

Të folurat me zë të ulët u platitën. Në sallë u vendos një heshtje e tendosur. Prokurori një burrë me shtat mesatar, me flokë të ndara në mes në mënyrë disiplinore, me një kostum gri të hekurosur më së miri, me një gravatë të kuqe që nga shtrëngimi tendoste qafën e trashë nisi të lexojë pretencën.

Tonet ishin të larta. Veçanërisht zëri i prokurorit godiste lart kur përmendjej ajo “Bota tjetër” e parasë së pistë, e gjakut, e padrejtësisë, e borgjezisë. Ai herë i drejtohej sallës duke shoqëruar fjalët shterpë me lëvizjen e duarve e vërtitjen e syve me një shkëlqim çoroditës e herë kthehej nga dy të pandehurit, të dy kokëqethur, i qëndrës i hollë dhe i gjatë dhe i mëhallës së varrezave të qytetit, shpatull gjerë, me një fytyrë të vrarë e sy që të dukeshin me një shprehje të pakuptimtë, gati memece.

-Na shpjegoni planin, motivin, mënyrën e veprimit për arratisje-iu drejtua prokurori djalit të hollë. Dhe ja nxitja. Djali i qëndrës na kishte një xhaxha në Amerikë që bëhej garant për atë e shokun  e vet. I priste diku përmatanë, në Greqi. Kaq. Një ftesë! Por….nga “Bota tjetër”.

-Po ju, ju pse e ndoqët pas atë? –Iu drejtua djalit tjetër nga mëhalla e varrezave të qytetit, prokuri, me një zë buçitës si të vinte nga goditja e një llamarine të trashë me vare.

Çuditërisht ai s’po përgjigjej.

Prokurori mori frymë thellë dhe  shumëfishoi  tonet e zërit duke përsëritur me nervozëm pyetjen.

Djali me sytë memecë, të ngrirë pa një herë, dy herë nga salla pastaj nga prokurori dhe lëshoi këto fjalë: “ Doja të ulesha  në kadillak. Më pëlqen kjo makinë!”

-Çfarë?! Të përvëlonte dëshira të uleshe në kadillak?!- Buciti prokurori duke derdhur një lumë të tërbuar fjalësh kundër ëndrrës absurde , krejt të marrë, kundër kadillakut e shpikësve të kësaj veture lluksoze ku ulen shushunjat parazite të borgjezisë së kamur etj, etj.

Djali i mëhallës së varrezave të qytetit u mblodh nën shpatulla.  Më në fund  kishte thënë  atë që i zjente përbrënda dhe që s’kishin  mundur tja shqitnin  me lloj lloj dredhish e   kercenimesh në hetuesi…..

Po i shtrëngoja duart fort e gati me nervozizëm në kadillakun e viteve 70-të. Kisha humbur krejt duke shkuar  tutje në tunelin e erret të asaj kohe tashmë  të largët.

-Çohu tani! Apo po pret ta ngasësh?!- më tha im bir.

-Jo, nuk ka gjë! Rri sa të duash.- shtoi me dashamirësi burri i shkurtër , topolak, pronar i makinës .

U çova. Hutimin e tronditjen time  duhej kohë për t’ja shpjeguar tim biri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora