Ese
Le të
vazhdojmë...
Artistët
le të merren me zbukurim, korrigjim dhe mesazh. Ajo vazhdon. Le të vazhdojë se
duhet. Dy apo tri vija, nuk ka rëndësi sa. Mjafton ato të jenë të thella nga
shpirti i pafajësisë artistike, e cila duhet të dalë
Nga Dr.
Ilir Muharremi
Kjo jetë,
endje, vendosje dhe kontroll. I njëjti jam, më i sinqerti me veten dhe me ju.
Aspak nuk dua të kontrollohem, instinkti vendos si në ditën e parë. Vazhdim...
Piktori, poeti, shkrimtari, nëse planifikon nuk i ngjan shpirtit. Shpirti nuk
ka kontroll, as rregull. Absolutisht. Rrugë, ecje, bosh për të krijuar.
Arti, e
ardhmja
Arti
është ndezje e kundërt me çdo gjë. Arti hyn çdo kund, madje edhe të vdekurin
zgjon. Arti është lart, qiell, kaltërsi, por jo monoton, i thellë. Arti -
pavetëdije, e dijshme dikur. I vjetër për postmodernen. Vjetërsia pengon klith
absoluten për të dominuar. Arti, e ardhmja. Nëse merrem me të nuk do të nxjerr
ndonjë formulë perfekt. Relative për të ekzistuar. Shumë mirë. Vazhdon. Pse mos
të vazhdoj. Nuk kupton pse duhet të vazhdoj. Pak rregull, po sikur të kishte a
do ishte art? Autodidaktë, i pavlerë për të shkolluarit. Por, as ata, ose ne,
nuk jemi Da Vinçi, Mikellanxhelo, Rafaeli... Thellësi pa planifikim duhet të
ishte dhe duhet të jetë. Tingull i ngjyrës, përjetësi për të ulëtit. Ata që
gjithnjë do t'ju vlerësojnë. Rikard Vagner-Gjeni. Promethe - zbulim. Shekspir -
enigmë i dramës së shkruar. Le të vazhdojnë. Nietzche - kontradiktë në çdo
rresht që shkruan. Nuk është ai që në fillim. Pikaso - bukuri në fillim,
zhgënjim në fund. Van Gogh - dhimbje gjithnjë. Modiljani - harre, jetë pa
gjatësi. Vetëm moment. Po ku ikën këta që i shënuam, apo shënuan vetë mbisunduan
mbi ata që nuk i kuptuan. Ose i kuptuan për t'i lartësuar. Ishin të lartësuar
për të jetuar gjithnjë. Nuk planifikuan aspak jetëgjatësinë. Arti i tyre mahnit
bukuritë e virgjërisë endacake së gadishujve. Pse unë të citoj këtë thellësi.
Pse unë të jem pjesë e saj? Pse unë të komentoj këtë? Sa mirë sikur të mos isha
asnjëherë. Nuk do njihesha, nuk do dëgjojë zërat e tyre. Do isha një asgjë. Ai
asgjë as që do shkruaj, as që do përmendej. As këta nuk do përmendeshin. Le të
vazhdojnë. Lumë që rrjedh asnjëherë njëjtë. Heraklit për ta zbuluar. Pse duhet
të shkruaj? Pse duhet të komentoj? I programuar, ndoshta i paaftë për të
zgjedhë. Sinqeriteti shumë bukur shpalos vetëdijen, e cila gëlltitet nga çdo
gjë. Ndjenja shkrin, shpirti udhëheq. Trupi servil. Kështu duhet. Prapë duhet.
Pse të duhet? Ndoshta nuk është dashur. Në konflikt me çdo varg. Çdo pjesë e
kundërshtoj. Hapat që lënë gjurmë i shkel i korrigjoj, mirëpo ata lënë gjurmën
e pafajësisë. Bie borë, unë shkel mbi të. Sëmundje, armik i përbetuar, i
përbuzjes që nuk mund të luftoj, jo veç unë, por askush. Sëmundja fitimtare na
bënë skllav, edhe armik, por t'i fiton. Përse të na endësh? Vazhdo, duhet të
vazhdosh. Duhet edhe ne të bindemi. Loz me neve. Tamam teatër, që mungon
publiku i sinqertë. Publik duartrokitjesh që në premierë veçon të sëmurin. Nuk
e di përse e shkruaj. Nuk di përse këngëtari këndon aq bukur. Nuk di përse
shkrimtari thellon vargun dhe më tërheq. Përse piktori është aq ngjyror,
konceptual.
Jemi të
lashtë, gjithmonë të vetëdijshëm
Përse
Orhan Pamuk punon dhjetë orë për gjysmë faqe? Pse shumë për pak? Ndoshta ajo
pak është që duhet të jetë. Ajo shumë vetëm skllav për t'u sakrifikuar. Truri
është i shtrirë, i shfrytëzuar për aq sa duhet. Ajo sa duhet kontrollohet nga
frymëmarrja. Le të vazhdojë. Unë aspak nuk planifikoj, asnjë shkronjë që e
vendos. Nuk e di pse e vendos. Ndoshta as që duhet. I huaji i Kamysë doli me
një frymë. E ktheu veten në një jetë të ftohtë, zero. Nga aty u nis. Embrioni nënë. Ajo fiton, ajo
udhëheq. Ajo gjenetikisht na trashëgoi. E duam dhe do ta duam. Nuk është
lëvozhgë e vjetër që na mban. Ne jemi ajo. Kompleks i jetës përjetësi - nënë.
Vështirësi , përballje e sizifit, dy krijesa në të njëjtën kohë. Secili duhet
të kuptojë. Nëse nuk të kupton është i paaftë për të vazhduar. Ai vazhdon
kështu dëmton botën, ndoshta edhe kjo duhet. Le të duhet. Tamam rreth i çdo
gjëje. Matematikë pa zgjidhje. Nuk kemi faj. Sikurse të kishim faj, do të ishim
fajtorë që në lindje, në lindje jemi të bardh. Të pavetëdijshme na quajnë. Jemi
të lashtë, gjithmonë të vetëdijshëm. Nuk dalim nga absolutja. Vdesim fëmijë
sikurse qysh lindim. Kjo është kënaqësi. Artistët le të merren me zbukurim,
korrigjim dhe mesazh. Ajo vazhdon. Le të vazhdojë se duhet. Dy apo tri vija,
nuk ka rëndësi sa. Mjafton ato të jenë të thella nga shpirti i pafajësisë
artistike, e cila duhet të dalë. Pa vetëdije. Vetëdija edhe arti ekzistojnë. E
unë mendoj për të dyja. Njerëzit zgjatin jetën aq sa munden. Por, nuk dinë se
jeta mban kurorën me aq sa është.